Maqedonia diskriminon BFI-në



Raporti vjetor i Departamentit shtetëror amerikan për liritë fetare në botë ka dhënë notë negative për Maqedoninë dhe ka nënvizuar se në vendin tonë "po favorizohet Kisha Ortodokse në njërën anë dhe diskriminohet Bashkësia Islame".

"Qeveria në shkurt të vitit 2010 paraqiti një video simulim për ndërtimin e një kishe në sheshin e Shkupit. Bashkësia Fetare Islame reagoi për përjashtimin e Burmali Xhamisë mbi themelet e saj dhe përfshirjen vetëm të kishës, duke shfaqur shqetësimet se Qeveria favorizon komunitetin fetar ortodoks në ndërtimin e shtëpive të adhurimit. Ky problem dhe kontestet e tjera të BFIM me Qeverinë siç ishte rindërtimi i xhamisë në Prilep të shkatërruar nga konflikti i vitit 2001 si dhe ndërtimi i një xhamie në fshatin Llazec të Manastirit çuan në kërcënimin e BFIM-së për të bojkotuar Konferencën botërore për dialogje midis feve dhe qytetërimeve. Qeveria dhe BFIM në fund erdhën tek një marrëveshje dhe BFIM mori pjesë në konferencë", thuhet në raportin e DASH-it.

Në të, përmendet edhe incidenti në Xhaminë Isa Beu në Shkup, duke konstatuar se nuk është ndërmarrë asgjë nga ana e shtetit për zbardhjen e këtij rasti.

"Më 25 qershor, 2010, në xhaminë e Isa Beut në Shkup, përfaqësues të BFI-së, u sulmuan nga Ramadan Ramadani, i cili kishte qenë i suspenduar nga ana e BFIM-së. Pasi zyrtarët e BFIM, duke përfshirë edhe Ibrahim Shabani, myftiu i Shkupit, dhe Afrim Tahiri, sekretar i përgjithshëm, u largua nga xhamia, ka pasur një luftë të shkurtër në mes përkrahësve të të dy palëve. Asnjë arrestim nuk u raportua", vëren DASH-i.

Në këtë raport, evidentohet edhe problemi i kthimit të pronave fetare - vakëfeve, nga ana e BIM-it, si dhe pengesat e bëra nga Qeveria në këtë drejtim. Raporti shkruan se BIM vazhdon të angazhohet për të zgjidhur çështjen e pronësisë, për çka, sipas DASH-it, ekziston bazë ligjore dhe historike.

DASH, ka regjistruar edhe dy rastet vandale, "kur në janar të vitit 2010 ishin thyer dritaret e një xhamie në Koçan, ndërsa më pas ishin vandalizuar edhe varrezat myslimane në Strugë, kryesisht respektohen liritë dhe të drejtat fetare gjë që mundësohet me Kushtetutë, Ligji për statusin juridik të kishave, bashkësitë religjioze dhe grupet nga viti 2007 dhe legjislatura tjetër".

"Sipas Departamentit shtetëror amerikan, nuk ka raste të mbylljes për shkak të bindjeve fetare, e as të sforcimit për të ndërruar fenë. Sivjet është miratuar edhe Ligji për antidiskriminim, i cili mundëson mbrojtjen kundër diskriminimit në bazë të bindjeve fetare. Megjithatë, janë vërejtur probleme në zbatimin e procedurave për regjistrimin e disa grupeve të caktuara fetare", thuhet në Departamentin shtetëror amerikan, duke përmendet në këtë rast të ashtuquajturën Arqipeshkvinë e Ohrit e Jovan Vranishkovskit.

Raporti e vlerëson edhe ndërprerjen e mësimit fetar në shkollat fillore nga ana e Gjykatës Kushtetuese, si dhe mundësia të mësohet lënda Etika e religjioneve, ndërsa përmenden edhe planet për ndërtimin e kishës së KOM në sheshin qendror në Shkup, si dhe kërkesat e një pjese të besimtarëve myslimanë për ndërtimin e xhamisë.

Si problem aktual theksohet denacionalizimi i pronës së bashkësive fetare i cili është nacionalizuar në kohë të ish Federatës Jugosllave.



Autor: BFI, nëntor 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...