Sadakaja e Fitrit, mësimet, kushtet dhe dobitë



Fitr do të thotë krijim, natyrë, mbyllje e agjërimit, etj.. Sadakaja ose lëmosha e fitrit quhet shkurt edhe fitre. Sadakaja e fitrit është një adhurim pasuror (material) që e kanë për detyrë ta zbatojnë muslimanët që zotërojnë pasurinë e quajtur nisab (përveç nevojave të përditshme) si dhe personat që kanë nën kujdestari, të cilët arrijnë bajramin e ramazanit.

Dhënia e sadakasë së fitrit, sipas hanefitëve, është vaxhib, kurse sipas shkollave të tjera, është farz. Sadakaja e fitrit quhet ndryshe edhe "zeqat për kokë". Ky emërtim niset nga fakti që sadakaja e fitrit është një përgjegjësi e mbështetur mbi personat (mbi numrin e personave të familjes të përbërë nga kryefamiljari ose kujdestari dhe personat që ka nën kujdestari). Kurse shkaku i konkludimit të sadakasë së fitrit si vaxhib, e shprehur teknikisht, është arritja e personit në ditën e parë të bajramit të ramazanit.

Në shumë hadithe, Profeti (s.a.s.) ka urdhëruar dhënien e sadakasë së fitrit. Një hadith profetik i rrëfyer nga Abdullah b. Omeri, është kështu: "I Dërguari i Allahut e ka caktuar sadakanë e fitrit 1 sá [1] (masë) hurma dhe 1 sá elb për person (skllav, mashkull, femër, të madh, të vogël) dhe ka urdhëruar të jepet para se njerëzit të dalin për të falur namazin e bajramit (të ramazanit ose fitrit). [2]

Një rrëfim i ardhur nga Ebu Said el-Hudri mbi këtë çështje, është kështu: "Në kohën e të Dërguarit të Allahut, ne e jepnim fitren nga lëndët ushqimore në masën 1 sá. Lëndët tona ushqimore në atë kohë ishin elbi, rrushi i thatë, hurmaja dhe djathi pa yndyrë". [3]

Kurse në një hadith tjetër thuhet kështu: "Jepni sadakanë e fitrit për njerëzit që keni nën kujdestari"! [4]

Sadakaja e fitrit është një adhurim që ka zënë vendin e vet në fe si një falenderim ndaj dhuntisë së jetës dhe trupit të favorizuar nga Allahu për personin dhe personat që ai ka nën kujdestari. Prandaj mbajtja e agjërimit nuk është kusht që sadakaja e fitrit të jetë ose të bëhet vaxhib. Edhe ata që s'mbajnë agjërim ose që s'munden të mbajnë agjërim, e kanë vaxhib të japin sadaka fitri.

Sadakaja e fitrit bart edhe kuptimin e falenderimit ndaj Allahut të Lartë që i bëri muslimanët, të cilët mundën ta plotësojnë atë vit adhurimin e agjërimit, të aftë për ta kryer këtë adhurim.

Në të njëjtën kohë, siç bëhet e ditur në hadithin profetik, për muslimanin që ka mbajtur agjërim, sadakaja e fitrit plotëson mangësitë e adhurimit të tronditur me sjellje që s'i kanë hije personit të agjëruar. Gjithashtu, sadakaja e fitrit siguron pjesëmarrjen e të varfërve në gëzimin e bajramit. [5]

Veçanërisht, është thënë se dhënia e sadakasë së fitrit është shkak për pranimin e agjërimit, për shpëtim, për lehtësimin e vuajtjeve të çastit të vdekjes dhe të varrit.

Sadakaja e fitrit zbatohet nga personat përgjegjës në një kuadër shumë më të gjerë se zeqati. Kështu, çdo njeri që ka mundësi për të dhënë sadakanë e fitrit, shijon kënaqësinë e dhënies së diçkaje në rrugën e Allahut, sheh dhe kupton më nga afër gjendjen e njerëzve nevojtarë në shoqëri. Nga ana tjetër, edhe njerëzve të varfër u zgjatet dora e ndihmës duke ua ruajtur nderin dhe duke mos i lënë të detyruar të kërkojnë. Kështu, mes individëve që jetojnë në të njëjtën shoqëri, ngrihet dhe funksionon edhe një urë tjetër vëllazërie dhe miqësie!


1. Kushtet e përgjegjësisë për dhënien e sadakasë së fitrit

Kushtet e përgjegjësisë për dhënien e sadakasë së fitrit janë këto:

Të jesh musliman. Për një person, dhënia e sadakasë së fitrit bëhet vaxhib në qoftë se është musliman. Ndërkaq, sipas shkollës shafiite, një kryefamiljar ose kujdestar jomusliman duhet të japë sadakanë e fitrit të një personi musliman që ka nën ngarkim ose kujdestari.

