Është bërë monotone biseda për vehabizmin!



Para pak ditësh pata rastin të bisedoj me Dr. Ismail Bardhin, ish-dekan i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup të Maqedonisë dhe autor kohët e fundit i librit "Kriza e teologjisë myslimane shqiptare". Ne biseduam për librin e tij, për përplasjet e fundit etnike në Maqedoni, për vehabizmin, institucionet fetare, organizatat misionare dhe planet e tij profesionale per të ardhmen. Aktualisht Dr. Bardhi është studiues vizitor në Rosemont College në ShBA.

Intervistoi Besnik Sinani.

P: Para pak kohësh ju botuat librin tuaj të fundit, "Kriza e teologjisë myslimane shqiptare". Shumë nga çështjet që ju adresoni duket të lidhen me realitete globale që shihen në shumë vende dhe në religjione të tjera. Cila është specifika shqiptare në këtë krizë?

IB: Natyrisht se teologjinë nuk kemi mundësi ta ndajmë nga tërësia e saj, që është një tërësi në vetvete. Kur them tërësi në vetvete, mendoj edhe në atë judeo-krishtere. Kjo ndarje është krizë, e cila për fat të keq vazhdon të jetë edhe si ndarje edhe si krizë. Këtu duhet një lëvizje e madhe që kjo "ndarje" të mos jetë më ndarje, por të jetë bashkëpunim me qëllim që besimtarët të ndjehen më të sigurt në besimet e tyre, në mësimet e tyre fetare, sepse kemi krizë të madhe globale në dimensionin moral.

Tani, sa i përket teologjisë muslimane, edhe tek ajo vërehet kriza e madhe teologjike dhe shpirtërore. Teologjike për arsye se është futur në të kaluarën e saj, në një gjumë të thellë, që shpesh herë interpretimin e vet e bën duke u bazuar mbi "qëllimet e mira" dhe të kaluarën, që nuk përputhet me vetë thirrjen teologjike. Kjo ka bërë që edhe të mos zhvillohet një teologji sistematike, nëse mund të them një teologji "shkencore". Këtë anë të errët të teologjisë e shohim, apo e vërejmë në komunikimin me vende të tjera, komunikimin me shkencën, komunikimin me institucionet e ndryshme. Kjo është një hapësirë shumë e vështirë dhe jo e lakmueshme për brezat e sotëm, që mëtojnë të merren me teologjinë.

Sa i përket anës shpirtërore, mjafton një vështrim i shkurtër botës "muslimane" dhe të shohim se çka po ndodh, se sa rënkime të mëdha dëgjojmë. Ne jemi dëshmitarë se një kohë të gjatë në hapësirën muslimane teologjia e saj, për fat të keq, është bërë shërbëtore e politikave lokale. Këto lëvizjet, apo tronditjet, e fundit që i shohim këto ditë na bëjnë të qartë se çfarë teologjie ka mundur të zhvillohet nën regjimet despotike.

Por, për arsye se kjo temë është shumë e gjerë, unë po i kthehem pyetjes suaj: "cila është specifika shqiptare në këtë krizë"? Unë mu për këtë arsye në librin tim e kam shtjelluar kuptimin natyror e global të teologjisë, edhe atë institucional të fesë, për arsye se edhe njëra edhe tjetra kanë qenë dhe janë në "frigorifer". Kjo do të thotë se teologjia "jonë", nuk dihet sa është e gjallë apo e vdekur. Këtë teori e dëshmon vetë fakti se nuk kemi punime të rëndësishme teologjike, nuk kemi disiplina teologjike të zhvilluara, nuk kemi as autorë që shtjellojnë një gjë të tillë. E të mos flasim për studimet krahasimtare, që është një kërkesë shumë me rëndësi për teologjinë muslimane. Me vite të tëra vërehet mungesa e fjalorit të teologjisë muslimane shqiptare dhe roli i saj. Pse kjo të ndodhë me ne dhe pse ne mos jemi hisedarë në këtë!?!

