A është e vërtetë se Imam Ebu Hanife (r.a.) besonte se Zoti (xh.sh.) është në qiell?



Antromoporfistët [1] dëshirojnë të argumentojnë se Allahu gjendet në qiell, duke përdorur një thënie që i është atribuuar Imam-ul-Adham Ebu Hanifes (Rahimehullah):

Thënja (që i mveshet atij) është kjo: "Kur është pyetur për mendim për ata të cilët thonë: 'Nuk e di a është Allahu në tokë apo në qiell', Ebu Hanife r.a. thotë: 'Ka bërë kufër (mosbesim)', sepse Allahu thotë: 'I Gjithëmëshirshmi qëndron mbi Arsh'. Kurse Arshi i tij është mbi shtatë qiej. Pastaj është pyetur: 'Çka nëse thotë se Allahu është mbi Arsh por thotë se nuk di a është Arshi në tokë apo në qiej'. Ebu Hanife thotë: 'Ka bërë kufër'".

- Përgjigja për këtë:

1. Ky transmetim, në zinxhirin e tij e ka Ebu Muti'un, i cili është i akuzuar nga dijetarët e hadithit si rrenacak (gënjeshtar), kështu që transmetimet e tij janë të refuzuara.

Ky transmetim gjendet në veprën e Dhehebiut "el-'Uluw", si dhe në librin e ibn Ebi Izz el-Hanefi, një antropomorfisti prej të cilit kanë hequr dorë dijetarët hanefij.

Vetë Imam Dhehebiu thotë (në Muhtesar fq. 136 #118, el-'Uluw fq. 391 #327) se të gjitha ato sipër janë transmetuar nga Ebu Muti' el-Hekem ibn 'Abdallah el-Behi 'i cili është i Braktisur si transmetues' sipas Imam Ahmedit, Ibn 'Adit, Ebu Dawudit, 'është Gënjeshtar' sipas Ebu Hatimit, 'është Gënjeshtar dhe Falsifikues' sipas vetë Dhehebiut, siç është transmetuar nga Ibn Haxher el-Askalani esh-Shafii! [2]

2. Por, edhe po te jetë ashtu (d.m.th. të jetë transmetimi i vërtetë) teksti që përmendet nga autoritet Hanefij është: "Kushdo që thotë: 'Nuk e di nëse Zoti im është në qiell apo në tokë' është pabesimtar, dhe, ngjashëm, kushdo që thotë, 'A është (i lartësuar) mbi arsh dhe nuk e di se ku është Arshi, në tokë apo në qiell' është pabesimtar".

- a. Mulla Alij el-Karij, në komentimin e veprës "el-Fikhul-Ekber" me titull "Rewd'ul-Ez'her fi Sherhi Fikh'il-Ekber", thotë: "Dhe përgjigjja në këtë është ajo që e ka theksuar Imam Izz ibn Abdusselam në librin Hal-lur-Rumuz: "Është thënë se Imam Ebu Hanife r.a. ka thënë: 'Kush thotë: Nuk e di a është Allahu në qiej apo në Tokë, ka bërë kufër', sepse nga një fjalim i tillë mund të kuptohet se Allahu e ka ndonjë vend. Ai që mendon se Allahu e ka ndonjë vend ai është mushebbih"".

- b. Bejediu në veprën "Isharat el-Meram" thotë: "Kjo, sepse ai implikon që Krijuesi ka një drejtim dha kufij, dhe çdo gjë që posedon drejtim dhe kufij është domosdoshmërisht e krijuar. Kështu që kjo thënie qartazi i atribuon papërsosshmëri (mospërkryerje) Allahut të Lartësuar. Ai i cili beson në drejtimin dhe trupësinë (e Qenies Hyjnore) është ai që mohon ekzistencën e çdo gjë tjetër pos (ekzistencës së) objekteve që mund t'u drejtohemi përmes shqisave. Ata mohojnë Ekzistencën e Zotit që është mrekullueshëm përtej kësaj. Kjo bëhet shkak që ata të jenë fajtor për mosbesim (kufr)". [3]

3. Siç përmendëm më sipër, transmetimi gjendet në veprën e Imam Dhehebiut "el-'Uluw" dhe në veprën "Sherh Akidetu et-Tahavij" nga Ibn Ebi Izz el-Hanefij.

- a. Vehabistët e quajnë këtë vepër "vepra më e shkëlqyer e tij" sepse u shkon për shtat doktrinës (kredos) së tyre antropomorfite, por kjo është plotësisht e pavërtetë, sepse sikur të ishte kjo "vepra më e shkëlqyer e tij" pse do të hiqte dorë vet imam Dhehebiu nga kjo vepër, duke thënë: "E kam kuptuar se (ky libër) përmban transmetime të pabaza dhe thënie nga njerëz që kanë folur lirshëm (pa përgjegjësi), kështu që unë nuk u përmbahem atyre shprehjeve, as nuk i ndjek ata njerëz aty - Allahu i faltë ata - as nuk i konsideroj vetën të lidhur me këto derisa të jem gjallë. Ky është besimi im, dhe e di që Allahu - 'Askush nuk është sikur ai', (44:11)". [4]

- b. Ibn Ebi iz el-Hanefi është një antropomorfit prej të cilit kanë hequr dorë dijetarët Hanefij, dhe nuk përfaqëson shkollën Hanefite, ndonëse në fikh është ndjekës i Hanefijve. Hanefij në fikh ishin edhe disa dijetar Mu'tezil, por a do të thotë kjo që ata përfaqësojnë akidës e Imam adham Ebu Hanifes? Assesi! I pastër është Ebu Hanife nga ajo që i atribuojnë armiqtë e tij dhe injorantët!



Përgaditi: Fatih IBRAHIMI



_________________________

[1] - Ata që besojnë se Allahu është trup, ka madhësi dhe limite, dhe se cilësitë e Allahut duhet kuptuar literlisht, ngjasojnë Allahun me krijesat e tij, etj., p.sh., kur thuhet "Jed" (fjalë e cila ka shumë kuptime në gjuhën arabe), prej të gjitha kuptimeve të mundshme, patjetër duhet nënkuptuar dora si gjymtyrë - dhe nuk duhet komentuar figurativisht. Qëndrime të tilla kanë edhe neo-Selfistët (vehabistët).
[2] - Lisan el-Mizan (2:407).
[3] - Siç është cituar nga Imam Kevtheriu, "Huturat el-Kawl bi el-Xhiha" në veprën e tij "Mekalat" (fq. 368-369).
[4] - Cituar dhe reprodukuar me fotografi në fillim të veprën el-'Uluw të Dhehebiut, Ketë e Transmeton dijetari i hadithit Ibn Nasir el-Din el-Dimeshki me shkrimdore te tij në faqen e parë të dorëshkrimit origjinal të "el-'Uluw".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...