Ramazani, muaj i dritës



S'do mend se, Islami, si fe dhe platformë jete, në vete ngërthen shumë obligime, në formë urdhëresash apo ndalesash, të cilat, si të tilla, nuk janë qëllim në vete, por janë mjete dhe metoda për të arritur diçka më sublime dhe më përmbajtësore. Të gjitha këto obligime, në vetvete përmbajnë shumë urtësi, mesazhe dhe dobi, të cilat, ndonëse në shikim të parë duken se janë në 'kundërshtim' me dëshirat dhe pasionet e njeriut, ato, në perspektivën afatgjate, i kthehen njeriut me dobi dhe rezultate të shumta pozitive, edhe atë, në gjitha sferat dhe aspektet. Ndërsa, obliguesi (në këtë rast Krijuesi i, njeriut dhe gjithësisë, Allahu i Lartësuar) nuk përfiton nga kryerja e tyre asgjë tjetër, përpos kënaqësisë së Tij absolute, të cilën a ka lidhur ngushtë me kënaqësinë e krijesës së Tij më të ndershme të cilën e caktoi mëkëmbës në tokë.

Së këndejmi, lidhja e çdo obligimi me emrin e Allahut të Madhnueshëm ka për qëllim dhënien e elementit të shenjtërisë si dhe inkurajimin e njerëzve për realizimin e obligimeve të tilla, duke patur gjithmonë garancë faktin se një obligim i tillë vjen nga ana e Krijuesit, i Cili e di më së miri se çka është e dobishme apo e dëmshme për njeriun.

I këtillë është edhe obligimi i agjërimit, i cili, ndonëse në shikim të parë duket se është i 'vështirë', ai në vete përmban mësime, dobi dhe urtësi të panumërta, të cilat, po qe se shfrytëzohen si duhet, ato do të reflektonin dritë në jetën e besimtarit, dritë kjo e cila, përpos që do ta ndriçonte shpirtin e tij - duke e bërë atë të harroj të gjitha vështirësitë - ajo do ta ndriçonte edhe rrugën e tij të mirëqenies në këtë botë si dhe shpëtimit në Botën Tjetër.

Mirëpo, shtrohet pyetja se, vallë cilat janë ato elemente apo tipare të cilat bëjnë që agjërimi të jetë i këtillë, dhe në ç'mënyrë ndikojnë ato që Ramazani të reflektojë dritë në jetën e besimtarit?

Përgjigjja është se ato elemente janë të shumta, mirëpo, ne, në vijim, do të përmendim vetëm disa prej tyre që janë më të rëndësishme, duke iu referuar shkurtimisht aspektit të ndikimit të tyre.


Muaj i Kur'anit

Vet fakti që, në muajin Ramazan filloi shpallja e Kur'anit famëlartë si udhërrëfyes për botërat, është indikacion i mjaftueshëm që ky muaj të quhet muaj i dritës. Ngase, a thua ekziston nur më i ndritshëm se mrekullia Kur'anore?!

Mirëpo, kur themi se muaji Ramazan është muaj i Kur'anit, nuk kemi për qëllim atë aspektin tradicional të dëgjimit të kohëpaskohshëm të disa pjesëve nga Kur'ani nga lexues të njohur, duke mjaftuar me kaq. Por ajo që është për qëllim është të lexuarit e tij me plotë bindje, përkushtim dhe të kuptuar, si dhe orvatja e jetësimit të parimeve - të cilat i ngërthen Kura'ni famëlartë - në praktikë, edhe atë, jo vetëm gjatë muajit të Ramazanit, por gjatë gjithë vitit.


Muaj i ibadeteve (adhurimeve)

Ibadeti/adhurimi nuk është fjalë boshe e cila thuhet sa për sy e faqe, e nuk praktikohet, por, është një nga fjalët më kuptimplota dhe më gjithpërfshirëse në Islam, ngase është shprehje sublime me të cilën Allahu Fuqiplotë e ka përkufizuar qëllimin e krijimit të njeriut në këtë botë, thotë Allahu i Madhnueshëm në Kur'anin fisnik: "Unë nuk i krijova xhinët dhe njerëzit për tjetër pos që të më adhurojnë", (Edh-Dharijat: 56).

