Mevludi
Celebrimi i lindjes së Pejgamberit të Zotit dhe leximi i vargjeve të caktuara të ciltë e lavdërojnë Pejgamberin e Zotit është nga gjerat e bukura të cilat duhet ruajtur dhe praktikuar sa më shpesh. Mirëpo, disa njerëz përpiqen të fusin në mesin e popullit trillime të ndryshme se mevludi është diç që e kanë trilluar shi'injtë dhe sekte të tjera dhe se nuk është pjesë e Islamit.
Të shikojmë ç'thotë ulemaja se kush e bëri mevludin e parë: Personi i parë që e bëri mevludin është mbreti i Irbilit Ebu Seid Kukber ibn Zejnuddin Ali ibn Buktekini, njëri nga udhëheqësit e drejtë, të cilin Imam Dhehebiu e ka përshkruar si: "Modest, sunit të mirë, i cili i do muhadithët dhe fekihët. Vdiq në vitin 630 h.". [1]
Gjithashtu, Ibn Kethiri e përshkruan këtë njeri duke thënë: "Ka bërë mevlud në rebi'ul-evvel dhe e ka celebruar ditëlindjen e Pejgamberit, ka qenë trim, i mençur, i drejtë dhe i ditur. Allahu e mëshiroftë dhe i dhuroftë shpërblimin më të mirë". [2]
Ulemaja islame është pajtuar se mevludi është gjë e lejuar dhe e lavdëruar:
Hafidh Es-Sujutiu thotë: "Baza e mevludit, d.m.th.: tubimi i njerëzve, leximi i ndonjë pjese nga Kur'ani dhe leximi i odave është nga risitë e bukura për të cilat ai që i organizon shpërblehet shumëfish sepse me këtë madhërohet Pejgamberi jonë dhe manifestohet kënaqësi për shkak të lindjes së tij". [3]
Ebu Shameh, shejhu i Imam Neveviut, thotë: "Është e mirë kjo që bëhet te ne me celebrimin e lindjes së Pejgamberit të Zotit me ndarjen e ndihmave, tubimin e njerëzve, lumturinë dhe gëzimin që tregon në dashurinë ndaj krijesës më të mirë të Allahut, Muhammedit a.s. Falënderimi i qoftë Allahut që na e dërgoi Muhammedin si mëshirë për botët". [4]
Ibn Haxher El-Hejthemiu thotë: "Nuk ka dyshim se risitë e mira janë të dëshirueshme të praktikohen dhe se mevludi është ndër ato risi".
Hafiz Irakiu thotë: "Përgatitja e gostisë është e lavdëruar në çdo kohë, mirëpo, kur kësaj i shtohet leximi i mevludit dhe kënaqësia për shkak të lindjes së Muhammedit a.s. Nuk ka dyshim se kjo është shumë mirë. Nuk do të thotë a priori se çdo risi është e keqe. Përkundrazi, ekzistojnë risi që janë detyrim, vaxhib, sikurse kjo". [5]
Dëshmi për lejueshmërinë e mevludit mund të gjejmë në Kur'an dhe sunet.
Allahu xh.sh. thotë: ذَٰلِكَ وَمَن يُعَظِّمْ شَعَائِرَ اللَّـهِ فَإِنَّهَا مِن تَقْوَى الْقُلُوبِ . - "Kjo është kështu! E kush madhëron shenjat e All-llahut, ajo është shenjë e devotshmërisë së zemrave", (El-Haxhxh, 32).
Nuk ka dyshim se shfaqja e Muhammedit a.s. është prej shenjave më të mëdha të Allahut dhe begative të Tij të mëdha të kësaj bote dhe se Allahu xh.sh. na njofton me këtë ajet se madhërimi dhe celebrimi i lindjes së tij është nga shenjat e devotshmërisë. E çfarë janë zemrat e atyre të cilët na ndalojnë të celebrojmë lindjen e Mëshirës së Zotit ndaj njerëzve, të Muhammedit a.s.?!
Allahu xh.sh. thotë: قُلْ بِفَضْلِ اللَّـهِ وَبِرَحْمَتِهِ فَبِذَٰلِكَ فَلْيَفْرَحُوا هُوَ خَيْرٌ مِّمَّا يَجْمَعُونَ . - "Thuaj: Vetëm mirësisë së All-llahut dhe mëshirës së Tij le t'i gëzohen, se është shumë më e dobishme se ajo që grumbullojnë ata", (Junus, 58).
Shumica e komentuesve të Kur'anit thotë se mëshira (rahmeti) që është theksuar në këtë ajet në fakt është Muhammedi a.s. të cilin Allahu xh.sh. edhe në vende të tjera e quan me emrin Rahmet: وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَالَمِينَ . - "E Ne të dërguam ty (Muhammed) vetëm si mëshirë për të gjitha botat", (El-Enbija, 107).
