Ebu Hanifeja dhe Hadithi
Shokët e Pejgamberit a.s. kishin zakon që për çdo çështje të konsultonin Librin e Allahut, Kur'anin, dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij a.s.. Ky zakon nuk ka mbetur vetëm në kohën e tyre, ata e transmetuan edhe te brezi i tabi'inëve që i edukuan nëpër mbarë botën islame. Trajtimi i ngjarjeve brenda kornizës së Kur'anit dhe Sunetit u bë metodologji edhe për degët e dijes që u zhvilluan me kohën. Nga tefsiri, fikhu, tasavufi e deri tek kelami, të gjitha shkencat islame janë ngritur dhe zhvilluar mbi bazën e Kur'anit dhe Sunetit.
Në këtë shkrim, duam të shqyrtojmë vendin që zë hadithi në veprimtarinë shkencore të Imam Azam Ebu Hanifes, një ekspert i shquar në shumë fusha të dijes, prijës i muxhtehidëve dhe veçanërisht themelues i shkencës së fikhut. Gjatë historisë, ai është kritikuar nga disa për "dhënien përparësi arsyes dhe mosvlerësimin e hadithit" ndërsa nga të tjerë është vlerësuar lart. Edhe sot, disa e kritikojnë Ebu Hanifen duke thënë se vepron sipas haditheve të dobëta, nuk i jep rëndësi të mjaftueshme haditheve dhe është një transmetues i dobët i haditheve, akuza këto që nuk kanë lidhje me realitetin shkencor. Nga ana tjetër, disa të tjerë e ngrenë lart figurën e Ebu Hanifes dhe e përdorin atë gjoja si referencë për mohimin e hadithit, duke menduar se kështu se po ndjekin rrugën e tij. Karakteristika e përbashkët e këtyre dy grupeve është se nuk e njohin Imam Adhamin.
Ky moskuptim ose keqkuptim i Ebu Hanifes nuk ka ndodhur vetëm ditët e sotme, por është një fenomen që ka ekzistuar edhe në kohën e vetë Imam Adhamit. Një nga nxënësit e Ebu Hanifes, Ebu Mu'ti el-Belhi, tregon:
Një ditë, ndërsa isha në Xhaminë e Kufes me Imam Ebu Hanifenë, hynë brenda Sufjan eth-Theuri, Mukatil bin Haj-jan, Ham-mad bin Seleme, Xhafer es-Sadik dhe disa juristë të tjerë. Ata filluan të bisedojnë me Ebu Hanifen dhe i thanë:
"Kemi dëgjuar të thonë se ti përdor shumë krahasimin (kijas) në çështjet fetare. Prandaj, kemi frikë për ty, sepse i pari që përdori krahasimin ishte djalli". Imam Ebu Hanifeja, në një diskutim të gjatë me ta, nga koha e namazit të sabahut të së premtes deri në në kohën e namazit të xhumasë, shpjegoi mendimin dhe qëndrimin e tij dhe në fund tha: "Unë veproj fillimisht sipas Librit të Allahut, pastaj sipas sunetit të Pejgamberit a.s.. Pas kësaj, preferoj gjykimet (vendimet, konkluzionet) mbi të cilët sahabët kanë qenë në pajtim me njëri–tjetrin dhe jo ato mbi të cilët kanë pasur mosmarrëveshje. Vetëm pas kësaj përdor krahasimin (kijas)". Pas kësaj, të gjithë u ngritën dhe me nderim i thanë: "Ti je prijësi i dijetarëve, na fal për akuzat që kemi ngritur ndaj teje pa të njohur". Imam Ebu Hanifeja u përgjigj: "Allahu na faltë edhe ne, edhe ju, (Abdulveh-hab esh-Sharani", el-Mizan el-Kubra).
Imam Adham Ebu Hanifeja i jepte shumë rëndësi haditheve dhe këtë mund ta shohim në çdo fazë të jetës së tij. Sipas veprave biografike, Ebu Hanife kishte udhëtuar në vende të ndryshme për të mësuar hadithet, gjë që dëshmon vlerësimin e tij të madh për ta. (Imam Dhehebi, Sijeru A'lami en-Nubelâ). Për më tepër, një kritik i njohur dhe rigoroz si Jahja bin Main, ka thënë për Ebu Hanifenë: "Ai transmetonte vetëm hadithet që kishte mësuar përmendësh. Nuk transmetonte ato që nuk i kishte mësuar përmendësh". (Imam Dhehebi, Sijeru A'lami en-Nubelâ) Kjo fjalë është shumë domethënëse. Nga shprehja e Jahja bin Mainit kuptohet se Ebu Hanifeja, duke udhëtuar nga një vend në tjetrin për të studiuar hadithet, i mësonte përmendësh dhe më pas i transmetonte ato tek njerëzit. Burimet tregojnë se rreth tetëqind persona kanë transmetuar hadithe prej tij, (İsmail Hakkı Ünal, İmam Ebu Hanife'nin Hadis Anlayışı ve Hanefi Mezhebinin Hadis Metodu).
