Veprimet që e prishin agjërimin, riagjërimi kaza dhe dënimi i qefaretit



Nëse një njeri i obliguar fetarisht (el-mukelef), që është me agjërim dhe me nijet te shëndoshë, kryen diçka prej gjërave që do të theksohen në vijim edhe atë me vullnet të lirë e jo i detyruar dhe në mënyrë të vetëdijshme dhe të ndërgjegjshme, obligohet me riagjërim kaza të ditës së prishur plus asaj edhe me dënimin e qefaretit (shpagimit).

Dënimi i qefaretit rrëzohet atëherë kur pas prishjesh së agjërimit vjen ndonjë shkak që e lejon prishjen e agjërimit si p.sh. personi që e ka prishur agjërimin kaplohet nga ndonjë sëmundje. Por, me kusht që personi në fjalë të mos të jetë vetë shkaktar i kësaj sëmundjeje.

Po ashtu dënimi i qefaretit rrëzohet edhe në rastin kur para prishjes së agjërimit, agjëruesi bëhet udhëtar dhe pastaj e prish atë. Ndryshe, nëse udhëtimi shkaktohet pas prishjes, ngase dijetarët janë të një mendimi kur flitet për obligimin e riagjërimit kaza, plus asaj edhe obligimin e dënimit të qefaretit për personin që niset në udhëtim pasi ta ketë prishur agjërimin.

Veprimet që obligojnë riagjërimin kaza të ditës së prishur, plus asaj edhe dënimin e qefaretit janë:

1. Ngrënia apo pirja e gjërave që normalisht janë ushqim i zakonshëm.

2. Ngrënia e gjërave që janë të ngjashme me ushqimet e zakonshme, gjërave që natyra e pastër njerëzore anon në konsumimin e tyre dhe me këtë konsumim arrihet kënaqësia e barkut.

3. Ngrënia e gjërave që ndikojnë në shërimin e trupit si puna e ilaçeve, ngase natyra e pastër njerëzore anon në konsumimin e ilaçeve, për shkak të shërimit të trupit. Kjo, nëse personi në fjalë mund të agjëroj pa ndonjë vështirësi dhe mund të vonoj konsumimin e këtyre ilaçeve deri në çeljen e iftarit.

4. Njashtu agjërimi prishet dhe obligohemi me kaza dhe me qefaret edhe me konsumimin e gjërave që si zakonisht i kërkon epshi njerëzor si haja e mishit të pagatuar, pastërmës, kokërrave të grurit, gëlltitjes së shiut, breshërit apo borës.

5. E njejta gjë vlen edhe për ngrënien e kripës në sasi të paktë.

6. Konsumimi i të gjitha llojeve të duhanit, ngase arritja e kënaqësisë me anë të konsumimit të tyre është e dukshme.

7. Futja e organit gjenital në ndonjërën prej dy rrugëve të jashtëqitjes së njeriut të gjallë (edhe pse kjo gjë në vrimën anale është vepër e ndaluar). Këtu nuk ka rëndësi ejakulimi. Dënimi i qefaretit së bashku me riagjërimin kaza obligohet si për personin që e vepron këtë akt, njashtu edhe për atë mbi të cilin kryhet ky akt. Në fikhun shafii, dënimi i qefaretit ndërlidhet vetëm me këtë akt.


Çka është dëdinimi i qefaretit?

Qefareti është dënim i caktuar nga Allahu Fuqiplotë dhe i detyruar për personin i cili kryen disa veprime të ndaluara dhe të caktuara. Ky dënim është ligjësuar për të pastruar mëkatet e personit në fjalë. Dënimi i qefaretit ndryshon në bazë të mëkatit të kryer.

Sa i përket qefaretit të agjërimit, ai është tre nivelësh. Sipas shkollës hanefite është kusht respektimi i renditjes së niveleve të qefaretit të agjërimit. Fillimisht duhet liruar një skllav, pastaj nëse pamundësohet një gjë e këtillë, atëherë obligohemi me agjërim dhe nëse pamundësohet edhe kjo gjë, atëherë obligohemi me shpërndarje të ushqimit për varfanjakët.