Roli i teologjisë është shumë i madh, gjithkund, dhe në çdo kohë, ajo është konsideruar si nëna e shkencave. Kurse sot ne në hapësirën shqiptare, atë e gjejmë të izoluar nga institucionet, siç janë akademitë dhe universitetet. Për fat të keq, këto institucione e kanë zbrazur vetveten nga bukuria e teologjisë, duke ditur se sot në hapësirën e Evropës për çdo ditë mbahen tubime dhe organizime shkencore ku flitet për krizën e njeriut, për fundin e teologjisë dhe të filozofisë dhe krizën shpirtërore të kohës moderne, e ku për fat të keq askush nga teologët shqiptarë nuk merr pjesë. Më e keqja është se në disa raste marrin pjesë ish "disidentë", apo ish-marksistë. Paramendoni se me çfarë gjuhe dhe për çka mund të flasin ata, kur fare nuk kanë "veshë" e as "sy" për një gjë të tillë.

P: Në Maqedoni po shohim një përplasje të re midis shqiptarëve dhe maqedonasve në lidhje me projektin e ndërtimit të një kishe - muze në kalanë e qytetit. Duket sikur simbolet fetare po përdoren në konflikte etnike. Si teolog, cili duhet të jetë qëndrimi fetar në këto konflikte?

IB: Kishat dhe xhamitë nuk i prishin besimtarë, por jo-besimtarë. Për fat të keq, ne këtë rast sërish u vërejt tradhtia politike që iu bëhet besimtarëve shqiptarë. Mënyra e veprimit të politikës dhe përkrahja e saj ishte idioteske dhe "terroriste". Por, qëllimi i tyre ishte ta shfrytëzojnë naivitetin e besimtarëve dhe të institucioneve fetare vetëm për përfitime politike. Në këtë rast bënë mirë institucionet fetare që nuk u përfshinë në këtë skenar. Sikletet në hapësirën e Maqedonisë janë të mëdha, paramendoni pa ndërprerë Maqedonisë i thuhet se ka problem kombëtar, shtetëror e fetar, e ata bëhen të shurdhër dhe shtiren kinse nuk ka asgjë. Unë nuk e di se çka ka mundësi të thuhet pas një gjëje të tillë. Më e keqja është se ata kanë marrë një vrull vetëm në të këqija, dhe as vetë nuk e dinë se çka janë duke bërë. Keqpërdorimi i simboleve të fesë në Maqedoni është shumë i dukshëm, si të atyre islame ashtu edhe të krishtere: islamet i shkatërrojnë, ndërsa të krishterat i keqpërdorin, siç është rasti me kryqin e madh pa fe dhe pa Zot. Këtu kemi një zbrazëti të madhe, zbrazëtia e dëgjueshmërisë ndaj Fjalës së Zotit dhe shpirtit të çiltër fetar. Këtu shihet dukuria e mega-trendit të religjionit. Sociologët me siguri do të thoshin se këto janë traumat e post-komunizmit ose të ateizmit vulgar. Por, këtu ekziston edhe një zbrazëti e madhe në Maqedoni, se këta nuk marrin mësim nga zhvillimet në Evropë rreth statusit të institucioneve fetare dhe të fesë. Vendet me të zhvilluara në Evropë kanë kujdes të veçantë ndaj institucioneve fetare, respektivisht vakëfeve, kurse tek ne jo vetëm që janë shkatërruar, por akoma vazhdon kjo mendësi e errët e Maqedonisë për shkatërrimin e tyre. Më e keqja është se gjithë hapësirën e Maqedonisë e kanë shndërruar në një skenë teatrore dhe i dhunojnë edhe simbolet fetare dhe i ndërtojnë në terr. Diçka që ndërtohet në terr, është pengesë për vetveten dhe dëshmon mjerimin, në këtë çast, të Krishterimit. Po të ndodhte kjo me ndonjë xhami do të thosha për mjerimin e Islamit.

Qëndrimi fetar rreth gjithë kësaj duhet të jetë që së pari të respektohen Libri i Shenjtë, respektivisht Kur'ani dhe tradita e Pejgamberit a.s. dhe të krijohen mundësi për një bashkëpunim sa më të mirë me institucionet e tjera fetare, që t'i largohen ndikimin të politikës ditore. Por, për këtë nevojitet seriozitet, dashuri dhe mençuri.

