Çka do të ndodhë sikur të gjithë njerëzit të jenë JoMedhhebistë?



Pyesim: "çka do të ndodhë sikur të hiqnim dore prej këtyre argumenteve e t'i thirrnim njerëzit (sipas mendimit tonë) që të lirohen prej medhhebeve dhe imitimit të tyre dhe të lundronin në hapësirën e ixhtihadit"?!

Duke iu përgjigjur kësaj pyetjeje them: "Çka do të ndodhte sikur të kërkonim prej të gjithë njerëzve që në projektet e tyre ndërtimore, të heqin dorë prej imitimit të inxhinierëve dhe mbështetjes në ta"?! "Çka do të ndodhte sikur të kërkonim prej të gjithë njerëzve që në çështjet e tyre shëndetësore të heqin dorë prej imitimit të mjekëve, mbështetjes në ta dhe veprimit sipas këshillave të tyre"?!

Po ashtu në zanatet e ndryshme nëse heqin dorë prej imitimit të njerëzve të specializuar të secilit zanat, duke hedhur poshtë aftësitë dhe njohuritë e tyre! "Çka do të ndodhë nëse kërkojmë prej të gjithë njerëzve që të heqin dorë prej imitimit të këtyre specialistëve e në vend të saj të bënin ixhtihad dhe të mbështeten në bindjen vetjake që del si rezultat i këtij ixhtihadi, dhe më pas të na besojnë njerëzit në këtë thirrje dhe të veprojnë ashtu"?

Ajo që do të ndodhë si pasojë e kësaj, padyshim se do të ketë çrregullime shkatërruese në ndërtimtari, bujqësi dhe në jetën shoqërore: "në këtë mënyrë njerëzit do t'i prishnin shtëpitë e tyre duke menduar se janë duke ndërtuar, do t'i mbytnin njerëzit në emër të mjekimit dhe do të sjellnin varfëri dhe humnerë për veten e tyre në emër të punës dhe aktivitetit". E gjithë kjo do të ndodhë, sepse ata ixhtihadin e kanë vendosur jo në vendin e vet dhe e kanë praktikuar pa kushtin e tij. E kanë injoruar sunnetin (ligjin, rregullin) e Allahut në këtë botë kur ka vendosur që grupet njerëzore të jenë të lidhura mes veti, në sferën e të ndihmuarit, arsimit dhe këshillimit. Këtë realitet e dinë të gjithë njerëzit, edhe fëmijët e vegjël, bile edhe vetë thirrësit e jomedhhebizmit. Mirëpo, për çka ata njerëz nuk e kuptojnë të njëjtin ligj dhe rregull ne sferën e specializimeve fetare dhe dispozitave të hallallit dhe haramit?! Nuk e dimë?!

Sikur të gjithë njerëzit të futeshin në hapësirën e ixhtihadit në shkencat fetare dhe në dispozitat e hallallit dhe haramit, pasojat që do të ndodhin, janë të njëjtat që ndodhin sikur gjithë njerëzit të futeshin në hapësirën e ixhtihadit në specializimet e kësaj bote. Ne sot posedojmë një fikh të kompletuar që përfshinë të gjitha gjendjet e njerëzve në mënyrë individuale dhe shoqërore. Fikh, të cilin e kanë nxjerrur dhe e kanë shkruar imamët muxhtehidë dhe shokët e tyre dijetarë. Ai sot është para neve i kompletuar dhe sikur me gjuhën e tij na thotë: "Mes juve dhe praktikimit të këtij fikhu në çështjet civile, penale. etj., nuk ka diç tjetër pos ta formuloni në mënyrën që ju e dëshironi"!

