Vehabizmi, gogoli që përndjek Ballkanin
A ekzistojnë vërtet vehabistët në Maqedoni dhe a janë një rrymë, e cila po bëhet një kërcënim gjithnjë e më i rrezikshëm për bashkëjetesën ndërfetare dhe imazhin e myslimanëve në përgjithësi. Zyrtarisht askush nuk e ka pranuar ende një fakt të tillë. Madje, apelit të kreut të BIM, Sulejman Rexhepi, për intervenimin e institucioneve shtetërore për izolimin e "lëvizjes vehabiste" në Maqedoni, askush deri tani nuk i është përgjigjur seriozisht.
1. "Legjendat urbane" mbi rrymat fetare te myslimanët
Burra me pantallona mbi kyçe, mjekra të gjata, gra të mbuluara me ferexhe të zeza, xhami të arreduara sipas shijes së tyre ku predikimet tingëllojnë deri diku edhe ireale. Rrëfimet mbi vehabizmin dhe vehabistët janë legjendat urbane, për të cilat të gjithëve u pëlqen të flasin me një gjuhë që ngjyrohet nga një farë frike dhe admirimi të pakuptimtë, me absurde që janë shumë pak të besueshme dhe të vërteta me doza të tepruara imagjinate.
Por a ekzistojnë vërtet vehabistët në Maqedoni dhe a janë një rrymë, e cila po bëhet një kërcënim gjithnjë e më i rrezikshëm për bashkëjetesën ndërfetare dhe imazhin e myslimanëve në përgjithësi. Zyrtarisht askush nuk e ka pranuar ende një fakt të tillë. Por paralajmërimet nga jashtë nuk kanë munguar, siç ishte ai i ministrit të Jashtëm izraelit, i cili deklaroi se celulat terroriste islamike përbëjnë rrezik për vendin. Deklarata e shefit të diplomacisë izraelite do t'i frynte shkëndijave të zjarrit në xhaminë Isa Beu në Shkup, ku incidenti i ndodhur mes imamit të saj dhe përfaqësuesve të Bashkësisë Islame të Maqedonisë theu për herë të parë tabunë për vehabistët.
"Ata ekzistojnë dhe po tentojnë të uzurpojnë xhamitë", pohimi që erdhi nga BIM ishte i ashpër dhe kontradiktor, i vështirë për t'u besuar, pasi prej disa muajsh, institucioni fetar mundohej të binte opinionin se të gjitha xhamitë ishin nën kontrollin e saj dhe se deklaratat që vijnë nga një shtet si Izraeli kuptohen pse janë të tilla. Gjithsesi, ngjarjet e një viti më parë cenuan rëndë marrëdhëniet ndëretnike dhe ndërfetare në vend, por edhe ato mes vetë besimtarëve mysliman.
Ndërsa apelit të kreut të BIM, Sulejman Rexhepi, për intervenimin e institucioneve shtetërore për izolimin e lëvizjes vehabiste në Maqedoni, askush deri tani nuk i është përgjigjur seriozisht. Nga Ministria e Punëve të Brendshme bënë me dije se ishin duke e ndjekur situatën, por nuk mund të ndërmarrin masa pa pasur dëshmi konkrete lidhur me predikimet fetare. Edhe në Komisionin shtetëror për marrëdhënie mes bashkësive dhe grupeve fetare pohojnë se nuk kanë informacion nëse në Maqedoni ekziston lëvizja vehabiste.
"Nuk kemi informacione të tilla", shprehet shkurt kreu i saj Valentina Bozhinovska. Por që grupet vehabiste përbëjnë kërcënim për stabilitetin në rajon dhe po shtrihen me shpejtësi të frikshme, u konstatua disa kohë më parë në konferencën kushtuar luftës kundër kriminalitetit të organizuar, e mbajtur në Ohër me krerët e policive të Maqedonisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Malit të Zi. Sipas tyre, ky është një problem jo më i karakterit rajonal, por evropian, pasi kjo dukuri po shtrihet sa në Bosnje, po aq edhe në Serbi, Sanxhak e Kosovë. Sa i takon Maqedonisë, edhe pse kanë ndodhur disa aktivitete të caktuara radikale, ende nuk janë regjistruar vepra penale, të cilat do të kërcënonin sigurinë në vend, deklaruan autoritetet e forcave të rendit. Nga institucioni fetar - BIM, e pohojnë ekzistencën e rrymave radikale që mundohen të institucionalizohen dhe të konsolidojnë pozitat e tyre, gjë që sipas tyre, është e pamundur pasi ato eliminohen prej njëri-tjetrit.
