T'i ndihmojmë vëllezërit tanë të goditur nga tërmeti në Shqipëri



Të nderuar xhemat

I shprehim falënderim Allahut xh.sh. i cili e krijoi njeriun në formën më të bukur. Ai pastaj atë e nderoi, e gradoi dhe i urdhëroi melekët që t'i përulën dhe t'i shprehin respekt.

Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut të Vetmit, të Plotfuqishmit. Dhe dëshmoj e deklaroj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Allahut të Madhërishëm.

Salavate i dërgojmë Muhamedit paqja e shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, i cili e përmbushi misionin e tij duke e komunikuar shpalljen hyjnore. Me të Allahu e plotësoi fenë dhe atë e bëri mëshirë për botët.

Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi familjen, farefisin, shokët e ndershëm të Pejgamberit dhe mbi të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij gjer në Ditën e gjykimit.


Vëllezër të nderuar

Siç jeni në dijeni edhe ju, ditëve të fundit disa komuna dhe vendbanime të Shqipërisë, i ka goditur tërmeti shkatërrues, i cili ka marrë edhe shumë jetë të njerëzve, por edhe ka shkaktuar shumë dëme materiale. I lutemi Allahun të Plotfuqishëm e të Gjithëmëshirshëm, që të vdekurit t'i shpërblejë me xhenet. Të lënduarve tu ndihmojë që të shërohen sa më shpejt. Kurse për të gjallët, e lusim Zotin tu japë sabër dhe forcë që këtë sprovë të rëndë ta përballojnë sa më lehtë.

Prandaj, duke u nisur nga parimet tona islame, për ndihmë dhe solidaritet me vëllezërit muslimanë, e sidomos kur ata gjenden në vështirësi, Kryesia e Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës ka vendosur të shpall aksion në të gjitha xhamitë e territorit të Republikës së Kosovës, për të tubuar mjete materiale për këtë qëllim. Këtij aksioni, do t'i përgjigjet pa hezitim dhe me vullnet, edhe xhemati ynë, sikur që kemi vepruar edhe në rastet tjera të ngjashme të më hershme.

Unë personalisht, në cilësinë e imamit tuaj, së pari ju përcjell mirënjohjen e Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës, që po ju përgjigjeni pozitivisht apeleve të Bashkësisë Islame, dhe ju falënderoj në këtë ditë të madhe të xhumasë, duke e lutur Zotin e Madhëruar që t'ju shpërblejë me të mirat e Tij në këtë botë dhe në botën tjetër.


Vëllezër të dashur

Zoti i Madhërishëm na porosit në Kuran: "Dhe jepni nga ajo që Ne u kemi dhënë juve, para se ndonjërit prej jush t'i vijë vdekja, e atëherë të thotë: "O Zoti im, përse nuk më shtyve edhe pak afatin (e vdekjes), që të jepja sadakë e të bëhesha prej të mirëve", (el-Munafikun, 10).

Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: "Kush ia largon besimtarit një brengë nga brengat e kësaj bote, Allahu do t'ia largojë atij një brengë nga ato të Ditës së Gjykimit. Kush e lehtëson atë që është në vështirësi, Allahu e lehtëson atë në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu e ndihmon robin e vet për sa kohë që ky e ndihmon vëllain e vet".

Allahu i Madhëruar na nxit neve, besimtarëve, që t'i ndihmojmë ata që kanë nevojë, njëherit na bënë me dije se për njerëzit që janë bujarë e solidarë ka përgatitur shpërblime edhe për këtë botë edhe për botën tjetër.

Ebu Katade tregon se po e kërkonte një borxhli, i cili po fshihej. Kur e gjeti, borxhliu i tha: "Jam në vështirësi"! Ebu Katade i tha: "Po t'i fali borxhet sepse e kam dëgjuar Pejgamberin a.s. duke thënë: "Kush dëshiron ta shpëtojë Allahu xh.sh. në Ditën e Gjykimit, le ta ndihmoj atë që është në vështirësi, ose le t'ia falë borxhin"".


Vëllezër të dashur

Për bujari, zemërgjerësi, solidaritet dhe humanizëm, na inkurajojnë edhe këto 3 hadithet vijuese të Pejgamberit (s.a.v.s.):
1. - "Njeriu bujar është afër Zotit, afër xhenetit, dhe afër njerëzve, kurse koprraci është larg Zotit, larg xhenetit dhe larg njerëzve".

2. - "Betohem në Allahun, se nuk e ka besimin e plotë një njeri, i cili fle i ngopur, ndërsa fqinji i tij është i uritur (dhe ky e di gjendjen e tij)".

3. - "Kush jep ushqim, kush i ruan lidhjet farefisnore, kush jep selam dhe kush falet natën derisa njerëzit janë në gjumë, do të hyjë i qetë në xhenet".

Pejgamberi (s.a.v.s.) e ka konsideruar dhënien e ushqimit rrugë që çon në xhenet.


Vëllezër të dashur

Dobitë e sadakës, ndihmës së nevojtarëve janë të shumta, njërën prej tyre e gjejmë edhe në këtë hadith: "Sadaka e shuan zemërimin e Zotit, sikur uji që e shuan zjarrin".

Hz. Aishja (r.a.), kur dëshironte të jepte sadakë, së pari e merrte monedhën e parfumonte dhe më pastaj ia jepte atij që kishte nevojë. Kur e pyetën se përse po vepronte kështu, ajo ishte përgjigjur: "Po veproj kështu, sepse ajo do të bjerë në dorë të Zotit, para se të bjerë në dorën e nevojtarit".

Allahu i Plotfuqishëm në Kuran thotë: "Kush është ai që i jep hua Zotit (duke dhënë sadakë), dhe Ai do t'ia kthej atë të shumëfishuar", (el-Bekare, 245).

Nga ky ajet mësojmë se Allahu i Madhërishëm na premton se nëse ne japim sadakë duke i ndihmuar të nevojshmit për hatër të Zotit, Ai po na premton kthim të shumëfishuar.

Pejgamberi (s.a.v.s.), gjithashtu ka thënë: "Dhënia (e sadakës) nuk e pakëson pasurinë".

Dijetarët muslimanë kanë thënë: "Ai që jep sadakë, do të nderohet me 5 gjëra në këtë botë, dhe me pesë të tjera në botën tjetër".

Ato në këtë botë janë:

1. E pastron pasurinë,
2. E pastron trupin prej gjynaheve,
3. Largohen prej tij belatë dhe sëmundjet,
4. I shtohet kënaqësia dhe respekti tek të varfrit, dhe
5. I shtohet bereqeti në pasuri.

Ndërsa 5 gjërat me të cilat nderohet në botën janë:

1. Sadaka do t'i bëhet hije në Ditën e gjykimit,
2. Bëhet shkak, që të ketë një llogari të lehtë,
3. Ia rëndon peshoren e veprave të mira,
4. Urën e Siratit e kalon me shpejtësi dhe lehtësi, dhe
5. I shtohen gradat në xhenet.


Vëllezër të nderuar

E lusim Allahun e Madhërishëm të na bëjë prej atyre që bëjnë vepra të mira kudo që jemi, vetëm për hatër të Allahut!

E lusim Allahun e Madhërishëm, që t'u ndihmojë së pari vëllezërve tanë në Shqipëri, pastaj edhe të gjithë atyre në mbarë botën që kanë nevojë për ndihma!

E lusim që të gjithë atyre t'ju mundësojë dalje nga vështirësitë me të cilat po janë duke u përballur!

Amin.



Përshtati: Miftar AJDINI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...