Të drejtkuptuarit e ekstremizmit në fenë islame
Motto: "... e mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): Nuk je besimtar! ...", (En-Nisa, 94).
I. Hyrje
Gjendja e vështirë e muslimanëve në botën aktuale, gjendja e mjerë e tyre politike, ekonomike dhe kulturore në shumicën e botës së tanishme, përçarja e tyre brendapërbrenda bashkësisë muslimane, ofendimi, sharja dhe blasfemia mes tyre, vrasja e lehtë dhe pa kurrfarë llogaridhënie e muslimanëve nga të tjerët, janë vetëm disa elemente të një mozaiku shumë të pasur por rrëqethës. Mjafton të jesh muslimanë dhe të akuzohesh, të arrestohesh, të burgosesh dhe të mbahesh nëpër burgje pa afat, nën presionin dhe dhunën më të madhe të mundshme fizike e psikike. Kjo gjendje përbuzëse e myslimanëve më shtyn të mendoj më thellë, sikur që këtë e bëjnë edhe shumë të tjerë lidhur me këto çështje të ndjeshme dhe të dhembshme. Për fat të keq, edhe pse duke e vërtetuar apo përjetuar, kjo gjendje ende nuk është motiv i mjaftueshëm për përsiatje dhe gjetje të rrugëve për të ikur nga robëria, luftërat, dhuna etj..
Nisur nga ky aspekt, e tërë masa muslimane në aspekt të përkushtimit të tyre ndaj fesë, dhe jetës në përgjithësi, mund të ndahet në tri grupe kryesore:
Grupi i parë: - Masa e tillë pos emrit dhe ca traditave formale nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin. Ata zemrat e tyre ua kanë përkushtuar interesave botërore, por jo Zotit dhe fesë islame. Në këtë rrugë të tyre ata sakrifikojnë, duke duruar përçmime të shumta dhe humbjen e dinjitetit. Të tillë ka shumë në botën aktuale dhe paraqesin pjesën më fatkeqe muslimane.
Grupi i dytë: - Ky grup është diç më i vogël nga i pari, por është më i zëshëm dhe më militant se i pari, këta, të trembur e të irrituar nga grupi i parë ikën në skajin tjetër, dhe dëshira e tyre është që brenda natës, sa hap e mbyll sytë, ta vendosin shtetin sheriatik. Harrojnë se sistemet e shumta antiislame, sikur edhe sistemi i fundit, në përmasa lokale, rajonale dhe botërore, kanë pastruar trurin dhe nga këta muslimanë ekzistues kanë shndërruar masë mishi e jo masë intelektuale dhe shpirtërore, masë që di të mendojë dhe prodhojë. Të tillët harrojnë se Muhammedi a.s. kishte shumë durim në punën e tij, ftoi rreth 23 vjet por ende shihte idhuj në çdo cep, në çdo anë, në çdo kënd. Përkundër kësaj gjendjeje, ky grup insistonin në respektimin e plotë të fesë, duke harruar dhe duke neglizhuar udhëzimet e Kur'anit, ato të Muhammedit a.s. dhe të dijetarëve eminentë, lidhur me mënyrën e thirrjes në fe dhe mënyrën e mirësjelljes sonë ndaj të tjerëve. Veten e ngrenë në nivel muftiu, në nivel kadiu, në nivel profesori duke ndarë receta se filan filani doli nga feja, se filan filani është devijant i theksuar, se filan filani është mëkatar i madh. Ata marrin çdo kompetencë në dorë, pa hezituar aspak, pa përfillur mësimet e urta islame.
