Ne e zbritëm atë në natën e Kadrit



Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Të gjitha lavdet janë vetëm për Allahun. Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi vulën e profetësisë, mbi të gjithë profetët dhe të gjithë ata njerëz të cilët e ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Kijametit.

I nderuar vëlla! E nderuar motër!

A dëshiron që e gjithë jeta jote të jetë natë Kadri?

Ndoshta kjo pyetje mund të duket e çuditshme. Por nuk ke përse të çuditesh. Le të lexojmë së bashku duke medituar rreth ajeteve kuranore: "Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) në Natën e Kadrit. E kush mund të ta shpjegojë ty se ç'është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj". [1]

Pyete veten se për çfarë Allahu po flet në këto ajete dhe çfarë kërkon prej tyre! A po flet për Natën e Kadrit dhe a dëshiron prej nesh që t'i kushtojmë rëndësi vetëm kësaj Nate apo?

Duke medituar rreth ajeteve kuranore - të sipërpërmendura - dalim në përfundimin se Allahu i Lartësuar po flet për Kuranin. Përemri "atë" tek ajeti: "Ne e kemi zbritur atë" nënkupton Kuranin. Kurse për të ditur rreth Natës së Kadrit, Allahu i Lartësuar na drejton pyetjen: "E kush mund të ta shpjegojë ty se ç'është nata e Kadrit"? Kjo pyetje bëhet me qëllim që njeriu të bëhet kureshtar në lidhje me këtë Natë dhe që të presë më padurim përgjigjen e kësaj pyetje. Dhe menjëherë vjen përgjigja se "Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj". Ky përshkrim është shumë i rëndësishëm, sepse tregon qartë vlerën dhe pozitën e madhe të kësaj Nate. Në ajetet vijuese, Allahu i Lartësuar na tregon shumë qartë sekretin se përse kjo natë është më e mirë se njëmijë muaj duke thënë: "Engjëjt dhe Shpirti (Xhibrili), me lejen e Zotit të tyre zbresin në këtë natë, me të gjitha vendimet. Paqe është ajo deri në lindjen e agimit". [2]

Kështu pra, kjo natë ka një vlerë dhe pozitë shumë të madhe. Mirëpo përse Allahu i Lartësuar na tregon se në këtë Natë ka zbritur Kurani dhe më pas e përshkruan atë me përshkrimin e sipërpërmendur?

Me këtë gjë, Allahu i Lartësuar dëshiron t'i tregojë njerëzve: Përderia Nata e Kadrit gëzon këtë pozitë të madhe për shkak të zbritjes së Kuranit, atëherë po Kurani çfarë pozite gëzon?! Nuk ka dyshim se në peshoren hyjnore Kurani zë një pozitë më të lartë se Nata e Kadrit. Kështu pra synimi kryesor i Natës së Kadrit është Kurani. Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Natën e Kadrit me këto cilësi për t'i treguar njerëzve vlerën dhe pozitën e madhe të Kuranit.

Pavarësisht kësaj që thamë, përshkrimi i Natës së Kadrit me cilësitë e lartpërmendura i përmbush ambiciet e njeriut i cili ka shumë dëshirë që të përfitojë sa më shumë nga bereqeti dhe mirësia e saj.

A dëshiron të dish se cila është mënyra për të përfituar nga mirësia dhe bereqeti i kësaj nate? A dëshiron që e gjithë jeta jote të jetë Natë Kadri? A dëshiron që çdo natë e jotja të jetë më e mirë se njëmijë muaj? A dëshiron?

Që ti ta arrish një gjë të tillë: Lexoje Kuranin! Mësoje Kuranin! Puno sipas porosive të Kuranit! Jeto me Kuranin përgjatë gjithë jetës tënde, që të çdo natë të jetë Natë e begatë më e mirë se njëmijë muaj.