Së këndejmi, ibadeti/adhurimi në Islam nuk përkufizohet vetëm me disa 'obligime fetare', siç mendojnë disa, porse ajo i përfshinë gjitha poret e aktivitetit njerëzor. Kështu, namazi është ibadet, agjërimi është ibadet, lëmosha është ibadet, mosdëmtimi i tjetrit është ibadet, kërkimi i diturisë është ibadet, etj.. Me një fjalë, çdo punë e dobishme e cila bëhet për hirë të Allahut dhe me qëllim të pastër është ibadet/adhurim.

Në qoftë se ibadetin/adhurimin do ta kuptonim në këtë mënyrë dhe do ta praktikonim gjatë gjithë kohës, bile me një përkushtim më të madh gjatë muajit Ramazan, me siguri se ai (adhurimi, e në këtë rast edhe agjërimi) do të ndikonte pozitivisht në realitetin e njeriut, duke ndritur raportet e tij me Krijuesin, me vetveten, me familjen, me shoqërinë më të gjerë, si dhe me gjithë botën që e rrethon.


Muaj i humanitetit, mëshirës dhe solidaritetit

Nuk mjafton të thuash se je human, i mëshirshëm dhe solidar, kurse në anën tjetër, uni, kënaqësia dhe interesi yt personal të jenë në qendër të vëmendjes, me ç'rast, jo vetëm që gjithë kohën mendon vetëm për veten e aspak për të tjerët, por në të njejtën kohë mundohesh që kënaqësinë dhe interesin vetanak ta realizosh në llogari të dikujt tjetër.

Një qasje e këtillë, jo vetëm që ia humb kuptimin Ramazanit, por ajo ua humb kuptimin gjitha fjalëve mirakëndëse të lartëpërmendura. Kjo, ngase, Krijuesi, përmes të obliguarit të njeriut që të agjerojë duke abstenuar nga ngrënia dhe pija, dëshiron që t'ia bëjë atij me dije se çka do të thotë të jesh i uritur dhe i etur, ndjenjë kjo e cila do ta nxiste atë që të jetë falenderues dhe mirënjohës ndaj Atij i cili ia fali gjitha këto të mira, si dhe do ta edukonte shpirtin e tij që të jetë më human, më i mëshirshëm dhe më solidar, me ç'rast do të arrihej barazia shoqërore në mes njerëzve.


Muaj i durimit

Durimi është çelësi i shpëtimit. Paramendo sa mosmarrëveshje, incidente dhe aksidente ndodhin si rezultat i mungesës së durimit. Madje, sa e vështirë dhe e shëmtuar do të ishte jeta po të mos ekzistonte durimi!

S'ka dyshim se burimi kryesor i durimit të mirëfilltë është bindja e thellë në zemër dhe shpirt. Por, një nga elementet që luan rol shumë të rëndësishëm në kalitjen e tij është agjërimi, i cili shërben si 'servis' vjetor i barometrit të durimit të personit, duke e edukuar atë deri në ato përmasa sa të jetë i durueshëm ta përballojë urinë dhe etjen për një kohë të caktuar, e mos të flasim për kontrollimin e cilësive dhe sjelljeve negative, e cila gjë nënkuptohet apriori dhe për të cilën as që duhet të diskutohet.

Të shumta janë urtësitë, dobitë dhe mesazhet të cilat i ngërthen në vete Ramazani, ndonëse ne u ndalëm shkurtimisht te vetëm disa prej tyre, edhe atë, me qëllim që të vërtetojmë faktin se agjërimi është - me plotë kuptimin e fjalës - 'shkollë hyjnore', të cilës, po qe se njerëzit i 'nënshtrohen' si duhet, ajo do të bënte fisnikërimin e shpirtit të tyre, me ç'rast, çdo individ i kualifikuar nga kjo shkollë, përmes sjelljeve dhe energjisë së tij pozitive, do të reflektonte dritë për rrethin dhe shoqërinë në përgjithësi.



Autor: Sali SHASIVARI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...