Taklidi i Omerit ndaj Ebu Bekrit (argument pro-taklidit)
Pastaj ai [Ibn Kajimi] transmeton përdorimin si dëshmi [pro-taklidit] thënien e Omerit në lidhje me kuptimin e fjalës 'kelaleh' [përmendur në Kur'an, 4:12, 176] ku thotë, "Ndihem i turpëruar para Allahut ta kundërshtoj Ebu Bekrin", [1] dhe ai përgjigjet për këtë në pesë pika:
Pika e parë: është që: Ata e kanë shkurtuar hadithin dhe kanë fshirë prej tij atë [pjesë] që do të mohonte dëshminë që ata nxjerrin prej tij. [2]
Pastaj ai përmend hadithin, duke thënë: Ebu Bekri thotë në lidhje me 'Kelaleh', "Unë do vendos për këtë me mendimin tim dhe nëse është korrekt është prej Allahut, e nëse është gabim, është prej meje dhe shejtanit e Allahu është i pastër nga kjo. [Kuptimi i fjalës] është një njeri pa pasardhës ose prindër". Omer ibn Hatabi tha, "Ndihem i turpëruar para Allahut ta kundërshtoj Ebu Bekrin". [3]
Prandaj, Omeri ishte i turpëruar ta kundërshtoj atë në pranimin e tij të mundësisë së të qenit gabim dhe që fjala e tij nuk është gjithmonë e saktë dhe e mbrojtur nga gabimet [dhe nuk ishte rreth kuptimit të fjalës 'kelaleh']. [Fakti që] Omeri (r.a.) e pranoi afër vdekjes së tij që ai ende nuk kishte vendosur rreth [kuptimit të fjalës] kelaleh, dhe pranimi i tij që ai nuk e kishte kuptuar atë (fjalë), [4] e vërteton këtë. [5]
Kjo është një përgjigje tërësisht e pabazë, dhe ajo që ai [Ibn Kajjimi] ka thënë rreth kuptimit të fjalëve të Omerit (r.a.) është më afër shtrembërimit (tahrif) sesa interpretimit (te'vil) sepse mundësia e të gabuarit për të [Ebu Bekrin] dhe që fjala e tij nuk është gjithmonë korrekte dhe e mbrojtur prej gabimit nuk mund të diskutohet fare sepse [një gjë e tillë] është e ditur domosdoshmërisht (ma'lumen bi'l-durureh) edhe pa pranimin e tij. Për më tepër, kundërshtimi në atë nuk do shkaktonte turp sepse ai mund të thotë, "Ai e ka thënë atë vetëm prej modestisë, e realiteti nuk është ashtu". Prandaj, kuptimi i fjalës së tij nuk është ajo që përmend folësi.
Në fakt, kuptimi i fjalës së tij është që ai u ndje i turpëruar ta kundërshtoj atë në çështjen në fjalë sepse ajo [çështje] mund të kontestohet dhe një diskutim aty mund të jetë një shkak i përgjithshëm për turpërim për shkak të të qenit më i vjetër dhe më i dijshëm se ai.
Kjo nuk është në kundërshtim me atë që ai ka transmetuar prej tij, që ai ka pranuar afër vdekjes së tij që ai fare nuk ka vendosur rreth [kuptimit të fjalës] kelaleh dhe që nuk e ka kuptuar atë, sepse kuptimi i fjalës së tij është që ai nuk ka vendosur asgjë [që është] në kundërshtim me Ebu Bekrin, por ai e ka ndjekur Ebu Bekrin në atë çështje sepse ai e ka kuptuar atë në një mënyrë që do ta detyronte atë ta kundërshtonte Ebu Bekrin. Me këtë [shpjegim], thëniet e tij të ndryshme pajtohen pa ndonjë shpjegim të trilluar, dhe Allahu e di më së miri. Shih kapitullin "Bab el-Kelaleh" në I'la-us-Sunen, [6] që do sqaroj të vërtetën e asaj që kemi thënë.
Pika e dytë: është që kundërshtimi i Omerit ndaj Ebu Bekrit [në disa çështje] është i mirënjohur sa që s'ka nevojë t'ia kujtojmë, dhe [vetë Ibn Kajimi] i ka përmendur disa prej këtyre çështjeve. [7] Kjo po ashtu është përgjigje e pabazë sepse ne nuk pretendojmë që Omeri e ka pasuar Ebu Bekrin në çdo gjë, dhe ne vetëm kemi thënë se ai e ka ndjekur Ebu Bekrin në lidhje me fjalën kelaleh. Prandaj, kundërshtimi i tij [ndaj Ebu Bekrit] në çështje tjera nuk na dëmton neve (argumentin tonë) sepse ai ishte muxhtehid i pavarur (muxhtehid mustekil), dhe e ka të lejuar të mos pajtohet në ato që nuk pajtohet.