Nëse këtë pasuri të fikhut ia paraqesim erërave të forta që përfaqësohet në ixhtihadin e përgjithshëm të të gjithë muslimanëve, atëherë fundi i këtij fikhu do të jetë sikur fundi i pluhurit që e bartë era e fortë. Do të shohim se pasi që ishim para një fikhu të fortë e të paluhatur, tashmë jemi para një mbeturine që përbëhet prej pluhurit, gurëve të shpërndara atje këtu. Kjo është një pasojë, të cilën nuk e kundërshton atë pos mendjemadhi i ndonjë tipit të çuditshëm. "Sot, para muslimanit ekziston një rrugë e lehtë për të kuptuar dispozitat e namazit, agjërimit, zeqatit dhe të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me jetën e tij personale, nëpërmjet një libri të vogël, i përgatitur sipas rregullave të ndonjë medhhebi prej katër medhhebeve, që përmbanë në mënyrë të shkurtër dispozitat e sheriatit". Në këtë rast, personi nuk është i obliguar që t'i mësojë argumentet e këtyre dispozitave, përderisa ai nuk është muxhtehid, sikur që ishte rasti me shumë njerëz kur kërkonin fetva prej sahabëve dhe tabiinëve, pa kërkuar argumente.

Nëse e angazhon secilin musliman që të bëjë ixhtihad dhe hulumtime në argumente dhe e largon prej këtyre librave, prej të cilave ka pasur mundësi që të mësojë dispozitat e hallallit dhe haramit duke imituar ndonjërin prej imaraëve muxhtehidë, kjo do të thotë se ti në mënyrë të qartë i ke thënë atij: "Hukmi i Allahut rreth problemeve me të cilat ballafaqohesh është ajo që të ka udhëzuar në të bindja jote vetjake"! Pas kësaj, prite që të gjesh sheriatin islam vetëm emër pa pasur diç për të emërtuar, titull pa tema dhe ndërtesë sikur varri i Nasredin Hoxhës: "mur në të cilin është vendosur një derë ndërsa pas murit tokë e gjerë në të cilën jetojnë egërsirat dhe ujqit".

Por nësë, pasi që e ke larguar prej këtyre librave dhe imamëve të tyre, e merr atë person për të kërkuar prej tij që të mësojë prej librave tjera që i kanë shkruar njerëz të tjerë dhe e obligon atë që t'i imitojë ata, ti me këtë nuk ke bërë asgjë më tepër: "pos asaj se e ke obliguar që të heqë dorë prej imitimit të Shafiiut, Ebu Hanifes, Malikit dhe Ahmedit e të imitojë filanin dhe filanin prej bashkëkohorëve". Kjo gjë nuk ka kuptim tjetër pos urrejtje ndaj katër imamëve dhe imituesve të tyre si dhe fanatizëm për filanin dhe filanin.

Një herë një studentit, i cili u fal afër meje dhe i cili e lëvizte gishtin pandalë në teshehud (et-tehijjat), i thashë: "Pse e lëviz gishtin kështu"? Tha: "Sepse është sunnet i transmetuar nga Resulullahi a.s.". I thashë: "Cili është hadithi i transmetuar në këtë çështje, çfarë grade të saktësisë ka dhe ku është fjala që tregon se është për qëllim kjo lëvizje e pandërprerë"? Studenti Tha: "Nuk e di, por do të pyes për të dikë prej njerëzve"!

Sikur ai kur e sheh veten se nuk e di argumentin të thoshte: "E imitoj në këtë çështje medhhebin e imam Malikut, do të rehatonte veten, do të na rehatonte neve dhe do ta kryente obligimin e tij". Pra, ky njeri është larguar nga imitimi i njërit prej katër medhhebeve, jo për diç tjetër, përpos që të lidhet me imitimin e një personi tjetër. Sikur ky njeri të vazhdonte tërë jetën e tij duke imituar vetëm këtë person, nuk do t'i thonin atij ata njerëz: "E ke haram të imitosh një medhheb të caktuar, sikur që thonë për ata që imitojnë imamët e katër medhhebeve"! Pra, a nuk e sheh fanatizmin në format dhe dukuritë më të këqija të tij?!

Nuk na dëmton që këta jomedhhebistë të kenë ixhtihade të veçanta në dispozitat e sheriatit islam, me të cilat kundërshtojnë xhumhurin e imamëve dhe pajtohen në mendime me kë të dojnë prej të tjerëve. Kjo nuk na dëmton, sepse ndoshta disa prej tyre mund të hulumtojnë dhe të përpiqen deri në maksimum në disa çështje të fikhut, gjë që e bënë të aftë për ixhtihad, së paku sipas bindjes së tij. Ne mund të pranojmë ndonjë mendim që është në kundërshtim me mendimin e tyre, mund që mendimin e xhumhurit ta konsiderojmë më të pranuar, mund që të mos pranojmë aftësinë e tyre për ixhtihad, mund që në të gjitha këto çështje të diskutojmë me ta në mënyrë vëllazërore dhe të qetë nëse e kërkon nevoja. Mirëpo, ne mendimin e tyre që e kanë zgjedhur në emër të ixhtihadit nga Kur'ani dhe sunneti nuk e marrim si temë për të nxitur përçarje dhe mosmarrëveshje.

