Liria e fjalës nuk na jep të drejtën që të ofendojmë të tjerët



Tashmë anekënd botës islame dëgjon pyetjen se përse është e ndaluar të vesh në pikëpyetje ekzistencën e krimeve të Holokaustit apo të përqafosh ideologjinë naziste, e megjithatë lejohet të kritikosh fenë islame, sepse kjo nënkupton (!) lirinë e fjalës dhe moscensurimin e të shprehurit të lirë.

Liria e fjalës nuk na jep të drejtën që të ofendojmë të tjerët. Njerëzit sado të jenë të lirë në shprehjen e fjalës, gjithsesi duhet të ken parasysh se çdo gjë ka kufirin e vet. Edhe liria e fjalës ka limitet e saj. Përndryshe sikur çdo gjë që ne themi dhe shkruajmë të justifikonim duke u thirrur vetëm tek liria jonë e fjalës dhe e të shprehurit, atëherë nuk do të mund të flitej më për lirinë, të drejtat dhe dinjitetin e tjerëve.

Islami e kupton rëndësinë e lirisë së fjalës dhe të shprehurit të lirshëm të mendimit. Në fund të fundit Islami gjithmonë e ka nxitur lirinë e fjalës, që në fillimet e shtetit islamik, që nga koha e Muhammedit a.s.. Madje, Zoti në Kur'an ka dialoguar edhe me krijesën më të keqe - Iblisin.

Muslimanët e kanë të qartë se çdo grup ka të drejtë të shprehë mendimin e tij edhe atëherë kur ata nuk pajtohen me ne, dhe këtë muslimanët e kanë dëshmuar gjatë historisë. Ne e kuptojmë rëndësinë e të shprehurit të lirë dhe besojmë në lirinë e shtypit. Por liria duhet të shoqërohet me përgjegjësinë për të treguar konsideratë për të tjerët dhe për të mos ofenduar ndjenjat e tyre.

Kohëve të fundit disa gazeta evropiane shprehin "mirëkuptim" për indinjatën që shprehin muslimanët nepërmjet protesatve të tyre.

Prandaj, gazeta britanike "The Guardian" me plotë të drejtë e kritikon gazetën daneze "Jyllands Posten", duke thënë: "Ata që i referohen lirisë së shtypit, duke mbrojtur riprodhimin e paraqitjeve ofenduese të profetit Muhammed, praktikisht thonë, se gjithçka që ata vet e konsiderojnë të vlefshme dhe të shenjtë ka vlerë më të madhe, se sa ajo që muslimanët e shohin si të vlefshme dhe të shenjtë. Karikaturat kishin të bënin më shumë me nxitjen e urrejtjes, racizmit dhe të islamofobisë, se sa me lirinë e shtypit".

Edhe gazeta e përditshme zvicerane "Basler Zeitung" bënë një vlerësim shumë të drejtë kur shkruan: "Liria e shtypit nënkupton edhe përgjegjësinë e shtypit. Ajo nuk na pajis ne me kapelen e të marrit. Kjo nuk është thirrje për tolerancë të verbër fetare, por një fjalë për respektin reciprok. Në vend që të vazhdojmë të rrezikojmë dialogun me kulturat përmes provokimeve banale, ne duhet të bëjmë ç'është e mundur për të garantuar që të dëgjohen zërat e arësyeshëm dhe vetëkritikë, si në tekste ashtu edhe në fotografi".

Ne nuk mund t'u kërkojmë të tjerëve që me çdo kusht të besojnë Muhammedin a.s. për të Dërguar të Zotit, por është e drejta jonë që të kërkojmë që ta respektojnë atë. Ne nuk i ofendojmë ndjenjat fetare të të tjerëve andaj në mënyrë analoge edhe ata nuk duhet ti lëndojnë ndjenjat tona fetare.

Muslimanët nuk e konsiderojnë këtë incident si shprehje e lirë e mendimit por si sulm ndaj besimit të tyre.



Autor: Mr. Ajni SINANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...