Ata, "vehabistët" pohojnë se nuk janë as radikal, as ekstremist, por janë thjesht ndryshe në perceptimin e doktrinës fetare islame. Ata thonë se po keqpërdoren nga të gjithë, por më shumë nga mentaliteti përjashtues që trashëgohet nga komunizmi, nga aversioni ndaj atyre që mbajnë mjekra dhe vishen ndryshe nga të tjerët, por edhe nga mllefi i ateistëve.
Njeriu është armik i asaj që nuk e njeh
Beqir Halimi, është njeriu emri i të cilit jozyrtarisht lakohet shpesh si kreu i kupolës vehabiste në Maqedoni. Edhe pse Halimi është personi i vetëm në vend, të cilit vendimi i gjykatës e zhvesh nga çdo epitet që e lidh me vehabizmin duke i shpallur akuzat e ngritura disa vite më parë ndaj tij si shpifje. Dilemës që shtrohet herë pas herë në media e më gjerë, nëse ka apo nuk ka vehabizëm, ai i përgjigjet thjesht - "nuk ka vehabizëm, në kuptimin e një rrjeti të organizuar, i cili vepron sipas shembullit të ideologut që e ka krijuar".
Po kujt i takon Halimi dhe grupi i tij? Ai thotë se janë pjesë e shkollës juridike hanefi, por në momente të caktuara, dalin nga kjo shkollë dhe kanë qëndrim e tyre akademik, të bazuar në fakte, gjë që është e barabartë me interpretimin e ligjeve, nuk është as sekt as fraksion, por është vetëm brenda suazave të debatit akademik. Sipas Halimit, të gjithë ata të rinj që kanë mjekra, apo falen ndryshe - në esencë nuk ndryshojnë aspak me vetë kreun e BIM, ndërsa falja në mënyrë tjetër është po ashtu një interpretim ndryshe dhe sinjifikon tentativat për të zbatuar në praktikë atë që mësohet në teori. Për të, konstatimi për vehabizëm ka më shumë ngjyrim politik sesa real.
"Nuk ka asnjë broshurë, manifest i cili thërret në vehabizëm dhe përderisa këto që mund të quhen elementë të platformës së kësaj ideologjie nuk ekzistojnë, atëherë nuk mund të pohojmë që ka vehabizëm. Ky emër lakohet dhe përdoret, sipas përshtypjeve të mia, më shumë për interesa politike sesa akademike dhe për ta dëshmuar edhe më tepër një gjë të tillë, ne kemi institucione që punojnë për sigurimin e shtetit dhe ato dalin me raporte, si ato të brendshmet ashtu edhe ato ndërkombëtare , konkretisht të Departamentit amerikan të shtetit, i cili vazhdimisht e hulumton gjendjen, dhe në asnjë prej raporteve të tyre nuk është konstatuar se ky fenomen është prezent", thotë teologu Halimi.
Dhe për këtë arsye, konkludon ai, çdo pohim se në Maqedoni ekziston vehabizmi mbeten spekulime dhe mënyra shantazhimi të figurave të caktuara për interesa politike. Edhe BIM që konfirmoi prezencën e vehabistëve, shton Halimi, ishte kontradiktore në pohimet e saj, të cilat kishin qëllime politike, sepse në të kundërtën - ata do të ishin konstant në deklaratat e tyre. "Po ashtu ne, e fituam procesin gjyqësor pikërisht ndaj një përfaqësuesi të BIM, Jakup Selimovski, i cili gjatë një emisioni televiziv më akuzon mua si lider të vehabistëve në Maqedoni. Pasi e ndjeva veten të rrezikuar nga një deklaratë e tillë, ngrita një aktpadi dhe gjyqi e shpalli atë fajtor për shpifje dhe trillim. Kjo është edhe një dëshmi më shumë se ky konstatim i BIM është i parealtë dhe nuk qëndron", shton Halimi. Sipas teologut, arsyet e trillimit të rrezikut vehabist lidhen me ndikimin që ka jeta politike në institucionet fetare. Por edhe Halimi dhe grupi i tij nuk i kanë shpëtuar këtij tundimi, animit politik i cili ka qenë në frontin e kundërt me atë të BIM.
