Si të shpjegohen kritikat ndaj Ebu Hanifes



- I -

Pyetje 1:

- Si mund të shpjegohen kritikat e ashpra që disa dijetarë i kanë bërë Imam Adham Ebu Hanifes?

Imam Buhariu ka thënë për Ebu Hanifen:

1. "Njeri i pabesë", (Tarih el-Kebir).
2. "Anëtar i sektit të devijuar Murxhie", (Tarih el-Eusat).
3. "Një njeri që është thirrur dy herë të pendohet për kufrin e tij", (Kitab edh-Dhuafai).

Gjithashtu, Sufjan bin Ujejne, një muhaddith i njohur dhe dijetar i Ehli Sunnetit, kur mori lajmin për vdekjen e Ebu Hanifes, tha: "Mallkuar qoftë! I preu një nga një damarët jetësorë të Islamit. Nuk ka lindur askush më i keq se ai ndër muslimanët", (Ibën Abdulbirr, el-İntika). Ndërsa, Ibën Xharudi, kur flet për Ebu Hanifen, thotë këto fjalë të tmerrshme: "Është e diskutueshme nëse ai ishte musliman apo jo", (el-İntika).

Përgjigje 1:

Kjo lloj kritike zakonisht buron nga informacioni i pasaktë. Një nga shembujt më të mirë të kësaj është biseda e mëposhtme ndërmjet Muhammed Bakirit dhe Imam Adham Ebu Hanifes:

Muhammed Bakiri e pyeti Ebu Hanifen: "A je ti ai që ka ndryshuar rrugën dhe hadithet e gjyshit tim duke përdorur kijasin"? Ebu Hanifeja iu përgjigj: "Ulu dhe qëndro ashtu siç të takon ty. Edhe unë do të ulemi ashtu siç më takon mua. Kam respekt për ju ashtu siç sahabët kishin respekt për gjyshin tuaj, Muhamedin a.s.".

- Tani më thuaj, a është femra më e dobët se mashkulli, apo anasjelltas?
- Si është raporti në ndarjen e trashëgimisë ndërmjet femrës dhe mashkullit?
- Cili është më i vlefshëm, namazi apo agjërimi?
- A është urina apo sperma e papastër?

Imam Bakiri tha: "Femra merr gjysmën e pjesës së mashkullit në trashëgimi, është më e dobët se mashkulli, namazi është më i vlefshëm se agjërimi dhe urina është më e papastër se sperma".

Ebu Hanifeja iu përgjigj: "Nëse do të përdorja kijasin, do të thosha se, duke qenë se femra është më e dobët se mashkulli, asaj i takon dy pjesë në trashëgimi. Gusli merret pas urinimit dhe abdesi pas ejakulimit. Po ashtu, do të urdhëroja që femra të bëjë kaza për namazet që ka lënë gjatë menstruacioneve, ndërsa për agjërimin që ka lënë gjatë kësaj kohe nuk do të kërkoja kaza. Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga ndryshimi i fesë së gjyshit tuaj përmes kijasit", (Muhammed Ebu Zehra, Tarih el–Medhahibi el–Fikhijjeti ue el- Islamijjeti el–Muasirati) .

Ky transmetim tregon se shprehjet e disa dijetarëve mbi Ebu Hanifen, të cilat kalojnë kufijtë e kritikës dhe analizës shkencore, janë rezultat i keqinformimeve dhe shpifjeve që kanë arritur deri tek ata.

Kjo shprehje e Ahmed bin Hanbelit gjithashtu ndihmon për të ndriçuar këtë çështje: "Ne dhe ehli reji (dijetarët e shkollës së mendimit) vazhdimisht e mallkonim njëri-tjetrin. Kjo gjendje vazhdoi deri sa u shfaq Imam Shafiu, i cili na pajtoi dhe na afroi", (Tehanevi, Kavaidu fi Ulumi el-Hadith).