Pika e tretë: ishte që ai ka thënë: Nëse do supozonim që Omeri i bëri taklid Ebu Bekrit në çdo gjë që ai ka thënë, në këtë nuk ka qetësi për ata që i bëjnë taklid dikujt që vjen pas sahabëve dhe tabi'inëve, atyre që nuk iu vijnë as afër sahabëve. Prandaj nëse do ishte siç pretendoni ju, që keni shembull në Omerin, atëherë bëni taklid Ebu Bekrit dhe lini taklidin e dikujt tjetër, dhe Allahu e i Dërguari i Tij dhe të gjithë robërit e Tij do t'ju lavdërojnë juve për taklidin, si s'do t'ju lavdëronin për taklidin që bëni ndaj dikujt tjetër pos Ebu Bekrit. [8]
Kjo është një përgjigje e pabazë sepse ne nuk themi që Omeri e ka pasuar Ebu Bekrin në çdo gjë që ai ka thënë, por në fakt pohimi jonë është vendosja e lejimit të taklidit, që bazohet në taklidin e Omerit ndaj Ebu Bekrit në çështjen e [kuptimit të fjalës] Kelaleh.
[Edhe] nëse do supozohej që Omeri pasoi Ebu Bekrin në çdo gjë që ai ka thënë, nuk do të ishte e domosdoshme për ne t'i bënim po ashtu taklid Ebu Bekrit, sepse taklidi i Omerit për Ebu Bekrin ishte i mundshëm për të për shkak të qenit e mundshme që t'i referohet atij për të gjitha [çështjet] që kanë nevojë për shqyrtim ngaqë ishte i pranishëm para tij, e kjo nuk është e mundshme për ne sepse medhhebi i tij nuk na ka arritur neve që ta kishim të mundur t'i referohemi atij. Për ne është detyrim t'i bëjmë taklid një dijetari muxhtehid, e jo në muxhtehidi specifik, kështu që me t'i bërë taklid një imami, ne jemi të lëshuar nga obligimi, dhe nuk është e mundshme të pyetet "Pse i bëni taklid këtij imami dhe pse nuk i bëni taklid atij imami"?
Për më tepër, edhe nëse do t'i bënim taklid Ebu Bekrit, ne nuk do ishim të sigurt nga gjuhët tuaja sepse Ebu Bekri po ashtu nuk është i mbrojtur nga gabimi, e as nuk është Pejgamber, dhe sipas jush fjala e dikujt që nuk është i mbrojtur nga gabimi dhe nuk është Pejgamber nuk përbën argument, kështu që si (do të na) lavdëronit për këtë taklid? Nëse Allahu dhe i Dërguari i Tij do na lavdëronin siç the ti, ata do na lavdëronin [edhe] për taklidin ndaj një Imami muxhtehid.
Pika e katërt: ishte që: Ata që i bëjnë taklid imamëve të tyre nuk janë të turpëruar prej asaj që ishte i turpëruar Omeri sepse ata kundërshtojnë edhe Ebu Bekrin edhe Omerin dhe nuk turpërohen nga kjo për shkak të opinionit të atyre që ata imitojnë prej Imamëve të tyre. Në fakt, njëri prej ekstremistëve të tyre në një prej librave të parimeve të jurisprudencës (usul-ul-fikh) ndalon nga taklidi i Ebu Bekrit dhe Omerit dhe konsideron taklidin ndaj Shafiut obligim. [9] Sa e çuditshme që ai konsideron taklidin ndaj Shafiut obligim ndërsa ndalon nga taklidi i Ebu Bekrit dhe Omerit!
Kjo është një përgjigje e pabazë sepse ndonëse Omeri kishte turp ta kundërshtonte atë në një çështje ai e kundërshtoi atë në [disa] çështje tjera, imamët tanë kanë turp që ta kundërshtojnë atë në shumë çështje dhe e kundërshtojnë atë në [vetëm] disa çështje, dhe ngjashëm, ne kemi turp ta kundërshtojmë atë në disa prej tyre dhe nuk kemi [turp] ta kundërshtojmë atë në disa prej tyre duke ndjekur imamët tonë, kështu që si është e mundshme të thuhet që nuk kemi turp ta kundërshtojmë Ebu Bekrin dhe Omerin?