"Ne kemi përkrahur një vijë politike dhe nuk e fshehim. Principi ynë ka qenë që të përkrahim çdo opsion politik e që është në interes të shqiptarëve dhe kjo gjë ka ndodhur, prej luftës dhe deri në zgjedhjet e kaluara. Tani kemi konstatuar se rreziku për shqiptarët ka kaluar dhe jemi tërësisht apolitik", thotë Halimi.
Fraksionistë të paorganizuar dhe në shërbim të politikës
Thuhet se në Shkup, lëvizja vehabiste ekziston në mënyrë sporadike, herë më e vrullshme, dhe në disa raste stagnohet. Numërohen ndoshta 20 mijë vetë, në të gjithë vendin, të cilët janë ithtarë të rrymës ndryshe që diku e quajnë vehabizëm e të tjerët, praktikantët, formë më ndryshe e perceptimit religjioz islam. Përqendrimi i tyre është në Shkup, aty ku edhe ndikimi i këtyre grupeve ka qenë edhe më i madh, por edhe më i dukshëm. "Në xhaminë këtu pranë falen ato - mjekrat, jemi të detyruar që të shkojmë diku tjetër, është gjynah ta falësh namazin në të njëjtën xhami me ta", shprehet një banor në një lagje shqiptare në Shkup.
"Na e kanë fëlliq fenë këto muxhahedinët, po na marrin në qafë edhe fëmijët", pohon një tjetër. Por shumica e teologëve pohojnë se në Maqedoni nuk kemi të bëjmë me lëvizje të mirëfilltë, por me grupe që veprojnë në formë të organizuar, që kanë vendndodhjet e tyre, shtëpi botuese, por dhe xhami nën kontroll, të cilat prej vitesh janë jashtë ndikimit të BIM.
"Këto rryma janë në shërbime të ndryshme, si politike, ashtu edhe fetare. Kanë qenë gjithmonë prezent kur është dashur të merren vota në zgjedhje, të fitohen poenë politikë, apo edhe për të ndihmuar ardhjen e dikujt në krye të institucionit fetar. Kështu kanë funksionuar dhe më pas kanë kërkuar edhe shpërblimin për punën e bërë. Dhe sot janë më të organizuar, madje mund të quhen edhe faktor, kanë shtëpi botuese, shoqata dhe marrin pjesë në forma të ndryshme të organizimit të jetës shoqërore. Ata janë pjesë e jona", thotë një teolog.
Në Bashkësinë Islame të Maqedonisë, e cila alarmoi opinionin disa kohë më parë kur imami i xhamisë së Isa Beut refuzoi të pranonte urdhrin e BIM për suspendim, duke krijuar një incident që për herë të parë i theu tabutë lidhur me vehabistët dhe ekzistencën e tyre, pohojnë se grupet vehabiste funksionojnë, por janë të tilla që nuk përbëjnë rrezik edhe pse nuk kanë munguar rastet kur kanë arritur të shkaktojnë situata me të vërtetë kaotike.
Driton Dikena, përfaqësues i Riasetit të BIM-it, thotë se rryma vehabiste është më tepër një rrymë politike sesa fetare, pasi edhe tabani i zanafillës së saj është politik, ashtu si funksionon sot në botë. Sa i takon Maqedonisë, pohon se ka grupe të ndryshme që mendojnë krejt ndryshe nga islami tradicional, të cilin e promovon BIM, mirëpo vetë ato grupe shumë shpejt fillojnë të franksionohen mes vetes duke u asimiluar, kështu që humbin fuqinë brenda për brenda dhe për këtë arsye nuk mund të paraqiten si ndonjë rrezik për institucionin fetar, por as edhe për islamin në përgjithësi.
Dikena thotë se individë të ndryshëm, paraqiten në kohë dhe në vende të ndryshme, por shumë shpejt metastazat e krijuara prej tyre, po ashtu përçahen dhe vetvetiu fillojnë të eliminohen. "E keqja është se këto grupe që mbase mund t'i quajmë vehabiste, fillojnë të funksionojnë me institucionet shtetërore, veçanërisht me ato të shërbimeve sekrete. Bashkëpunimi nis me synimin që këto grupe të bëhen më të forta dhe të qëndrojnë më gjatë në skenë, mirëpo në anën tjetër, shërbimet sekrete i shndërrojnë në masha të tyre dhe i shfrytëzojnë për qëllime të caktuara, duke menduar që përmes këtyre grupeve, do të kontrollojnë punën e BIM që nuk është e mundur, pasi ne si institucion jemi shumë transparent", thotë Dikena.
