Agjërimi



Agjërimi dhe parimet bazë të tij

Nga ana gjuhësorë, fjala "Saum" do të thotë: "përmbajtje, ndalim". Në Fikhun Islam, agjërimi përkufizohet me fjalët: "Agjërimi është ndalimi nga ushqimi dhe marrëdhëniet intime nga agimi derisa të perëndojë dielli". [1] Agimi fillon, atëherë kur në horizont shihet pak dritë. Allahu i Madhëruar thotë: "Dhe hani e pini, derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës) ...", [Bekare: 187].

Agjërimi mbaron pas perëndimit të diellit, ndërkohë që në lindje fillon të duket errësira. Allahu i Madhëruar thotë: "... pastaj plotësojeni agjërimin, derisa të bjerë mbrëmja", [Bekare: 187].


Gjykimi për agjërimin e muajit të Ramazanit

Agjërimi i Ramazanit është farz për çdo musliman dhe muslimane, që ka arritur moshën e pubertetit. Agjërimi është detyrë e vërtetuar nga Kurani, nga Suneti dhe nga Ixhmaja e muslimanëve. Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: "O besimtarë! Ju është obliguar agjërimi, ashtu si u ishte obliguar atyre para jush, në mënyrë që të jeni të devotshëm", [Bekare: 183]. Allahu i Madhëruar thotë gjithashtu: "Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që e zë këtë muaj, le të agjërojë", [Bekare: 185].

I Dërguari i Allahut ka thënë: "Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla, dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e Zekatit, agjërimi i Ramazanit dhe Haxhi për atë që ka mundësi". [2]

Të gjithë dijetarët e Umetit (popullit) islam janë të mendimit, se agjërimi i Ramazanit është detyrë dhe çdo musliman duhet të agjërojë. Agjërimi është nga detyrat, që duhet të njihet patjetër nga çdo musliman. Ramazani është bërë detyrë vitin e dytë Hixhri, dy ditë pas hyrjes së muajit Shaban.


Vlera e agjërimit në përgjithësi

1. - Ebu Hurejrah (r.a.) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Allahu i Lartësuar thotë: Të gjitha punët që bën njeriu, i bën për veten e tij përveç agjërimit, i cili është për Mua dhe vetëm Unë jam Ai që e shpërblen. Agjërimi është mburojë. Kur të agjëroni mos shani dhe mos bërtisni. Nëse dikush të shan apo të ngacmon, thuaji: "Unë jam agjërueshëm". Pasha Atë, në Duart e të Cilit është Shpirti i Muhamedit, era e gojës së agjëruesit është më e dashur tek Allahu sesa era e miskut. Agjëruesi ka dy gëzime: kur çel Iftarin gëzohet me ushqimin dhe kur të takohet me Allahun, do të gëzohet me agjërimin e tij. Të gjitha punët e mira i shumëfishohen njeriut, e mira shpërblehet 10-fish deri në 700-fish. Ai lë ushqimin, pijen dhe marrëdhëniet bashkëshortore për Mua, agjërimi është për Mua dhe vetëm Unë e shpërblej atë. Kur njeriu takohet me Allahun, ai kënaqet me shpërblimin e agjërimit që gjen tek Allahu". [3]

2. - Ibn Umeri (r.a.) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Veprat tek Allahu janë shtatë llojesh, dy prej tyre meritojnë shpërblim ose dënim, dy të tjera shpërblehen njësoj, një punë që shpërbleht 10-fish, një punë që shpërblehet 700 herë dhe një punë që shpërblimin e saj nuk e di askush përveç Allahut.

E para dhe e dyta janë: 'Kush adhuron Allahun sinqerisht, duke mos i bërë shok Atij, meriton Xhenetin, ndërsa ai që i bën shok Allahut, meriton Zjarrin e Xhehenemit'.

E treta dhe e katërta janë: 'Kush bën një punë të keqe, meriton vetëm dënimin për të. Kush dëshiron të bëjë një punë të mirë dhe nuk e bën, meriton shpërblimin e saj'.

E pesta dhe e gjashta janë: 'Kush bën një punë të mirë, shpërblehet 10-fish. Kush shpenzon një qindarkë në rrugë të Allahut, shpërblehet 700 herë'.

