Refuzimi i Ibn Abd el-Berrit nga Kadi Ebu Bekr në lidhje me hadithin e zbritjes



1. Hyrje

Literalistët shpesh citojnë fjalët kontroverse të Ibn 'Abd el-Berrit, [1] mbi hadithin e zbritjes, në librin e tij et-Temhid (et-Temhid lima fi el-Muwatta' min el-me'ani we el-esanid):

Hadithi [i zbritjes së Allahut] përmban argument që Allahu është në (fi) qiell, mbi ('ala) Arsh, sipër (fewk) shtatë qiejve, dhe siç ka thënë xhemati (Ehli Suneti), dhe ky është një nga argumentet e tyre kundër Mu'tezileve dhe pretendimit të Xhehmijve të cilët pretendojnë se Allahu është në çdo vend e jo mbi Fron ...

Nga dhënia e hakkut të fjalës së Allahut, është që ajo të mbartet në kuptimin e fjalëpërfjalshëm ('ala hakikatihi), derisa ummeti të pajtohet se është për qëllim kuptimi metaforik, kur nuk ka mënyrë për të pasuar atë që na është zbritur (shpallur) nga Zoti ynë pos në atë mënyrë ...

Istawa është e njohur në gjuhën e folur arabe dhe kuptohet si lartësi ('uluw), ngjitje mbi diçka, rri i vendosur (et-temekkun), dhe qëndrim i palëkundshëm në të (el-istikrar fih) ... dhe istewa është "qëndrim i palëkundshëm në lartësi" (el-istikrar fi el-'uluw). Allahu na është drejtuar me fjalët: "Të uleni mbi to (li testewu) dhe atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to (istewejtum) ta përkujtoni të mirën që u dha Zoti juaj", (43:13),< strong>"dhe ajo (anija) u ndal (istewet) në (malin) Xhudij ...", (11:44). "Dhe kur të vendosesh (istewejte) në anije ti dhe ata që janë me ty", (23:28). [2]


2. Refuzimi i Kadi Ebu Bekr Ibn el-Arabiut ndaj Ibn Abd el-Berrit

Teksti i mësipërm (i përmendur në 'hyrje') është përgënjeshtruar vendosmërisht nga Ibn el-'Arabiu në komentin e tij mbi hadithin e zbritjes (i cili gjendet) në et-Tirmidhi:

Njerëzit janë të ndarë në tre qëndrime në lidhje me këtë hadith dhe të ngjashëm me këtë:

1. Disa prej tyre e refuzojnë atë, sepse është transmetim i vetëm dhe kuptimi i jashtëm nuk është i përshtatshëm për Allahun. Këta janë novatorët (bidatçijtë).

2. Disa prej tyre e pranuan atë dhe e morën ashtu siç ka ardhur, pa e interpretuar ose diskutuar atë, duke besuar që asgjë nuk i ngjan Allahut.

3. Disa prej tyre e interpretuan dhe shpjeguan atë, dhe ky është qëndrimi im, sepse kuptimi i tij është i thjeshtë (i afërt, i ngushtë) në Arabishten e pastër.

Mirëpo, disa njerëz injorant të cilët nuk janë nga dijetarët, i kanë tejkaluar kufijtë në interpretimin e këtij hadithi.

Ata thonë që në këtë hadith ka argument që Allahu "është në Qiell, mbi Fron, sipër shtatë qiejve".

Ne themi kjo është shenjë e injorancës së llahtarshme.

Ajo që hadithi thotë është "Ai zbret në qiell" pa specifikuar prej ku Ai zbret ose si Ai zbret. Mirëpo ata thanë - dhe argumenti i tyre është, përsëri, i bazuar në kuptimin tekstual të ajetit - "Mëshiruesi që qëndron mbi Arsh", (20:5), përkthimi Sherif Ahmetit).

Ne pyetëm: Çka është Froni (Arshi) në arabisht, dhe çka Istiwa-ja?

Ata u përgjigjën: Siç ka thënë Allahu: "Të uleni mbi to (li teswetu) dhe atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to", (43:13).

Ne thamë: Allahu është më i Fuqishëm dhe më i Lartmadhëruar e pa të meta se që t'i përngjaj Istiwa-ja e tij me uljen tonë mbi shpinën e kafshëve.

Ata thanë: Ashtu siç pat thënë: "... dhe ajo (anija) u ndal (istewet) në (malin) Xhudij ...", (11:44).

Ne thamë: Allahu është më i Fuqishëm dhe më i Lart madhëruar e pa të meta sesa (të jetë sikur) një anije që lundroi dhe pastaj u ankorua dhe u ndal!

Ata thanë: Dhe siç ka thënë Ai: "Dhe kur të vendosesh (istewejte) në anije ti dhe ata që janë me ty", (23:28).