Kur pushteti stimulon fraksionet fetare
Në një vend me tolerancë të brishtë dhe ekstremist tradicionalist, të paktën duke iu referuar hulumtimeve më të fundit, regresi në të drejtat fetare indirekt ka potencuar edhe ndikimin e Qeverisë në këtë aspekt, veçse në kahe të kundërt, vërejnë analistët vendas. Madje, shqetësimi i tyre është se manipulimi i marrëdhënieve fetare është shndërruar në pjesë të politikës ditore, prandaj edhe mesazhi që vjen edhe nga ndërkombëtarët është i qartë dhe rekomandon ndërprerjen e kësaj politike prej strukturave shtetërore.
2. "Legjendat urbane" mbi rrymat fetare te myslimanët
Sipas të dhënave që disponon BIM, grupet janë shfaqur në kohë dhe regjione të ndryshme, më shumë në Shkup ku kanë tentuar që ta kenë ndikimin më të madh. Tipike e kësaj dukuri është se shfaqet më së shumti në ato zona ku niveli i diturisë dhe i mirëqenies është i ulët, madje shumë familje kanë rënë në kurthin e vehabistëve, apo lëvizjeve të ndryshme, të detyruar nga gjendja e vështirë ekonomike. Xhamitë që BIM i konsideron si problematike dhe pjesërisht jashtë kontrollit të saj numërohen si tre-katër xhami, ajo më specifikja e Isa Beut, Hatunxhik dhe Jahja Pashës, të cilat kanë marrë më tepër ngjyrime të grupeve vehabiste. "Dikur para disa vitesh, xhamia e Jahja Pashës ishte një rast pak si më specifik, ndërkohë që zërat atje janë shuar, po ashtu edhe Hatunxhiku, rasti më i fundit ishte në Isa Beu, por me sa duket ato vetvetiu do të zhduken edhe prej andej", thonë në BIM. Sipas të dhënave të institucionit fetar, prej viteve '90, në Maqedoni ekzistojnë disa përcaktime të ndryshme rreth praktikimit të islamit në jetën e përditshme. Kreu i këtij institucioni, Sulejman Rexhepi, disa kohë më parë do të deklaronte se kjo punë e atyre nuk na pengon dhe çdokush është i lirë të praktikojë besimin sipas mënyrës së tij, por përzierja e tyre në objektet e BIM, nuk mund të tolerohet. "Ne kemi strategji, platformë lidhur me islamin që praktikojmë dhe nuk i përzihemi atyre që duan t'i nënshtrohen Allahut ndryshe. E keqja është se ka indikacione dhe tentativa prej tyre që të uzurpojnë xhamitë. Kjo bie ndesh me moralin fetar të atyre njerëzve. Kur themi fraksion, prej tij dalin shumë të tjerë, me qindra. Në rastin e fraksioneve në Maqedoni, ato stimulohen nga pushteti, madje edhe keqpërdoren. Mua më vjen që myslimanët të keqpërdoren në këtë mënyrë dhe të bëhen vegla të pushtetit dhe të sigurimit shtetëror. Kjo është pjesë e strategjisë sllave - përça e sundo dhe e shkatërrimit të institucionit që është edhe simbolikë e ekzistimit te shqiptarëve. Prandaj ne kemi kërkuar nga organet kompetente që të mos lejojë që askush t'i uzurpojë, pro ne nuk kemi as Ministri të Brendshme dhe as të Mbrojtjes. Në momentet kur atyre u intereson të destabilizojnë situatën, atëherë nuk marrin masa", ka deklaruar Rexhepi.
Fraksionet i ushqen politika
Në një vend me tolerancë të brishtë dhe ekstremist tradicionalist, të paktën duke iu referuar hulumtimeve më të fundit, regresi në të drejtat fetare indirekt ka potencuar edhe ndikimin e Qeverisë në këtë aspekt, veçse në kahe të kundërt, vërejnë analistët vendas.