Pra, nga kjo që kuptohet më lart, keqkuptimi i konceptit të 'rej'-it dhe informacioni i pakonfirmuar që shpërndahej gjithandej, sipas të cilit ata, ehlu rej (dijetarët e shkollës së mendimit) nxirrnin gjoja gjykime vetëm me arsyetim logjik, pa marrë parasysh ajetet dhe hadithet përkatëse, kanë bërë që disa dijetarë të arrijnë në përfundime të gabuara lidhur me Imam Adhamin.

Imam Ahmed bin Hanbeli e thotë shumë qartë se fushata e mallkimeve dhe e sharjeve të ndërsjellta në nivel konceptual, për shkak të keqkuptimit të konceptit të 'rej'-it, mori fund me ardhjen e Imam Shafiut, i cili i pajtoi këto dy grupe. (M. Ali Koca, Ebû Hanîfe Aleyhtarlığı ve Hadis İlmindeki Yeri, Kaf Dergisi, 1. Sayısı).

Sipas mendimit tonë, ajo që duhet të bëjmë është të mbledhim dhe shfrytëzojmë pasurinë shkencore të çmuar që na e kanë lënë trashëgim çdo njëri prej atyre dijetarëve të nderuar.


- II -

Pyetje 2:

- A e ka kritikuar Imam Buhariu Imam Adhamin?

Përgjigje 2:

Imam Buhariu në Sahihun e tij kritikon disa persona pa i përmendur emrat, duke thënë 'Disa thonë kështu'. Këto kritika duhet të pranohen si reflektime të debateve që zhvilloheshin në mesin e ehlu hadith-istëve dhe ehlu rej-istëve. Pavarësisht faktit të pranuar se shprehja 'Disa thonë kështu' e Imam Buhariut nënkupton Imam Adhamin, ka dijetarë që thonë se kjo shprehje është përdorur edhe për të treguar të gjithë ekolin e ehlu rej-it dhe Imam Muhamedin.

Imam Buhariu është gjithashtu një muxhtehid dhe si i tillë mund t'i drejtojë kritika dikujt tjetër. Kjo nuk e ul vlerën as të kritikuesit as të të kritikuarit. Imam Buhariu ka kritikuar mendimet që i janë dukur në kundërshtim me hadithin sahih, sipas gjykimit të tij.

Fakti është se Buhariu nuk ka qenë bashkëkohës i Ebu Hanifes. Për shkak se Ebu Hanife ka jetuar nga vitet 80 deri në 150 Hixhri, do të thotë se Buhariu ka lindur 44 vjet pas vdekjes së Ebu Hanifes. Megjithatë, mes tyre ka ekzistuar një mosmarrëveshje që nuk mund të mohohet. Shumë autorë librash e kanë trajtuar këtë çështje dhe veçanërisht hanefijtë kanë shkruar vepra të posaçme me qëllim mbrojtjen e figurës së Ebu Hanifes. Një prej këtyre veprave është me titull Keshfu el-Iltibas amma Euredehu el–Imam el-Buhari ala Ba'dhi en-Nas me autor Abdulgani el-Mejdani ed-Dimeshki.

Në përgjithësi, librat biografikë - (كتوب التراجم) - vënë në dukje rolin e Nuajm İbnu Hammad el-Mervezi mbi Buhariun, duke e bërë këtë të fundit kundërshtar të Ebu Hanifes. Megjithatë, sipas mendimit tonë, një pretendim i tillë, sipas të cilit një dijetar i kalibrit të lartë si Buhariu qenka ndikuar nga Nuajm bin Hammadi, na duket i pavend.

