Sauditët janë duke shkatërruar objektet historike në Medine



Tre nga xhamitë më të vjetra në botë janë gati për t'u shkatërruar teksa Arabia Saudite përgatitet për një zgjerim shumë-miljardë dollarësh të qendrës së dytë më të shenjtë të Islamit. Puna në Xhaminë en-Nebeui në Medine, ku Profeti Muhamed është varrosur, do të fillojë me të mbaruar peligrinazhi i Haxhit muajin tjetër. Kur të përfundojë, ndërtimi do e kthejë xhaminë në ndërtesën më të madhe në botë, me kapacitet për 1,6 miljon adhurues.

Por shqetësime janë ngritur se ky zhvillim do shkaktojë shkatërrimin e qendrave të rëndësishme historike. Zemërimi është tashmë në rritje për mospërfilljen e dukshme të mbretërisë për të ruajtur trashëgiminë historike dhe arkeologjike të qytetit më të shenjtë në vend, Mekës. Shumica e zgjerimit të Xhamisë en-Nebeui do bëhet në perëndim të xhamisë ekzistuese, e cila mban varret e themeluesit të Islamit dhe dy shokëve të tij më të afërt, Ebu Bekr dhe Umer.

Ngjitur me muret perëndimore të kompleksit të tanishëm janë xhamitë e dedikuara ndaj Ebu Bekrit dhe Umerit, si dhe Xhamia Gamama, e ndërtuar për të përkujtuar vendin ku Profeti mendohet të ketë mbajtur faljen e tij të parë të Bajramit. Sauditët nuk kanë bërë të ditur ndonjë plan për t'i prezervuar apo lëvizur tre xhamitë, të cilat kanë ekzistuar që nga shekulli i shtatë dhe janë të mbuluara me struktura të periudhës Osmane, apo për të autorizuar gërmime arkeologjike para se ato të shkatërrohen, diçka që ka shkaktuar goxha shqetësim midis atyre pak akademikëve që janë të gatshëm të flasin lirshëm në mbretërinë që mbetet thellësisht autoritare.

"Askush nuk e mohon që Medina ka nevojë për zgjerim, por është mënyra si po e bëjnë këtë gjë autoritetet që është shqetësuese", thotë Dr. Irfan Al-Alaui i Fondacionit Kërkimor të Trashëgimisë Islame. "Ka mënyra për t'u zgjeruar që ose do i evitonin ose prezervonin objektet e lashta Islamike, por përkundrazi ata duan të rrëzojnë gjithçka në tokë". Dr. Alaui ka shpenzuar 10 vitet e fundit duke tërhequr vëmendje ndaj shkatërrimit të objekteve të hershme Islamike.

Me bileta avjoni të lira dhe me një klasë te mesme në rritje në vendet muslimane të botës në zhvillim, Meka dhe Medina mezi ia dalin ti përballojnë 12 miljon peligrinët që vijnë çdo vit - një numër që pritet të rritet në 17 miljon deri në 2025. Monarkia Saudite e sheh veten si autoriteti i vetëm për të vendosur se çdo ndodhë me djepin e Islamit. Edhe pse ka caktuar miljarda dollarë për një zgjerim gjigant të Mekës dhe Medines, ajo gjithashtu i sheh qytetet e shenjta si fitimprurëse për një vend që varet nga pasuria e saj a mbarueshme e naftës.

Aktivistët e trashëgimisë dhe shumë banorë lokalë kanë parë me tmerr se si zonat historike të Mekës dhe Medinës janë rrafshuar për tu hapur rrugën qendrave tragtare, hoteleve luksoze, dhe gradaçelave gjigande. Instituti i Gjirit, i bazuar ne Uashington, vlerëson se 95% e ndërtesave mbi 1.000 vjet të vjetra në dy qytetet janë shkatërruar në 20 vitet e fundit.

Në Mekë, Mesxhid el-Haremi, objekti më i shenjtë i Islamit dhe vendi ku të gjithë muslimanët duhet të ndihen të barabartë, është tashmë nën hijen e kompleksit Xhebel Omar, i përbërë nga gradaçela apartamentesh, hotelesh dhe një kullë sahati gjigande. Për ta ndërtuar, autoritetet Saudite shkatërruan Fortesën Axhjad të kohës Osmane dhe kodrën në të cilën ajo ndodhej. Objekte të tjera historike të cilat kanë humbur përfshijnë vendlindjen e Profetit - tani një bibliotekë - dhe shtëpinë e gruas së tij të parë, Hatixhes, e cila u zëvendësua nga një bllok banjosh publike.

