Mos i detyroni historianët turq të flasin me dokumente
Historia shqiptare s'ka sesi të rishkruhet, sepse akoma nuk është shkruar. Të ashtuquajturit historianë shqiptarë na kanë treguar përralla. Historianët e pakët që i kemi, ose janë lënë në anonimitet, ose janë shpallur të krisur.
Me lehtësi po sulmojnë Turqinë për këshillën e saj miqësore, por çfarë do të thonë kur të njëjtën këshillë do të na e bëjë ambasadori amerikan në Tiranë apo ambasadorja amerikane në Prishtinë?
Peticioni i nënshkruar kundër rishkrimit të historisë ka një gjë që e bën për të qeshur çdo intelektual serioz kudo në botë. Të thuash se pushtimi osman ka shkaktuar gropë të zezë në historinë e kombit shqiptar është një budallallëk me brirë. Zgjerimi i Perandorisë Osmane në Ballkan ka ndodhur në shekullin XIV, në ndërkohë që kombi i parë në botë (ai Suedez) ka lindur 2 shekuj më vonë, i dyti (ai Anglez) tre shekuj më vonë, kurse i treti (ai Amerikan), i katërti (ai Francez) etj. 4 shekuj më vonë.
Pra, ky zgjerim i Perandorisë Osmane në Ballkan ndodhi 6 shekuj para se të lindte kombi shqiptar. Ironia është se kombi shqiptar lindi pikërisht atëherë kur Perandoria Osmane u tërhoq nga Ballkani. Për të qenë ironia kulmore, ishte Perandoria Osmane ajo që kushtëzoi Fuqitë e Mëdha dhe vendet ballkanike që të mundësojnë lindjen e kombit shqiptar dhe shtetit shqiptar. E vërtetë se, në periudhën 1878-1912 ideja kombëtare turke u ndesh me idenë kombëtare shqiptare, dhe Perandoria Osmane në grahmat e saj të fundit u ndikua nga ideja kombëtare turke dhe nga presioni i shteteve ballkanike.
Por, në çastin vendimtar kur Shqipëria po rrezikohej të zhbëhej edhe si term gjeografik, siç na dëshmon Princi Wilhelm Wied, Perandoria Osmane vuri kusht që të formohej shteti shqiptar në kufij që do t'i përcaktojnë Fuqitë e Mëdha. Pikërisht për këtë, patriotët shqiptarë, pas vitit 1912, qofshin ata myslimanë apo të krishterë, nuk thanë fjalë të këqija as për Perandorinë Osmane e as për Turqinë e mëvonshme. Kujtoni Gjergj Fishtën (1871-1940) që ishte një prift katolik, pas vitit 1912, nuk shkroi fjalë të këqija kundër Perandorisë Osmane. Gjithë pezmi i tij kishte të bënte me sllavët.
Fushata antiosmane dhe antiturke filloi në kohën e regjimit të Enver Hoxhës
Fushata antiturke e antiosmane filloi viteve të 50-ta. Arsyeja nuk ishte askund tjetër, pos faktit se Turqia ishte aleate e Amerikës dhe Shqipëria ishte aleate e Rusisë. Ndërsa sa i përket Perandorisë Osmane, kjo hynte në funksion të së parës. Osmanët u cilësuan si turq. Në funksion të kësaj edhe përkthimet nga latinishtja u shtrembëruan, fjala osman, i pafe etj. u përkthye me fjalën turk.
Vjershës së Çajupit: "Shqipërinë e mori turku, i vu zjarr, shqiptar mos rri po zgjohu, shqiptar" iu dha hapësirë në të gjitha tekstet shkollore. Poetët dhe shkrimtarët që kishin shkruar për armiqësitë sllave u ndaluan. Në Kosovë e Maqedoni kjo atmosferë u përcoll përmes librave dhe profesorëve nga Tirana. Këtu akoma më shumë ishte e ndaluar të flitej e të shkruhej kundër sllavëve. Gjithë këngët, poezitë e romanet që shprehnin urrejtje ndaj sllavëve, për shkak të sundimit të egër serb, transformoheshin si tekste kundër turqve. Kjo u zhvillua aq shumë, sa edhe u harrua që kjo fushatë në fakt kishte nisur kundër serbëve dhe se me fjalën turk kishin zëvendësuar fjalën serb.