Nëse ti dyshon në këto fjalë, atëherë lexoje Kuranin me vëmendje dhe ke për të gjetur se të gjitha cilësitë e Natës së Kadrit gjenden në Kuran. Madje në peshojë Kurani peshon më tepër se ajo. Nëse ti dëshiron argument për këtë, më poshtë unë po të tregoj disa argumente:

Nata e Kadrit është më e mirë se njëmijë muaj, kurse për Kuranin, Allahu i Lartësuar ka thënë: "Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh". [3] E në një ajet tjetër thotë: "... për t'u dhënë lajmin e mirë besimtarëve, të cilët bëjnë vepra të mira, se për ta do të ketë njëshpërblim të bukur, në të cilin do të qëndrojnë përherë". [4] Ky shpërblim i madh dhe i bukur është Xheneti në të cilin ata do të qëndrojnë përherë. I njëjti shpërblim përmendet edhe në suren Ra'd për atë njerëz të cilët besojnë se Kurani është Libri i zbritur prej Allahut të Lartësuar, i Cili thotë: "... Atyre u takon shpërblimi në Shtëpinë e fundit, Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe Engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë, e do t'u thonë: Shpëtimi qoftë mbi ju, për durimin që keni treguar. Sa vendbanim i bukur që është ky"! [5]

Siç shikohet qartë, shpërblimi që marrin ata që e lexojnë e mësojnë dhe punojnë sipas porosive të Kuranit është shumë herë më i madh se shpërblimi me njëmijë muaj, sepse shpërblimi me Xhenet është i përhershëm, kurse shpërblimi për njëmijë muaj është i përkohshëm.

Për Natën e Kadrit, Allahu i Lartësuar thotë: "Paqe është ajo deri në lindjen e agimit". Kurse për Kuranin, Allahu i Lartësuar thotë: "... Juve ju erdhi prej Allahut dritë dhe Libër i qartë (Kurani), me të cilin Allahu i drejton ata që ndjekin pëlqimin e Tij, në rrugën e paqes (shpëtimit), i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë". [6] Këtu vërejmë qartë se Nata e Kadrit është përshkruar vetëm me një cilësi: paqe, kurse Kurani është përshkruar me tre cilësi: paqe, dritë dhe udhëzues në rrugën e drejtë.

Për Natën e Kadrit, Allahu i Lartësuar thotë: "Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar". [7] Me të njëjtën cilësi, Allahu i Lartësuar e ka përshkruar edhe Kuranin duke thënë: "Ky (Kuran) është një Libër i bekuar, të cilin ta kemi shpallur ty (o Muhamed), si vërtetues të atij që gjendet përpara tij". [8]

Duke përshkruar Natën e Kadrit, Allahu i Lartësuar thotë: "Në atë natë ndahet (zgjidhet) çdo punë e urtë". [9] Pra në këtë natë do të merret vendimi dhe zgjidhja për çdo punë të urtë. Ndërkohë që Kurani në vetvete është urtësi, ashtu sikurse thotë Allahu i Lartësuar: "Jasin. Për Kuranin plot urtësi". [10]

A nuk e shikon se këto cilësi me të cilat është përshkruar Kurani gëzojnë vlerë dhe pozitë më të lartë se Nata e Kadrit. Kjo do të thotë se ai cili dëshiron që vazhdimisht ta përjetojë mirësinë dhe begatinë e Natës së Kadrit, duhet që të krijojë raporte të mira me Kuranin duke e lexuar, mësuar e praktikuar atë në jetën e përditshme. Në qoftë se ti krijon raporte të mira me Kuranin, atëherë dije se kjo është garancia e vetme që çdo ditë e jetës tënde të jetë Natë Kadri, të jetë më e mirë se njëmijë muaj, të ta bëjë jetën paqe e dritë, e të fitosh lumturinë në këtë botë dhe në botën tjetër.



Autor: Ismail EL-KIBSI



_________________________

[1] - Sure Kadr: 1-3.
[2] - Sure Kadr: 4-5.
[3] - Sure Isra: 7.
[4] - Sure Kehf: 3-4.
[5] - Sure Ra'd: 22-24.
[6] - Sure Maide: 15-16.
[7] - Sure Duhan: 3.
[8] - Sure En'am: 92.
[9] - Sure Duhan: 4.
[10] - Sure Ja Sin: 1-2.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...