P: Vitin e kaluar pati një rritje të interesit ndërkombëtar në lidhje me raportet për prezencën e selefizmit, apo vehabizmit në Maqedoni. Ju vetë keni qenë kritik ndaj këtyre fenomeneve. Disa nga këta zëra nga brenda Maqedonisë e paraqesin këtë prezencë si rrezik për sigurinë kombëtare duke sugjeruar lidhje me terrorizmin. Të tjerë e paraqesin këtë si rrezik ndaj traditës fetare në Maqedoni. Sipas jush, a është prezenca e formave të selefizmit rrezik sigurie i lidhur me terrorizmin apo sfidë ndaj traditës fetare në Maqedoni? Apo të dyja, apo asnjëra?

IB: Jo vetëm se vitin e kaluar, por një kohë të gjatë kemi raporte të ndryshme të tilla. Këto raporte duhet të kenë një rol, por roli i tyre për fat të keq shpeshherë u ka shërbyer (jo) qëllimeve të caktuara. Shpesh herë këto raporte kanë bërë që të vërtetën ta anashkalojnë dhe të krijojnë shqetësime të kota. Kjo është një padrejtësi shumë e madhe, është ky një raport i pakuptimtë. Përpos kësaj, ne e kemi korrupsionin problem më të madh politik dhe shkatërrimin kulturor, e neve sërish na mashtrojnë të merremi me "leshin" dhe me rrobat e njerëzve. Tashmë është bërë monotone të flitet për problemin e vehabizmit dhe selefizmit, në radhët e tyre ka njerëz të mirë por edhe të "këqij", ka të mençur dhe "budallenj". Vehabizmi është më tepër problem për vetë teologjinë muslimane, sepse po krijon një shqetësim brenda traditës së vendit dhe të kohës. Ne duhet ta pastrojmë fjalorin tonë kur flasim për njerëz të etiketuar, kriminogjenë e terroristë. Terroristët e kriminogjenët nuk kanë as komb e as fe, ata kanë qenë të këqij, janë të këqij dhe do të jenë të këqij.

Ju e dini që unë jam teolog dhe shpesh herë teologët nuk pajtohen me konstatimet rreth fenomeneve të ndryshme, qofshin ato konstruktive apo shkatërrimtare. Feja është e gjallë, nuk është statike, Zoti është i Gjallë dhe Mbikëqyrës i gjithësisë, feja ka mëshirën dhe udhëzimin dhe dashurinë, kurse kjo në kërkimet sociologjike dhe politike nuk mund të vërehet. Paraqitja e sekteve nuk është diçka e re dhe kjo dukuri çdo herë ka luajtur një rol shqetësues. Por, këtu vazhdimisht duhet të kemi diçka parasysh: çdo lëvizje apo grup fetar që mëton ta etiketojë veten me diçka, duhet të jetë i vetëdijshëm se ku e ka vendin e vet në fe, në Kur'an dhe Sunnet. Është për t'u habitur që fraksionet e harrojnë multikulturalizmin, multi-interpretizmin ose shtatë fytyrat e Kur'anit, e lëre me të shpirtit të Fesë islame.

P: Organizata apo individë që janë akuzuar për vehabizëm nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë janë përgjigjur duke akuzuar Bashkësinë Fetare Islame për paaftësi dhe se përdorin retorikën kundra radikalizmit vetëm për të shuar zërat e kritikave ndaj tyre. Kush është mendimi juaj për rolin e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë si institucion përfaqësues dhe organizues i jetës fetare në vend? A jeni ju dakord apo kundërshtoni kritikat e ngritura ndaj tyre?