Madje, shqetësimi i tyre është se manipulimi i marrëdhënieve fetare është shndërruar në pjesë të politikës ditore, prandaj edhe mesazhi që vjen edhe nga ndërkombëtarët është i qartë dhe rekomandon ndërprerjen e kësaj politike prej strukturave shtetërore. Të tjerë mendojnë se manipulimi në këtë formë i marrëdhënieve ndëretnike ka vlerë konjukturale vetëm në politikën ditore dhe nuk është e aq shqetësuese sa të sjellë destabilizimin e marrëdhënieve ndëretnike. Ish politikani dhe analisti i njohur Ismet Ramadani, përmes një kronologjie të zhvillimeve të jetës fetare këto 20 vitet e fundit, pohon se nga Partia e Prosperitetit Demokratik e deri te Bashkimi Demokratik për Integrim, historia e miqësisë 20 vjeçare të fesë me politikën ka përshkruar një itinerar komprometues për vetë rolin e këtij institucioni, që në vendet me profil të theksuar tradicional si Maqedonia, ka një peshë të padiskutueshme tek popullsia. Ndikimet e kohëpaskohshme të partive të ndryshme politike shqiptare në institucionet fetare indirekt i ndihmuan terrenit të krijuar për daljen në pah të grupeve të ndryshme dhe fraksioneve fetare. Ai thotë se bashkëpunimi i hershëm i PPD-në me BIM-in nisi për ta mbrojtur atë prej përçarjeve të partive maqedonase dhe interesat e këtij bashkëpunimi ishin të përbashkëta, por disa vite më vonë, ky fenomen mori një karakter tjetër, ku dominonte interesi për të fituar në zgjedhje, shkaktuar nga konkurrenca në skenën politike.
"Gara politike mes PDSH-së dhe BDI-së, shënoi edhe incidentet e para brenda këtij institucioni dhe paraqitjen e fraksioneve të tjera fetare joformale, të cilët u keqpërdorën gjatë zgjedhjeve. Interesat janë të përbashkëta dhe do të ishte vështirë që të shpresonim se politika do të dalë nga institucionet fetare - BIM", prognozon Ramadani. Pasi në situatat aktuale duket se në rezonin e tyre e kanë të domosdoshme bashkëpunimin me njëri-tjetrin. "Është interesant të thuhet se kohët e fundit, PDSH ka pasur më shumë ndikim shumë brenda institucionit fetar, ndërsa në këto grupe joformale që veprojnë jashtë BIM-it, ka pasur ndikim BDI. Të paktën këto janë informacionet që kanë qarkulluar, por njëherazi dhe i kemi vërejtur. Kemi periudhë kur kreu i BIM bashkëpunonte me PDSH dhe bashkëpunimi i BDI me grupe të cilat do të preferoja që t'i quaja joformale, të gjithë ato që kanë emra të ndryshëm, si vehabistë e të tjerë dhe në një mënyrë, përmes ndikimit të partive politike në periudha të caktuara, janë vënë në shërbim të politikës. Kuptohet bashkë edhe me individë dhe grupe nga BIM. Institucioni fetar nuk bëri ndonjë hap më shumë, që në ndonjë mënyrë të gjejë ndonjë formë bisedimeve dhe të vendosjes së një paqeje mes tyre për të mos lejuar përçarje në të ashtuquajturin xhemat. Këto ndarje do të vazhdojnë të thellohen dhe do të jenë gjithnjë e më shumë agresive", pohon Ramadani.
Analisti Alajdin Demiri prezencën e vehabistëve e pranon pa doreza. Ai konstaton se paraqitja e vehabizmit në Maqedoni nuk është ide shumë e vjetër, por e re e cila në fazën e liberalizimit të fesë, pra pas komunizmit, filloi të paraqitet si një koncept radikal që fillimisht trumbetohej si mbrojtës i islamit, por që tani kërkon një status tjetër, atë të sektit së vërtetë, ashtu siç edhe e quajnë ata vetë. Për Demirin, ky proces është i komanduar përmes mercenarëve dhe funksionarëve të paguar të cilët tentojnë që në emër të konvertimit të islamit në vehabizëm të instalojnë struktura të cilat do t'i dalin zot kësaj rryme.