Të kesh pasuri në masën nisab. Për një person, që të bëhet përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit, duhet të zotërojë, mbi nevojat themelore, pasuri në masën nisab, ekuivalente me vlerën e 85 gr. flori ose 595 gr. argjend. Ndryshe nga zeqati, që sadakaja e fitrit të jetë vaxhib, nuk është kusht që pasuria (mbi nevojat themelore) që zotëron personi të jetë rentabël (shtuese) dhe që të ketë qëndruar në dorë të tij një vit. Sipas shkollave shafiite, malikite dhe hanbelite, për të qenë përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit, nuk është kusht që personi të zotërojë pasurinë në masën nisab. Çdo musliman i cili, përveç nevojave themelore, ka aq ushqim sa t'i mjaftojë për natën dhe ditën e bajramit, është përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit. Po qe se personi i cili është përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit, e humb pasurinë që zotëron ose pasuria e tij bie nën masën nisab, përgjegjësia e dhënies së sadakasë së fitrit nuk bie. Por në qoftë se personi i ngarkuar me përgjegjësinë e dhënies së sadakasë së fitrit, vdes, nuk është e detyrueshme që sadakaja e tij të jepet nga të tjerët duke e marrë nga malli ose pasuria e tij, por është mirë që trashëgimtarët e tij ta paguajnë nga pasuria e tyre.

Përgjegjësia e dhënies së sadakasë së fitrit. Për të qenë përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit nuk është kusht që personi të ketë mbushur moshën e pubertetit dhe të ketë zhvillim mendor normal. Sipas Ebu Hanifesë dhe Ebu Jusufit, sadaka fitri duhet dhënë edhe për fëmijën dhe të sëmurin mendor që zotërojnë pasuri në masën nisab. Babai e jep sadakanë e fitrit për fëmijën e pasur nga pasuria e fëmijës.

Përkatësia gjinore dhe kujdestaria. Që dikush të jetë përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit për persona të tjerë, duhet që personat e tjerë të jenë pjesëtarë të familjes së tij ose nën kujdestarinë e tij. Muslimani që zotëron pasuri aq sa për t'u bërë përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit, është përgjegjës për të dhënë sadaka fitri edhe për fëmijët, të sëmurët mendorë dhe personat me çrregullime psikike të përkohshme, të cilët nuk zotërojnë aq pasuri sa të bëhen përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit. Duhen paguar fitret e fëmijëve të djalit të vdekur. Megjithëkëtë, një person nuk është përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit për persona të rritur edhe nëse i ka nën kujdestari, si prindërit, fëmijët e mëdhenj, gruaja, vëllezërit e motrat dhe të afërmit e tjerë, sepse janë në moshë madhore, pra kanë përgjegjësi ligjore personale. Por edhe pse nuk është përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit për ta, mund ta japë. Sipas dijetarëve të tjerë veç hanefitëve, po qe se personi që e ka vaxhib të japë sadakanë e fitrit, ka mundësi materiale, është përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit edhe për të afërmit muslimanë (si prindërit, etj.) që ka nën kujdestari dhe për gruan.

Formimi i përgjegjësisë vaxhib për sadakanë e fitrit. Sipas shkollës hanefite, sadakaja e fitrit bëhet vaxhib ditën e parë të bajramit të ramazanit në kohën e zbardhjes së dritës (fexhrit të dytë), sepse kjo sadaka i është kushtuar bajramit të fitrit, është vënë nën përkatësinë e tij. Sipas kësaj, personi që vdes si dhe personi që bëhet i varfër ditën e parë të bajramit të ramazanit (bajramit të fitrit) para zbardhjes (para fexhrit të dytë), nuk ngarkohet me përgjegjësinë e dhënies së sadakasë së fitrit. Kurse fëmija që lind dhe personi që bëhet musliman para zbardhjes, duhet të japin sadaka të fitrit. Por fëmija që lind dhe personi që bëhet musliman pas zbardhjes, nuk bëhen përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit, ndërkaq, meqë sipas shkollave të tjera, dhënia e sadakasë së fitrit bëhet vaxhib pas perëndimit të diellit të ditës së fundit të ramazanit, bëhen përgjegjës për dhënien e sadakasë së fitrit.


2. Koha e dhënies të sadakasë së fitrit

Sadakaja e fitrit mund të jepet që me hyrjen e muajit të ramazanit. Në përputhje me qëllimin e plotësimit të nevojave të të varfërve, të shprehur në hadithet e Profetit (s.a.s.), dijetarët kanë nxitur dhënien e sadakasë së fitrit një a dy ditë para bajramit. Nuk është e përshtatshme që dhënia e sadakasë së fitrit të lihet pas ditës së parë të bajramit. Megjithëkëtë, edhe në qoftë se mbetet për t'u dhënë pas bajramit, përgjegjësia e dhënies së fitrit vazhdon dhe duhet kryer në rastin më të parë.