Po, nuk kemi punë me ata që e konsiderojnë lëvizjen e gishtit në teshehud si më të pranuar, ose faljen e namazit të teravisë tetë rekatë si më të pranuar, ose nuk është i mendimit sipas tij se ka arsyetim falja e namazeve farze kaza që janë të lëna me qëllim. S'ka dyshim se në mesin e imamëve dhe fukahave ka pasur që i kanë dhënë këto mendime. Nuk është risi në historinë islame që disa njerëz të konsiderojnë veten se janë muxhtehidë, e të zgjedhin për vete disa medhhebe në disa çështje të fikhut, pa marrë parasysh se a janë njerëz që në realitet mund të bëjnë ixhtihad apo jo.

Mirëpo, ata që e refuzojmë dhe që na dëmton është kur ata njerëz i konsiderojnë mendimet e tyre si armë për të luftuar imamët e medhhebeve, bëjnë ndërprerjen e fortë mes tyre dhe mes popullatës islame dhe nxisin fitne dhe përçarje në xhamia dhe vende të ndryshme sa herë që u jepet mundësia, plolësisht siç është rasti i shumicës së tyre tash. E kanë lenë da'ven per në rrugë të Allahut dhe në fenë e Tij, kanë hequr dorë prej te devijuarve që kanë rënë në dalalet dhe dyshime të ndryshme dhe merren me ata njerëz fetarë që i kundërshtojnë ata në mendime ose është i vendosur në imitimin e ndonjërit prej katër medhhebeve ose deklarohet haptazi se është i pamundur për ixhtihad dhe se ka nevojë për imitim. Me këta njerëz nxisin diskutime të pafund që rezultojne urrejtje të paarsyeshme. I akuzojnë ata se janë në dalalet, imamët e tyre me injorancë dhe librat e tyre i cilësojnë si të ndryshkura dhe të devijuara!

Nëse në dorën e ndonjërit shohim ndonjë tespih, me të cilën rregullon dhikrin e tij, i vërsulen atij dhe e akuzojnë se është në dalalet dhe bid'atxhi. Nëse muezini pas ezanit haptazi çon salavate për Muhamedin a.s., i sinjalizojnë atij me akuzën e shirkut dhe ia tërheqin vërejtjen që të mos e përsërisë. Nëse njerëzit e preferojnë që të falin namazin e teravisë në xhaminë e tyre njëzet rekate, nxisin në xhami fitne që s'ka fillim e as mbarim, derisa brenda xhamisë njerëzit nervozohen dhe e ngrisin zërin me sharje dhe fyerje. Ende më kujtohet kur një natë prej netëve të Ramazanit më vizituan pas namazit të jacisë një grup prej njerëzve të rëndomtë që ishin mbi pesëmbëdhjetë burra. Në fytyrat e tyre shiheshin shenjat e një konfrontimi që kishte ndodhur para se të vijnë tek unë. Kërkuan prej meje që të bëj diçka që të ndali fitnen dhe grindjet që kishin ndodhur në xhaminë e tyre për shkak se një njeri në atë vend kishte sjellë vendim se është haram të falet namazi i teravisë mbi tetë rekate. Ky njeri kishte qëndruar i vendosur në vendimin e tij derisa kishte filluar kacafytja mes tyre brenda xhamisë dhe se shtëpia e Allahut ishte shndërruar në ring, në rrugë të shejtanit!