Rekrutimi i të rinjve
"Ato veprojnë në tërësitë islame, tentojnë të rekrutojnë njerëz të rinj, gjë që dëshmon se dikush nga jashtë i financon dhe i stimulon. Ata përfitojnë nga gjendja e vështirë ekonomike dhe atje e kanë suksesin, jo rastësisht numërohen më shumë në Shkupin rural, apo në Kumanovë ku gjendja ekonomike e shqiptarëve është më e vështirë, dhe më pak sukses kanë në Tetovë, Gostivar, apo Strugë", vëren analisti. Sipas Demirit, konflikti i tyre me BIM, e cila nuk arrin që të konfrontohet në mënyrë të drejtë me ta, tregon se ata janë më të strukturuar dhe më të motivuar. "Dështimi i BIM për t'i luftuar ato mbështet në faktin se ata vehabistët vërtet kërkojnë konvertimin. Se ata janë njerëz që më parë njiheshin si 'disa të tillë' dhe 'jo të këtillë', dhe këtu e ka bazën konflikti me islamin sunit autokton dhe vehabizmit si sekt", thotë Alajdin Demiri. "Kur diskutohet për vehabizmin, debati bëhet i tillë, pa informata të thukëta rreth asaj se çka përfaqëson dhe ç'është në të vërtetë", thotë analisti Albert Musliu. Ndërsa sa i takon aspektit politik, pa dyshim që përdoret dhe keqpërdoret me të gjithë ato elementët që nuk e kanë figurën klasike të myslimanit me të cilin jemi mësuar në Ballkan. "Se cilat janë qëllimet politike apo fetare të tyre, ato i promovojnë zakonisht në objekte fetare dhe jo në ambiente publike", thotë analisti duke shtuar se deri tani nuk kemi pasur ndonjë lëvizje të tyren politike, në të cilën ata do të demonstronin edhe ambiciet apo qëllimet e tyre politike. "Nuk ka pasur as iniciativa për ndryshime të rendit kushtetues në Maqedoni, kështu që kemi të bëjmë me grupe që funksionojnë brenda forumeve të tyre, dhe kanë kontakte me myslimanët kushtimisht të rregullt, me të cilët jemi mësuar. Por kur vihet në rrezik funksionimi normal i Kishës Ortodokse Maqedonase, shteti rëndom i përdor të gjitha institucionet e veta duke përfshirë edhe policinë apo gjyqësorin për ta ruajtur integritetin, paprekshmërinë e KOM-it, madje duke ia eliminuar asaj edhe konkurrencën, sepse subjektet fetare nuk i kanë instrumentet e tyre për t'u mbrojtur. Vetëm BIM është lënë që të mbrohet vetë, dhe ishte pikërisht ky moment negativ kur ndodhi edhe incidenti në xhaminë Isa Beu në Shkup, pasi kemi të bëjmë me një institucion të tillë fetar që monolitizmin e saj duhet ta mbrojë shteti. Kështu që edhe institucionet shtetërore i keqpërdorin edhe paqartësitë brenda komunitetit mysliman në Maqedoni, në vetë institucionin fetar duke i tensionuar ato, ndërkohë që nuk marrin masa për t'i qetësuar. Kështu që, nuk i lihet hapësirë që ato të kenë mundësi të organizohen. Ndoshta nuk mund të ndodhë, por ka gjasa që në këtë mënyrë të krijohen edhe kushte për radikalizmin e elementeve që i përfaqësojnë ato institucione", thotë analisti Albert Musliu.
Edhe pse ekzistenca e vehabistëve pohohet me rezerva, është fakt i padiskutueshëm se ato ekzistojnë, presin kohë më të mira për të vepruar, ose për t'u përdorur duke shkaktuar incidente të tilla që tronditin bashkëjetesën mes myslimanëve dhe ortodoksëve, si dhe duke dëmtuar rëndë imazhin e pjesës myslimane, veçanërisht asaj shqiptare. Pushteti fetar nuk do të arrijë të ndahet nga ai politik edhe për vite me radhë. Dy kampet do të vazhdojnë të mbajnë peng njëri-tjetrin, duke demonstruar kohë pas kohe incidente të dimensioneve të ndryshme, replika të ashpra lidhur me ekzistencën ose jo të vehabistëve, por edhe marrëveshje të fshehta.
Autor: Evis HALILI, "Koha" korrik 2011.
_________________________
(Ky hulumtim është bërë në bashkëpunim me organizatën daneze të gazetarisë hulumtuese SCOOP)