Duaja pas selamit
Allahu xh.sh. në Kur'an thotë: فَإِذَا فَرَغْتَ فَانصَبْ . وَإِلَىٰ رَبِّكَ فَارْغَب . - "E kur ta kryesh (obligimin), atëbotë mundohu me adhurim (Allahut). Dhe, vetëm te Zoti yt përqëndro synimin!", (El-Inshirah, 7-8).
Es-Sujutiu thotë: "Abd ibn Humejdi, Ibn Xherir Et-Taberiu, Ibnul Mundhiri, Ibn Ebi Hatimi dhe Ibn Merdivejh shënojnë me senedë të ndryshëm nga Ibn Abbasi se, duke e komentuar kët ajet, ka thënë: "Kur të përfundosh me namaz dorëzoju duasë dhe drejtoju Allahut"".
Ibn Ebi Dunja në Edh-Dhikr shënon nga Ibn Mes'udi se duke e komentuar ajetin e parë ka thënë: "I dorëzohet duasë" kurse duke e komentuar ajetin e dytë thotë: "Drejtoju Atij, duke kërkuar nga Ai".
Taberiu në komentin e këtij ajeti thotë: "Nga Ibni Abbasi transmetohet se ka thënë: "Dorëzoju duasë"".
Kurse nga Katade transmetohet: "I ka urdhëruar që, kur të përfundojë me namazin, ta lexojë duanë".
Tirmidhiu shënon nga Ebu Umame: "Është pyetur Pejgamberi a.s.: "Cila dua pranohet"? Ai ka thënë: "Në fund të natës dhe pas namazeve të përcaktuara"".
Buhari shënon në Tarih nga Mugire: "Pejgamberi a.s. ka lexuar duanë pas çdo namazi".
Tirmidhiu shënon hadithin nga Ibn Omeri në të cilin thuhet: "Rrallë herë ka ndodhur që Pejgamberi të ngrihet nga mexhlisi e që para kësaj mos ta lexojë këtë dua: "All-llahumme iksim lena min hashjetike ma jehulu bejnena ve bejne mea'sike ve min ta'atike ma tubel-liguna biha xhennetuke ve min'el-jekini ma tuhevvinu bihi alejna mesaibe dunja. Ve meti'na bi esmaina ve ebsarina ve kuvvetina ma ahjejtena. Vexh'alhul varithe minna, vexh'al the'rena ala men dhalemena. Vensurna ala men adana ve le texh'al musibetena fi dinina ve la texh'al'id-dunja ekbere hemmina ve la meblega ilmina ve la tunel-lit alejna men la jerhamuna"".
Nga ky hadith shohim se shumë rrallë, thuajse kurrë nuk ka ndodhur që Pejgamberi i Zotit të ngrihet nga ndonjë mexhlis e që para kësaj të mos lexojë duanë. Me transmetimet sahih kemi emërtimin mexhlis të ndejës dhe dhikrit në xhami pas kryerjes së namazit, që do të thotë se edhe ky mexhlis bënë pjesë nën këtë hadith. Dëshminë se ndeja në xhami pas namazit është mexhlis e gjejmë edhe në hadithet vijuese:
Pejgamberi i Zotit thotë: "Pa dyshim secili nga ju është në namaz deri sa namazi e pengon të kthehet në shtëpinë e tij. Pa dyshim melekët sjellin për secilin nga ju deri sa ai është në mexhlis në të cilin e ka falur atë namaz".
Pastaj shënon Muslimi: "Pejgamberi qëndronte në xhami pasi e falte namazin e sabahut deri sa nuk lindte Dielli".
Këta dy hadithe dhe hadithi nga Ibn Omeri r.a. pa kurrfarë dyshimi konfirmojnë qëndrimin e ulemasë dhe të imamëve tonë për këtë çështje dhe dëshmojnë se vetë Pejgamberi i Zotit e ka lexuar duanë bashkë me as'habët pas çdo namazi.
Mbase dikush do të thotë: Nuk është transmetuar se Pejgamberi a.s. e ka lutur Allahun xh.sh. pas namazit që t'ia bëjë kabull atë namaz! Këtij personi do t'i themi: Pejgamberi i Allahut xh.sh. Ibrahimi a.s. na ka mësuar se pas çdo pune të bërë ta lusm Allahun xh.sh. të na bëjë kabull dhe të na pranojë atë punë. Allahu xh.sh. në Kur'an thotë: "Dhe deri sa Ibrahimi dhe Ismaili i ndërtonin themelet e Tempullit, ata janë lutur: "Krijuesi ynë, prano prej nesh, sepse Ti, me të vërtetë, çdo gjë dëgjon dhe çdo gjë e di!"", (El-Bekare, 127).
Po ashtu, pas namazit të bërë, ne e lusim Allahun xh.sh. të na bëjë kabull atë namaz duke ndjekur hapat e mikut të Allahut Ibrahimit a.s. ...
El-Hattabi thotë: "Nuk ka mospajtim rreth dispozitës së duasë pas namazit sepse Pejgamberi a.s. ka thënë se duaja pranohet thellë natën dhe pas namazeve të përcaktuara".
Ibnul-Haxh El-Malikiu thotë: "Sunnet është mos ta braktisësh dhikrin dhe duanë pas namazit".
Imam Shafiu thotë: "Për namazliun që fal vetëm dhe atë që falet në xhemat është e lavdëruar ta zgjatë dhikrin pas namazit dhe t'i shtojë duatë e tij".
En-Neveviu thotë: "Janë pajtuar Shafiu dhe të tjerët se është e lavdëruar të bëjnë dhikr pas namazit, se kjo është e lavdëruar për imamin dhe muktediun, për vetë mashkullin dhe femrën, për mysafirin dhe mukimin. Dhe janë pajtuar se është e lavdërueshme të lexohet duaja pas namazit sepse për këtë kanë ardhur transmetime të shumta sahih të cilat i kam tubuar unë në librin El-Edhkar".
Po ashtu thotë: "Është e lavdëruar që imami t'u kthehet njerëzve dhe ta lexojë duanë".
Ibn Kudame El-Makdisi thotë: "Pas dhënies se selamit dhikri dhe duaja janë të lavdëruar".
Po ashtu thotë: "Pas namazit janë të lavdëruar dhikri, duaja dhe istigfari siç kanë ardhur për këtë transmetimet".
Ibn Muflih El-Hanbeliu thotë: "Imami do ta lexojë duanë pas sabahut dhe ikindisë për shkak të pranisë së rritur të melekëve në këtë kohë kurse xhematlinjtë do të thirrin shprehjen amin në këtë dua. Kurse edhe më korrekte është, si e pohon këtë autori i El-Muharrerit e të tjerët, se kjo duhet të bëhet edhe në namazet e tjera".
Autor: Sami XHEKO
Përktheu: N.I.