Pjesë nga Ditari i Atasheut Ushtarak Shqiptar Hajro Limaj
Midis Ankarasë dhe Tiranës (28.03.2009, Me rastin e 10 vjetorit të Luftës së Kosovës)
Politika e gjenocidit millosheviçian për shqiptarët e Kosovës ishte bërë një realitet tronditës. Konfliktet ishin kthyer në një fushë beteje, ku ushtria serbe kishte mësyrë në të katër anët e Kosovës për ta vendosur atë nën diktaturën ushtarake. Kosova kërkonte shpëtim. Shqiptarët e Kosovës ishin vendosur përballë një ushtrie të armatosur me të gjitha mjetet. Ata kishin nevojë urgjente për mbështetje ushtarake. Vendet e Aleancës së NATO-s debatonin çdo ditë, por nuk po vendosnin për ndërhyrje ushtarake. Negociatorët lëviznin me shpejtësi, por pa rezultat në takimet e zhvilluara me Millosheviçin. Presidenti amerikan ishte në dilemë: 'Të firmoste dekretin e ndërhyrjes ushtarake në Kosovë apo jo'?
Tirana ndodhej në një moment kritik. Prishtina i kishte drejtuar sytë dhe veshët nga Mëmëdheu. Por edhe Shqipërisë asnjë shtet qe pretendonte se ishte aleat nuk po i përgjigjej pozitivisht për një mbështetje ushtarake, nëse Tirana do të hynte në luftë për çlirimin e Kosovës.
Pandeli Majko, ish kryeministër i Shqipërisë
Kryeministri Majko e ndjente përgjegjësinë historike të Tiranës dhe kishte vënë në lëvizje të gjithë arsenalin e afërt politik dhe diplomatik. Ai shpresat i kishte kthyer plotësisht nga Ankaraja.
Turqia ishte me pushimet e Bajramit të Madh. 9 ditë rresht. Për këtë festë tradicionale, qeveria e kryeministrit Bylent Exhevit, [*] bashkoi periudhën e pushimeve të Bajramit me pushimet e fundjavës. Ankaraja, kryeqyteti i vendit, ishte zbrazur nga qytetarët dhe makinat e saj. Ata ishin "shpërngulur" në të katër anët e Turqisë për tu bashkuar me prindërit dhe të afërmit e tyre në festën shpirtërore të këtij populli bujar dhe mikpritës.
Megjithatë, në vazhdonim punën, mbasi prej Ankarasë ndiqnim me shume kujdes zhvillimet në Kosovë dhe qëndrimet ndërkombëtare ndaj saj. Në katin e dytë të ambasadës, ndodhesha vetëm unë me ambasadorin, Z. Saimir Bala, një djalë i ri, i cili ishte pa eksperiencë në misionet diplomatike jashtë shtetit. Ministri i Punëve të Jashtme të asaj kohe, Z. Paskal Milo, e kishte propozuar atë për ambasador, aq më tepër për në Ankara, pa qenë asnjë herë diplomat jashtë shtetit. Pra, ishte një emërim politik, që nuk mbështetej në karrierën dhe aftësitë diplomatike të tij, por në besueshmërinë e Partisë Social Demokrate. Emërime, të kësaj natyre fatkeqësisht në Shqipëri janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen nga partitë që vijnë në pushtet, edhe pse politikanët me demagogjinë e tyre shprehen se diplomacia është e depolitizuar dhe përfaqësuese e shtetit. Megjithatë, Zoti Saimir, në fillim kishte dëshirë dhe predispozicion të mësonte dhe të punonte. Për ketë arsye, me mua, si atashe ushtarak, përpiqej të komunikonte dhe të vendoste marrëdhënie bashkëpunimi serioz në interes të realizimit të misionit që ne kishim. Kështu, që për të gjithë sektorët punonim se bashku dhe për sa kohë ai vazhdoi kështu pati suksese në rritje, ndërsa kur u largua nga rruga e bashkëpunimit ai gaboi shumë, derisa e kthyen para kohe në Atdhe.