Ne thamë: Ruana Zot që Istewa-ja e Tij të jetë e ngjashme me atë të Nuhut (s.a.) dhe popullit të tij. Çdo gjë (në rastet) e fundit është e krijuar, ngase konsiston në istiwa' me një ngritje dhe vendosje në një vend që përfshin kontakt fizik. I tërë Ummeti janë në pajtim përpara se të dëgjojnë hadithin e zbritjes dhe argumentet e atyre që e refuzuan atë, që Istiwa-ja e Allahut nuk përfshin asnjë prej atyre gjërave. Prandaj, mos sillni shembuj prej krijesave të Tij për Të! ...

Ata thonë: Allahu ka thënë, "Pastaj ai bëri 'istiwa mbi Fron'", (20:5), do me thënë "Pastaj Ai bëri Istiwa drejt Qiellit", (2:29).

Ne thamë: Kjo është një kontradiktë. Së pari ju thoni që Ai është në Fron mbi qiell, dhe pastaj thoni se Ai është në qiell sipas thënies së Tij "A u garantuat ju prej Atij që është në qiell", (67:16) - dhe ju thatë që kjo [f: fraza 'që është në qiell'] domethënë "mbi qiell". Prandaj ju duhet të thoni që "I Gjithëmëshirshmi vendosmërisht qëndroi 'mbi Arsh'" domethënë "në Arsh"!

Ata thanë: Allahu ka thënë: "Ai i koordinon të gjitha çështjet prej qielli deri në tokë", (32:5).

Ne thamë: Kjo është e vërtetë, por nuk qëndron si argument për novacionin (bidatin) tuaj.

Ata thanë: Të gjithë besimtarët e vërtetë në Njëshmërinë e Allahut i ngrenë duart drejt qiellit kur i luten Atij, e sikur Musa mos t'i kishte thënë Faraonit: "Zoti im është në qiell", Faraoni nuk do t'i kishte thënë: "O Haman ... ma ndërto kullën të hip te Zoti i Musaut ...", (28:38).

Ne u thamë: Ju jeni duke gënjyer rreth Musait (a.s.), ai asnjëherë nuk e ka thënë atë. Por konkluzioni (përfundimi) juaj tregon që ju vërtetë jeni pasuesit e Faraonit, që besuan se Krijuesi qëndron në një drejtim të caktuar, kështu që ai deshi të hip (ngjitet) lartë tek Ai me shkallë. Ai (Faraoni) ju përgëzon juve për të qenit pasues të tij, dhe ai është imami juaj.

Ata thonë: E çka në lidhje me Umejje ibn Ebi el-Salt i cili thotë: "Lavdi i qoftë Atij të Cilin krijesat e kanë të pamundshme ta njohin ashtu siç e meriton të njihet, i cili është në Fronin e Tij, Unik dhe Një i Vetëm, Sovran dhe Posedues mbi Fronin e Qiellit, ndaj Madhështisë së të Cilit fytyrat janë të përulura dhe bëjnë sexhde"? Dhe ai - Umejje - e kishte lexuar Tevratin, Inxhilin dhe Zeburin.

Ne thamë: Është prej jush dhe injorancës suaj, të merrni si argument, së pari fjalët e Faraonit, pastaj fjalimin e një Arabi para-islamik të përkrahur nga Tevrati dhe Inxhili, të cilat janë shtrembëruar dhe ndryshuar. Prej të gjitha krijesave të Allahut çifutët janë më të dijshmit në mosbesim (kufr) dhe në përngjasimin e Allahut me krijesat. [3]

Ajo që ne duhet të besojmë është që Allahu ishte dhe asgjë nuk ekzistoi me të; që pastaj Ai krijoi të gjitha krijesat, përfshirë Arshin, pa iu nënshtruar zbulimit (pa u emëruar) përmes tyre, as nuk lindi një drejtim për Të për shkak tyre, as nuk zu vend Ai në to; që (pra) Ai nuk bëhet imanent (nuk bëhet distant), që Ai nuk pushon së qeni transcendent (nuk zhduket), që Ai nuk ndryshon, që Ai nuk lëviz prej një gjendjeje në tjetrën.

(Fjala) Istiwa' në gjuhën Arabe ka pesëmbëdhjetë kuptime, tekstuale dhe figurative. Disa prej këtyre kuptimeve janë të përshtatshme për Allahun dhe për kuptimin e ajetit (20:4) që është i nxjerrë prej tyre. Kuptimet tjera nuk lejohen në përshkrimin e Allahut në asnjë mënyrë. Për shembull, nëse merret që, kuptimi është të qenit i vendosur në një vend (temekkun), vendosje (istikrar), kontakt (ittisal), ose shtrirje (muhadhat): atëherë asnjëri prej këtyre kuptimeve nuk janë të përshtatshme për Krijuesin e Gjithëfuqishëm dhe Madhështor dhe askush nuk duhet të provoj të gjej ngjashmërinë e Tij në krijesat e Tij.

