Fitër Bajrami



Falënderimet dhe lavdërimet i takojn vetëm Allahut, falënderimi i takon Atij i Cili është i pari pa fillim dhe i fundit pa mbarim.

Salavatet, lutjet dhe përshëndetjet tona qofshin mbi të Dërguarin e Zotit, Muhamedin a.s., mbi familjen e Tij të ndershme dhe shokët e Tij besnik, dhe mbi të gjithë ata që e përcollën dhe e përcjellin rrugën dhe traditën e Tij deri në ditën e Gjykimit.

O ju rob të Zotit, keni dronë e Allahut dhe zbatoni urdhrat e Tij, nëse doni të jeni të shpëtuar në këtë dhe botën tjetër, siç thotë edhe i Gjithëpushtetshmi në Kur'an: {قد أفلح من تزكىو ذكراسم ربه فصلى}, - "Ka shpëtuar ai që është pastruar, që përkujton Madhërinë e Zotit të vet dhe falet", (A'la:14-15).


Të nderuar xhematlinjë dhe ju tele-shikues ku do që na ndiqni!

Ja pra kaloi muaji i bekuar i Ramazanit, na la neve duke marrë me vete fletët e veprave tona, të cilat shpresojmë të jenë përplot mirësi dhe me to të jetë i kënaqur Krijuesi i gjithësisë.

Kjo ditë është ditë feste dhe ushqimi, ditë e furnizimit ndaj të varfërve, jetimëve, skamnorëve dhe të atyre që nuk kanë përkujdesje.

Kjo ditë është dita në të cilën paraqitet agjërimi tek Sunduesi i Plotfuqishëm, dhe ditë kur jepet shpërblimi i agjëruesve prej thesareve të Gjithëmëshirshmit.

Kjo është ditë gëzimi sepse ne e kryem obligimin tonë, ditë gëzimi sepse ne e kemi ndërgjegjen e pastër, ditë gëzimi sepse e ndjejmë në thellësinë e shpirtit se Allahu është i kënaqur me ne.

Kjo është ditë gëzimi për shkak të vullnetit të fuqishëm, kjo është ditë gëzimi e ngadhënjimit të dëgjueshmërisë mbi padëgjueshmërinë, të mirës kundër të keqes dhe mirësisë kundër mëkatit.

Kjo është ditë gëzimi kur ngadhënjen fisnikëria mbi koprracinë, falja mbi hakmarrjen, lidhja farefisnore mbi ndërprerjen e saj, dashuria mbi urrejtjen.

Prandaj, urime për atë që agjëroi, gëzime për atë që bëri ibadet gjatë netëve të Ramazanit, që lexoi Kuranin dhe përmendi të Gjithëmëshirshmin. I gëzuar dhe i lumtur duhet të jetë, ai i cili gjatë tij i dyfishoi veprat e mira, i gëzuar le të jetë ai që dha Zekatin dhe sadakën.

Sot i jemi kthyer natyrshmërisë sonë të përditshme, pas mbarimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, dita e Fitër Bajramit është një ditë e festimit, e gëzimit e paqes mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njëri-tjetrin.

Sot kemi kryer një obligim njëvjeçar, duke plotësuar numrin e ditëve të Ramazanit, sot falënderojmë Allahun si kurrë më parë që na udhëzoi në rrugë të drejt dhe që arritëm në Ditën e Bajramit siç thuhet në Kur'an: {وَلِتُكْمِلُواْ الْعِدَّةَ وَلِتُكَبِّرُواْ اللّهَ عَلَى مَا هَدَاكُمْ وَلَعَلَّكُمْ تَشْكُرُونَ}, - "Që te plotësoni numrin, të madhëroni Allahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni", (El-Bekare:185).

Festa e Bajramit të Madh, na kujton një kuvend mbarëpopullor ku mblidhen të gjithë besimtarët e fesë Islame, me të njëjtin qëllim, që ta adhurojnë Krijuesin e tyre ti shprehin falënderimin dhe ti luten që mbi tokë të mbretërojë paqja dashuria e respekti, mirëqenia e toleranca ndërnjerëzore.

Në fenë Islame kemi dy festa kryesore: Fitër Bajramin dhe Kurban Bajramin. Që të dyja na vijnë pas realizimit të dy shtyllave të fesë Islame, pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit vjen Fitër Bajrami , kurse Kurban Bajrami pas përfundimit të ceremonive të Haxhit.

- Pas një muaj Ramazani që i kemi dhënë prioritet anës shpirtërore më shumë se sa asaj materiale-fizike, sot erdhi dita që për dy komponentët e përmendura të kujdesemi njësoj.