Ndërsa, Shafiu rahimehullah është i mendimit se, mëkatari ka mundësinë e zgjedhjes në mes këtyre niveleve të qefaretit të agjërimit. Sipas tij, nëse dikush është i mundshëm të liroj një skllav, duhet ta bëj këtë gjë. Nëse është i fuqishëm për agjërim duhet shpaguar me agjërim dhe nëse është i pasur e ka mundësi për ushqimin e varfanjakëve, atëherë duhet të shpërndaj ushqim.

Nivelet e qefaretit të agjërimit sipas shkollës hanefite janë:

1. Lirimi i një skllavi të shëndoshë që nuk ka sëmundje paaftësuese, si çmenduri, verbëri dhe pagojëri. Këtu nuk ka rëndësi përkatësia fetare e skllavit. (Ky nivel në kohën bashkëkohore nuk ekziston më, për shkak të ndalimit të skllavërisë, gjë që ka qenë edhe njëri nga synimet e Fesë Islame, ngase vetë përmendja e tyre në këtë nivel, hap një derë të madhe për të fituar lirinë e tyre të shtrenjtë, (Shënim i përkth.).

2. Agjërimi i pandërprerë për dy muaj, gjatë të cilëve nuk duhet të ekzistoj Ditë Bajrami, apo Dit Teshriku dhe as edhe ndonjë ditë e prishur për shkak të ndonjë asryes të ligjshme, me përjashtim të përmuajshmeve, ngase ato nuk e shkëputin pandërpreshmërinë e këtij dënimi, për shkak se kjo gjë përsëritet shpesh.

3. Nëse një njeri e ka të pamundur agjërimin pandërprerë për dy muaj, për shkak të ndonjë sëmundjeje apo për shkak të moshës së shtyrë, atëherë ky njeri duhet të ushqej 60 varfanjakë me nga dy ushqime të bollshme. Me kusht që ata që hanë ushqimin e dytë të jenë të njejtit që e kanë ngrënë edhe ushqimin e parë. Vlen të theksohet se këtu nuk është kusht tubimi i tyre në një vend.

Po ashtu lejohet që të ushqehet edhe një varfanjak i vetëm për 60 ditë nga dy ushqime në ditë. Ngase nevoja e tij ripërtërihet për çdo ditë dhe për çdo ditë të re ai konsiderohet si varfanjak i ri. Po ashtu lejohet që këtyre 60 varfanjakëve t'u jepet nga 1/2 e sa'a-it (rreth 2 kg.) të grurit apo miellit të grurit, apo 1 sa'a (4 kg.) hurma ose elb ose rrush të thatë. Po ashtu lejohet edhe dhënia e vlerës së 1/2 së sa'a-it të grurit apo vlerës së 1 sa'a-it të sendeve tjera të theksuara.

Siç u theksua në fillim se, dënimi i qefaretit rrëzohet nëse në ditën në të cilën obligohet ky dënim personit të dënuar i shfaqen menstruacionet, lehonia apo edhe ndonjë sëmundje që lejon prishjen e agjërimit. Ndërsa, nëse sëmundja është shkaktuar nga vetë personi në fjalë si p.sh. të plagos veten e tij, në këtë rast dënimi i qefaretit nuk rrëzohet nga personi i dënuar.

Një dënim i vetëm i qefaretit mjafton për shumë ditë të prishura dhe të kaluara. Kjo, ngase qefareti është ligjësuar për qortim dhe se ky qortim realizohet edhe me një qefaret. Andaj, për njeriun i cili e përsërit prishjen e agjërimit disa herë edhe atë pa ndonjë arsye të ligjshme fetarisht, i mjafton vetëm një dënim qefareti, qoftë edhe nëse këto ditë të prishura gjenden në një, dy apo edhe më shumë Ramazane.



Autor: Ibrahim Selkini EL-HANEFI
Përktheu: Hazir SELMANI



_________________________

Burimi: El-Fikhu'l-islami ehkamu's-saumi ve'z-zekati ve'l-haxhi.
Damask: Universiteti i Damaskut, 2007. Bot. IX, vol. II, fq. 43-45.
Autor: Prof. Dr. Mufti Ibrahim Selkini el-Hanefi (Allahu e Mëshiroftë!).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...