Njeriu mund të përmbahet nga të shpjeguarit e ajetit, siç ka thënë Maliku dhe të tjerët: "Istiwa' është e njohur" - domethënë: kuptimi gjuhësor - "dhe modaliteti është i panjohur" (we el-kejfu mexhhul) [4] - domethënë: modaliteti i atyre që janë të mundshme prej kuptimeve të istiwa'-së: prandaj, kush mund të specifikoj një modalitet të tillë? - "dhe të pyeturit rreth saj është inovacion (bidat)" - sepse, siç e bëmë të qartë, shqyrtimi i kësaj çështjeje është të kërkuarit për çështje të dyshimta e kjo është kërkim i fitnes.

Prandaj, prej asaj që ka thënë Imami i Muslimanëve, Maliku, mund të përfundojmë që istiwa' është e njohur, ajo që është e përshtatshme për Allahun lihet e paspecifikuar, dhe që Ai (duhet të) deklarohet transcendent (i patëmetë) nga ato që janë të pamundura për të. Sa për specifikimin e asaj që nuk është e përshtatshme për të [f: prej kuptimeve të istiwa-së], kjo nuk të lejohet, pasi që ti ke plotësuar deklarimin e njëshmërisë dhe besimit duke mohuar ngjashmërinë e Allahut dhe duke mohuar (atë) që është absurde për të besuar (në lidhje me) Të. Nuk je i obliguar diçka tjetër veç kësaj, dhe ne tashmë e kemi shpjeguar këtë në detaje.

Sa për thënien e Tij: "Ai zbret, Ai vjen, Ai mbërrin", dhe shprehje të ngjashme kuptimet (e jashtme) të të cilave janë të ndaluara t'i përshkruhen Qenies së tij: ato i referohen veprimeve të Tij ... El-Ewza'i e ka sqaruar këtë, kur është pyetur në lidhje me këtë hadith, duke thënë: "Allahu bën çfarë të dëshiroj". [5] Mjafton të dihet, ose thjesht të besohet që Allahu nuk duhet definuar me asnjë prej karakteristikave të krijesave dhe që nuk ka asgjë në Krijesat e tij që i ngjajnë Atij dhe s'ka asnjë interpretim që mund ta shpjegoj Atë.

Ata thanë: Ne duhet të themi "Ai zbret" pa pyetur si.

Ne themi: Kërkojmë strehim tek Allahu prej të pyeturit si! Ne vetëm themi çdo gjë që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) na ka mësuar neve të themi dhe (atë) që kemi kuptuar prej Gjuhës Arabe në të cilën Kur'ani është zbritur. Dhe Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: "Allahu thotë: O robi Im! Unë isha i sëmurë e nuk më vizitove, Unë isha i uritur e ti nuk më ushqeve, unë isha i etur e ti nuk më dhe për të pirë ..." [6] Asnjë prej këtyre nuk është e përshtatshme për Allahun në asnjë mënyrë, por ai i ka nderuar të gjitha këto veprime duke i shprehur ato përmes Tij. Në të njëjtën mënyrë, thënia "Zoti ynë zbret" shpreh që shërbyesit dhe engjëjt zbresin në Emër të Tij me urdhrin e Tij lidhur me çfarëdo që Ai: dhuron prej Mëshirës së Tij, jep prej bujarisë së Tij, dhe mbulon krijesat e Tij me begatinë (dhuntinë) e Tij.

Poeti thotë: Unë kam zbritur - prandaj mos dyshoni për xhelozi në mua! - në pozitën e dashuronjësve bujar. [7]

Një zbritje mund të jetë ose figurative ose fizike. Zbritja rreth së cilës Allahu foli, nëse merret kuptimi si zbritje fizike, do të kishte kuptim engjëjt e Tij, të Dërguarit dhe robërit. Mirëpo, nëse merret kuptimi që Ai nuk ishte duke bërë asnjë nga këto dhe që Ai pastaj i bëri këto në një të tretën e natës, duke iu përgjigjur duave, duke ua falur, duke u dhënë, dhe që Ai ka quajtur këto "zbritje prej një shkalle (pozite) në tjetrën dhe prej një cilësie në tjetrën" atëherë kjo - për ironi - iu është adresuar atyre që kanë më shumë dije dhe inteligjencë së ju, dhe që janë më të vendosur në besimin e Njëshmërisë së Allahut dhe që janë më pak të hutuar (ngatërruar) se ju - po madje ka të tillë të cilët nuk janë fare të hutuar! [8]

Ata, me injorancë, thonë që nëse Ai me këtë do të kishte pasur për qëllim zbritjen e Mëshirës së Tij, ai nuk do ta bënte këtë vetëm në pjesën e tretë të natës, sepse Mëshira e Tij zbret (edhe) ditën edhe natën.