Hadithet zinin një vend të rëndësishëm në seancat mësimore të Ebu Hanifes. Ai i këshillonte ata që merrnin pjesë në mësimet e tij: "Ruajuni nga dhënia e mendimeve personale në çështjet që kanë të bëjnë me fenë e Allahut! Ndiqni sunetin! Kush largohet nga rruga e sunetit, do të devijojë", (Kasimi, Kavaidu et-Tahdith). Një herë, në një tubim ku po lexoheshin hadithet dhe ku ishte i pranishëm edhe Ebu Hanifeja, një nga banorët e Kufes erdhi dhe tha: "Lërini këto hadithe"! Imam Adhami e qortoi ashpër dhe i tha: "Po të mos ishte suneti, asnjëri prej nesh nuk do ta kuptonte Kur'anin", (Kasimi, Kavaidu et-Tahdith).
Për ata që studiojnë shkencat fetare, kjo këshillë e Ebû Hanifes ka vlefshmëri të përhershme, përtej kufijve të kohës: "Përderisa në mesin e tyre ka nga ata që studiojnë shkencën e hadithit, njerëzit do të vazhdojnë të jenë në rrugën e drejtë. Kurdo që të lënë mënjanë hadithin dhe të përpiqen të kërkojnë dije të pavarur nga hadithi, njerëzimi do të fillojë të prishet", (Kasimi, Kavaidu et-Tahdith).
Një nga shembujt më domethënës që shprehin vlerën e madhe që Imam Adhami i jepte hadithit, është edhe ky transmetim i Imam Muhammedit që e gjejmë në librin, Kitabu el-Athar: "Siç është transmetuar nga Ebu Hanifeja nga İbrahimi përmes Ham-madit, İbrahim en-Nehai nuk ka bërë sexhden e tilavetit në suren Sâd, sepse Abdullah bin Mesudi gjithashtu nuk ka bërë sexhde në këtë sure". Imam Muhammedi thotë: 'Megjithatë, ne jemi të mendimit se duhet bërë sexhde dhe ndjekim hadithin që është transmetuar nga Pejgamberi (s.a.v)'. Na është transmetuar nga Umer bin Dherr el-Hemedani, i cili transmeton nga babai i tij, i cili transmeton nga Said bin Xhubejr, i cili transmeton nga İbn Abbasi, i cili ka thënë se Pejgamberi (s.a.v) ka thënë: 'Në sexhden e sures Sad, Daudi a.s. ka bërë sexhde për pendim. Ne gjithashtu bëjmë sexhde për falënderim'. Ky është gjithashtu edhe qëndrimi i Ebu Hanifes. (Muhammed bin Hasan esh-Shejbani, Kitab el-Athar).
Nga ana tjetër, kur shqyrtohen me kujdes librat e haditheve që kemi në dispozicion, vërehet se hadithet përputhen me fetvatë e Ebu Hanifes. Kjo është një dëshmi që tregon se ai i ka marrë në konsideratë hadithet kur ka dhënë gjykime dhe se nuk ka vepruar në mënyrë të pavarur prej tyre. Kur disa rivajete në librat tanë të haditheve janë në kundërshtim me mendimet e Imam Adhamit, duhet të kuptohet se në prapavijë ndodhet ndonjë abrogim (nesh), ndonjë specifikim (tahsis) ose ndonjë arsye tjetër, e cila mund të gjendet me një shqyrtim të kujdesshëm.
Për të shqyrtuar vendin e hadithit në fetvat e Ebu Hanifes, një vend të veçantë ka vepra "İ'lau es-Sunen" e botuar në kohët e fundit. Autori i librit, Dhafer Ahmed et-Tehanevi, për të hedhur poshtë pretendimin se "Ebu Hanifeja nuk i jepte rëndësi haditheve", ka përmbledhur pas një studimi 20 vjeçar, 6123 hadithe në librin e tij prej 21 vëllimesh, që përmbledh hadithet që përputhen me ixhtihadet e Ebu Hanifes në çdo çështje fikhu. Ai ka vlerësuar çdo hadith nga këndvështrimi i metodologjisë së hadithit dhe i ka shqyrtuar gjithashtu çështjet nga perspektiva e fikhut.
Kur ky libër shqyrtohet me mendje të kthjellët dhe pa paragjykime, do të kuptohet rëndësia që Ebu Hanifeja i jepte haditheve dhe mjeshtëria e tij në identifikimin e sunetit. Kështu, do të vihet re se titulli "Imam Adham" është një titull i merituar.
Në përfundim mund të thëmi me siguri të plotë se Imam Adhami Ebu Hanifeja, si të gjithë imamët e tjerë, i ka dhënë një vend të veçantë haditheve në veprimtarinë e tij shkencore. Ai e ka ndërtuar shkollën e tij juridike mbi bazën e Kur'anit dhe haditheve. Në fakt, fjalët e tij që kemi cituar më lart, "Po të mos ishte suneti, asnjëri prej nesh nuk do ta kuptonte Kur'anin", janë një dëshmi e qartë për rëndësinë e haditheve në botëkuptimin e tij fetar dhe shkencor..
Autor: Dr. Mesut ÇAKIR