Por le të kthehemi tek tema qe diskutojmë. Atë ditë, më 29 Mars 1999, pa pritur, ambasadori hyri me shpejtësi në zyrën time dhe me kërkoi të shkoja në telefonin e zyrës se tij, mbasi më kërkonte nga Tirana kryeministri i Shqipërisë, Zoti Pandeli Majko. Nxitova tek telefoni dhe menjëherë ju përgjigja: "Urdhëroni, Zoti Kryeministër!". "Zoti kolonel", mu përgjigj Ai nga ana tjetër. "Realizoni një takim urgjent me kryeministrin Exhevit dhe mbasi t'i shpjegoni situatën në Veri të Shqipërisë ... Forcat e ushtrisë serbe kanë bombarduar disa herë me artileri dhe nënrepartet ushtarake të saj vazhdojnë të hyjnë në thellësi të territorit tone. I kërkoni Atij, të bëjë një deklaratë të fortë për median, ku të shprehë qartësisht mbështetjen reale të Shtetit dhe të Forcave të Armatosura të Turqisë në mbrojtje të sovranitetit të Shqipërisë dhe pastaj i parashtroni Atij nevojat urgjente të Forcave tona të Armatosura për mbështetje logjistike, sipas faksit qe do t'u dërgoje tani Luani, Ministri Mbrojtjes. Në takim merr edhe ambasadorin!", - përfundoi Ai dhe "me raportoni për rezultatet e këtij takimi!".
Duke ju përgjigjur Atij "Si urdhëroni", sytë i kisha kthyer nga ambasadori, i cili ndiqte me shume kujdes bisedën qe po zhvilloja me kryeministrin Majko. Ai ishte i ndërgjegjshëm se perse kryeministri, pa folur këtu për Ministrat e Mbrojtjes që ishin të detyruar të komunikonin dhe të shkëmbenin korrespondencën vetëm me mua, të bisedonte për probleme madhore direkt me mua. Kjo ndodhte, mbasi unë kisha një periudhë të gjatë që punoja Atashe Ushtarak i Republikës se Shqipërisë në Ankara dhe gjatë vizitave në Turqi të kryeministrave dhe ministrave kishin parë rezultatet e shkëlqyera të bashkëpunimin ushtarak midis dy vendeve tona, bashkëpunim i cili në të gjitha takimet vlerësohej si "krenaria e bashkëpunimit dy palesh". Ketë përfundim, me dashje apo pa dashje e pranonte dhe e deklaronte edhe ministri i Punëve të Jashtme, Zoti Paskal Milo, i cili ishte një nga ministrat e Jashtëm që jo vetëm nuk i mbështeste atashetë ushtarak jashtë shtetit, por ishte shume xheloz për pavarësinë e tyre nga ai.
U riktheva në zyrën time dhe kërkova në telefon shefin e kabinetit të kryeministrit Exhevit, zotin Zeynël Yeşilay. Ju prezantova dhe mbasi e urova për festën e Bajramit, i kërkova një takim urgjent me kryeministrin Exhevit. Unë me atë njihesha nga afër dhe kisha patur mundësi të takohesha e bisedoja disa herë. Kryeministri Exhevit, atij i besonte shumë. Mbas 5 minutash nga kërkesa që i bëra, ai më konfirmoi takimin e menjëhershëm. Sa vesha uniformen ushtarake të kolonelit, të cilën e mbaja në gardërobën e zyrës, ambasadori kishte nxjerrë nga parkingu i ambasadës makinën zyrtare dhe me një here u nisem drejt kryeministrisë. Makinën e ngiste ambasadori, mbasi shoferi i ambasadës ato ditë ndodhej me pushimet e Bajramit. Rruga kishte shumë pak trafik dhe në orën 13.00 mbërritëm para ndërtesës së kryeministrisë. Në shkallet e hyrjes se kryeministrisë ndodheshin dy gazetarë, të cilët u drejtuan menjëherë drejt nesh. Por, oficeri sigurimit të Kryeministrisë na shoqëroi për në katin e dytë të godinës dhe ne hymë direkt në zyrën e punës se kryeministrit Exhevit. E përshëndetëm dhe e uruam për festën e Bajramit, pastaj fillova me njëhere t'i transmetoja mesazhet e kryeministrit tonë, Zotit Majko: "Vëllai juaj i vogël, kryeministri Majko, ju dërgon nga Tirana të falat dhe përshëndetjet me të mira", e fillova bisedën me Të. Duke ditur marrëdhëniet e tyre kofidenciale, e fillova takimin pikërisht me të falat e "vëllait të vogël", siç e konsideronte kryeministri Exhevit, kryeministrin tonë, Zotin Majko. Pastaj i shpjegova Atij situatën politiko-ushtarake në kufijtë verior të Shqipërisë, ku reparte të ushtrisë serbe bombardonin me artileri në thellësi të territorit tonë, ndërsa nënreparte të zbulimit dhe të trupave komando të ushtrisë serbe hynin në thellësi të kufijve tanë deri 10 kilometra. Ata pretendonin se në ato zona ishin strehuar trupa të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mund ta përdorin si pretekst për te hyrë në thellësi. Gjithashtu Shqipërinë Beogradi e akuzon për hapësirën ajrore qe i ka dhënë në përdorim avionëve të NATO-s. Pra Shqipëria ne çdo moment mund të përfshihet ne luftë. Në këto rrethana qeverisë tonë i duhej të përforconte kufijtë dhe të vendoste në gatishmëri njësi dhe reparte ushtarake, por i mungonin pajisjet ushtarake të nevojshme. Divizioni Kukësit është në gatishmëri numër 1, i përforcuar edhe nga Tirana.