Ne thamë: Po, ai e ka veçuar natën, dhe ditën e Arafatit, dhe kohën e xhumasë, sepse zbritja e Mëshirës së Tij është më e madhe në këto kohë. Allahu njoftoi për këtë duke thënë: "të cilët kërkojnë falje në orët e vona të natës". (3:17). [9]



Përktheu: Fatih IBRAHIMI
Përkthimin e verifikoi me origjinalin në gjuhën arabe: Vullnet Mehmeti



Fusnotat:

[1] - Ibn 'Abd el-Berr, Ebu Umer Jusuf (vd. 463). Kadi malikij i Lisbonës, dhe autor i shumë veprave në metodologjinë e hadithit dhe gjuhës arabe.
[2] - Ibn 'Abd el-Berr, et-Temhid (7:128-131). Shih poashtu fetvanë e el-Hejtemiut "A është e lejueshme të thuhet që Allahu është në qiell" dhe artikullin e Nuh Keller "A është e lejueshme për një musliman të besoj që 'Allahu është në qiell' në kuptim tekstual"? Si dhe diskutimin mbi Istiwa-në në artikullin e ardhshëm, "Istiwa'-ja, një veprim hyjnor" [shënim: Shkrimet gjenden në gjuhën angleze, dhe në kohën kur është bërë ky përkthim, nuk kemi informacion se gjenden në shqip].
[3] - Umejje ibn Ebi es-Salt recitoi një eulogji për jobesimtarët që vdiqën në Bedr dhe gjatë rrethimit të Taifit. Ibn Haxheri thotë në el-Isabeh (1:133 #549): "Nuk ka mospajtim në mes të historianëve që Umejje ibn Ebi es-Salt vdiq si jobesimtar".
[4] - Ky fjalë-formulim nuk është i vërtetuar autentikisht. Versioni më autentik i thënies së Imam Malikut thotë: "dhe modaliteti nuk është i përfytyrueshëm (paramendueshëm) nga arsyeja' (we el-kejfu gajru me'kul). Shih për këtë të fundit Xhami' fi es-sunen we el-adab we el-meghazi we et-tarih, fq. 123 nga Ibn Ebi Zejd el-Kejrewani el-Maliki. Ibn Haxheri përmend një fjalë-formulim të tretë të ngjashëm me të të transmetuar nga Bejhekiu përmes shoqëruesit të Malikut 'Abdullah ibn Wehb: "Nuk thuhet 'si'? për të, dhe 'si-ja'? nuk përmendet në lidhje me Të" (we la jukalu kejfu we el-kejfu 'anhu marfu'un) në Fet'h el-Bari (botimi Bejrutit, 1989) 13:501.
[5] - Poashtu transmetuar nga: Is'hak ibn Rehujeh siç e transmeton el-Bejhekiu në el-Esma' we es-Sifat (2:375-376 #951) dhe Dhehebiu në Muhtesar el-'Uluw (fq. 191 #234) dhe në Sijer en-Nubela (9:558 #1877); Fudejl ibn 'Ijad siç është transmetuar nga el-Ethrem nga Buhariu në Halk Ef'al el-'Ibad (fq. 14), Jahja ibn Ma'in siç citon el-Lalika'i në Sherh Usul I'tikad Ehl-us-Sunna. Këto dy të fundit janë cituar nga Ibni Tejmije në Mexhmu'a el-Fetawa (5:377).
[6] - Transmetuar prej Ebu Hurejres nga Muslimi dhe Ahmedi.
[7] - Dijetarët poashtu e citojnë thënien e Shafiut që kur ai së pari arriti në Egjipt ata nuk e kuptuan, me ç'rast "Unë zbrita, e zbrita, e zbrita derisa ata më kuptuan mua".
[8] - Imam Maliku ka thënë: "Është urdhri i Zotit tonë i cili zbret". Transmetuar nga vetë Ibn 'Abd el-Berr në et-Temhid (7:143) prej Muterrif me një zinxhir të mirë. Ai pastaj e pranon: "Është e mundshme që kjo çështje të jetë siç ka thënë Maliku, e Allahu e di më së miri".
[9] - Ebu Bekr Ibn el-'Arabi, 'Aridet-ul-Ahwedhij bi sherh Sahih et-Tirmidhij (2:234-237).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...