Si besojnë muslimanët për Isain a.s.?
Falënderimet dhe lëvdatat më të mëdha janë për Allahun e Madhëruar, Zotin dhe Krijuesin e të gjitha botëve. Selami dhe përshëndetjet tona qofshin edhe për të Dërguarin e Allahut, Muhammedin Alejhisselam, mbi familjen e tij të madhe, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që jetuan me të vërtetën në zemër.
"Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek All-llahu është sikurse çështja e Ademit ...", (Ali Imran, 53).
Të krishterët shpesh flasin mbi zhvillimin e marrëdhënieve mes Krishtit dhe pranimin e tij në jetët e tyre. Ata pohojnë se Jezusi është më shumë se njeri dhe se vdiq në kryq për të liruar njerëzimin nga mëkati i parë. Të krishterët për Jezusin flasin me dashuri dhe respekt dhe është e dukshme se ai mban vend të posaçëm në jetët dhe zemrat e tyre. Por, ç'është me muslimanët, ç'mendojnë ata mbi Jezusin / Isain dhe çfarë vendi zë ai në Islam?
Muslimanët e vlerësojnë dhe e respektojnë shumë lartë Isain a.s., si dhe nënën e tij Merjemen. Kur'ani na lajmëron se Isai a. s, është lindur pa baba, si një mrekulli e Zotit.
"Vërtet, çështja e Isait (të lindur pa baba) tek All-llahu është sikurse çështja e Ademit ...", (Ali Imran, 53).
Me ndihmën e Zotit, si pejgamber që ishte, ai bënte shumë mrekulli, ndër të cilat mund t'i përmendim këto: Ai ka folur menjëherë sapo ka lindur, për ta mbrojtur nënën e vet dhe për ta vërtetuar drejtësinë dhe pafajësinë e saj. Hz. Isai i shëronte njerëzit nga verbëria dhe sëmundje të tjera të ndryshme, madje ai, me ndihmën e Zotit, ringjallte njerëzit dhe mundte ta kthente një zog të formuar nga balta në një shpend të gjallë. Mrekullia më e madhe e tij ishte edhe porosia që i zbriti Zoti e që ishte libri i shenjtë, Inxhili. Të gjitha këto mrekulli të dhëna nga Zoti vërtetojnë natyrën e tij prej pejgamberi, e assesi që t'i japin atij atribute hyjnore. Hz. Isai nuk ishte Zoti që ecte mbi tokë, porse të tillë e bënë njerëzit e pabesë. Ai ishte dhe mbeti vetëm një pejgamber i Allahut, sikur të gjithë pejgamberët e tjerë. Hz. Isai nuk u kryqëzua, e as nuk u vra, porse Allahu e shpëtoi atë prej kurtheve të të pabesëve dhe e ngriti në qiell.
Në suren Ali Imran, në ajetet 54-55, Allahu i Madhëruar në lidhje me këtë, na flet kështu: "E, ata (jehuditë) i kurdisën një dredhi (mbytjen e Isait), All-llahu iu kundërvu dredhisë së tyre, All-llahu është asgjësuesi më i fuqishëm kundër atyre që bëjnë dredhi. Përkujto, o i dërguar) Kur All-llahu tha: "O Isa, Unë po të marr ty, po të ngrej te Unë, po të shpëtoj prej sherrit të atyre që nuk besuan. E ata që të besuan ty, do t'i ngrejë lart mbi ata që nuk besuan deri në ditën e kijametit, pastaj vetëm tek Unë është kthimi juaj, e Unë gjykoj mes jush për atë që kudërshtoheshit", (Ali Imran, 54-55).
Të dashur xhemat, për kënaqësinë tuaj, do t'i lexoj fjalët e para që i tha hz. Isai, kur iu drejtua turmës që ishin mbledhur për t'u tallur me nënën e tij, hz. Merjemen. Këtë mund ta gjeni në suren Merjem, ajetet 30-34.
Ai (Isai) tha: "Unë jam rob i All-llahut, mua më ka dhënë librin dhe më ka bërë Pejgamber. Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz e zeqatë për sa të jem gjallë! Më ka bërë të mirësjellshëm ndaj nënës sime, e nuk më ka bërë kryelartë as të padëgjueshëm! Selami (shpëtimi prej All-llahut) është me mua ditën kur u linda, ditën kur të vdes dhe ditën kur të dal (prej varrit) i gjallë! Kjo është (fjalë) e vërtetë, rreth Isait, birit të Merjemes në të cilin ata shkaktojnë dyshime", Merjem, 30-34).
Mbani në mend, këto fjalë hz. Isai i tha kur akoma nuk dinte të fliste, pra ishin ditët e para të lindjes së tij dhe ishin kundër dëshmi për ata që e akuzonin hz. Merjemen për tradhëti e punë të mbrapshta.
_________________________
(Hutbeja e Xhumasë, mbajtur në xhaminë El-Hidaje në St. Gallen të Zvicrës, më 28.12.2012, nga imami i xhamisë Mehas ALIJA.)