Paaftësia e historianëve shqiptarë
Por, cila është e vërteta? Historianët tanë janë aq të paaftë sa nuk dinë se çfarë ndodhi në luftën e fundit në Kosovë e Maqedoni, apo më 1997 në Shqipëri, e lëre më se çfarë ka ndodhur para 5 shekujsh. Historianët tanë nuk e dinë se kush e vrau kryeministrin Mehmet Shehu, ministrin Ahmet Krasniqi, apo kolonel Tahir Zemajn, kush e vrau kryetarin e Klinës, deputetët e Parlamentit të Kosovës apo gazetarët me nam, e si mund të presim se dinë se kush kujt i ka hipur 5 shekuj më parë dhe çfarë grope i ka shkaktuar.
Ai që njihet si një nga baballarët e historiografisë shqiptare, Arben Puto, insiston që më 4 shkurt 1944 janë vrarë 86 veta, në ndërkohë që nuk është në gjendje të nxjerrë listën as edhe me 12 emra. Apo Kristo Frashëri, që shkruan libër për Lidhjen e Prizrenit dhe në referencat e librit nuk e ka edhe doktoratën e Rexhep Krasniqit me po të njëjtin titull të mbrojtur në Universitetin e Vjenës që më 1934. Dhe Kristo Frashëri, historian e quan veten!?
Trashëgimia osmane u takon edhe shqiptarëve
Nëse trashëgimia romake u takon edhe italianëve edhe grekëve edhe gjermanëve edhe anglezëve, atëherë edhe trashëgimia osmane u takon edhe turqve, edhe arabëve, edhe grekëve, edhe bullgarëve, edhe serbëve edhe shqiptarëve, edhe boshnjakëve e madje edhe kroatëve e hungarezëve. Përparësia e turqve është se disponojnë me arkivat osmanë. Ata kanë fatin që Stambolli i mbet Turqisë e jo Bullgarisë, Greqisë apo Shqipërisë, përndryshe ai që do ta kishte Stambollin do t'i kishte edhe arkivat.
Nëse historianët turq do t'ua hiqnin pluhurin një pjese të arkivave osmane!
Këshillat nga Ankaraja janë më shumë se miqësore. Këto këshilla duhet t'i kuptojmë ashtu si edhe këshillat e amerikanëve për politikën e Kosovës. Perandoria Osmane është e njohur për rregullsinë e arkivave të saj dhe statistikat e përpikta. Nëse historianët turq do t'ua hiqnin pluhurin një pjese të arkivave osmanë, shumë mite shqiptare do të binin për tokë. E mira e së mirës është që ata që i thonë vetit historianë t'i konsultojnë këta arkiva, të mos ofendojnë e të mos gënjejnë për hava, sepse nëse historianët turq i përvishen kësaj pune do të kuptohet se të ashtuquajturit historianë shqiptarë nuk kanë shkruar histori, por përralla.
Prandaj ata që kërkojnë të mos rishkruhet historia shqiptare kanë të drejtë. Ajo s'ka sesi të rishkruhet, sepse akoma nuk është shkruar. Të ashtuquajturit historianë shqiptarë na kanë treguar përralla. Historianët e pakët që i kemi ose janë lënë në anonimitet ose janë shpallë të krisur. Pallavraxhinjtë dhe shërbëtorët e shokut Enver Hoxha shtihen sikur mbrojnë historinë shqiptare.
Ata nuk u bënë të gjallë kur qeveria greke ndërhyri në përmbajtjen e teksteve të historisë për nxënësit dhe studentët shqiptarë. Tani, me lehtësi po sulmojnë Turqinë dhe qeverinë e saj për këshillën e saj miqësore, por çfarë do të thonë kur të njëjtën këshillë do ta bëjë ambasadori amerikan në Tiranë apo ambasadorja amerikane në Prishtinë?
Autor: Nexhmedin SPAHIU