- Pas një muaji Ramazan, pas një muaji që kemi pasur të ndaluar ushqimin dhe pijet gjatë ditës, prej sot ato i kemi të lejuara deri në Ramazanin tjetër.

- Një muaj Ramazan kemi pasur program në ushqim dhe pije, e kemi pasur të ndaluar ushqimin dhe pijet gjatë ditës, e sot e mbas e kemi të lejuar në çdo kohë.

- Allahu xh.sh. na e bëri të ndaluar deri dje, të hamë dhe të pimë, ndërsa na e bëri sot të lejuar , dhe ne me përkushtim e respektojmë si njërën ashtu edhe tjetrën.

Çdo fillim e ka edhe mbarimin, çdo send në këtë botë është i krijuar përveç Zotit.

Pasi që kjo botë është kalimtare duhet përpjekur që me anë të dhuntive që na i ka dhënë Allahu xh.sh. të përpiqemi ta fitojmë jetën e gjithmonshme.

Porosia e Allahut për këtë dhe botën tjetër është: {وَابْتَغِ فِيمَا آتَاكَ اللَّهُ الدَّارَ الْآخِرَةَ وَلَا تَنسَ نَصِيبَكَ مِنَ الدُّنْيَا وَأَحْسِن كَمَا أَحْسَنَ اللَّهُ إِلَيْكَ}, - "Dhe me atë që të ka dhënë All-llahu, kërko (ta fitosh) botën tjetër, e mos lë mangu atë që të takon nga kjo botë, dhe bën mirë ashtu siç të ka bërë All-llahu ty ...", (El-Kasas:77).

Ndërsa porosia e Muhamedit a.s. është: "Bëhu në këtë botë sikurse i huaj ose udhëtar".


Vëllezër të nderuar!

Dje ishte haram të mos agjërojmë, kurse sot është haram agjërimi.

Për kenë dje agjëruam, e për kenë sot nuk agjërojmë?

S'ka dyshim se për Allahun Krijuesin e gjithësisë, Ligjdhënësin e pandryshueshëm, ligji i të Cilit nuk ndryshon kurrë sepse Ai në Kur'an thotë: {وَلَن تَجِدَ لِسُنَّةِ اللَّهِ تَبْدِيلًا}, - "Dhe në ligjin e Allahut nuk do të gjesh ndryshim", (El-Fet'h:23).

Vërtetë agjërimi ka një vlerë të madhe dhe një shpërblim të veçantë, në këtë ditë ndahen shpërblimet e pakufishme të agjërueseve, në lidhje me këtë transmetohet Nga Ebu Hurejretu r.a. me të vërtetë Pejgamberi a.s. ne një hadith Kudsij thotë: Thotë Allahu xh.sh.(Çdo vepër e pasardhësve të Ademit është për ta, përveç agjërimit, e ai (agjërimi)është për Mua, dhe Unë shpërblej për të).

Agjërimi është vepra më e sinqertë tek Allahu xh.sh. agjërimi është shpirti i sinqeritetit me Allahun xh.sh. dhe nuk di kush të shpërblej më mirë për këtë përveç Ai që e ka bërë obligim.


Të nderuar vëllezër besimtarë

Ne sot kemi kryer një kusht themelor prej kushteve të fesë Islame që është detyrim një muaj në vit, sot ne e ndiejmë vetën më lirë dhe më të kënaqur që arritëm ta kryejmë edhe këtë obligim.

Ramazani është muaj i durimit kurse Bajrami është kohë e gëzimit.

Ramazani është muaj i bujarisë dhe i bamirësisë. E kush ka qenë bujar e bamirës gjatë këtij muaji, sot ka një shpërblim të veçantë, andaj duhet ta vazhdoj atë fisnikëri dhe atë bamirësi edhe në 11 muajt tjerë.

Ramazani është muaj që qetëson shpirtin dhe trupin, e ky qetësim duhet të mban deri në Ramazanin e ardhshëm.

Ramazani është qetësim i shpirtit dhe pastrim i trupit, e ky qetësim dhe pastrim do të na mban deri në Ramazanin e ardhshëm.

Ramazani njeriun e mëson dhe ushtron të bëhet i fortë i qëndrueshëm dhe këmbëngulës në qëllimet e veta. E kjo qëndrueshmëri do të na mban të fortë deri në Ramazanin e ardhshëm.

Muaji i Ramazanit, është muaj i solidaritetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve, e këtë solidarizim dhe këtë bamirësi duhet ta vazhdojmë edhe pas Ramazanit.

