Ndihmë kundër islamit radikal



Në Maqedoni Bashkësia Fetare Islame ka kërkuar ndihmë nga përfaqësuesit e huaj dhe subjektet politike kundër siç tha: "vehabistëve radikalë". Autoritet thonë se po ndjekin situatën në terren.

Kreu i Bashkësisë Fetare Islame (BFI) në Maqedoni, Efendi Suleman Rexhepi në Shkup, kërkoi ndihmë për siç tha përballjen me vehabistët radikalë.

Efendi Rexhepi në një konferencë për shtyp, pas një takimi me imamët që veprojnë në diasporë i kërkoi ndihmë subjekteve politike dhe përfaqësuesve të huaj, sidomos SHBA-ve dhe BE-së.

"I bëjmë thirrje partive politike shqiptare, Qeverisë, institucioneve shtetërorë si dhe të gjitha subjekteve të akredituara në Maqedoni në veçanti Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe asaj të Bashkimit Evropian me seli në Shkup, që të përkrahin Institucionin e BFI-së dhe të marrin masa të duhura kundër këtyre individëve radikal, qëllimi i të cilëve është dëmtimi i Islamit si fe", tha Efendi Suleman Rexhepi, kreu i Bashkësisë Islame në Maqedoni, institucioni që rregullon jetën e komunitetit Mysliman.

Deklaratat e tij vinë, pasi më herët në media ishte njoftuar se disa xhami në Shkup kontrollohen nga grupe që predikojnë islamin në mënyrë të ndryshme nga ai tradicional në Shkup.

Kjo është hera e parë që zyrtarët e Bashkësisë Fetare Islame bëjnë apel për ndihmë ndaj atyre që cilësohen si predikues të islamit radikal. Më herët Bashkësia Islame e Maqedonisë mohonte që në Maqedoni veprojnë struktura të tilla.

Subjektet politike shqiptare të cilave iu drejtua apeli për ndihmë nuk kanë reaguar.

Por sa shqetësuese është përhapja e atij që quhet islam radikal në Maqedoni? Adelina Marku është publiciste e cila ka shkruar për këtë çështje: "Në situata kur alarmi është i ndezur, sipas këtij institucioni, atëherë do të duhet të angazhohen të gjitha figurat që promovojnë islam të vërtetë. Kundërvimi do të duhet të bëhet me argumente dhe jo me forcë dhe jo më dogmatizëm të një lloji tjetër islam". Fenomeni ka përfshirë prore të shoqërisë, një mësues i etikës i mësonte nxënësit se shqiptarët duhet të përkrahin Iranin dhe se SHBA është agresore. Këtë gjë unë e kam dëgjuar nga nxënësit e mësuesit, prindër madje edhe nga drejtori i shkollës. Për momentin të tillë njerëz që predikojnë një neurozë fetare, do të duhet që në çdo mënyrë të mos jenë nëpër institucione. Them që në rast se BFI, dhe islami i civilizuar kundërshton hapur një paraqitje të një rryme të tillë radikale, do të duhet që të gjithë të angazhohen që të eliminohet kjo njollë e re që po përhapet në shoqërinë tonë", thotë Adelina Marku.

Zyrtarisht autoritet në Maqedoni thonë se nuk ka rreziqe apo shfaqje që mund të shkaktojnë tensione mbi baza fetare.

Ligjet dhe kushtetuta e vendit lejon liri fetare, dhe sado që fetë të praktikohen në forma jo tradicionale, kjo gjë nuk përbën shkelje.

Disa zyrtarë të huaj gjatë vizitave në Shkup kanë paralajmëruar për rritjen e fuqisë të atyre që quhen vehabistë radikalë, në rajon ku bën pjesë edhe Maqedonia.

Policia thotë se është e vëmendshme, thotë Ivo Kotevski zëdhënës i Ministrisë së Brendshme: "Ministria e Punëve të Brendshme me seriozitet të lartë trajton shfaqjen e islamit radikal dhe ndjek në vazhdimësi përhapjen e tij. Në asnjë moment nuk e nënvlerëson rrezikun nga përhapja e islamit radikal dhe kalimit të tij të mundshëm në terrorizëm. Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë dhe ndërmerr masa kur ka fakte se janë bërë vepra kriminale", tha z. Kotevski.

Popullsia shqiptare në Maqedoni është kryesisht myslimane, ku predikimi fetar është tradicional dhe siç përshkruhet tolerant.

Edhe pse siç thuhet vihet re një rritje e numrit të atyre që zbatojnë islamin në formë jo tradicionale, subjektet politike artikulojnë shekullarizëm dhe ndarje të fesë nga shteti.

Angazhimi kryesor i partive shqiptare është integrimi në Evropë.



Përgatiti: bbc, shtator 2010.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...