Veprimet që nuk e prishin agjërimin
Rastet në vijim nuk e prishin agjërimin:
1. Shpërlarja e gojës apo hundës, qoftë edhe jashtë abdesit. Mirëpo, gjatë larjes së tyre duhet pasur kujdes që uji mos të kaloj në brendësi të trupit. E nëse ndodhë që ndonjë sasi e ujit të kaloj në fyt, atëherë agjërimi prishet dhe ky njeri detyrohet me riagjërim kaza të kësaj dite.
2. Larja, noti apo mbështjellja e trupit me ndonjë teshë të lagët me qëllim të freskimit apo për ta rimarrë veten për të plotësuar adhurimin. Në këto raste uji që depërton në veshin e njeriut nuk e prish agjërimin. Ndryshe nëse futja e ujit në vesh bëhet me shkak, atëherë ky veprim e prish agjërimin.
3. Ngrënia, pirja apo kryerja e aktit intim me harresë. Kjo pa marr parasysh se në cilin lloj të agjërimit ndodhemi, qoftë në atë farz, vaxhib apo sunet. Me kusht që agjërimi të jetë me synim (nijet). Këtë e themi për shkak se i Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem ka thënë: "Ai që gjatë Ramazanit bën diçka me harresë, nuk obligohet as me kaza dhe as me qefaret".
Ky është vendimi (hukmi) fetar për atë njeri që i kujtohet agjërimi pasi të ketë përfunduar me ngrënien, pirjen apo marrëdhëniet intime.
E nëse agjërimi i kujtohet përderisa është duke ngrënë, pirë apo duke kryer aktin intim, atëherë në moment obligohet me heqje dorë nga ajo që është duke bërë dhe nëse nuk heq dorë, atëherë agjërimi i tij prishet dhe obligohet vetëm me riagjërim kaza të ditës në fjalë.
Nga ana tjetër, myslimani e ka për detyrë t'ia rikujtoj agjërimin personit në fjalë, kjo nëse personi që ka harruar është njeri i fortë për agjërim. Ndërsa, nësë është njeri plak i moshuar, i ri dhe i sëmurë apo i dobët, atëherë në këto raste më mirë është të mos ia rikujtoj agjërimin derisa të ngopet, kjo në shenjë mëshire për të.
4. Përdorimi i misvakut, bile përdorimi i tij është sunet. Këtu nuk ka dallim në mes misvakut të thatë dhe atij të lagët me ujë.
5. Pikëlimi i syrit apo ngjyrosja e syve me bojë për qepalla (kohël), qoftë edhe nëse agjëruesi ndjenë shijen e tyre në fyt.
6. Nëse në fytin e agjëruesit depërton tym, pluhur, qoftë edhe pluhuri i miellit apo edhe ndonjë mizë. Të gjitha këto nëse ndodhin pa vullnetin e tij. Në të kundërtën, nëse diçka prej këtyre bëhet me vullnet, atëherë agjërimi prishet.
7. Nxjerrja e dhëmbit nuk e prish agjërimin, me kusht që mos të gëlltitet diçka prej gjakut apo ilaçit. Nëse ndodhë diçka e këtillë (gëlltitje), atëherë agjërimi prishet. Andaj, gjatë ditës e kemi patjetër të ruhemi nga vënia e ilaçrave në dhëmbë, ngase si zakonisht diçka nga ilaçi apo gjaku patjetër të gëlltitet me anë të jargëve.
8. Terapia gotore (hixhameja).
9. Përgojimi (nuk e prish agjërimin, por nuk duhet harruar se ky veprim është mëkat i madh).
10. Po ashtu agjërimin nuk e prish edhe vendosmëria (nijeti) për prishjen e agjërimit, përderisa nuk konsumohet diçka që në të vërtet e prish atë.
11. Nuhatja e trëndafilëve, luleve, erëzave, parfumit apo edhe frutave me erë të mirë.
12. Injektimi muskulor, nën lëkurë apo edhe në venë (damar). Edhe pse më mirë është të vonohet injektimi deri pas çeljes së iftarit, kjo nëse është e mundur. Ky rregull fetar vlen nëse injektimi nuk bëhet me qëllim të ushqimit, trashjes apo forcimit.