Grupi i tretë: - Ky grup zgjodhi rrugën e mesme, atë ndërmjet dy skajeve, ndërmjet skajit që ishte tretur dhe thuajse nuk ndihej mysliman dhe skajit që të drejtën për të hyrë në xhenet e kishin rezervuar ekskluzivisht për vete. Zgjodhi rrugën e mesme në çështjen e cilësive të Zotit ndërmjet racionalizmit mu'tezilit dhe antropomorfizmit mushebbihit, zgjodhi rrugën e mesme ndërmjet harixhinjve dhe murxhinjve në çështjen e premtimit dhe kërcënimit, rrugën e mesme ndërmjet xhebrinjve dhe kaderinjve në çështjen e lirisë së njeriut, rrugën e mesme ndërmjet harixhinjve të cilët Aliun r.a. e shpallën mosbesimtar dhe rafidinjve të cilët Aliun r.a. e bënë hyjni, zgjodhi rrugën e mesme në thirrje për Islam, etj. etj.. [1]
II. Ekstremizmi në çdo epokë ...
Për shkak të hapësirës dhe karakterit të kufizuar të shkrimit ne do të merremi vetëm me grupin e dytë, me ata të cilët herë-herë dalin nga korniza e arsyes, nga korniza e sheriatit dhe për këtë qëllim do të përpiqemi të ofrojmë ca të dhëna parimore se si të dallohen, se si të njihen simptomet e dukurisë së ekstremizmit, ç'e shtyn njeriun ta teprojë në fe, pastaj si të ruhemi nga kjo dukuri dhe si t'i këshillojnë 'të prekurit' nga ky virus?
Historia e kësaj dukurie sidomos rrjedh nga koha e Nuhit a.s., kur populli i tij filloi t'i hyjnizojë personalitetet më të mira të vendit pas vdekjes së tyre.
Kjo ndodhi edhe te popujt e tjerë, sikurse te populli hebraik, i cili Uzejrin a.s. e mendoi si djalë të Zotit, apo te populli arameit, i cili Isain a.s. e konsideroi për djalë të Zotit. Në përgjithësi, populli hebraik konsideronte se ata janë popull i zgjedhur dhe se e gjithë bota ishte krijuar në shërbim të tyre.
Ndonëse virus i ekstremizmit u paraqit edhe në kohën e Muhammedit a.s., ai me tërë fuqinë u përpoq ta çrrënjos me kohë. I porositi as'habët që në asgjë mos ta teprojnë:
Buhariu dhe Muslimi nga Enesi r.a. transmeton se disa as'habë u zotuan se: "Sa më përket mua, unë vazhdimisht do të fal namaz gjatë tërë natës". Tjetri tha: "Sa më përket mua, unë vazhdimisht do të agjërojë dhe nuk do të ha". I treti tha: "Sa më përket mua, unë do të largohem nga gratë, kurrë nuk do të martohem". Kur erdhi Muhammedi a.s. tha: "Unë nga të gjithë ju më së shumti i frikësohem Allahut, por unë edhe agjëroj por edhe ha, edhe falem por edhe pushoj dhe unë martohem. Kush heq dorë nga sunneti im, nuk është me mua".
Sikur dikush në kohën tonë të vepronte ngjashëm, ne do të nxitonim ta vlerësojmë si veprim të qëlluar dhe të të flisnim fjalë të mira. Por, Muhammedi a.s. nuk veproi sikur që ne do të vepronim. Ky edhe është qëndrimi ynë i ngushtë kundrejt gjerësisë së Muhammedit a.s..
Muhammedi a.s. ndaloi shokët e tij ta respektojnë më shumë seç është normale, sepse kjo do t'i shpinte atje ku rrëshqiti populli i Isait a.s.. Buhariu transmeton nga Omeri r.a. se Pejgamberi a.s. ka thënë: "Mos më lavdëroni së tepërmi, sikur që kristianët e lavdërojnë Isain a.s., unë jam rob dhe thoni: Robi i Allahut dhe Pejgamberi i Tij".
Me një rast tjetër, Muhammedi a.s. porositi: "... Ruajuni nga teprimi në fe sepse pa dyshim teprimi në fe i ka shkatërruar ata para jush".