Sipas shkollës shafiite, vonimi pa justifikim i dhënies së sadakasë së fitrit pas ditës së bajramit është haram.


3. Sasia e sadakasë së fitrit

Siç u përmend edhe më parë, në hadithet lidhur me sadakanë e fitrit bëhet e ditur se, në kohën e të Dërguarit të Allahut (s.a.s.), ky adhurim pasuror është kryer në sasinë 1 sá (njësi mase prej 3.350 kg.) nga lëndët ushqimore të përdorura më shumë në atë periudhë, si hurma, elb, rrush i thatë, etj. Veç kësaj, rrëfehet se sipas praktikës së sahabeve, mes të cilëve ndodheshin edhe kalifët rashidinë, është dhënë sadaka fitri në grurë në masën 1/2 sá.

Duke i vlerësuar këto rrëfime, juristët e shkollave të ndryshme juridike-besimore kanë bërë këto përcaktime:

Sipas shkollës hanefite, sadakaja e fitrit duhet të jepet në formën e katër lëndëve ushqimore: grurë, elb, hurma dhe rrush i thatë. Nga gruri (ku futen edhe mielli i grurit dhe nënproduktet e tij), jepet 1/2 sá, kurse nga të tjerat jepet 1 sá sadaka fitri.

Sipas shkollës shafiite, sadakaja e fitrit jepet në masën 1 sá nga çdo lloj të lashtash, nga hurmatë dhe rrushi i thatë. Ndërkaq, sadakaja e fitrit duhet dhënë nga njëra prej lëndëve ushqimore më të konsumuara të vendit apo zonës ku ndodhet personi përgjegjës që duhet ta japë.

Të tilla janë të dhënat dhe masat që përmbahen në burimet klasike të fikhut. Ndërkaq, po të shihen me kujdes zbatimet e periudhës së Profetit dhe të mbahen parasysh përmbajtja dhe qëllimi i sadakasë së fitrit, kuptohet se fitri i dhënë përgjithësisht në masën 1 sá është sa ushqimi njëditor i një të varfëri.

Në mënyrë të veçantë, rivajetet lidhur me këtë çështje tregojnë se lëndët ushqimore të dhëna në atë periudhë si sadaka fitri, kanë qenë lëndë konsumi themelore të shoqërisë dhe se ndërmjet masave ka ekuivalencë.

Nisur nga kjo, kuptohet se me sadakanë e fitrit është synuar të plotësohet ushqimi njëditor (mëngjes-mbrëmje) i një të varfëri sipas standarteve të shoqërisë ku ai ka jetuar. Prandaj mund të thuhet se sot, dhënia e sadakasë së fitrit me njërën prej lëndëve ushqimore, si gruri, elbi, hurmatë dhe rrushi i thatë dhe në masën 1 sá, është e pamjaftueshme. Duke u nisur nga ky arsyetim dhe arsyetime të ngjashme me këtë, dijetarët islamë kanë pikëpamjen se në përcaktimin e masës së sadakasë së fitrit duhet marrë për bazë njëri nga kriteret si më poshtë:

- Të merret mesatarja në vlerë monetare e sasisë 1 sá e njërës prej lëndëve ushqimore grurë, elb, hurma ose rrush i thatë. Me këtë zbatim parandalohet dalja në shesh në muajin e ramazanit e shumë shifrave të ndryshme nga njëra-tjetra të përcaktuara sipas cilësisë së këtyre lëndëve ushqimore dhe rënies së muslimanëve në lëkundje para kësaj situate.
- Të merret për bazë sasia që do të siguronte ushqimin normal njëditor të një personi. Kjo sasi nuk duhet të jetë më e ulët se vlera e lëndës ushqimore më të lirë të përcaktuar në hadithet.

