Veprimet që e prishin agjërimin dhe që obligojnë vetëm kaza
Rastet në vijim obligojnë vetëm riagjërim kaza të ditës së prishur por jo edhe dënimin e qefaretit:
1. Nëse agjëruesi gjatë ditës së Ramazanit konsumon diçka dhe sendi i konsumuar arrin deri në brendësi të trupit dhe është prej gjërave që si zakonisht nuk përdoren si ushqime nga njerëzit si p.sh. ngrënia e orizit të pazier, brumit të papjekur, miellit, kripës në sasi të madhe dhe në mënyrë të përnjëhershme.
Po ashtu nëse agjëruesi bën gëlltitjen e bërthamës (bërthamat që nuk hahen si zakonisht), gurit, guralecit, letrës për shkrim, hekurit, arit, argjendit, dheut, pambukut, etj. Ngrënia e këtyre sendeve dhe gjërave të ngjashme me ta e prish agjërimin dhe bëhet shkak vetëm për riagjërim kaza të ditës së prishur. Ngase, natyra e pastër njerëzore nuk pranon ngrënien e këtyre gjërave. Pastaj edhe nëse ndodh ngrënia e tyre, me ta nuk kënaqet barku.
2. Ngrënia e ushqimit apo barnave për ndonjë arsye të ligjshme fetare, si p.sh. për shkak të ndonjë sëmundjeje apo për shkak të të qenurit udhëtar.
3. Gëlltitja apo pirja në mënyrë të pashmangshme (mudëtar) apo në mënyrë të detyruar (mukrah) si p.sh. depërtimi i ujit të shiut, breshërit apo borës në fytyn e njeriut. Kjo, nëse ky depërtim nuk vjen për shkak të vet personit në fjalë. Po ashtu agjërimi prishet dhe obligohet riagjërim kaza, për personin në gojën e të cilit hudhet ujë derisa ai është duke fjetur.
4. Nëse nodh depërtimi i ujit në fyt gabimisht (hata') si p.sh. nëse uji i gargarës së gojës apo uji i shfryrjes së hundës gabimisht kalon në fyt.
5. Ngrënia, pirja apo kryerja e aktit intim, edhe atë në mënyrë të qëllimshme duke menduar se agjërimi i tij është prishur më herët, për shkak të harresës (nisjan).
6. Injektimi në vrimën anale (clyster injection) si për mashkullin ashtu edhe për femrën. Pastaj injektimi, kalimi i ilaçit apo depërtimi i gishtit të lagur apo edhe të lyer me ndonjë krem në vaginën e brendshme të femrës. Depërtimi i gishtit të lagur me ujë, ilaç apo ndonjë krem në zgavrën anale.
7. Pikimi i ilaçit në vesh apo në hundë. Thithja e ilaçit në formë tymi si dhe konsumimi i të gjitha ilaçeve të gazta nëpërmjet kanaleve të frymëmarrjes. Po e njejta gjë vlen edhe për lëshimin e ilaçit në ndonjë zgavër të fytit apo në ndonjë plagë të thellë të gjoksit apo vënien e fitilit në atë plagë.
8. Qëndrimi gjatë tërë ditës së Ramazanit pa hëngër dhe pa pirë, mirëpo edhe pa qëllim (nijet) të agjërimit. Ky njeri detyrohet me riagjërim kaza të kësaj dite.
9. Konsumimi i ushqimit apo pijes duke dyshuar (shekk) në zbardhjen e agimit (fexhrit).
Do me thënë se ky person nuk e ka të qartë zbardhjen e agimit nga moszbardhja e tij. Si shembull, kur dikush pyet se ka rënë agimi apo jo? Më pas kupton se agimi veçmë ka zbardhur, atëherë ky njeri nuk detyrohet me qefaret. Për shkak se dyshimi largon dënimin e qefaretit. Pastaj, njeriu në fjalë vendimin e tij e ka ngritur duke u bazuar në esencën e gjërave dhe si rrjedhojë nuk plotësohet dënimi i qefaretit. Ngase, esenca e natës është të qenurit natë. Edhe pas gjithë kësaj, ky njeri përsëri është mëkatar për shkak se nuk është vërtetuar për një gjë të këtillë.
10. Ai që çel ifar duke u bazuar në mendimin e tij që anon (galabetu'dh-dhan) në atë se dielli veçmë ka perënduar, kur pastaj vërtetohet se dielli akoma nuk ka perënduar.
Këtu vlen të theksohet se, ky vendim nuk vlen nëse njeriu e merr atë në bazë të dyshimit të thjeshtë (shekk), duke mos anuar mendimi i tij në perëndimin e diellit. Atëherë vetëm dyshimi i thjeshtë nuk mjafton për rrëzimin e dënimit të qefaretit. Ndryshe, nga meseleja e sipërpërmendur. Ngase në rastin për të cilin jemi duke folur, esenca e ditës është vet dita, anadaj thjesht dyshimi nuk mjafton për rrëzimin e dënimit të qefaretit.