Kryeministri turk, me gishtat e dorës që i dridheshin për arsye shëndetësore, shtërngonte stilografin me të cilin shkruante problemet dhe nënvizonte çështjet me të rëndësishme të tyre. "Po mire", mu drejtua mua, "keni juve të dhëna të mjaftueshme informative, qe vërtetojnë se njësi dhe reparte të ushtrisë serbe do të mësyjnë me forca të organizuara në hapësirat tokësore të Shqipërisë se Veriut?". "Deri tani, për një mësymje të tille nuk mendohet, por do të vazhdojnë të bombardojnë me artileri dhe të shkelin territorin tonë me grupe zbulimi dhe nënreparte të trupave komando. Por, se si do të evoluojë situata ditët në vazhdim, nuk mund të gjykojmë plotësisht që tani. Fakti është se ne jemi përballë një ndërhyrjeje me trupa ushtarake në kufijtë dhe territorin verior të vendit", ju përgjigja pyetjes se Tij. Ambasadori me ndiqte në sy dhe përpiqej të kapte ndonjë fjale të veçantë, mbasi ai nuk dinte fare turqisht. Në ketë kohë, kryeministri Exhevit shtypi butonin e kuq të linjës telefonike qe kishte përpara dhe në anën tjetër i'u përgjigj Komandanti Forcave të Armatosura dhe Shefi i Shtatmadhorisë, Gjeneral-Armate, Huseyin Kevrekoglu. Kryeministri Exhevit komunikonte me gjeneralin si me një bashkëpunëtor dhe me shumë edukatë. Mbasi mbaroi bisedën me komandantin, Ai me qetësinë që e karakterizonte mu drejtua: "Zoti Atashe, nesër në orën 09.30 të presin në Shtatmadhori, mbasi për plotësimin e kërkesave tuaja do të bëhet një mbledhje urgjente".
E falënderuam me përzemërsi për pritjen dhe angazhimin serioz të Tij dhe zbritëm shkallet për tu nisur në ambasadën tonë. Gazetarët ishin informuar për takimin tonë dhe menjëherë filluan t'na filmonin dhe t'na pyesnin se cili ishte qëllimi i këtij takimi me kryeministrin Exhevit në ditët e Bajramit? Ata mu drejtuan veçanërisht mua, mbasi u tërhoqi vëmendje prezenca e një atasheu të huaj ushtarak, i cili në takimin me kryeministrin ishte i veshur me uniformën përkatëse. Duke ecur ngadalë i'u përgjigja gazetareve se "në erdhëm për të uruar Kryeministrin për festën e Bajramit si dhe shkëmbyem disa mendime për zhvillimet e ditëve të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në Kosove".
Atë natë kanalet televizive të Turqisë dhanë takimin tonë me kryeministrin Exhevit si dhe deklaratën qe Ai beri para gazetareve në mbrojtje të kufijve dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë. Ai,me atë qetësinë e tij natyrale nënvizoi se "Shteti dhe Forcat e Armatosura të Turqisë janë në krah të popullit vëlla shqiptar dhe nuk do të lejojnë askënd të prekë kufijtë dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë. Në rast nevoje, vazhdoi Ai, Turqia do të mbrojë se bashku me Shqipërinë sovranitetin dhe pavarësinë e popullit mik dhe vëlla të Shqipërisë". Kjo ishte një deklaratë, e cila u bë në kohën, vendin dhe formën e duhur. Ajo u transmetua në të gjitha agjencitë e lajmeve të botës dhe u botua në shtypin kryesor të shumë vendeve.