As Ambasada Saudite në Londër dhe as Ministria e Punëve të Jashtme nuk iu përgjigjën kërkesave për koment kur The Independent i kontaktoi këtë javë. Por qeveria i ka mbrojtur më herët planet e saj për zgjerim në dy qytetet e shenjta si të nevojshme. Ajo insiston se ka ndërtuar një numër të madh hotelesh të lira për peligrinët më të varfër, megjithëse kritikët tregojnë se këto zakonisht ndodhen shumë kilometra larg vendeve të shenjta.

Deri vonë, ri-zhvillimi në Medine ka ecur me një ritëm pak më të ngadaltë se në Mekë, megjithëse një numër objektesh të hershme Islamike janë humbur. Nga shtatë xhamitë e lashta që u ndërtuan për të përkujtuar Betejën e Hendekut - një moment kyç në zhvillimin e Islamit - vetëm dy kanë mbetur. Dhjetë vjet më parë, një xhamie që i përkiste nipit të Profetit iu vu dinamiti. Foto të shëmbjes që u bënë fshehurazi dhe u nxorrën jashtë vendit tregonin policinë fetare që festonin kur ndërtesa rrëzohej.

Mospërfillja për historinë e hershme të Islamit shpjegohet pjesërisht nga adoptimi i Vehabizmit prej regjimit, një interpretim i ashpër dhe pa kompromis i Islamit që është rreptësisht kundër çdo gjëje që mund të inkurajojë adhurimin e idhujve tek muslimanët.

Në shumicën e vendeve muslimane, faltore dhe vende të shenjta të lidhura me varre apo vende historike janë ndërtuar. Vizitat në varreza janë gjithashtu të zakonshme. Por vehabizmi i sheh këto praktika me përbuzje. Policia fetare mundohet shumë që ti shkurajojë njerëzit nga vizitat tek vendet e lidhura afërsisht me kohën e Profetit, ndërsa klerikë të fuqishëm punojnë prapa skenave për të promovuar shkatërrimin e objekteve historike.

Dr. Alaui frigohet se ri-zhvillimi i Xhamisë en-Nebeui është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta zhvendosur vëmendjen larg vendit ku Muhamedi është varrosur. Vendi ku është varrosur Profeti është i mbuluar me një kube të famshme të gjelbër dhe përbën qendrën e xhamisë ekzistuese. Por sipas planeve të reja, do bëhet krahu lindor i një ndërtese tetë herë më të madhe me një mimber të ri. Gjithashtu ka plane për ta shkatërruar mihrabin në qendër të xhamisë. Ai është pjesë e Rrijad el-Xheneh (Kopështi i Parajsës), një seksion i xhamisë që Profeti e ka deklaruar si veçanërisht të shenjtë.

"Justifikimi i tyre është se duan të krijojnë hapësirë në një xhami që eventualisht do presë 1,6 miljonë", thotë Dr. Alaui. "Kjo nuk ka kuptim. Ajo që ata duan të bëjnë në të vërtetë është të zhvendosin fokusin prej ku Profeti është varrosur".

Një broshurë e botuar në 2007-ën nga Ministria e Punëve Islamike - dhe e mbështetur nga Krye Myftiu i Arabisë Saudite, Abdulaziz al Sheikh - bënte thirrje që kubeja të shkatërrohej dhe varret e Muhamedit, Ebu Bekrit, dhe Umerit të sheshoheshin. Sheikh Ibn el-Uthejmin, një nga dijetarët më të njohur Vehabi të shekullit të 20-të, ka bërë kërkesa të njëjta.

"Heshtja e muslimanëve mbi shkatërrimin e Mekës dhe Medines është sa katastrofike aq edhe hipokrite", thotë Dr. Alaui. "Filmi i fundit rreth Profetit Muhamed shkaktoi protesta në mbarë botën... por ama shkatërrimi i vendlindjes së Profetit, ku ai u fal dhe themeloi Islamin, është lejuar të vazhdojë pa ndonje kritikë".


Meka dhe Medina në numra

12m - Numri i vizitorëve në Mekë dhe Medinë çdo vit
3,4m - Numri i muslimanëve që pritet të kryejnë Haxhin sivjet
60,000 - Kapaciteti i tanishëm i Xhamisë en-Nebeui
1,6m - Kapaciteti i projektuar i xhamisë pas zgjerimit



Autor: Xherom Tejlor
Përktheu: A.T.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...