Nëse do ta bëjmë një përsiatje të thjeshtë të fjalëve dhe veprave të Muhammedit a.s. do të konstatonim se Muhammedi a.s. pati kujdes edhe në teprimet e vogla e lëre në ato të mëdha. Ishte shumë kategorik në ndalesat e tij që i përkasin teprimit.
Ky mësim është nga Kur'ani: "O ithtarët e librit, mos teproni në fenë tuaj dhe mos thoni tjetër gjë për All-llahun, përveç asaj që është e vërtetë", (En-Nisa, 171). "Thuaj: O ithtarë të Librit, mos e teproni në fenë tuaj, me pa të drejtë, dhe mos pasoni epshet e njerëzve që kanë humbur moti dhe që shumica i kanë shpjerë në humbje, ndërsa vetë e kanë lëshuar rrugën e drejtë!", (El-Maida, 77). [2]
III. Disa karakteristika të ekstremizmit në fe
Që ta pasqyrojmë këtë gjendje më mirë e më qartë do t'i theksojmë disa faktorë, disa simptome që shkaktojnë teprimin dhe që çojnë në teprim të fesë dhe me këtë i bëjnë dëm Islamit dhe muslimanëve.
Është bërë karakteristike që teprimi në fe të vërehet në kuptim të përkatësisë grupit triumfues, teprimi i lidhshmërisë së personit vetëm për një grup, teprimi se vetëm grupi i caktuar është burim i të vërtetës, teprimi në shpalljen e individëve ose grupeve për jobesimtarë për shkak të mëkateve të mëdha që i bëjnë, teprimi i mosshpalljes për jobesimtarë të atyre që nuk i shpallin të tjerët jobesimtarë në fe, teprimi në ndalimin e ndjekjes së njërit prej katër imamëve në fikh ose ndonjë muxhtehidi tjetër, teprimi në ndalimin e gjerave të lejuara, teprimi në sjellje rigoroze me njerëzit, teprimi në mosfaljen e namazit pas imamit të xhamisë së caktuar etj..
Duhet theksuar edhe këtë se me teprimin në fe kuptojmë se gjerat për të cilat diskutohet kanë bazë fetare, por përdoruesi i tyre i nxjerrë jashtë kornizave sheriatike. Perceptimi ynë i teprimit nuk është sikurse ai perëndimor kur pa kriter sulmojnë çdo gjë islame burimore, madje edhe shaminë si mbulesë të femrës muslimane, të mjekrës te meshkujt muslimanë, falja e namazit në vend të punës, trashëgimia sipas sheriatit islam e çështje të ngjashme. [3]
IV. Kompleksiviteti i ekstremizmit në fe në botën aktuale
Dikur dhe sot është ndryshe, sepse sot bota është bërë një fshat global dhe nëse dikush bënë ndonjë eksces në emër të fesë, ky ekses pas disa sekondave përfshin tërë botën. Për këtë eksces nuk goditet vetëm ekstremisti dhe rrethi i tij i ngushtë, por tërë myslimanët në botë. Problem tjetër është se aktualisht njerëzit që duhet folur nuk flasin, apo zëri i tyre nuk dëgjohet kundrejt mediokërve të zëshëm. Problemi vijues manifestohet në moskontrollimin e përbuzjes së teprimit në fe dhe përbuzjes së Islamit. Të tillët shfrytëzojnë rastin që atë urrejtje patologjike ndaj Islamit të mbajtur fshehtë ta manifestojnë rreptë dhe publikisht. Kjo gjendje ka ndikuar që grupet e interesuara kundër Islamit të formojnë fondacione e shoqata gjoja në luftë kundër grupeve ekstremiste por në esencë ta luftojnë Islamin. Po ashtu, ekstremisti shpeshherë identifikohet pa të drejtë me të gjithë ata që kanë ngjashmëri në veshje, apo pamje tjetër dhe në këtë mënyrë shënjohet si keqbërës.