Siç thashë edhe më sipër, bashkësitë fetare tek ne, respektivisht Bashkësia Fetare Islame në Maqedoni, me këtë veprim po e dëshmon thënien time se këto i kanë shërbyer shërbimeve dhe partive të ndryshme. Këtu ajo e tregoi "fytyrën" e vet dhe e mori rolin e Jankullovskës (ministres së brendshme të Maqedonisë). Ashtu është kur nuk i shërben të vërtetës, e vërteta gjithsesi do të dalë në shesh, do ta tregojë fytyrën e saj. Ishte dhe është turp i madh, faktikisht u dëshmua paaftësia e institucionit fetar dhe i përzjeu punët ashtu që punët e tjetërkujt i mori mbi vete, ndërsa të vetat ia dha tjetërkujt. Ajo është e thirrur ta korrigjojë dhe ta përcjellë jetën fetare, kulturën fetare dhe institucionale të besimtarëve dhe të jetë e ashpër ndaj paraqitjeve të ndryshme: sot vehabistët, nesër mund t'jenë të tjerë. Rrëshqitjet e selefizmit dhe të vehabizmit janë të dukshme, mendoj se atyre ju mungon hapësira e të menduarit. Dëshmi e mjaftueshme për këtë është që sillen me fenë kinse është pronë e tyre private, e i harrojnë kufizimet e veta intelektuale e kulturore. Sa turp i madh është të futesh në fe, ose ta pranosh fenë vetëm se për të korrigjuar të tjerët. Me të vërtetë është turp dhe shqetësim i madh, si duket këta evladë kanë siklet të madh. Por, ç'të bëjnë, Bashkësia Fetare Islame atyre nuk është duke u dhënë asgjë dhe i ka lënë të lirë, ndaj disa herë dëgjoni zëra shumë të çuditshëm, si, p.sh.: kur marrin përsipër korrigjimin e BFI-së, udhëheqjen e BFI-së dhe atë për fat të keq duke u mbështetur në vagabondët e partive. Ju e dini se partitë dhe mercenarët e tyre e vendosën personin në krye të Bashkësisë Fetare Islame. Nuk po flas për kohën e komunizmit, por për kohën tonë. Njërin e zgjodhën duke organizuar një autobus me "hoxhallarë" dhe me përcjelljen e punëtorëve të shërbimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe e votuan për kryetar, kurse tjetrin me përkrahjen e një partie tjetër politike. Çfarë turpi për ne!

Në gjithë këtë ka edhe diçka tjetër, disa zëra "të djemve" të rritur nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, vetëm rrotullohen vërdallë rreth "çështjeve" islame dhe e harrojnë domethënien dhe peshën e institucionit të BFI-së. Është fakt se BFI-ja e sotme është e dobët, por ne, që mendojmë dhe dimë, e kemi të domosdoshme ta ruajmë këtë institucion, sepse ka pasur dhe ka peshë të madhe për besimtarët muslimanë, elhamdulilah që kemi besimtarë të nacionaliteteve të ndryshme në Maqedoni. Faktikisht, ky institucion duhet të jetë mbi partitë dhe mbi qeveritë. Kjo nuk do të thotë se i nënçmoj partitë dhe qeverinë, por dua të tregoj se BFI është shpirti i vendit dhe qetësia e mendjes. Kështu është me fenë, vetëm feja korrigjon, pastron, udhëheq dhe thërret pandërprerë në devotshmëri dhe në dashuri ndaj Zotit.

P: Kemi një realitet të ri në Ballkan ku ndryshimet politike kanë sjellë për shqiptarët edhe mundësitë e një integrimi dhe komunikimi fetar. Imamë, botime, leksione të regjistruara qarkullojnë përtej kufijve duke komunikuar me audienca gjithnjë e më të gjera. Në të njëjtën kohë nuk shohim takime, organizime të koordinuara nga institucionet kryesore myslimane të këtyre vendeve. A është shtrirë ky integrim i ri tek institucionet kryesore të Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë?