Pejgamberi ynë Muhamedi a.s. në një hadith thotë: "Shembulli i besimtarëve në solidaritetin dhe mëshirën e ndërsjellë është sikurse shembulli i një trupi të vetëm, nëse vetëm një organ i tij ankohet, atëherë edhe organet tjera nuk janë të qeta".

Ramazani na ka mësuar të jemi të butë e zemër gjerë, bujar e krenar, të devotshëm e durimtar, të sinqerta e besnik, t'ia shtrijmë dorën njëri-tjetrit në vështirësi e lehtësi, dhe kur ka nevojë.

Muaji i Ramazanit është muaj bashkimi në mes njerëzve pa marr parasysh gjendjen sociale, kulturore , ekonomike, pozitën, etj, po që të gjithë duhet të jenë të barabartë, andaj edhe në këtë Fitër-Bajram duhet të vazhdoj një gjë e tillë, po ashtu edhe në ditët tjera gjatë tërë vitit.

Pejgamberi a.s. ka thënë: "Vërtetë Allahu xh.sh. nuk shikon në format tuaja dhe në pasurin tuaj por shikon zemrat dhe veprat tuaja".

Muaji i Ramazanit është muaj i programit dhe rregullit në çdo pore të jetës, po ashtu në ushqim dhe pije, në kohë të caktuar, andaj programi dhe termini në Fenë Islame luan një rol tejet me rëndësi.

Besimtari përveç që kryen një obligim njëvjeçar të Allahut xh.sh. ai mëson edhe program dhe rregull, e këtë rregull duhet ta ketë parasysh edhe në njëmbëdhjetë muajt e tjerë që na presin në vazhdim të jetës.

Besimtari në muajin e Ramazanit është dashur të jetë: i devotshëm, durimtar, fisnik, bamirës, i qetë, i forte, i qëndrueshëm, këmbëngulës, solidarizues, i butë, zemër gjerë, bujar, krenar, korrekt, i sinqertë, besnik, i rregullt, respektues i ligjeve, me gjithë këto nuk ka qenë i lejuar të përdor ushqime dhe pije gjatë ditës.

E sot, prapë duhet të jetë sikur që ka qenë në Ramazan por duke u kthyer në natyrshmërinë e përditshme, duke u ushqyer pa e tepruar. {كُلُواْ وَاشْرَبُواْ وَلاَ تُسْرِفُواْ إِنَّهُ لاَ يُحِبُّ الْمُسْرِفِين}, - "Hani dhe pini e mos e teproni, pse Ai(Allahu)nuk i do ata që teprojnë", (EL-Earaf:31). Dhe ajeti tjetër: {يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ كُلُواْ مِن طَيِّبَاتِ مَا رَزَقْنَاكُمْ وَاشْكُرُواْ لِلّهِ}, - "O ju që besuat, hani nga të mirat që u kemi dhënë dhe falënderoni Allahun", (El-Bekare:172).

Përfundimi i Ramazanit dhe ardhja e Bajramit duhet të shfrytëzohet për ndërprerje të përhershme të disa veseve dhe veprave të liga, e jo të nxitohet për të vazhduar veprën të cilën ndoshta e kemi braktisur gjatë muajit të bekuar të Ramazanit.

Pas muajit të Ramazanit respektivisht Bajramit, duhet vazhduar me kryerjen e veprave të mira ngase veprat e mira nuk pushojnë me përfundimin e Ramazanit dhe ardhjen e Bajramit por ato përfundojnë me përfundimin e jetës.

Allahu xh.sh.thotë: "Dhe adhuro Zotin tënd derisa të jesh i gjallë".


Vëllezër besimtarë!

U ndamë nga muaji i Ramazanit mirëpo, kjo nuk do të thotë se do të lirohemi edhe nga obligimet e fesë e ta lëmë pas dore namazin dhe ibadetin, e ti kthehemi mëkateve dhe gjërave të ndaluara, sikur Allahu të ishte prezent vetëm në Ramazan, e jo edhe në muajt e tjerë. Duhet ta dimë se Zoti i Ramazanit është Zot edhe i muajve të tjerë. Kurse ne jemi dobët e Allahu si në muajin e Ramazanit po ashtu edhe gjatë tërë jetës.

Qëllimi i agjërimit është mbjellja e drojës në zemër, edukimin e shpirtit, përmirësimin e moralit, pendimin nga mëkatet dhe fillimi i një periudhe të re në jetën e muslimanit. Për atë është obligim ta ruajmë dronë e Ramazanit, ushqimin shpirtëror të Ramazanit, ibadetin e Ramazanit, bamirësin e Ramazanit dhe moralin e Ramazanit.

