Sekti vehabi



Në mesin e sekteve të çuditshme dhe të devijuara është ai që u shfaq mistershëm nga regjioni i Nexhdit në Arabi dhe që deklaronte se të gjithë rivalët e tij muslimanë ishin 'mushrikun' (d.m.th., njerëz që blasfemojnë ndaj një Zoti të Vetëm), dhe që për më tepër deklaronte se është obligim mbytja e rivalëve të këtillë. Pjesëtarët e këtij 'sekti vehabi' nga Nexhdi hynë në një aleancë me një fis, pra atë të 'saudëve', më qëllim që të fitonin kontroll së pari mbi Nexhdin e pastaj mbi Hixhazin, qendrën arabe të Islamit. Ata e donin këtë kontroll mbi Hixhazin me qëllim që ta pastronin atë nga ajo që ata e konsideronin 'Shirk' (blasfemi, të bërit shok All-llahut xh.sh.) dhe në këtë mënyrë ta restauronin besimin e pastër. Kur ata ia dolën mbanë dhe e fituan atë kontroll, ata vazhduan në masakrimin e mijëra muslimanëve të pafajshëm.

Arsyeja e shfaqjes misterioze të aleancës saudo-vehabite doli haptazi në shesh kur edhe fisi saudit edhe sekti vehabi konspiruan në krijimin e një shteti saudit - shtet-klient të anglo-amerikanëve - në Arabi, të cilin lirshëm e emëruan Arabia Saudite. Gjatë procesit të krijimit të atij shtet-klienti, ata e shkatërruan Darul-Islam-in dhe Halifatin (d.m.th., Shtetin Hilafetik), të cilin vetë Pejgamberi i bekuar (s.a.v.s.) e kishte themeluar. Ata ranë viktimë e Dexhxhallit, meqë tradhëtia e tyre ndaj Islamit i hapi rrugë Gogut dhe Magogut që ta përfundonin rolin e tyre misterioz të përshkruar në Kur'an (El-Enbija: 95-96). Aleanca saudo-vehabite iu bashkua edhe aleancës misterioze çifuto-krishtere të Europës duke e parapëlqyer atë në vend të solidaritetit vëllazëror me ata që e shfaqnin besimin në Islam.

Kurorëzimi final dhe formal i kësaj marrëveshje shumë të rëndësishme me qendrën e Islamit ishte i një rëndësie të atillë vendimtare për aleancën çifuto-krishtere, saqë Presidentit amerikan iu desh vetë të udhëtonte me një luftanije që përsonalisht ta takonte Mbretin saudit. USS Murphy e morri fshehurazi Mbretin Abdul-Aziz ibn Saudin nga porti Xhidde i Arabisë dhe e dërgoi tek Great Bitter Lake (Liqeni i hidhur i Madh) në Kanalin e Suezit të Egjiptit, ku e priste USS Quincy me Presidentin amerikan Roosevelt në bord. Te dy liderët u takuan më 14 shkurt 1945 për ta vulosur aleancën e tyre. Saudo-vehabitët e shijuan frutin e hidhur të asaj aleance vetëm tri vite më vonë, kur lindi shteti i Izraelit dhe SHBA-ja ishte krenare në të qenurit shteti i parë që e njohu atë.

Fakti që aleanca saudo-amerikane jo vetëm që mbijetoi, por edhe përparoi që nga ngjarja katastrofike e vitit 1948, qartazi dëshmon se sekti vehabi është pjesëmarrës në tradhtinë ndaj Islamit.

Për sa kohë që aleanca saudo-vehabite të ruajë marrëdhënien e saj shtet-klientike me aleancën çifuto-krishtere të Europës, e cila e sundon botën, do të jetë e pamundur që ndonjë musliman ose kombinim muslimanësh t'i privojë ata nga kontrolli mbi Hixhazin, Haramejnin dhe Haxhxhin. Rezultati i parashikueshëm ishte ai se ky sekt që bëri brof menjëherë me pretendimin se e përfaqësonte fenë e vërtetë Islame, faktikisht luajti një rol vendimtar në dhënien e kapacitetit aleancës çifuto-krishtere që përfundimisht të sundonin mbi të tërë botën Islame. (Shih 'Halifati, Hixhazi dhe shteti nacional saudo-vehabit', www.imranhosein.org).

Pejgamberi Muhammed (s.a.v.s.) qartazi e parashikoi këtë tradhëti kur deklaroi për Nexhdin, në një hadith të regjistruar në Sahih Buhari, se nga ai do të shfaqeshin "termete, sprova e fatkeqësi, si dhe 'Karn-i' i (d.m.th., epoka e) Shejtanit" (edhe fisi saudit edhe udhëheqësia e sektit vehabi janë shfaqur nga Nexhdi). Pati shumë debate në Islamin e hershëm lidhur me lokacionin gjeografik të Nexhdit. Disa argumentuan se ai gjendej në Irak e jo në Arabi. Megjithatë, tani ka kaluar një kohë e mjaftueshme për evidencë më se konkrete mbi të konfirmuarit se profecia e Pejgamberit të bekuar (s.a.v.s.) sot është përmbushur. Muslimanët e guximshëm irakianë janë duke zhvilluar një luftë të armatosur madhështore për çlirimin e atij territori nga okupimi amerikano-izraelit, ndërsa udhëheqësia fetare dhe politike e Nexhdit të Arabisë Saudite skllavërisht dhe fetarisht po e ruajnë aleancën e tyre 'satanike' me ata shtypës.

Një tipar i çuditshëm i mendimit fetar vehabit në epokën moderne është insistimi i tyre mbi një interpretim literal të ajeteve të Kur'anit dhe të haditheve që kanë të bëjnë me subjektin e 'Shenjave të Momentit të Fundit'. Si pasojë, dijetarët vehabi (me pak përjashtime) po hendikepohen nga një metodologji, e cila ata po i bën të paaftë për të depërtuar dhe për ta interpretuar në mënyrë korrekte alegorinë fetare dhe që këtej realitetin edhe të Dexhxhallit edhe të Gogut e Magogut në epokën moderne. Në anën tjetër, dijetarët fetarë shiit duket se janë më të gatshëm për ta interpretuar alegorinë e Kur'anit dhe Hadithit, kështu që ne shpresojmë t'i hasim ata më perceptues ndaj interpretimeve të tilla që gjenden në këtë libër sesa të tjerët.



Autor: Imran N. Hosein
Përktheu dhe përshtati: Daim Abazi

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...