Pika e pestë: është që: Përfundimi i kësaj është që Omeri e ka pasuar Ebu Bekrin në një çështje, kështu që a ka ndonjë argument në këtë për lejueshmërinë e ngritjes së një opinioni të një njeriu specifik në nivelin e teksteve të ligjvënësit, duke mos opinionit të askujt tjetër pos tij, madje as teksteve të ligjvënësit, vetëm nëse ato pajtohen me opinionin e tij? Se kjo, për Zotin, është ajo që Ummeti janë pajtuar se është e ndaluar në fenë e Allahut, dhe nuk është paraqitur në umbet pos pas kalimit të gjeneratave të bekuara. [10]
Kjo është po ashtu përgjigje e pabazë sepse kur vendoset lejueshmëria e taklidit, për shkak të injorancës ose mosbesimit në dijen e vet, prej taklidit të Omerit ndaj Ebu Bekrit në një çështje, kjo gjë është e lejuar në mijëra çështje për shkak të të njëjtës kauzë efektive. Ti nuk ke dëshmi për dallim në mes një çështjeje dhe shumë çështjeve, e as në mes një individi dhe shumë individëve. Prandaj, denigrimi i taklidit individual (taklid el-shaksij) është injorancë e pastër.
Thënia që ummeti janë pajtuar që është e ndaluar në fenë e Allahut është shpifje ndaj ummetit. Në fakt Ummeti, me përjashtim të një grupi të vetmuar dhe të izoluar, janë pajtuar mbi lejueshmërinë e saj, gojarisht dhe praktikisht. Ajo që është e ndaluar, mbi ndalueshmërinë e të cilës ka pajtim, është që dikush ta bëj dikë autoritet intrinzik (metbu binefsihi) dhe e bën fjalën e tij dëshmi absolute, duke e dekretuar atë mbi fjalën e Allahut dhe të Dërguarit. Taklidi që ne po diskutojmë nuk është i tillë sepse ky do të ishte kufr i qartë (kufr bawah) që asnjë prej muslimanëve nuk e thonë, dhe ne vetëm pasojmë [imamët] sepse e dimë që ata do të na mësojnë rregullat e Allahut e të Dërguarit dhe do na tregojnë rrugën e udhëzimit të drejtë, e jo sepse ata janë autoritet intrinzik.
Nëse ju thoni: "Nëse puna është siç thoni ju, atëherë pse nuk i lini opinionet e tyre për fjalën e Allahut dhe të Pejgamberit, pasi shihet që është në kundërshtim [me këto dy]"? Ne themi: "Kjo vjen nga mendimi juaj i keq dhe supozimi juaj i gabuar që ne preferojmë opinionin e imamit mbi fjalët e Allahut dhe të Dërguarit të Tij, ndonëse e vërteta nuk është e tillë. E vërteta e kësaj çështjeje është, që fjala e Allahut dhe e Pejgamberit ta kundërshtoj opinionin e imamit është e varur nga dy gjëra: e para është dija që kjo është fjala e Allahut dhe e Pejgamberit, dhe e dyta është dija që kjo është në kundërshtim me opinionin e Imamit. Mukalidi nuk e ka dijen e asnjë prej këtyre dy gjërave sepse kjo dije është e varur nga nxjerra e dëshmive (istidlal) e mukalidi ose është tërësisht i paaftë për këtë gjë ose dëshmia që ai nxjerr është e papranueshme për konsiderim sipas sheriatit sikurse dëshmia e nxjerrë nga ata që nxorën dëshmi për obligueshmërinë e guslit duke përdorur ajetin e tejjemumit (Kur'ani, 5:6). Kur çështja është e tillë, si është e mundshme për të, duke përdorur ixhtihadin e tij, të gjykoj që muxhtehidi ka kundërshtuar rregullin e Allahut dhe të Dërguarit të Tij? Dhe kur kjo s'është e mundshme për të, si mundet ai ta lë opinionin e tij për qëndrimin kundërthënës? Si përfundim, shmangja nga kundërshtimi i opinionit të imamit në favor të një hadithi etj., nuk është për shkak se opinioni i imamit është më me peshë se fjala e Allahut ose e Pejgamberit sipas mukalidit -larg prej saj - por, është sepse kundërshtimi i imamit ndaj Allahut dhe Pejgamberit nuk është i vërtetuar sipas tij".
Nëse ju thoni: "Edhe nëse ai nuk e dallon vetë kundërshtimin, ne dhe ulema tjerë së bashku me ne mund ta informojmë atë që imami i tij ka kundërshtuar hadithin." Ne themi: "Nëse ai pajtohet me ju në këtë thënie përmes dëshmive, ai nuk është i aftë për të nxjerrë dëshmi dhe vërtetësisë së dëshmisë që ai nxjerr nuk i besohet, kështu që çka me pajtimin e tij? E nëse ai pajtohet me ju pa dëshmi, ai bëhet mukalidi juaj dhe asnjëri prej dy taklideve nuk është superior ndaj tjetrit, kështu që pse do duhej ai të heq dorë nga taklidi i mëhershëm për tu kthyer në taklid ndaj jush"? Prandaj, dyshimi dhe pasiguria në [këtë] nënçmim u largua, dhe gjithë lavdërimi [e falënderimi] i takon Allahut.
