Disa nga urtësitë e fshehjes së Natës së Kadrit



Dijetari i madh hanefi, 'imam Ibën Kemal Pasha' (vdiq në vitin 940/1534) në librin e tij prej 7 vëllimesh të shkruar si koment për librin "Rijadu Salihin", kur flet mbi urtësitë e fshehjes së natës së kadrit thotë:

Allahu i Lartësuar e ka fshehur këtë natë për disa arsye:

E para prej tyre është se, fshehja e kësaj nate ngjan me fshehjen e kënaqësisë së Tij për adhurimet tona, kjo që njerëzit t'i përveshen kryerjes së gjitha (llojeve të) adhurimeve, ngjan me fshehjen e hidhërimit të Tij ndaj mëkateve, që njerëzit të ruhen prej të gjithë mëkateve. Pastaj, Allahu Fuqiplotë e ka fshehur evlijanë e Tij nga mesi i njerëzve, që të respektohen të gjithë. E ka fshehur përgjigjen e duasë që njerëzit jashtëzakonisht t'i drejtohen me gjitha llojet e lutjeve, e ka fshehur Emrin më të Madh që të madhërohen gjithë Emrat e Tij, e ka fshehur emërtimin e namazit "vusta" (të mesëm) që njerëzit t'i rujanë të gjithë namazet, e ka fshehur pranimin e teubes që besimtari të përshkojë vazhdimisht gjitha rrugët e saj, e ka fshehur momentin e vdekjes që besimtari të jetë gjithnjë gati. Ngjashëm kështu e ka fshehur edhe këtë natë që të madhërohen gjitha netët e ramazanit.

E dyta prej tyre është se sikur të dihej se cila është ajo, ndoshta dikush prej mëkatarëve përsëri do të kishte guxim për mëkatim edhe në këtë natë të madhe dhe mëkati me dituri është më i madh, më i shëmtuar dhe më i neveritshëm.

E treta prej tyre është se, Allahu i Lartëmadhërishëm e ka fshehur këtë natë që robi të përpiqet për kërkimin e saj dhe me këtë të fitojë edhe sevapin e përpjekjes.

E katërta prej tyre është se, kjo natë është fshehur që të jetë sebep i mburrjes së Allahut të Lartëmadhërishëm me njerëzit para melekëve duke thënë: "Kjo është përpjeka (ibadeti) e tyre për një natë që nuk janë të sigurtë, e si do të ishte sikur t'ua kisha bërë të ditur?! Me këtë edhe shfaqet sekreti i ajetit: 'Unë e Di atë që ju nuk e dini'.



Përmblodhi: Hazir SELMANI



_________________________

"El-fevaidu'l-mutra'atu'l-hijad fi sherhi kitabi'r-rijad", vol. V, fq. 250 dhe 251.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...