V. Faktorët e ekstremizmit në fe
Faktorët e ekstremizmit në fe janë të shumtë, por, për hir të durimit të lexuesit, do t'i reduktojmë në disa më kryesorë:
Faktori i parë: Mosdija (injoranca)
Mosdija, injoranca është shprehje e gjerë dhe kap kuptime të shumta. Disa nga këto kuptime janë:
- Mosnjohja e Librit të Allahut: Zakonisht në fe e teprojnë njerëzit që nuk njohin as gjerat elementare të fesë e lëre të kenë dije solide. Ata pretendojnë të ndajnë drejtësi globale por nuk janë aftësuar as për gjerat më themelore jetësore individuale. Ai nuk njeh disiplinat fetare nga tefsiri, hadithi, leximet e Kur'anit, derogimi dhe i'xhazi i Kur'anit etj.. Shpesh herë injorantët flasin për dikën se është kafir (mohues) apo mushrik (politeist), por nuk e di as ajetin më themelor për këtë. Nuk di të bëjë dallimin mes ajetit dhe hadithit, por marrin guximin të shpallin botën për besimtarë apo jobesimtarë.
- Mosnjohja e Sunetit të pejgamberit a.s.: Njohuritë e njerëzve për Sunetin apo për Hadithet janë të vogla apo kurrfarë. Kjo çon edhe në mosnjohjen e shkencave plotësuese lidhur me Hadithin: burimësia e haditheve, verifikimi formal i zinxhirit transmetues por edhe vetë përmbajtjen e tij. Hadithi duhet të kuptohet në kontekst të gjerë e jo në bazë të interesave të një klase politike apo të një grupi ideologjik.
- Mosnjohja e metodës së selefit: Metoda e ehlus-sunetit (maturidizmit - esh'arizmit) në vlerësimin e statusit të besimtarit është e matur dhe e prerë. Nuk është jobesimtar askush për shkak të bërjes së mëkatit të madh, nëse këtë mëkat nuk e konsideron të lejuar. Kjo çështje është e njohur në mesin e ekspertëve dhe besimtarëve, meqenëse disa grupe ekstremistësh, të ashtuquajtur "besimtarë të vërtetë", i shpallin të tjerët për jobesimtarë edhe për supozimet e tyre. Sipas tyre, praktikimi i një bid'ati njeriun e shtyn në pabesim. Mendime të tilla në këtë kohë konfuzioni kemi përplot dhe mund t'i ndeshim shpesh dhe qarte. Mirëpo, të tillët për shkak të mosdijes dhe fanatizmit të tyre nuk e njohin jetën dhe veprën e selefi-salihit, as gjerësinë e mendimit islam dhe si rezultat i kësaj gjendjeje veprojnë në pozicione të gabueshme.
- Mosnjohja e synimeve të sheriatit: Njerëz të caktuar harrojnë synimet kryesore të fesë dhe në kuadër të kësaj i harrojnë edhe synimet e sheriatit. Ata nuk ndjekin institucionin e lehtësisë në fenë islame dhe për këtë arsye i vështirësojnë nyjet besimore apo ritualet e caktuara. Për shkak të mosnjohjes së synimeve, ata i bëjnë dëm Islamit. Një shembull nga ejta e përditshme është tmerruese: disa të ashtuquajtur "besimtarë të vërtetë", ndalojnë pjesëmarrjen e besimtarëve në zgjedhje. Si pasojë e daljes në zgjedhje është etiketa "mosbesim". Mirëpo, duke mos dalur në zgjedhje, ne vendimmarrjen dhe ekzekutitivin ia lëmë kundërshtarëve të fesë dhe kundërshtarëve tanë. Një gjë e tillë po ndodh në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Bosnjë etj..
- Mosnjohja e ligjeve të Zotit: Ligjet, traditat, shprehitë njerëzore ndryshojnë, por ligjet e Zotit nuk ndryshojnë: "... e në ligjin e All-llahut kurrë nuk do të hasësh devijim", (Fatir, 43).