Çka i dëmton ata që të falin namazin si të dojnë, e të na lënë neve të qetë që të falim edhe ne si e besojmë, qoftë me anë të imitimit ose ixhtihadit?! A nuk është i gjithë interesimi i tyre që ta konsiderojnë veten se kanë fuqi për të kuptuar dispozitat e sheriatit prej Kur'anit dhe sunnetit pa iu përmbajtur medhhebit të ndonjë imamit muxhtehid? Ja pra ne i lamë që të supozojnë për vete këtë, atëherë le të themelojnë për vete -siç dëshirojnë- një medhheb të ri dhe të fortë krahas katër medhhebeve ekzistuese. Le ta formulojnë atë vetëm prej dhjetë çështjeve prej çështjeve të fikhut dhe le të shëtiten në to si të dojnë e të largohen prej fikhut të imamëve dhe ixhtihadeve të tyre sa të dojnë! Mirëpo, pas gjithë kësaj, për çka i akuzojnë të tjerët se janë injorantë dhe të devijuar?!

Për çka i zgjatin gjuhët e tyre me tallje dhe nënçmim ndaj imamëve të katër medhhebeve, librat dhe imituesit e tyre?! Për çka humbin kohë që t'i gjejnë atë që e quajnë gabimet e Ebu Hanifes?! Për çka në mexhlise të ndryshme cenojnë integritetin e Shafiut dhe tallen me fikhun e tij ... Mund të thotë dikush si shejh Naseri: "Ruana Zot, ne nuk i bëjmë të padrejtë imamëve e as medhhebet nuk i zhvlerësojmë"! Po, diç të tillë e thotë në disa raste, por reliteti nuk e vërteton atë që e thotë, bile e vërteton të kundërtën.

Ai i cili i respekton katër imamët dhe respekton mundin e tyre qe e kanë dhënë për sqarimin e dispozitave të sheriatit islam si dhe nxjerrjen e tyre nga Kur'ani dhe sunneti - nuk thotë gjatë një komentimit të tij në lidhje me zbritjen e Isait a.s. pa fare arsyetimi: "Shihet qartë se Isa a.s. do të gjykojë me sheriatin tonë, me Kur'an dhe sunnet e jo me diç tjetër siç janë Inxhili, fikhu hanefi ose diç të ngjashëm me to"! Mendo në këtë fjali! Mendo në kuptitnin e thënies së tij: "... jo me diç tjetër siç janë Inxhili, fikhu hanefi ..."! Pra, njeriu ka bindje se fikhu hanefi është i ngjashëm me Inxhilin. Diç që nuk ka lidhje fare me sheriatin islam ose me Kur'anin dhe sunnetin!

A ekziston musliman që i frikësohet Allahut në njohjen e të vërtetës e mandej nuk e di se fikhu hanefi nuk është asgjë tjetër pos dispozita të nxjerra nga Kur'ani, sunneti dhe kijasi (analogjia). Po ashtu a ka musliman që nuk e di se imami i këtij fikhut -Ebu Hanifeja r.a.- me punën e tij që e ka bërë për nxjenjen e dispozitave prej Kur'anit dhe sunnetit, është afruar tek Allahu e jo te shejtani duke shpikur fikh tjetër që e ka vendosur krahas Inxhilit për të kundërshtuar me të vendimet e Kur'anit, pa marrë parasysh se ai a ka gabuar në ixhtihadin e tij apo e ka qëlluar?! Mandej, kush është ai që ka thënë se Isa a.s. do të jetë më i paaftë se shejh Naseri në njohjen e Kur'anit dhe sunnetit që të mos ketë mundësi të bëjë ixhtihad e të detyrohet që të imitojë imamët në dispozitat e sheriatit e të zgjedhë në mesin e tyre pikërisht imam Ebu Hanifen?

A është e vërtetë se në mesin e dijetarëve të hanefive ka ndonjë që e ka supozuar këtë fjalë? Ndoshta është e mundur që të gjendet ndonjë jashtë normave normale e të thotë këtë fjalë të pavërtetë. Mirëpo, sjellja e drejtë shkencore në këte rast është që shejh Naseri të na e tregojë emrin e këtij thënësi, të na e tregojë vendin se në cilin libër është thënë e mandej t'i përgjigjet atij me fjalë shkencore që është në mundësinë e çdo personi të sinqertë në fenë e Allahut dhe në respektimin e imamëve islam. Qëndrimi islam në këtë çështje është se: "Isa a.s. është i aftë për të nxjerrë dispozitat e sheriatit drtjtëpërdrejtë prej Kur'anit dhe sunnetit dhe se kjo është më së paku që duhet të cilësohet me të pejgamberi i Allahult, Isa a.s. Në bazë të kësaj Isa a.s. nuk ka nevojë që të imitojë imamët".