IB: Në një artikull timin kam shkruar: "institucionet tona fetare pa teologë/teologji". Për fat të keq ky është realiteti. Si duket institucionet tona fetare akoma shkojnë me avazin e vjetër. Është shumë vështirë të tejkalohen shprehitë shkatërrimtare që kanë mbretëruar brenda këtyre institucioneve. Këto institucione tona fetare akoma nuk e kanë larguar nga vetja turpin e madh që kanë bërë në ish sistemin komunist. Brenda radhëve të teologëve kemi pasur shërbëtorë të mëdhenj (siç thoni ju kalecë) të shërbimeve sekrete. Për këtë nuk duhen argumente, sepse realiteti tregon se në ç'mënyrë kanë vepruar dhe çfarë gjurmësh kanë lënë

Sa i përket Shqipërisë, do ta them atë që e thoni ju të Shqipërisë: ka qenë sistem i vështirë, i paparë në botë. Mendja e shëndoshë nuk e ka kuptuar këtë në mënyrë të shëndoshë, por ç'të them!?! Në ish-Jugosllavi tek ne, në Kosovë dhe në Maqedoni, këto institucione janë marrë me çështje shumë të thjeshta, siç e kam thënë edhe në shkrimet e mëparshme të mia: po të mos kishin qenë xhenazet dhe synetimi, po ashtu edhe martesat, nuk e di se ç'do të bënin. Unë mendoj se lëshimet e mëdha që janë bërë në atë kohë, kanë qenë dhe janë mëkat i madh, por edhe dobësi e madhe institucionale. Kjo fotografi akoma nuk ka ndryshuar, ose kjo mjegull e errët akoma nuk është larguar nga ky qiell. Institucionet tona fetare nuk janë të interesuara fare të merren me ndryshimet shoqërore dhe problemet e kohës moderne, siç është çështja ose hovi i madh i shkencës, roli i "lirisë" dhe vendosja e sistemeve sekulariste, që për çdo ditë vetëm se janë duke e ngushtuar rolin e fesë. Ja sa vite ka që po bëhen ndryshime të mëdha, e asnjë komunikatë nuk është dhënë për atë se çfarë qëndrimi ka besimi islam ndaj proceseve të globalizimit dhe integrimit, përpos fjalës se edhe njëra edhe tjetra "janë të mira". Më vjen shumë keq që një qendër si Tirana të mos e ketë rolin vendimtar për muslimanët e Ballkanit.

P: Pas një prezence shumë të debatuar të organizatave fetare nga vende arabe në vende si Kosova, Shqipëria dhe më pak në Maqedoni, po flitet gjithnjë e më tepër për një prezencë në rritje të institucioneve fetare zyrtare dhe joqeveritare nga Turqia. Si e shihni ju këtë zhvillim të ri dhe në çfarë fushash pritet të ndikojë?

IB: Çdo kohë e ka veçantinë dhe përgjegjësinë e vet. Me të vërtetë paraqitja e organizatave të ndryshme në Shqipëri nuk ka luajtur rol pozitiv, ka pasur abuzime dhe çrregullime të ndryshme. Por, faji nuk ishte tek ata, faji ishte tek gjendja e dobët politike dhe mosekzistimi i institucionit fetar në vend. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me popullatën apo besimtarët muslimanë, por për fat të keq Shqipërinë e gjetën vend pa zot edhe shoqatat e besimeve të tjera dhe u paraqitën zota e zota e zota ... sa të duash. Dikush filloi të shesë zota e dikush të blinte, ndaj Shqipëria u bë vend i shitblerjes së feve.

Në Kosovë filluan të veprojnë organizatat arabe, por për arsye se Bashkësia Fetare Islame atje është pak më e organizuar se ajo në Shqipëri, në një mënyrë vet është duke bashkëpunuar me ato. Do të shohim se çka do të ndodhë.

Maqedonia, në bashkëpunim me BFI-në, në këtë drejtim mori një guxim shumë të madh dhe i dëboi këto organizata, të cilat as që filluan me ndonjë veprimtari kuptimplotë. Unë mendoj se këtu përpos dobësive që kanë pasur organizatat arabe, ose shoqatat arabe, me punët e tyre vërdallë, prapëseprapë sjellja e politikave të vendeve tona dhe i bashkësive tona fetare ndaj tyre nuk ka qenë e mirë. Ne duhet ta dimë se marrëdhëniet me vendet e ndryshme të botës, si të Lindjes ashtu edhe të Perëndimit, përfshijnë si ato politike ashtu edhe bashkëpunimin me shoqata joqeveritare. Inshallah rregullohemi më mirë, stabilizohemi më mirë dhe krijojmë marrëdhënie më të mira si me vendet arabe, ashtu edhe me shoqatat e atyre vendeve, natyrisht, duke e ruajtur dinjitetin tonë dhe traditën dhe kulturën tonë.