Të nesërmen, në orën 09.30 mbërrita në Shtatmadhorinë e Forcave të Armatosura të Turqisë, një godinë madhështore në qendër të Ankarasë. Kur u drejtova për në sallonin e mbledhjeve pashë njeri mbas tjetrit gjeneralët, të cilët ishin në funksionet e drejtuesve të Drejtorisë së Operacioneve, Drejtorisë se Logjistikes, Drejtorisë se Zbulimit, etj.. Njeri prej gjeneralëve, mbasi më përshëndeti, me buzën gjysma gaz, mu drejtua duke me thënë: "Kolonel Hajro, mirë, që ditët e zakonshme që nuk na le rehat ditë e natë, por edhe ditët e Bajramit na e bërë ketë!". Duke qeshur edhe unë ju përgjigja: "Zoti gjeneral, Miku i mirë njihet në ditë të vështira". Ashtu është, tha ai, dhe se bashku u futëm në sallën e mbledhjeve. Përveç ushtarakeve të lartë të Shtamadhorisë, në mbledhje kishte ardhur edhe përfaqësuesi Ministrisë se Punëve të Jashtme, Drejtori i Drejtorisë se Marrëdhënieve me Vendet e Ballkanit H. Taner Seben. Pa e zgjatur unë u dorëzova në turqisht listën e mbështetjes që kërkonte Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë. Mbasi studiuan listat, ato i shpërndanë sipas drejtorive përkatëse. Por, përpara shpërndarjes se tyre i'u referuan edhe njëherë detyrave që kishte vendosur Shefi i Shtatmadhorisë, Gjeneral-armate Hyseyin Kivrikoglu nga takimi qe Ai realizoi me datën 3 Mars 1999 me kryeministrin shqiptar Pandeli Majko, kohe në të cilen nuk kishin filluar akoma bombardimet NATO-s në Kosove. Zoti Pandeli Majko me ftese të kryeministrit Exhevit vizitoi Ankaranë me datat 2 dhe 3 Mars, me objektiv kryesor krizën në Kosove. Kryeministri Exhevit në përfundim të takimeve me Zotin Majko nënvizoi se: "Në të gjitha njësitë që janë krijuar, qoftë për sigurinë e jashtme, qoftë për sigurinë e brendshme dhe qetësinë e Shqipërisë, Turqia ka një pjesëmarrje të madhe. Në të njëjtën kohe vazhdon zgjerimi edhe i bashkëpunimit tonë në fushën e ekonomisë". Gjithashtu ai shtoi se "në takim një vend të rëndësishëm zuri çështja e Kosovës".
"Atëherë, zoti Atashe", mu drejtua Drejtori i Përgjithshëm i Logjistikes, "ne sonte do të hapim rezervat e Armatës në Ankara dhe nesër në mëngjes do të nisen avionët e parë të transportit ushtarak me paisjet përkatëse, për t'i zbarkuar në aeroportet e Shqipërisë". Duke më dhënë dorën, të shoqëruar me një buzëqeshje të lehtë, shtoi: "miku i mirë njihet në ditë të vështira, apo jo zoti Kolonel".
Dhe ashtu ndodhi. Në agimin e të nesërmes nga aeroporti ushtarak i Ankarasë u nisën drejt Shqipërisë avionët e transportit ushtarak. Në atë kohë për në kufirin verior të Shqipërisë udhëtonte ministri i Mbrojtjes, Zoti Luan Hajdaraga. Trupat ushtarake të divizionit të Kukësit kishin kaluar në gjendje të jashtëzakonshme.