Nuk është vepër shkencore e as islame që shejh Naseri të shfrytëzojë rastin e të sulmojë flkhun e imam Ebu Hanifes e të supozojë se është diç tjetër nga sheriati islam, sikur Inxhili ose diç tjetër. Lexues i nderuar musliman, ndoshta e sheh për të madhe që këtë fjalë të thotë ndonjë njeri musliman. Atëherë lexo librin "Muhtesar Sahih Muslim" të Mundhiriut dhe lexo komentin që e ka shkruar shejh Naseri në faqen 308. Kemi njohuri se njëri prej dijetarëve të mëdhenj, botuesit ia ka tërhequr vërejtjen për këtë fjalë të çuditshme dhe ia ka sqaruar domosdoshmërinë e heqjes së saj në botimin e dytë që do të dalë së shpejti.

Nuk e dimë, botuesi a do të jetë besnik ndaj çdo gjëje që e ka shkruar shejh Naseri e të mos e heqë këte fjalë të rezikshme apo do të jetë besnik ndaj sheriatit të Allahut dhe të vërtetës që e dinë të gjithë muslimanët edhe pse ndoshta ajo kërkon që të sakrifikohet ndonjë vijë prej asaj që e ka shkruar dora e shejh Naserit?! Nuk e dimë, por dalja e botimit të dytë do t'i japë fund kësaj çështje dhe do të na japë mundësi për komentim!

Kush është ai njeri i drejtë dhe objektiv që pranon t'i hedhë të gjitha argumentet të cilat flasin për domosdoshmërinë e imitimit të njërit prej imamëve muxhtehidë përderisa ai është i pamundur për ixhtihad, mandej i thërret të gjithë njerëzit që të bëjnë ixhtihad edhe pse nuk janë të asaj kategorie. Po ashtu kërkon prej atyre të lirohen nga imitimi i imamëve muxhtehidë edhe pse para tyre i kanë imituar miliona njerëz. Si dhe kërkon prej tyre që t'i nxjerrin dispozitat e hallallit dhe haramit prej Kur'anit dhe sunnetit siç kuptojnë dhe siç fantazojnë, edhe pse me anë të saj mund ta coptojnë sheriatin e Allahut?! Cili njeri nuk e di se hapja e kësaj dere para të gjithë njerëzve do të thotë që armiqve të sheriatit islam t'ua mundësosh që ta coptojnë atë, pjesë pjesë me thikën e ixhtihadit?!

A ka në botën arabe ndonjë i kulturuar që kupton diçka nga realiteti i historisë moderne e që nuk e di mënyrën se si ka depërtuar Britania e Madhe pas pushtimit të Egjiptit në sheriatin islam duke e keqpërdorur atë siç ka dëshiruar? Islami në sytë e Lord Kromerit ishte i prapambetur, i ngurtë që nuk mund të ecë baraz me kohën. Ai kërkonte ndonjë mënyrë të përshtatshme për largimin e popullit të Egjiptit prej islamit. Mënyra më e përshtatshme ishte përhapja e idesë së ixhtihadit në mendjet e atyre njerëzve që kishin besuar se është e domosdoshme që jeta të zhvillohet sipas modelit te shoqërive evropiane moderne. Posa iu dorëzuan këtyre njerëzve pozitat e ndieshme fetare siç ishin muftillëku, pleqësia e Ez'herit dhe administrata e tij, përnjëherë ata burra, të cilët kishin besuar në shumë prej dukurive dhe vlerave të shoqërisë evropiane, kërkonin prej kryepleqëve të Ez'herit dhe dijetarëve të tij që të bëjnë ixhtihad pa i plotësuar kushtet e tij, derisa shejhul-Ez'heri El-Meragi ishte i mendimit se nuk është kusht për muxhtehidin që ta njohë gjuhën arabe.