Lidhur me arsyet e kundërshtimeve të Buhariut ndaj Ebu Hanifes, përveç shpjegimit të lartpërmendur, janë dhënë edhe shpjegime të tjera. Sipas njërit prej tyre, kur u kthye në qytetin e Buharës pas një udhëtimi me qëllime shkencore, Buhariu u bë viktimë e xhelozisë së disa dijetarëve hanefij atje, të cilët, me pretekstin e një fetvaje të gabuar nga ana e tij, bënë të mundur që ai të dëbohej nga Buhara. Në krye të kësaj çështjeje, rolin kryesor e luajti shoku i tij i studimeve, Ebu Hafs es-Sagir el-Buhari, i cili ishte një autoritet i lartë hanefit në Maveraunnehr (Transoksania). Thuhet se Buhariu, i prekur nga sjelljet e këqija të të tjerëve ndaj tij, si çdo njeri, ra preh e emocioneve dhe mori qëndrim kundër hanefijve.

Sipas një shpjegimi tjetër, duke qenë se edhe Buhariu ishte fakih, në çështje të ndryshme ai ka bërë ixhtihade të kundërta me ato të Ebu Hanifes. Në këtë mënyrë, kanë pasur dallime në ixhtihade, një situatë kjo e ngjashme edhe midis imamëve të tjerë.

Për të kuptuar sa i saktë është ky shpjegim, është e nevojshme të sjellim në vëmendje këto fjalë të Imam Ahmedit: "Ne dhe ehli reji (dijetarët e shkollës së mendimit) vazhdimisht e mallkonim njëri - tjetrin. Kjo gjendje vazhdoi deri sa u shfaq Imam Shafiu, i cili na pajtoi dhe na afroi", (Tehanevi, Kavaidu fi Ulumi el-Hadith).

Shkurtimisht mund të themi se, si një muhaddith që ishte, Imam Buhariu ka kritikuar Imam Ebu Hanifen në disa çështje, duke qenë që Ebu Hanife ishte një nga 'ehli rej'. Si një muhaddith i shkëlqyer dhe një fakih muxhtehid që ishte, është krejt normale që Imam Buhariu të konsideronte ixhtihadin e tij më të saktë se atë të Imam Ebu Hanifes. E njëjta gjë vlen edhe për imamët e tjerë. Një muxhtehid mund të mos bjerë dakord me ixhtihadin e një muxhtehidi tjetër.


- III -

Pyetje 3:

- A e ka quajtur Imam Shafiu në librat e tij Imam Ebu Hanifen ogurzi?

Përgjigje 3:

Në kërkimet e bëra, nuk është gjetur një informacion të tillë. Në të vërtetë, Imam Shafi është shprehur kështu për Ebu Hanifen dhe nxënësin e tij, Imam Muhammedin: "Njerëzit janë fëmijët e dijetarëve të Irakut, të cilët janë fëmijët e dijetarëve të Kufes, të cilët janë fëmijët e Imamit të Madh Ebu Hanife", (Ibën Tejmijje, Minhaxhu el-Sunne Tehanevi, Kavaidu fi Ulumi el-Hadith, Nishanxhizade Muhammed bin Ahmed, Mir'at el-Kainat).

Kjo është një fjali që thekson ndikimin e madh të Ebu Hanifes në fushën e jurisprudencës islame dhe fikhut, si nëpërmjet nxënësve të tij të drejtpërdrejtë, ashtu edhe nëpërmjet ndjekësve të tyre dhe ndikimit të tij të tërthortë mbi brezat e mëvonshëm. Pra, tregon se trashëgimia e tij shkencore ka pasur një ndikim që ka vazhduar për shumë breza.

Në një vend tjetër citohet Imam Shafiu të ketë thënë kështu: "Allahu më ka ndihmuar me dy persona në çështjen e diturisë. Në hadith ishte Ibën Ujejne, dhe në fikh ishte Imam Muhammedi. Këtij të fundit i detyrohem më shumë se kujtdo tjetër, madje edhe në çështjet e kësaj bote. Me ato që mësova prej tij, kam shkruar material sa një barrë deveje. Po të mos ishte ai, nuk do të kisha përfituar asnjë njohuri", (Nishanxhizade Muhammed bin Ahmed, Mir'at el-Kainat).