Ligjet njerëzore ndryshojnë varësisht mjedisit dhe rrethanave. Për këtë arsye, nëse dëshirojmë diç të ndryshojmë së pari duhet ndryshuar vetveten, pastaj rrethin, në mënyrë të shkallërishme, gjithnjë duke e konsultuar Kur'anin dhe Hadithin. Shembujt e pejgamberëve do të shërbejnë si ideal për bazat e ideve dhe mendimeve tona. Ka shumë faktorë që ndikojnë në formimin e bindjeve dhe veprimeve tona, por Ligji i Zotit është kryesor dhe ai duhet të shërbejë si platformë e të gjitha aktiviteteve. Çdo herë kur kemi bërë kapërcime të kufijve normal, kemi bërë shqetësime te të tjerët dhe devijim nga rruga normale. Shembujt të tillë kemi shumë në kohët e fundit.
- Mosnjohja e historisë: Njohja e historisë na mëson shumë gjera, e sidomos gabimet e së kaluarës, qoftë të popujve të pejgambereve qoftë të periudhës së pas Muhamedit a.s.. Analiza e veprimeve dhe doktrinave të individëve apo grupeve të ndryshme, na mëson se si më mirë të ruhemi nga devijimet besimore dhe praktike.
Ka edhe shumë faktorë të tjerë, por numërimi i të gjithë atyre do të shpinte larg.
Faktori i dytë: Mosrespektimi i dijetarëve
Mosrespektimi i dijetarëve gjatë historisë ka sjellë pasoja të rënda. Atëherë kur politika ka sunduar pa dijetarë, ai pushtet ka pësuar. Gjithashtu, kur politika ka sunduar me injorantë, ka dështuar. Mirëpo, dështimi ka sjellë pasoja të rënda për shoqërinë.
Kjo gjendje në masë të caktuar është edhe sot. Kjo veçori, respektivisht ky ves, mosrespektimi i dijetarëve apo qeverisja e injorantëve, zakonisht gjendet te njerëzit që shquhen me ekstremizëm në fe. Fjalët e tyre dhe veprimet e tyre janë përplot akuza ndaj dijetarëve më të mëdhenj të vendit, atyre të botës myslimane, vetëm e vetëm sepse nuk pajtohen me pikëpamjet e ngushta e puritane të tyre. Të tillët harrojnë se dijetarët janë trashëgimtarë të pejgamberëve, se janë aorta e një populli apo e një bashkësie, janë dega në të cilën qëndrojnë vetë ata gjatë blasfemisë së shprehur ndaj tyre. Të tillët u ngjajnë grupeve ekstreme me ngjyrime myslimane, qysh në fillim të historisë islame e deri sot. Për të tillët edhe një imam Ebu Hanife ka devijuar, për ta edhe imam Maturidiu e Esh'ariu ka devijuar, se imam Gazaliu si sufi madje ka devijuar tërësisht etj etj..
Është e qartë se dijetarët e mirënjohur nuk ishin të pagabueshëm, ata kanë mundur të gabojnë dhe kanë gabuar, por gabimi i tyre nuk na detyron neve t'i aprovojmë mendimet e tyre. Por, nga ana tjetër, a jemi ne ata që duhet t'i vlerësojmë gabimet e tyre. Natyrisht se ne nuk jemi kompetentë dhe nuk i njohim rrethanat që i kanë shtyrë ata të marrin vendime të tilla. Por, edhe sikur të pranonim se ata kanë gabuar, a na jep të drejtë kjo gjendje t'i ofendojmë ata, t'i shajmë ata, t'i shpifim ata me shprehjet më blasfemuese dhe anatemuese etj. Si duket kemi harruar se muxhtehidi i cili përpiqet të jep fetva, nëse nuk ia qëllon përgjigjes, ai shpërblehet për mundin dhe ixhtihadin e provuar në zgjidhjen e çështjes së caktuar. Nëse muxhtehidi ia qëllon në zgjidhjen e tij, ai do të shpërblehet me dy shpërblime.