Filluan misionarët e Britanisë të bëjnë ixhtihad në sheriatin islam dhe përfunduan me disa risi: "ndryshuan ligjet e të drejtës civile, ndaluan poligaminë, të drejtën e shkurorëzimit, bënë barazimin mes burrit dhe gruas në trashëgimi. Po ashtu u dhanë fetva për ndalimin e hixhabit (mbulesës), lejonin një përqindje të caktuar të kamatës në banka". Autorët e këtyre fetvave i vlerësonin se janë njerëz me diapazon të gjerë dhe kuptues të mirë të shpirtit të islamit.

Cili është leksioni që duhet ta mësojmë nga ky realitet? Çka është arsyeja që të shkatërrojmë këtë pasuri të madhe të fikhut që e kanë ndërtuar duart e muxhtehidëve të sinqertë sipas konsenzusit të gjithë shekujve të kaluar, mandej të hapet dera e ixhtihadit para të gjithëve e të lihet anësh kapja për katër medhhebet. Sëmundja e cila e kaploi derën e ixhtihadit dje, e njëjta ekziston edhe sot. Duart të cilët janë të përgatitura për të copëtuar dispozitat e islamit me thikën e ixhlihadit sot janë për disa herë më shumë se duart që vepruan dje?!

O ju njerëz, lini muslimanët që të ecin pas imamëve të tyre, që njerëzit gjatë gjithë këtyre shekujve e kanë pranuar imitimin e tyre dhe bëni ixhtihad, nëse dëshironi ixhtihad në nxjerrjen e dispozitave rreth problemeve bashkëkohore, të cilat nuk kanë ekzistuar dje, e as që kanë diskutuar rreth tyre imamët në kohërat e tyre. Nëse e bëni këtë do të lutemi për ju që të keni sukses në punët tuaja. Mirëpo, ju -për çudi- largoheni prej këtyre gjërave të reja për të cilat nuk kanë diskutuar imamët e mëparshëm dhe që është obligim të bëhet ixhtihad për ta ditur vendimin islam në këtë kohë, siç janë sigurimi i jetës dhe pasurisë, kontratat e ndryshme për tokë mes pronarëve dhe qiraxhinjve, etj.. Gjithë këtë e lini anësh dhe merreni me nënçmimin e katër imamëve duke ua tërhequr vërejtjen njerëzve që të mos i imitojnë ata.

Po për Allahun, nuk kam parë asnjë prej jomedhhebistëve ndonjë ditë që të merret me studimin e ndonjë çështje prej çështjeve të reja për të cilat pyesin njerëzit e rëndomtë çdo ditë për vendimin e tyre. Ata gjithë potencialin e tyre mendor e drejtojnë për të prishur dispozitat që janë vendosur paluhatshëm dhe atë që është ndërtuar. Po ashtu secili prej muxhtehidëve dhe imituesve kanë arsyetim para Allahut si dhe e kanë hequr borxhin që e kanë pasur mbi supat e tyre! O ju njerëz! Lërini dispozitat e paluhatshme të cilat i kanë shkruar imamët më të zgjedhur të muslimanëve, dispozita të cilat i kanë pranuar muslimanët gjeneratë pas gjenerate dhe përvishni mëngët e juaja që të bëni ixhtihad në çështjet e reja për të cilat nuk ka folur më parë asnjë prej imamëve, çështje që njerëzit e rëndomtë kërkojnë të dinë hukmin e Allahut për to.

Nëse nga ixhtihadi juaj mund të nxjerrni diçka dhe mund të bëni lidhshmëri mes këtyre dispozitave dhe argumenteve nga Kur'ani dhe sunneti, duke na treguar mënyrën e nxjerrjes së këtyre dispozitave, atëherë do t'ua dorëzojmë juve qafet e katër imamëve dhe do t'u lëmë që të derogoni ixhtihadin e tyre me ixhtihadin tuaj dhe do t'i thërrasim të gjithë njerëzit që t'u imitojnë juve në vend të tyre.


Bënie këtë ... kushti është në duart tuaja.



Autor: Prof. Dr. EL-BUTI
Përktheu: Dr. Naser RAMADANI



_________________________

- Shkëputur nga libri: "JOMEDHHEBIZMI".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...