Përveç kësaj, gjëja e parë që bëri Imam Shafiu ditën që hyri në Bagdad, ishte vizita në varrin e Ebu Hanifes, ku në vendfaljen aty pranë, fali namazin e sabahut pa lexuar duatë e Kunutit, edhe pse ai mbronte idenë se këto dua duhej të lexoheshin në këtë namaz.

Kur e pyetën pse nuk i lexoi duatë e kunutit, Imam Shafiu u përgjigj: "Më erdhi turp të veproja në kundërshtim me atë që ka thënë Ebu Hanifeja. Kjo është arsyeja e veprimit tim", (Imam Sharani, el-Uhudu el–Kubra).

Po, ashtu siç na bën me dije Bejhakiu, Imami Shafiu tregonte kujdes me hadithet që transmetonin banorët (ekoli) e Irakut. Megjithatë, është po vetë Bejhakiu që na përcjell edhe këto fjalë nga Imam Shafiu: "Pranojmë hadithet e transmetuara nga ata që njihen për ndershmëri (saktësi) dhe kujtesë të fortë, qofshin ata nga banorët e Irakut apo nga vendi ynë, (Mekke, Medine ose Egjipt). Ndërsa refuzojmë të pranojmë hadithet e transmetuara nga ata që njihen për gabueshmëri, qofshin ata nga banorët e Irakut apo nga vendi ynë. Kjo është një çështje për të cilën nuk tolerojmë askënd dhe as nuk bëjmë padrejtësi ndaj askujt", (Bejhaki, Marifetu es-Suneni ue el–Athar).

Por, për fat të keq, duke përdorur disa transmetime që janë me siguri të pavërteta, disa njerëz janë përpjekur të lenë në hije këto konsiderata të shprehura nga Imam Shafiu, të cilat duhet të jenë mendimet e çdo njeriu të ndershëm që merret me studime islame. Për më tepër, është e rëndësishme të theksohet se këta autoritete të shkencave islame, përveçse kanë pasur marrëdhënie si nxënës dhe mësues me njëri-tjetrin, por edhe kanë shkëmbyer dituri dhe eksperiencë shkencore dhe kanë zhvilluar diskutime serioze. Imam Muhammedi ka transmetuar Muvattanë e Imam Malikut, ndërsa Imam Shafiu ka përfituar nga librat e Imam Muhamedit, (Keutheri, Te'nib el–Khatib).

Për të vazhduar arsyetimin, mund të shtojmë se është e vërtetë që Imam Muhammedi ka shkruar një vepër me titull 'Kitab el-Huxhxhe' ku ka shprehur kundërshtimin ndaj mendimeve dhe ideve të shkollës së Medinës, po ashtu është e vërtetë që Imam Shafiu në librin e tij 'Kitab el-Umm' ka kundërshtuar Imam Muhammedin në mënyrë shkencore dhe të argumentuar. Megjithatë, as Imam Muhammedi nuk e ka fyer Imam Malikun, si autoriteti më i lartë shkencor i shkollës së Medinës, dhe as Imam Shafiu nuk ka fyer Imam Muhammedin. Për më tepër, siç e përmendëm edhe më parë, Imam Shafiu, kur bëhet fjalë për shkencën e fikhut, i ka konsideruar të gjithë si fëmijë të Ebu Hanifes, dhe ka përdorur fjalë të lavdërueshme për Imam Muhammedin, nxënësin e Ebu Hanifes dhe mësuesin e tij.

Teksti i mëposhtëm është një poezi kuptimplotë që Imam Shafiu ia ka dedikuar Ebu Hanifes:

Tokën qëndise dhe sipër ç'mban,
O Ebu Hanife, o Imam Adham,
Me ligje, përshkrime dhe gjykime,
Si frazat e librit, përmbi shënime.

Në Kufe dhe gjetiu s'ka kush të sfidon,
Aty ku lind dielli, gjer tek perëndon.
Mëshirë prej Zotit mbi ty u dërgoftë,
Për aq sa vepra jote u lexoftë.

(Divani i Imam Shafiut)



Përgatiti: Eduard SHEFKIU

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...