Vlen të theksohet se disa dijetarë janë të mendimit se injektimi në venë (damar) e prish agjërimin. Kjo për shkak se përbërja e injektuar në venë lëviz në enët e gjakut derisa arrin në venët e mëdha dhe nëpërmjet tyre shkon deri në zemër.
Ndërsa injektimi muskulor nuk e prish agjërimin për shkak se levizja e përbërjes së injektuar në muskul nuk është me shpejtësinë e asaj të injektuar në venë. Pastaj përbërja e injektuar në muskul shpërndahet në enët (rrugët) limfatike, njëjtë siç ndodhë me shpërndarjen e ilaçit të vënë mbi plagët e thella por që nuk depërtojnë deri në brendësi të trupit. Po ashtu kjo është e ngjashme edhe me atë që thithet nga poret e lëkurës.
13. Gdhirja e njeriut në gjendje të papastër (xhunub), apo ejakulimi gjatë gjumit. Kjo ngase ejakulimi i spermës vetvetiu nuk ndikon në vlefshmërinë e agjërimit. Edhe pse për këtë gjendje larja (gusulli) është obligative edhe atë për shkak të namazit dhe se engjujt nuk hynë në një shtëpi që ka xhunub.
14. Gëlltitja e këlbazës, apo qurrave, qoftë edhe në mënyre të qëllimshme. Mirëpo, më mirë është që këto gjëra të nxjerren jashtë, për shkak të neverisë dhe dëmit të tyre.
15. Futja e shkopit të veshit në vesh edhe pse më mirë është mos veprimi i kësaj, për shkak të mundësisë së dëmtimit. Ndërsa, në shkollën shafiite kjo gjë e prish agjërimin.
16. Vjellja jo e vullnetshme, qoftë edhe nëse është më gojën plotë.
Ndërsa nëse dikush vjell me vullnetin e tij, atëherë agjërimi i tij prishet me kusht që vjellja të jetë me gojën plotë. Ndërsa, nëse vjellja e vullnetshme është e paktë, atëherë agjërimi nuk prishet.
Po ashtu vlen të theksohet se nëse ndodhë që të vjellurit të kthej përsëri në fyt por pa vullnetin e njeriut, agjërimi nuk prishet edhe atë pa marr parasysh sasinë e kthyer prap.
17. Gëlltitja e ushqimit të ngelur në mes dhëmbëve prej syfyrit apo darkës, me kusht që sasia e këtij ushqimi të jetë më pak se një kokër qiqre (leblebije). Po ashtu agjërimi nuk prishet nëse përtypet diça e vogël sa madhësia e një kokër susami, qoftë edhe nëse merret nga jashtë dhe shtypet në gojë, me kusht që mos t'i ndjehet shije në fyt.
18. Injektimi në organin mashkullor nuk e prish agjërimin. Ndryshe, nga meseleja e injektimit në organin femëror që e prish agjërimin.
19. Ejakulimi i spermës për shkak të shikimit apo mendimit. Qoftë edhe nëse bëhet qëllimisht, ngase në këtë rast nuk kemi formë të seksit dhe as edhe ngjashmëri me të. Një veprim i këtillë është i ndaluar dhe mëkat (nëse shikohen gjërat e ndaluara), por ndalimi i shikimeve dhe mendimeve të këtilla nuk është shkak për prishjen e agjërimit.
20. Lesbizmi mes femrave nuk e prish agjërimin, me kusht që mos të vijë deri në orgazmë (inzal). Ndërsa, nëse vjen deri në orgazmë (inzal) atëherë këto femra obligohen me riagjërim kaza të kësaj dite. Është e rrugës të theksohet se lezbizmi është një prej harameve më të rënda.
Autor: Ibrahim Selkini EL-HANEFI
Përktheu: Hazir SELMANI
_________________________
Burimi: El-Fikhu'l-islami ehkamu's-saumi ve'z-zekati ve'l-haxhi.
Damask: Universiteti i Damaskut, 2007. Bot. IX, vol. II, fq. 45-48.
Autor: Prof. Dr. Mufti Ibrahim Selkini el-Hanefi (Allahu e Mëshiroftë!).