Leximi i dy ezanëve për namazin e xhumasë
Leximi i dy ezanëve për namazin e xhumasë është ndër çështjet për të cilën ekziston ixhmaja e ulemasë islame qysh gjatë kohës kur Osmani r.a. ka shtuar në ezanin që është lexuar gjatë kohës së Pejgamberit a.s. edhe dy ezanë dhe asnjë nga as'habët nuk ka kundërshtuar në këtë çështje.
Nga Saib ibn Jezidi transmetohet se ka thënë: "Në kohën e Pejgamberit të Zotit, Ebu Bekrit dhe Omerit ezani lexohej kur imami ngjitej në minber dhe pastaj Osmani, kur u rrit numri i muslimanëve e futi edhe ezanin e tretë i cili është lexuar në Ez-Zevra".
El-Kastalaniu, njëri ndër shpjeguesit më të mirë të Buhariut, duke e shpjeguar këtë hadith, thotë: "Ezani i tretë të cilin e futi Osmani ishte te hyrja e kohës së drekës. Me të janë pajtuar edhe të gjithë as'habët dhe është konstituuar ixhmai në këtë çështje". [1]
Ibn Haxher El-Askalani, duke e shpejguar këtë hadith, thotë: "Ne shohim se të gjithë njerëzit, në të gjitha vendet islame e kanë pranuar këtë qëndrim duke e pasuar Osmanin, halifin urdhrin e të cilit duhet dëgjuar. Edhe pse kjo risi nuk ka ekzistuar në kohën e Pejgamberit ajo është lavdëruar dhe është futur me qëllim që njerëzit të njoftohen për hyrjen e kohës së namazit. Ai qëndrimin e tij e mbështet me kijas për leximin e ezanit për hyrjen e kohëve të tjera të namazit. Kjo është nxjerrje e dispozitës nga baza e njohur dhe nuk mund të përgënjeshtrohet". [2]
Gjithashtu, Pejgamberi i Zotit na ka urdhëruar që t'i përmbahemi sunnetit të tij dhe sunetit të halifëve të tij Ebu Bekrit, Omerit, Osmanit dhe Aliut: "Kush do të jetojë pas meje do të sheh shumë mospajtime. Përmbajuni sunetit tim dhe sunetit të halifëve të drejtë".
Pasi që Osmani është njëri ndër halifët e drejtë mund të themi se personi i cili i konsideron dy ezanët për xhuma si risi të qortuar apo edhe gjë të ndaluar i kundërvihet urdhrit të qartë të Pejgamberit të Zotit dhe ixhmait të ulemasë islame, i cili vazhdon deri në ditët e sotme ndaj për këtë frikësohemi për imanin e këtij personi sepse kundërshtimi i ixhmait paraqet dalje nga suaza e sheriati islam dhe mohim të dëshmisë së dukshme që mund të shpie edhe në kufër.
Autor: Sami XHEKO
_________________________
[1] - Mexhmu'ul-fetava, Bin Baz, 12/899.
[2] - Fet'h'ul-Bari, Ibn Haxher El-Askalani, 2/394..