Imam Rraziu në komentin e këtij ajeti thotë: "Është detyrë e muslimanëve të gëzohen për shkak të paraqitjes së Muhammedit". [6] Allahu xh.sh. në Kur'an e përmend lindjen e Jahjasë a.s. dhe lindjen e Isait a.s. në mënyrë që të na tregojë që edhe ne t'i gëzohemi lindjes së mëshirës së të gjitha botave, Muhammedit a.s..
Allahu xh.sh. thotë: وَسَلَامٌ عَلَيْهِ يَوْمَ وُلِدَ وَيَوْمَ يَمُوتُ وَيَوْمَ يُبْعَثُ حَيًّا . - "Dhe selam (prej nesh) atij ditën kur u lind, ditën kur vdes dhe ditën kur do të ngritet i gjallë (e përshëndetën dhe i garantuam)!", (Merjem, 15).
Gjithashtu, Allahu xh.sh. thotë: ... وَذَكِّرْهُم بِأَيَّامِ اللَّـهِ ... - "... dhe përkujtoju atyre të mirat e All-llahut (që u dhuroi) ...", (Ibrahim, 5).
Nga ajeti kur'anor shohim se Allahu xh.sh. vetë tregon se ekzistojnë ditë të veçanta, për të cilat lidhen ngjarjet e veçanta dhe i urdhëron Musait t'i përmend ato ditë të veçanta të Allahut. Vallë, a nuk është ditë e veçantë, e zgjedhur, dita kur u lind mëshira e botëve?
Sa i përket haditheve që udhëzojnë në lejueshmërinë dhe lavdueshmërinë e celebrimit të ditëlindjes së Pejgamberit a.s. edhe ato janë mjaft.
Nga Ebu Katade transmetohet: "Është pyetur Pejgamberi i Zotit për agjërimin e tij të hënën dhe me këtë rast ka thënë: Këtë ditë jam lindur". [7]
Nëse Pejgamberi i Allahut e ka celebruar dhe i ka dhënë rëndësi ditëlindjes së tij kurse atij i janë falur mëkatet, a nuk është edhe më prioritare që ne, të cilët jemi të varur nga mëshira e Allahut, ta celebrojmë ditën kur Allahu na dhuroi udhëzimin e Tij, në ditën kur na dhuroi mësuesin i cili na shpie në xhenet, në ditën kur na dha ndërmjetësuesin, nxjerrësin nga vuajtjet e xhehenemit?
Nga Ibn Abbasi transmetohet: "Kur arriti në Medinë Pejgamberi i Zotit i takoi hebraikët të agjërojnë Ditën e ashureve dhe për këtë u pyetën, kurse ata u përgjigjen: Atë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga Faraoni dhe ne e agjërojmë si shenjë falënderimi".
Këtë e dëgjoi Pejgamberi a.s. dhe tha: "Ne jemi më prioritar për Musain. Urdhëroi që kjo ditë të agjërohet kjo ditë". [8]
Nëse Pejgamberi i Zotit ka urdhëruar agjërimin dhe celebruar lindja e mëshirës për të gjitha botët, Muhammedit a.s..
Transmetohet në Sahih se Allahu do t'ia falë Ebu Lehebit, jobesimtarit, për shkak se ishte gëzuar me lindjen e Muhammedit a.s. dhe me këtë rast e kishte liruar një robëreshë. [9]
E nëse Allahu ia falë jobesimtarit për shkak se është gëzuar për lindjen e Pejgamnberit të Zotit, ç'do të bëhet andaj me besimtarët të cilët i gëzohen lindjes së Pejgamberit të Zotit? A është e mundur se ata do të ndëshkohen për këtë si e pohojnë këtë vehabinjtë? A ka mundësi që Allahu t'ia lehtësojë jobesimtarit për shkak të mevludit e myslimanin, besimtarin ta ndëshkojë?
Autor: Sami XHEKO
_________________________
[1] - Sijer A'lam'un-Nubela, Dhehebi, 22/336.
[2] - El-Havi li'l-Fetava, 1/292.
[3] - Husn'ul-Maksid fi Amel'il-Mevlid, Sujuti, fq. 5.
[4] - El-Ba'ith 'ala inkar'il-bide'I-ve'l-havadith, Ebu Shameh, fq. 23.
[5] - Sherh'ul-Mevahib, Ez-Zerkani.
[6] - Mefatih'ul-Gajb, Er-Rrazi.
[7] - Muslimi.
[8] - Buhariu, Muslimi.
[9] - Buhari, Abdurrezak, Ismaili.