11. Vjellja e qëllimshme me gojën plotë, ngase i Dërguari i Allahut salallahu alejhi ve selem ka thënë: "Ai që shkakton vjellje le ta riagjëroj atë ditë." Po ashtu e njejta gjë vlen edhe nëse ky njeri në mënyrë të qëllimshme e kthen mbrapa vjelltin e dalur me gojën plotë.
12. Gëlltitja gjatë ditës e ushqimit të ngelur në mes dhëmbëve me kusht që sasia e këtij ushqimi të jetë sa një kokër qiqre (leblebije) ose më shumë. Ndërsa, nëse sasia e ushqimit të ngelur në mes dhëmbëve është më pak se kokra e qiqrës atëherë agjërimi nuk prishet.
13. Të fikëtit (alivanosja) shkakton vetëm riagjërim kaza. Edhe nëse kjo gjendje zgjat gjatë tërë muajit Ramazan. E njejta gjë velen edhe për personin i cili flen disa ditë Ramazani, pa mos u zgjuar fare. Njeriu në fjalë obligohet me riagjërim kaza të këtyre ditëve, me përjashtim të ditës në të cilën i ka filluar gjendja e të fikëtit apo gjumi. Ngase në këtë ditë ekziston kushti i agjërimit, që është nijeti.
14. Konsumimi i ushqimit, pijes apo edhe kryerja e aktit intim gjatë ditës së agjërimit të filluar me nijet dite (nijet i bërë para kohës së drekës dhe jo në kohën e vet). Për këtë rast vlen kjo normë, për shkak të dyshimit (shubhes) të shfaqur, ngase ky njeri sipas Imam Shafiut rahimehullah nuk ka fare agjërim.
15. Njeriu i cili e prish ditën e agjërimit jashta muajit Ramazan, qoftë me anë të aktit intim apo edhe me gjërat tjera që e prishin agjërimin dhe që janë të njohura. Kjo për shkak se njeriu në fjalë, në këto raste nuk e ka prishur hyrmetin e muajit Ramazan.
16. Njeriu i cili çmendet disa ditë apo edhe gjatë një pjese të muajit Ramazan.
Ndërsa, nëse çmenduaria zgjat një muaj të plotë qoftë në mënyrë të pandërprerë apo edhe në mënyrë ligjore (hukmen). Shembulli i rastit të fundit është kur njeriu e merr veten vetëm gjatë natës apo edhe gjatë ditës, mirëpo pas kohës së nijetit (pas syfyrit). Nëse kjo gjendje zgjat një muaj të tërë, atëherë besimtari nuk obligohet me riagjërim kaza të tërë muajit Ramazan.
17. Nëse njeriu e bën nijetin e agjërimit edhe atë para zbardhjes së agimit (fexhrit) dhe pas zbardhjes së agimit (fexhrit) niset për në udhëtim dhe gjatë këtij udhëtimi konsumon ushqim apo pije, atëherë ky njeri obligohet vetëm me riagjërim kaza të ditës së prishur dhe nuk detyrohet me dënimin e qefaretit.
Edhe pse ky njeri, në këtë rast nuk e ka të lejuar të hajë, ngase veç ka filluar me agjërim e Allahu Fuqiplotë në ajetin 33, të suras Muhamed na thotë: "Mos i çoni kot veprat tuaja." Andaj, dënimi i qefaretit nuk obligohet në këtë rast, për shkak të ekzistimit të dyshimit të udhëtimit (shubhetu's-sefer).
18. Rrjedhja e gjakut nga hunda ose goja edhe atë deri në fyt apo edhe më thellë.
19. Ejakulimi si rezultat i puthjes apo fërkimit të organit në mes kofshëve apo edhe prekjes.
20. Ejakulimi me anë të mastrubimit, vepër e cila nuk lejohet edhe jashta Ramazanit. Njashtu edhe ejakulimi me kufomën e njeriut të vdekur apo me ndonjë kafshë, që njëherazi janë edhe vepra të ndaluara (haram dhe mëkate të mëdha) dhe nëse ndodhin këto punë të ndyra, atëherë detyrojnë: pendim, kërkim të faljes dhe agjërim kaza të ditës apo ditëve në fjalë.
Prishja e agjërimit me anë të këtyre veprave nuk shkakton dënimin e qefaretit edhe përkundër ndalueshmërisë së tyre, ngase tekstet fetare kanë ardhur për obligimin e dënimit të qefaretit për personin i cili kënaqet në vendkënaqjen e zakonshme. Nga ana tjetër këto vende nuk janë vendkënaqje e zakonshme dhe nuk arrinë kënaqësinë e aktit në vaginën e gruas.
Autor: Ibrahim Selkini EL-HANEFI
Përktheu: Hazir SELMANI
_________________________
Burimi: El-Fikhu'l-islami ehkamu's-saumi ve'z-zekati ve'l-haxhi.
Damask: Universiteti i Damaskut, 2007. Bot. IX, vol. II, fq. 40-43.
Autor: Prof. Dr. Mufti Ibrahim Selkini el-Hanefi (Allahu e Mëshiroftë!).