Muhamed ibn Abdul-Vehab - (Nën kritikën e familjarëve) [1]
Nga: El-Imam El-Alameh Shejh Muhamed ibn Abdullah ibn Humejd En-Nexhdi El-Hanbeli [2]
(415) Abdul-Vehab ibn Sulejman ibn Ali ibn Musherref Et-Temimi En-Nexhdi: [3]
Ky Fikhun e mësoi tek babai i tij, i cili është autor i librit të njohur "El-Mensak", por përfitoi njohuri fetare edhe nga të tjerë. Ky morri dije fetare, por i mësoi edhe të tjerët. Shkroi një shpjegim rreth disa çështjeve fetare, i cili u njoh si një shkrim shumë i mirë. Vdiq në vitin 1153 hixhri.
Ky ishte babai i Muhamedit, [4] formuesit të misionit, [5] e keqja e të cilit është përhapur përtej horizontit. Megjithatë, ekziston një dallim shumë i madh në mes babait dhe djalit. Në fakt Muhamedi misionin e tij nuk e nxorri në shesh deri pas vdekjes së babait të tij.
Disa njerëz që i takova më treguan disa gjëra që i kishin dëgjuar nga disa njerëz të ditur bashkëkohës të shejh Abdul-Vehabit, të cilat përshkruanin hidhërimin e tij me djalin e vet Muhamedin. Shkak ishte se Muhamedi nuk pajtohej të studionte dijen fetare të trashëguar nga paraardhësit e tij dhe të popullit të rrethit të tij. Babai i tij ndjente se diçka do të ndodhte nga shkaku i tij, prandaj shpesherë i paralajmëronte njerëzit: "Me sa shumë të këqija do të ballafaqoheni nga shkaku i Muahmedit". Më pas ndodhi ajo që Allahu xh.sh. e kishte përcaktuar.
Ngjashëm, edhe djali i tij Sulejmani, [6] që ishte vëllai i Muhamedit e kundërshtoi misionin e tij. Ai prerazi iu kundërpërgjigj atij me argumente nga Kur'ani Fisnik dhe Hadithi, pasi që Muhamedi nuk pranonte tjetër jashta këtyre dy burimeve. Për Muhamedin nuk ishin me rëndësi as mendimet e dijetarëve të hershem e as ato të mëvonshmëve, kushdo qofshin ata, në përjashtim të shejh Ibn Tejmijes dhe nxënësit të tij Ibn Kajim El-Xhevzijut. Kjo ishte kështu, meqë ai fjalët e tyre i konsideronte të qarta e të sakta, të cilat nuk duhej që të interpretoheshin dhe ato i përdorte kur debatonte me të tjerët, pavarësisht faktit se fjalët e këtyre dy figurave shumë të njohura ishin në kundërshtim me atë që ai e kishte kuptuar.
Shejh Sulejmani në kundërpërgjigje të vëllait të tij, librin e vet e quajti: "فصلُ الخطابِ في الرّدِ على محمد بنِ عبد الوهّاب" - "Ligjeratë emfatike mbi përgënjështrimin ndaj Muhamed ibn Abdul-Vehabit", dhe Allahu xh.sh. e mbrojti Sulejmanin nga e keqja dhe mashtrimi i vëllait të tij, influenca e madhe e të cilit u përhap gjërë e gjatë. Nëse dikush e kundërshtonte dhe e refuzonte atë dhe ai nuk kishte mundësi që ta mbyste haptazi atë, dërgonte dikë që ta mbyste fshehurazi [7] gjatë natës në shtrat (duke fjetur) ose në treg, sepse sipas tij çdokush qe i kundërvihej atij ishte kafir (jobesimtar) dhe lejonte mbytjen e tij.
Thuhet se në atë qytet paska jetuar një i çmendur dhe në mesin e veseve të tija ishte që ta godiste cilindo që kalonte pranë tij, madje qoftë edhe me ndonjë armë. Muhamedi dha urdhër që këtij të çmenduri t'i jepej një shpat dhe të dërgohej në xhami ku vëllai i tij, shejh Sulejmani, qëndronte vetëm. Kur shejh Sulejmani e pa atë u frikësua. Njeriu i çmendur e lëshoi shpatën nga dora dhe tha: "O Sulejman mos u frikëso, ti je një prej atyre të mbrojturve", dhe ai e përsëriti këtë fjali disa herë, dhe kjo pa dyshim është prej kerameteve (mrekullive) të evlijave.
Përktheu dhe përshtati: Halef bin Selef, Prizren prill 2010.
Burimi: www.marifah.net, më 1428 hixhri.
_________________________
[1] - Shkeputje nga libri: "Es-Suhubul-Vabile ala Deraihul-Hanabile (Retë e shiut si rreke mbi varret e hanbelive)", faqe 275, e botuar nga libraria "Imam Ahmed Bookshop".
Libri origjinal u botua nga vehabistët në arabisht. Në librin origjinal ekziston një kapitull mbi shejh Abdul-Vehabin dhe djalin e tij Muhamed ibn Abdul-Vehabin. Në botimin e parë vehabistët nuk e vërejtën tekstin që ishte kritik ndaj Muhamed ibn Abdul-Vehabit dhe në ribotimin tjetër e ndryshuan atë. Shih tekstin origjinal në arabisht:
http://www.marifah.net/scans/abdulwahhab-ibnhumayd-original.doc.
[2] - Muftiu i shkollës hanbelite në Mekketul-Mukerreme i cili vdiq më 1295 hixhri.
[3] - Abdul-Vehabi ishte babai i Muhamed ibn Abdul-Vehabit - (sh. i p.).
[4] - Muhamedi është Muhamed ibn Abdul-Vehab, formuesi i lëvizjes vehabiste - (sh. i p.).
[5] - Misioni i lëvizjes vehabiste.
[6] - Sulejmani ishte vëllai i Muhamed ibn Abdul-Vehabit - (sh. i p.).
[7] - Edhe sot praktikohet metoda e Muhamed ibn Abdul-Vehabit nga ithtarët e tij (vehabistët), mirëpo pak më ndryshe. Këtë e vërejmë në jetën tonë të përditshme edhe në trojet shqiptare, siç ndodh me rrahjen e hoxhallarëve dhe xhematit, sikurse të kenë mundësi edhe do i mbysnin. Mandej marrjen e xhamive me dhunë dhe vetëshpalljen imamë, etj.. E përse e tërë kjo, vetëm e vëtem se nuk pajtohen me mendimet e tyre (vehabistëve) - (sh. i p.).