Muhammedi a.s. ka thënë: Buhariu transmeton nga Amr ibn Asi, i cili e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut s.a.v.s. duke thënë: "Kur gjykatësi gjykon dhe bën përpjekje të sinqertë për ta gjetur të vërtetën dhe e qëllon atë, i takojnë dy shpërblime, ndërsa kur gjykon dhe bën përpjekje të sinqertë për ta qëlluar të vërtetën, por nuk e qëllon, i takon një shpërblim". [4]
Si duket kemi harruar se ne e kemi të ndaluar t'i përgojojmë njerëzit edhe për gjera të imta e lëre dijetarët që i quajmë trashëgimtarë të Pejgamberit t'i përgojojmë, shpifim dhe ofendojmë në mënyrat më të vrazhda.
Allahu i madhërishëm ka thënë: "... O ju që besuat, kur marshoni në rrugën e All-llahut (për në luftë), të jeni të matur (të mos nguteni), e mos i thoni atij që ju shpreh selamin (besimin): Nuk je besimtar! ...", (En-Nisa, 94).
Dija e marrë para dijetarëve është formë e mirë dhe e drejtë, dhe madje më e rëndësishme se edhe vetë mësimi vetëm nga librat. Këtë bukur e ka thënë një dijetar qysh moti: "Men kane shejhuhu kitabe galebe hatauhu savane" - "Kush e bënë (vetëm) librin për mësues, gabimet e tij do të jenë më shumë se sevapet".
Mosrespektimi u dijetarëve çon në dy drejtime të mundshme:
- Gjykimi i çështjeve me vlerë për umetin nga ana e individëve jokompetentë, të tillët lexojnë ndonjë libër të vogël dhe pas këtij leximi thirren në këtë libër, ndajnë reçeta nga ky libër kurse pasojat e këtij trendi janë të mëdha.
- Marrja e dijes drejtpërdrejt nga librat, sipas rezonimit tonë, pa ndihmën e mësuesit, dhe pasojat e këtij trendi janë shumë të rrezikshme, e disa nga këto pasoja po i përjetojmë tashmë një kohë.
Këtë bukur e ka thënë Ibn Ujana, r.a.: "Hadithet janë burim gabueshmërie përveç për juristët", dhe:
Imam Karafiu: "Kujdes nga ajo që veprojnë shumë studentë, kur gjykojnë direkt nga hadithet, e ndërkohë nuk dinë as saktësinë e tyre, pa përfshirë këtu atë që kanë thënë (imamët) përsa u përket nënçështjeve të tyre; duke vepruar kështu, vetë devijojnë, por i devijojnë dhe të tjerët. Kushdo që interpreton një ajet apo hadith, sipas një mënyre që e largon nga kuptimi i qartë dhe pa argument (delil), është qafir (mosbesimtar)". [5]
Faktori i tretë: Favorizimi i disa argumenteve kundrejt disa argumenteve të tjera
Kjo tematikë është e rëndë dhe ka mundësi që edhe pas sqarimeve të mos kuptohet mirë. Mirëpo, në mënyrë të përmbledhur mund të thuhet se disa sekte kanë devijuar pikërisht për shkak të favorizimit të disa argumenteve kundrejt disa argumenteve të tjera. Të tillë i kemi harixhinjtë, tradicionalistët ekstremë, racionalistët ekstremë, të cilët miratuan disa argumente, por neglizhuan të tjerat. Po të harmonizoheshin të gjitha argumentet do të shihnim se bërësi i mëkatit të madh nuk e humb imanin (besimin), por vetëm është mëkatar, do të shihnim se imani pas përfundimit të shpalljes as nuk shtohet as nuk mungohet në aspektin sasior, por shtimi dhe pakësimi mund të ndodh në aspektin cilësor, në pikëpamje të takvallëkut, anës praktike të besimit.