Pra Turqia, nga Lindja e Mesme,i kishte dalë garant Shqipërisë për mbrojtjen e sovranitetit dhe pavarësisë se saj nga një sulm i mundshëm ushtarak i Serbisë. Ishte i vetmi vend që në atë kohë debatesh dhe diskutimesh për ndërhyrjen ose mos ndërhyrjen ushtarake të NATO-s në Kosovë, qe garantoi Shqipërinë se do ta mbështeste direkt me forca ushtarake dhe armatime për mbrojtjen e sovranitetit të vendit dhe shmangien e një gjenocidi serb në Kosove. Turqia, si një "tigër" gjigand mbi hapësirat e Anadollit I kishte kthyer sytë dhe veshët plotësisht nga Shqipëria dhe Kosova. Atë e "furrnizonte" me ushqim te freskët dhe e mbante në gatishmëri e gjithë media e vendit. Pra, problemi ishte shumë delikat. Nëse NATO nuk do të ndërhynte ushtarakisht në Kosovë për të ndaluar gjenocidin ndaj popullsisë autoktone shqiptare, Shqipëria do të hynte në luftë në mbrojtje të Kosovës. Pra do t'i hapte luftë Serbisë. I vetmi vend aleat qe i u përgjigj pozitivisht kryeministrit Majko për ta mbështetur në një luftë të tille dhe të drejtë, ishte vetëm Turqia, qëndrim të cilin më vonë e mbajtën edhe shtetet kryesore te NATO-s. Dhe mbështetja do të ishte tepër e fuqishme. Por ato ditë, edhe pse kishte filluar kthesa e madhe historike me fillimin e bombardimeve të Nato-s në hapësirat e ish Jugosllavisë, sovraniteti dhe integriteti i Shqipërisë mund të dhunoheshin në çdo moment. Me 24 mars 1999, Aleanca me e fuqishme ushtarake në historinë e njerëzimit, NATO, e nisur nga ideja humane për shpëtimin e popullit të Kosovës, kur këtij i kanosej gjenocidi dhe zhbërja fizike,kishte filluar sulmet ajrore kundër forcave serbe në Kosovë. Por kjo nuk përbënte aspak dorëzimin dhe tërheqjen e menjëhershme të Serbëve nga Kosova. Lufta e drejtë e popullit të Kosovës, e udhëhequr nga Ushtria Çlirimtare, që shkurtimisht u emërtua UÇK, bëri që Aleanca ushtarake me e fuqishme në botë të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor në Kosovë, lirisë, paqes dhe demokracisë dhe mbas 2.5 muajsh ta dëbojë ushtrinë e Millosheviçit nga territoret e Kosovës.
Autor: Hjro LIMAJ
_________________________
[* ] - Z. Exhevit, në Turqi ishte një nga politikanët me të respektuar, bile më i respektuari dhe me i dashuri i Turqisë për idealizmin, pastërtinë morale dhe atdhedashurinë e pakufishme për kombin. Ai në Turqi dhe jashtë saj kishte bere histori. Në vitin 1974, Ai ishte kryeministri i Turqisë që dha urdhrin e realizimit të "Operacionit të Shpëtimit" të popullsisë turke të Qipros se Veriut nga genocidi i Greqisë. Ai ishte një lider i përmasave kombëtare, prandaj mbi të gjitha vendoste interesat e atdheut dhe të popullit ndaj interesave të Partisë së Majtë Demokratike që Ai drejtonte. Prandaj, Ai në shume momente krizash politike ka luajtur një rol të veçantë për ruajtjen e unitetit kombëtar, duke vendosur dialogun dhe bashkëpunimin me të gjitha forcat politike të vendit. Ai ishte një kryeministër që e njihte dhe e respektonte me fanatizëm ndërtimin dhe funksionimin e shtetit demokratik ligjor. Ishte një lider që fliste pak dhe punonte shumë. Jetonte shume thjeshtë dhe nuk i lejonte vetës dhe familjes se tij asnjë privilegj të jashtëligjshëm. Prandaj kudo qe shkonte dhe kudo qe ndodhej respektohej me përparësi. Edhe Shqipërinë dhe shqiptarët i donte dhe i respektonte shume. I respektonte për të drejtat historike qe u takonin dhe i vlerësonte për besnikërinë që ata tregonin. Ai edhe pse ishte kryeministër i një vendi të madh, në ceremonitë e ndryshme qe zhvilloheshin në presidencë apo në hotel Hilton dhe Sheraton, sapo na shikonte, na afrohej me atë qetësinë e tij karakteristike dhe përshëndetej me përzemërsi". Si është Shqipëria motër, si e kam ..., vazhdonte të pyeste. Prandaj, Ai vazhdimisht i ndiqte me kujdes dhe me angazhim direkt problemet madhore që përballonte shteti apo kombi shqiptar.