Autor: Mewlana Habib Ahmed el-Kiranawi
Shkëputur nga libri: "el-Din el-Kajjim"
Përktheu: Fatih IBRAHIMI
Shënime:
"Ixhtihad" - Përpjekja për të nxjerrë ligje/rregulla (nga burimet primare).
"Muxhtehid" - dijetari kompetent për të bërë ixhtihad.
"Taklid" - pasim i verbër; pasimi i një dijetari pa pyetur për dëshmitë tekstuale dhe mënyrën e nxjerrjes së rregullit.
"Mukalid" - është personi i cili bën taklid (pasuesi i dijetarit).
"fetva" - verdikt fetar i lëshuar nga dijetari kompetent.
"kufr" - akt mosbesimi (mohimi). Personi që bën kufr quhet Kafir.
"medhheb" - shkollë juridike (fikhore). Katër medhhebe janë të pranuara unanimisht nga dijetarët: hanefij, malikij, shafi'ij, hanbelij.
Fusnotat:
[1] - "Abdur-Rezak es-Sen'ani transmeton në Musennefin e tij me një zinxhir të vërtetë mursel prej 'Amir esh-Sha'bi (Ebu Bekr 'Abdurezak ibn Hammam es-Sen'ani, el-Musennef, botimi i Habib el-Rahman el-Azemi, botimi i dytë, 1403 H/1983, Karaçi: el-Mejlis ul-'Ilmi, 10:304).
[2] - Ibn el-Kajjim, op. cit. 3:530.
[3] - Ky fjalë-formulim është transmetuar nga Taberiu në Tefsirin e tij me një zinxhir të vërtetë mursel prej esh-Sha'bit (Ibn Xherir et-Taberi, op. cit. 6:475).
[4] - Transmetimi prej Abdurrezakut në Musennefin e tij thotë që Omeri ka bërë komentin, "Ndihem i turpëruar para Allahut ta kundërshtoj Ebu Bekrin; unë konsideroj që [fjala] kelaleh të jetë një njeri pa pasardhës dhe prindër" afër vdekjes së tij, "pasi është shpuar [me shpatë]", që kundërshton të dy pretendimet e bëra nga Ibn Kajimi, që:
1). ai ishte i turpëruar ta kundërshtoj pranimin e Ebu Bekrit për mundësinë e të qenit gabim mendimi i tij, dhe
2). që Omeri nuk ka vendosur asgjë në këtë çështje afër vdekjes së tij. Pranimi i Omerit që ai nuk e ka kuptuar fjalën Kelaleh ka qenë gjatë jetës së Pejgamberit (s.a.v.s.) siç është shënuar nga Abdurrezaku (Adurrezak es-Sen'ani, op. Cit. 10:305).
[5] - Ibn el-Kajjim, op. cit. 3:530.
[6] - Zafer Ahmed el-'Uthmani, I'la us-Sunen, botimi i Na'im Eshref Nur Ahmedit, 1427 h., Karaçi: Idaret el-Kur'an, 18:353-453.
[7] - Ibn el-Kajjim, op. cit. 3:530-1.
[8] - Ibid. 3:532.
[9] - Ibn el-Kajjimi me gjasë i referohet thënies së Imam el-Haremejn el-Xhuvejnit në el-Burhan fi Usul ul-Fikh: "Dijetarët verifikues (muhakkikun) janë pajtuar që njerëzit e thjeshtë nuk bën të bashkojnë medhhebet e sahabëve (r.a.), por ata duhet të ndjekin medhhebet e imamëve të cilët kanë ekzaminuar e diskutuar, kanë krijuar kapituj, dhe kanë përmendur situatat e rregullave ligjore, të kombinuar me medhhebet e mëhershme." (Ebu el-Me'ali 'Abd el-Malik ibn 'Abdullah el-Xhuvejni, el-Burhan fi Usul ul-Fikh, botimi 'Abdulaziz ed-Dib, botimi i parë, 1399 H, 2:1146). Arsyeja për këtë është sepse medhhebet e sahabëve nuk janë shkruar dhe kodifikuar, dhe imamët e mëvonshëm kanë bazuar medhhebet e tyre në medhhebet e sahabëve. Shih shpjegimin e Imam Neveviut në esenë e parë, tek shtojca..
[10] - Ibn el-Kajjim, op. cit. 3:532.
[11] - Ibid.