Disa musliman kosovar rrahin hoxhen ditën e xhuma!
Wahabistët synojnë BIK-un?
Mulla Osman Musliu, zyrtar i Bashkësisë Islame të Kosovës beson se është rrahur nga persona që i identifikon si besimtarë "wahabistë". Thotë se ata duan ta marrin BIK-un. Për këtë ngjarje, e cila ka ndodhur në lutjen e së premtes në fshatin Zabel të Drenasit, policia ka arrestuar nëntë persona.
Express sjell emrat e tyre
Nëntë persona janë arrestuar si të dyshuar për rrahjen e hoxhës Osman Musliu nga Drenasi, ngjarje e cila ka ndodhur të premten e kaluar. Në këtë rast, përveç mulla Osmanit, si viktima, policia i konsideron edhe Bashkim Ibrahimin nga fshati Zabel i Ulët dhe një person tjetër. Katër prej këtyre nëntë vetave tashmë u është caktuar masa e paraburgimit prej tridhjetë ditësh, ndërkohë që pesë të tjerëve masa e arrestit shtëpiak, gjithashtu në afat prej tridhjetë ditësh. Dy nga personat e dyshuar për sulm mbi mulla Osmanin, në xhaminë e fshatit Zabel, në lutjen e së premtes së kaluar janë nga i njëjti fshat, kurse dy të tjerë janë të fshatrave të ndryshëm.
Më i vjetri prej këtyre katër personave të paraburgosur është tridhjetë vjeç nga fshati Llapushnik, kurse më i riu vetëm 23 vjeç nga fshati Zabel i Ulët të Drenasit. Të arrestuarit që janë duke u mbajtur në paraburgim në lidhje me këtë rast janë: Sefedin Gashi (1979) nga fshati Llapushnik, Rrustem Bublaku (1984) dhe Nderim Bublaku (1985) nga fshati Zabel i Ulët dhe Shefqet Krasniqi (1982) nga fshati Gllobar. Në lidhje me këtë rast, masa e arrestit shtëpiak në afat prej tridhjetë ditësh u është caktuar Zekë Bublakut (1949) nga fshati Zabel i Ulët, Veli Hajrizit (1945) nga fshati Shtrubullovë, Arsim Kastratit (1986) nga fshati Nekovc, Shpejtim Shalës (1979) nga fshati Cikatovë e Re dhe Nuhi Thaçit (1965) nga fshati Llapushnik.
Zyrtarë të policisë shpjegojnë për Express se në momentin e arrestimit, duke u bazuar në mënyrën e veshjes dhe dukjes, dy nga katër të arrestuarit që janë duke u mbajtur në paraburgim, i takojnë sektit "wahabi". "Dy prej tyre ishin me mjekra dhe me pantallona të shkurtra, që sigurisht se dalloheshin nga të tjerët", thotë ky zyrtar nga policia i cili është i përfshirë direkt në hetimin e këtij rasti.
I kontaktuar nga Express, hoxha Osman Musliu shpjegon se është i bindur se rrahja e tij është bërë nga "wahabistët", persona që i takojnë këtij sekti të besimit islam. "Unë jam hoxhë dhe e di, i njoh", thotë Musliu, duke shpjeguar se nuk e ka ndërmend të frikësohet as pas kësaj rrahjeje që i është bërë. "Ata munden edhe të më vrasin, por nuk frikësohem. Qëllimi i tyre është i thjeshtë, ata duan ta marrin Bashkësinë Islame të Kosovës", thotë mulla Osmani për Express. Sikurse edhe në rastet e tjera, edhe kësaj here, Bashkësia Islame e Kosovës vetëm ka reaguar ndaj këtij incidenti, të cilin e ka quajtur të turpshëm, por pa ndërmarrë ndonjë veprim konkret.
BIK-u ka kërkuar nga organet e rendit që raste të tilla të mos ndodhin më, pavarësisht se vetëm disa javë më parë një zyrtar i lartë i institucionit më të lartë të besimtarëve islamë në Kosovë është sulmuar në oborrin e shtëpisë së tij. Profesor Xhabir Hamiti ka marrë plagë në fytyrë dhe kokë nga rrahja që i është bërë në oborrin e shtëpisë së tij dhe sikurse mulla Osmani, edhe ai, në një intervistë për Express, për këtë veprim përgjegjës ka bërë grupet "wahabi", të cilat, sipas tij, gjithashtu duan të marrin nën kontroll BIK-un. Edhe Mulla Osman Musliu është kryetar i BIK-ut për komunën e Drenasit, i cili ditën e premte ka shkuar në xhami për të prezantuar para xhematit imamin e ri të xhamisë së fshatit Zabel.
Por, prezantimi i imamit të ri nuk është lejuar të bëhet nga disa të pranishëm, veprim i cili ka degraduar në përleshje e që mulla Osmani mendon se ky ka qenë një organizim kundër tij. Fshatarët e Zabelit kanë deklaruar se ata nuk kanë asgjë kundër mulla Osmanit dhe se incidenti i ndodhur nuk ka rrjedhur nga fshatarët e këtij vendbanimi.
30 ditë paraburgim:
- Sefedin Gashi (1979) nga fshati Llapushnik,
- Rrustem Bublaku (1984) nga fshati Zabel i Ulët,
- Nderim Bublaku (1985) nga fshati Zabel i Ulët,
- Shefqet Krasniqi (1982) nga fshati Gllobar.
30 ditë arrest shtëpiak:
- Zekë Bublaku (1949) nga fshati Zabel i Ulët,
- Veli Hajrizi (1945) nga fshati Shtrubullovë,
- Arsim Kastrati (1986) nga fshati Nekovc,
- Shpejtim Shala (1979) nga fshati Cikatovë e Re,
- Nuhi Thaçi (1965) nga fshati Llapushnik.
Autor: Jeton MUSLIU, janar 2009.