Faktori i katërt: Perceptimi i fjalëpërfjalshëm i argumenteve
Nëse njeriu orientohet në të kuptuarit e fjalëpërfjalshëm të teksteve dhe mesazheve hyjnore dhe këmbëngul në këtë orientim, do të vijmë në situatë të pakëndshme dhe pa zgjidhje të drejtë për bashkësinë myslimane.
Mohimi i polisemisë së teksteve kur'anore e varfëron atë dhe ia humb i'xhazin. Nëse themi se Kur'ani është i pashtershëm, vallë, është shterë ai me komentimin e një brezi apo të një dijetari. Do ta pranojmë mendimin e disa individëve se Kur'ani nuk bënë të komentohet gjithanshëm, sepse do të bënim gabim. Vallë, do ta pranojmë mendimin e disa individëve miopë se Imam Maturidiu ka gabuar sepse e ka aprovuar arsyen si mjet për perceptimin më të mirë dhe fuqizimin e të kuptuarit kur'anor dhe sunetik?! E qartë, mendimet e tilla që e mbyllin të kuptuarit brenda disa njerëzve dhe brenda një kohe të shkurtër nuk janë valide dhe nuk i shërbejnë Islamit. Islami është gurrë e pashtershme dhe komentimet kohore nuk do ta shterin as zbehin. Ai sërish do të jetë përplot kuptime, i freskët, i gjallë, dinamik dhe i gatshëm t'i presë dijetarët e ardhshëm për komentime të reja. [6]
Përfundim
Islami është fe e mesit dhe kërkon maturi. Ata që ndjekin skajet nuk do ta ndihmojnë të kuptuarit e Kur'anit, por do ta dëmtojnë në sytë e të tjerëve. Rrymat e ndryshme që paraqiten gjatë historisë, dikur dhe sot, i takojnë grupeve të dështuara, por me pasoja të shumta për bashkësinë myslimane. Shembulli i as'habëve, tabi'inëve, tebei-tabi'inëve, imamëve të mëdhenj si Imam Ebu Hanife, Imam Maturidiu, Imam Esh'ariu, Ibn Sinai, Imam Gazaliu, Imam Sujutiu, Ibn Rushdi, Ibn Halduni, Xh. Afganiu e M. Abduhuja, M. Ikballi e të tjerë, janë shembuj të mirë nga duhet të nxjerrim ide, metoda dhe mësime konkrete, si edhe brezi ynë të ofrojë angazhimin e tij, mundin e tij, djersën e tij, në ngritjen e ndërtesës të quajtur Islam.
Autor: Nexhat Ibrahimi
_________________________
[1] - Abdulkadir Audeh, Islami ndërmjet injorancës së pasardhësve dhe paaftësisë së dijetarëve, Prizren, 1990.
Shih: http://www.islambosna.ba/index.php/islam/fikh/5721-problem-pretjerivanja-u-vjeri-simptomi-razlozi-posljedice-i-lijek-i-dio.
[2] - Për jetën e pejgamberëve dhe vështirësitë në misionin e tyre pejgamberik shih në gjuhën shqipe: Ahmed Behxhet, Të Dërguarit e Allahut, Prishtinë, 1431/2009.
[3] - http://www.islambosna.ba/index.php/islam/fikh/5721-problem-pretjerivanja-u-vjeri-simptomi-razlozi-posljedice-i-lijek-i-dio.
[4] - Sahihul Buhari, Kitabu: el-i'tisamu bi'l-kitabi ve's-sunneti, babu: exhru'l-hakimi idha ixhtehede fe esabe ev ahtae, nr. 6805 (CD). (E falënderoj zotëri Orhan Bislimaj, i cili ndihmoi në gjetjen e këtij hadithi).
[5] - Sipas: http://www.vizion-islam.com/rubrika_afisho.php?subcatID=9&artID=546, (Më datë: 9. 2. 2010).
[6] - http://www.islambosna.ba/index.php/islam/fikh/5721-problem-pretjerivanja-u-vjeri-simptomi-razlozi-posljedice-i-lijek-i-dio.