Bajrami është ditë shpërblimi, është ditë bashkimi, është ditë gëzimi, ditë kënaqësie, ditë sigurie, ditë barazie, ditë kremtimi dhe ushqimi, ditë vizite të afërmeve, farefisit, shokëve, dashamirëve, jetimëve, është ditë pajtimi në mes njerëzve dhe ditë adhurimi e lutje Allahut xh.sh..

Ajeti: {وَإِذَا سَأَلَكَ عِبَادِي عَنِّي فَإِنِّي قَرِيبٌ أُجِيبُ دَعْوَةَ الدَّاعِ إِذَا دَعَانِ فَلْيَسْتَجِيبُواْ لِي وَلْيُؤْمِنُواْ بِي لَعَلَّهُمْ يَرْشُدُونَ}, "E kur robët e Mi të pyesin ty për Mua, Unë jam afër, i përgjigjem lutjes kur lutësi më lutet, pra për të qenë ata drejt të udhëzuar, le të më përgjigjen ata Mua dhe le të më besojnë ata Mua", (El-Bekare:186).


Të nderuar të pranishëm dhe ju tele-shikues ku do që na ndiqni.

Edhe pse kaloi muaji i Ramazanit Allahu është i përhershëm, është Ai që ishte edhe dje, obligueshmëria ndaj kushteve të Islamit nuk bie me kalimin e muajit të Ramazanit por vazhdon në një formë më ndryshe.

Në fund do ta përmbylli me një ajet i cili flet për unitet e jo përçarje, për bashkim e jo grupacione për përkujtim e jo harresë:

Thotë Allahu xh.sh. në Kur'anin e Tij Fisnik, Ajeti: {وَاعْتَصِمُواْ بِحَبْلِ اللّهِ جَمِيعًا وَلاَ تَفَرَّقُواْ وَاذْكُرُواْ نِعْمَةَ اللّهِ عَلَيْكُمْ}, - "Dhe kapuni që të gjithë për litarin (fenë dhe Kur'anin) e Allahut dhe mos u përçani, dhe përkujtoni të mirat e Zotit ndaj jush ...", (Ali-Imran:103).

E nëse nuk e praktikoni këtë atëherë Allahu xh.sh. na përgjigjet me ajetin tjetër: {ضُرِبَتْ عَلَيْهِمُ الذِّلَّةُ أَيْنَ مَا ثُقِفُواْ إِلاَّ بِحَبْلٍ مِّنْ اللّهِ وَحَبْلٍ مِّنَ النَّاسِ وَبَآؤُوا بِغَضَبٍ مِّنَ اللّهِ}, - "Atyre u është vënë njollë e nënçmimit kudo që të gjenden, vetëm nëse kapen për litarin (fenë) e Allahut dhe kthehen në besën e njerëzve (të muslimanëve)", (Ali-Imran:112).

Ky Bajram është më i veçantë se sa bajramet e kaluara, sepse sot për herë të parë festojmë në Kosovën e pavarur, me këtë rast lusim Allahun e Madhërishëm që ti shpërblej që gjithë ata që kontribuuan për këtë vend, të gjithë të rënit për çlirimin e vendit tonë ku mbi gjakun e tyre u ngritën themelet e shtetit të Kosovës.

Lusim Allahun xh.sh. ta përmirësoj gjendjen tonë dhe të gjithë atyre besimtarëve kudo ata qofshin, por për këtë lypset prej nesh që të jemi në rrugë të Allahut, si besimtarë të vërtetë, sepse Ai ka premtuar e premtimi i Tij është i vërtetë, duke thënë në Kur'an: "Mos u ligështoni, e as mos u dëshpëroni. Ju jeni më të lartit, nëse jeni besimtarë të sinqertë", (Ali-Imran:39).


Të ndëruar besimtarë

Uroj që parimet e larta të manifestuara edhe më fuqishëm gjatë muajit të Ramazanit, siç janë: mirëkuptimi, toleranca, ndihma e solidariteti për njërin-tjetrin e vullneti i mirë, të bëhen parime të përditshme në jetën e çdo besimtari.

Duke ju uruar të gjithëve Fitër Bajramin uroj që sakrificat, adhurimet dhe lutjet tuaja të sinqerta, të shpërblehen me mirësinë e Krijuesit të Madhërishëm.



Autor: Kasim Gërguri

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...