Si përfundim, dhënia e sadakasë së fitrit duke marrë si masë sasinë që do të siguronte ushqimin njëditor normal të një personi është kriteri më i saktë. Duke vepruar kështu, marrja si masë jo e nevojës ushqimore njëditore sipas standartit të jetesës së një të varfëri, por sipas mesatares së konsumit ditor të lëndëve ushqimore të personit që e jep sadakanë e fitrit, është më në përshtatje me kuptimin dhe qëllimin e sadakasë së fitrit. Fakti që në Kur'an, në lidhje me kefaretin e betimit, urdhërimi i formës "ushqyerja e dhjetë të varfërve me mesataren e ushqimit të dhënë familjes" (Maide, 5/89), e mbështet këtë qëndrim. Në mënyrë të veçantë, sasitë e përcaktuara në hadithe si masë të sadakasë së fitrit dhe të marra si masë në librat e fikhut (të drejtës islame), janë kufij minimalë. Këshillat dhe porositë e Profetit në lidhje me këtë çështje synojnë t'i shpëtojnë të varfërit nga lypja, të ushqehen ata e të marrin pjesë në gëzimin e bajramit. Personi që ka për të dhënë sadakanë e fitrit, duhet ta përcaktojë dhe ta japë atë në vlerë monetare të tillë që të mund të përmbushë të paktën nevojën ushqimore njëditore të një të varfëri sipas gjendjes ekonomike dhe standartit jetësor të vetë personit. Kjo mund të bëhet kështu: shpenzimi njëmujor i kuzhinës pjesëtohet me tridhjetë ditë, pastaj me numrin e pjesëtarëve të familjes. Shifra që do të dalë, tregon shpenzimin njëditor të ushqimit të një personi dhe merret si kriter për dhënien e fitrit. Mirë është që muslimanët që kanë mundësi ekonomike, të japin më shumë. Allahu e di si është e drejta!


4. Forma e dhënies së sadakasë së fitrit

Sadakaja e fitrit është një adhurim. Dhe dihet se në adhurimet, nijeti është kusht. Nisur nga kjo, për dhënien e sadakasë së fitrit duhet bërë nijet. Nijet mund të bëhet edhe duke e dhënë fitrin, edhe duke e përgatitur sasinë që do të jepet si fitre. Nijeti është caktimi me zemër i dhënies së sadakasë së fitrit për pëlqim të Allahut. Caktimi dhe ndjerja me zemër është bazë, por kjo mund të shoqërohet edhe me shprehjen me gojë. Personi që jep sadakanë e fitrit, duhet ta japë atë sikur po ua dorëzon të zotërve amanetin që ia ka dhënë Allahu për t'ua dhënë të varfërve, nxënësve, etj. Nuk është nevoja që, duke e dhënë fitrin, të thuhet "kjo është fitër".

Duke u nisur nga fakti që paraja vlen për plotësimin e çdo lloj nevoje, dhënia e sadakasë së fitrit në monedhë është më e mirë. Megjithëkëtë, sipas nevojës, mund të jepet edhe me lëndët ushqimore të përmendura.

Sadakaja e fitrit i duhet dhënë në dorë vetë personit si mall fizik. Prandaj, sadakaja e fitrit e dhënë nga një person një të varfëri duke ia llogaritur të varfërit në borxhin që ka për të marrë prej tij, është e pavlefshme.


5. Personat të cilëve mund t'u jepet sadakaja e fitrit

Vendet ku mund të jepet sadakaja e fitrit me vendet ku mund të jepet zeqati, janë të njëjta. Nisur nga kjo, personave që nuk mund t'u jepet zeqat, nuk mund t'u jepet as sadaka e fitrit.

Personat që nuk mund t'u jepet zeqat janë këta: personat që konsiderohen fetarisht të pasur (që zotërojnë sasinë nisab pavarësisht nëse është rentabël apo jo), gruaja e personit që jep fitër, të afërmit bazë (nëna-babai, gjyshja-gjyshi), të afërmit e nivelit të dytë (fëmijët, nipërit dhe mbesat), të afërmit që ka nën kujdestari. Personi që jep sadakanë e fitrit, duhet t'u japë përparësi të varfërve të vendit apo mjedisit ku banon, farefisit që mund të banojë edhe larg, të varfërve me moral të mirë dhe nxënësve.

Personi që jep sadakanë e fitrit, mund t'ia japë atë si një të varfëri të vetëm, ashtu dhe duke ua shpërndarë disa të varfërve. Por, për sa i përket përballimit të nevojave të personit të varfër, dhënia një të varfëri është më e mirë. Ndërkaq, disa persona mund t'ia japin fitret një të varfëri të vetëm.



_________________________

[1] - Sipas shpjegimeve përkatëse në Nasuhi Bilmen-it, fidja ditore (ose fitri ditor) që duhet t'i jepet një të varfëri në grurë sipas njësisë së masës sá, është rreth 1,3 kg., kurse në elb, hurma ose rrush të thatë, është rreth 2,6 kg. Shih: Ömer Nasuhi Bilmen, Büyük Islâm Ilmihali, f. 308, pika 172. Përkthyesi.
[2] - Buhari, Zekat, 76, Muslim, Zekat, 12.
[3] - Buhari, Zekat, 74.
[4] - Bejhaki, Sunen-i Kubra, 4/161.
[5] - Ebu Davud, Zekat, 17, Ahmed b. Hanbel, Musned, 2/277.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...