Sa i përket ndikimit të Turqisë tek ne, ajo nuk duhet të paraqesë pengesë për askënd, ngaqë Perandoria Osmane ka qenë në këto vende dhe ne i kemi edhe më afër gjeografikisht. Në një mënyrë kemi mundësi të flasim dhe të mendojmë me ata për një ardhmëri më ndryshe. Turqia për momentin është një shtet shumë serioz, ka një politikë shumë të shëndoshë dhe të pastër. Por nuk di se ç'të them për organizatat e tjera joqeveritare. Derisa këto organizata nuk e qartësojnë se kush janë dhe i përziejnë çështjet mes qëllimit dhe praktikës, atëherë nuk është faji ynë që ne kemi rezerva ndaj tyre. Në Maqedoni dhe Kosovë kemi vetëm kolegje turke, edhe pse drejtuesit e tyre thonë se nuk u intereson çështja e fesë, që shihet edhe nga programet e tyre mësimore. Në Shqipëri si duket kanë krijuar kushte dhe rrethana të tjera dhe e kanë treguar "fytyrën" tjetër se, përveç çështjes arsimore u intereson edhe çështja e fesë. Mirëpo, problemi është se nëse një drejtim nuk ka teologji të pastër dhe të shëndoshë, atëherë unë nuk e di se çfarë rezultatesh mund të presim.

P: Në librin tuaj ju keni evidentuar atë që ju shihni si kriza e institucioneve dhe mendimit teologjik të myslimanëve shqiptarë. A planifikoni ta vazhdoni këtë punë me përpjekjen e adresimit të pyetjeve dhe sfidave që keni evidentuar?

Është më se e vërtetë se unë do të merrem me teologjinë, sepse ajo më pëlqen dhe mundohem që për çdo ditë të mësoj diç prej saj, duke lexuar vepra dhe artikuj të ndryshëm, pa marrë parasysh sfondin e tyre fetar. Pastaj, mendoj se teologjia ka fuqi të madhe dhe është e nevojshme për kohën dhe vendin ku jetojmë. Me keqardhje e them se ne teologjinë e kemi harxhuar shumë shpejt, për arsye se nuk i kemi dhënë mundësi që ajo ta tregojë fytyrën e saj. Sot kemi një teologji pa filozofi dhe pa kulturë, një teologji jo-institucionale. Nëse vetëm pak futeni brenda këtyre teologjive, do të shihni një varfëri shumë të madhe të shpirtit tonë. A nuk është turp që sot akoma të kenë problem dhe vështirësi teologët e proviniencave të ndryshme të mos ulen dhe bisedojnë bashkërisht? E shihni se si është gjendja me Kishën ortodokse në Serbi, po ashtu edhe në Shqipëri dhe Maqedoni. Kisha Ortodokse as që i nënshtrohet imperativit të fesë që të ulet e të bisedojë me muslimanët, ashtu sç duhet, siç kërkojnë librat e shenjtë. A nuk dëshmon kjo se këtu nuk ka teologji, e të mos them fe!?! Kemi Kishën Ortodokse në Shqipëri që haptazi fenë e shfrytëzon për greqizimin e shqiptarëve, ndaj nuk kuptohet se a është institucion fetar apo kombëtar. E njëjta gjë vlen edhe për Maqedoninë. Siç e shihni, me të vërtetë vërehet kriza e teologjisë, ndaj edhe e asaj muslimane. Pastaj, çdo kohë e ka shijen e vet dhe pranimin e refuzimin e vet. Teologjia muslimane është një teologji që çdo kohë e ngjyros me ngjyrën e Zotit, siç thotë Zoti sibgat Allah, ngjyrosje e Allahut.

Faleminderit!.



Intervistoi: Besnik SINANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...