E shtata është: Agjërimi është për Allahun dhe askush nuk e di shpërblimin e agjërimit përveç Allahut"
. [4]

3. - Sehl ibn Sad (r.a.) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Në Xhenet është një derë, që quhet Rejjan. Në atë derë hyjnë vetëm agjëruesit dhe askush tjetër. Pasi agjëruesit të hyjnë aty, ajo derë mbyllet përgjithmonë". [5]

4. - Ebu Hurejrah (r.a.) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Luftoni që të fitoni, agjëroni që të jeni të shëndetshëm dhe udhëtoni që të pasuroheni". [6]

5. - Ebu Hurejrah (r.a.) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Agjërimi është mburojë dhe kështjellë mbrojtëse nga Xhehenemi". [7]

6. - Abdullah ibn Amr (r.a.) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Agjërimi dhe Kurani ndërmjetësojnë për njeriun ditën e Kijametit, Agjërimi thotë: "O Zot! Ka braktisur ushqimin dhe epshin për mua. Pranoje ndërmjetësimin tim". Kurani thotë: "O Zot! Ka lënë gjumin natën për mua. Pranoje ndërmjetësimin tim". Agjërimit dhe Kuranit u pranohet ndërmjetësimi". [8]

7. - Ebu Hurejrah (r.a) tregon, se i Dëguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Çdo gjë ka zekat (pastrim). Agjërimi është pastrim për trupin. Agjërimi është gjysma e durimit". [9]

8. - Ebu Umame (r.a) tregon: "I thashë të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të): "Më urdhëro për një vepër të mirë". Ai (Paqja qoftë mbi të) më tha: "Agjëro, pasi asgjë nuk është si ai". E pyeta dy - tre herë dhe ai më ktheu të njëjtën përgjigje". [10]

9. - Ebu Saidi (r.a) tregon, se i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Kush agjëron një ditë për hir të Allahut, Allahu ia largon atij Xhehenemin për 70 vjet". [11]



Përgatiti: Rushit MUSALLARI



_________________________

[1] - Enisul Fukha (fq. 47).
[2] - Hadith i vërtetë. Buhariu (8), Muslimi (16), Tirmidhiu (2609), Nesaiu në Muxhteba (5016), Ibn Khuzejmeh (309), Ibn Hibani (158) dhe Ahmedi (2/120).
[3] - Hadith i vërtetë. Buhariu (1904) dhe Muslimi (1151).
[4] - Hadith i pranuar. Ahmedi (4/322). Taberaniu në Kebir (4152) dhe Eusat (4071), Bejhakiu në Shuab (3316) dhe Ibn Hibani (6171). Hejthemiu në Mexhmauz'zeuaid (3/123) nr: (5090) thotë: "E shënon Taberaniu në Eusat. Në vargun e përcjellësve është Jahja ibn Muteuekili, të cilin shumica e dijetarëve e vlerësojnë të dobët, ndërsa Ibn Maini e vlerëson herë të besueshëm dhe herë të dobët".
[5] - Hadith i vërtetë. Buhariu (1896), Muslimi (1152) dhe Nesaiu në Muxhteba (2237).
[6] - Hadith i pranuar. Taberaniu në Eusat (8312) dhe Ahmedi (2/380). Hejthemiu në Mexhmauz'zeuaid (3/179) nr: (5070) thotë: "E shënon Taberaniu në Eusat me përcjellës të besueshëm". Shejh Ahmed Shakiri në verifikimin e tij të musnedit të Ahmedit (8925) e vlerëson hadithin të pranuar. Ai thotë: "Nuk ia kanë qëlluar ata që e vlerësojnë tekstin të dobët, sepse nuk e kanë kuptuar domethënien e tij. Domethënia e hadithit është e vertetë. Nuk ka dyshim se udhëtimi, nga ana psikologjike ka ndikim shumë pozitiv për shëndetin, duke e aktivizuar trupin dhe mendjen. Ndërsa xhihadi, ka qenë thesari i madh i sahabëve. Në disa rivajete është edhe "Agjëroni që të jeni të shëndetshëm". Dihet se agjërimi është ilaçi më i mirë për trupin, sepse balancon ushqyerjen dhe sistemon kohën e ushqimit".
[7] - Hadith i pranuar dhe i vërtetë. Ahmedi (2/174), Taberaniu në Kebir, Ibn Ebi Dunja në "El-Xhu'a" dhe Hakimi (2036). Hejthemiu në Mexhmauz'zeuaid (3/181) nr.(5081) thotë: "E shënon Ahmedi dhe Taberaniu në Kebir. Përcjellësit e Taberaniut janë të vërtetë".
[8] - Hadith i pranuar dhe i vërtetë. Ahmedi (2/174), Taberaniu në Kebir, Ibn Ebi Dunja në "El-Xhu'a" dhe Hakimi (2036). Hejthemiu në Mexhmauz'zeuaid (3/181) nr.(5081) thotë: "E shënon Ahmedi dhe Taberaniu në Kebir. Përcjellësit e Taberaniut janë të vërtetë".
[9] - Hadith i dobët. Ibn Maxheh (1745).
[10] - Hadith i vërtetë. Nesaiu (2221), Ibn Khuzejmeh (1893) dhe Hakimi (1533).
[11] - Hadith i vërtetë. Buhariu (2480), Muslimi (1152), Tirmidhiu (2623) dhe Nesaiu (2244).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...