Mbi atributet e Zotit!
Atëherë kur asgjë nuk ekzistonte, është, por s'do të jetë, Zoti ekzistonte, është dhe do të mbetet!
Meqë Zoti ekzistonte përherë dhe askush nuk e krijoi, këtë jo vetëm për faktin se nuk kishte nevojë të krijohej nga ndonjë qenie tjetër, por se një "qenie" e tillë ishte inekzistente (joqenia nuk mund ta krijojë qenien) - Ai domosdoshmërish duhet të posedojë atribute të përkryera, pakrahasimisht të pakrahasueshme me krijesat.
Një pyetje që me të drejtë lind, është se: "nëse atributet e Zotit janë të pakrahasueshme me ato të krijesave, atëherë si mund t'i njohim"?
Atributet e Zotit manifestohen në krijimin e Tij. Nëse në mënyrë të drejtpërdrejtë nuk e vërejmë Zotin duke i shfaqur atributet, ato i kuptojmë nëpërmjet vëzhgimit të krijimit që na rrethon. Nuk është kusht që për ta njohur dhe kuptuar një realitet të caktuar, duhet të vërehet ekzekutuesi i tij. Realiteti objektiv është dëshmi edhe pas ekzekutimit. Ai kuptohet apriori, pa ndërmjetësimin e askujt.
Fakti se nuk shihet orëndreqësi, aspak nuk është argument se ora precize që e kemi afër është punuar vetvetiu. Ora precize dëshmon mbi inteligjencën e punuesit të saj. Një ndërtesë e lartë përfaqëson një dëshmi se ndërtuesit e saj kanë pasur aftësi mendore e fizike dhe kanë poseduar mjete tekniko-teknologjike të përsosura në suaza të kufizuarës.
Disa prej atributeve të Zotit do t'i radhisim në vazhdim, duke qenë të vetëdijshëm se njeriu si qenie e kufizuar që është, asnjëherë nuk do të mund t'i trajtojë e përkufizojë atributet e Zotit ashtu siç janë në të vërtetë.
- I Përhershmi. Zoti ka ekzistuar, ekziston dhe do të ekzistojë përherë. Ndryshe në gjithësi nuk do të ekzistonte asnjë thermi. Nëse mbështetemi në parimin e kazualitetit deri në pafundësi, infinit, atëherë nuk do të kishim asnjë krijim të vetëm, sepse do të mungonte shkaktari final, si rezultat i të cilit do të pasonin rrjedhimet.
- Krijuesi. Zoti pasi që ka ekzistuar përherë, nuk ka dyshim se Ai, i vetmi, pa ndërmjetësimin e askujt, domosdoshmërish duhet ta posedojë atributin e Krijimit.
- I Vetmi. Zoti është i vetmi që nuk ka shok/ortak në sundim. Sikur të ishin dy zotë me kompetenca të njëjta, do të shkatërrohej e tërë gjithësia, sepse ata të dy do të hynin në konflikt mes vete, ngaqë njëri gjithnjë do të tentonte të dominonte mbi tjetrin. Ata asnjëherë nuk do të pajtoheshin rreth monitorimit të gjithësisë. Të imagjinojmë se njëri zot do t'i thoshte tjetrit: pasi që Dielli gjithnjë lindë në lindje dhe perëndon në perëndim, sot kam dëshirë që ai të lindë në perëndim dhe të perëndojë në lindje. Ndërsa tjetri të refuzonte, duke i thënë se jo, nuk pajtohem, sepse nëse deri më sot Dielli ka lindë në lindje dhe ka perënduar në perëndim, atëherë edhe në të ardhmen duhet të mbetet ky rregull, duke e justifikuar qëndrimin e vet, se nëse ndërrohet kahja e Diellit (këndi ynë tokë-diell), atëherë tek krijesat do të mbjellim depresion dhe frikë.
Dhe çdo të ngjante në ketë rast!? A s'do të harronin ata "zotët" së kanë krijuar krijesa të cilave u nevojitet furnizimi për të mbijetuar!? Duke u marrë me mbizotërimin ndaj njëri tjetrit gjithsesi do të harronin, dhe atëherë gjithësia do të shkatërrohej tërësisht.
- I Fundit, pa mbarim. Zoti e posedon atributin e të pafundmit, ngaqë paraprakisht ishte i pa fillim. Në kontekstin se askush nuk i parapriu Zotit, Ai ishte i pari, ndërkaq në realitet nuk kishte ndonjë fillim, sepse ekzistonte përjetësisht. Të fundme janë vetëm ato dukuri, sende, objekte që kanë pasur fillim. Për qenien e pafillim, Zotin, nuk vlen ligji i mbarimit, që është karakteristikë vetëm për qeniet, dukuritë, objekte dhe sendet me fillim.
- I Gjithëfuqishmi. Zoti si i përkryer që është, gjithsesi duhet ta ketë edhe atributin e të Gjithëfuqishmit. Këtë e kuptojmë nëpërmjet vështrimit të krijimit mahnitës të Universit. Kur kujtojmë, meditojmë dhe vëzhgojmë se me ç'shpejtësi rrotullohen planetët rreth Diellit, dhe vet Dielli rreth boshtit të vet, atëherë patjetër vijmë në konkludim, se përcaktuesi i shpejtësisë ka qenë i Gjithëfuqishëm.
- I Gjithëdijshmi. Zoti i Madhëruar patjetër se e posedon edhe atributin e të Gjithëdijshmit. Askush deri me sot, as sot dhe as në vazhdim, nuk do të krijojë ndonjë element që mund të zëvendësojë ajrin, ujin, grurin, syrin, dorën, këmbën, e lëre më mendjen, e cila iu jep kuptim gjymtyrëve tjera trupore dhe botës në përgjithësi. Ndonëse njeriu mund t'i zëvendësojë disa gjymtyrë trupore, ato zëvendësime janë shumë më të mangëta se ato që janë të krijuara natyrshëm prej Zotit.
Zoti është i vetmi që ka dije absolute mbi të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
- I Urti. Urtësia nuk mund t'i mungojë një qenie të Gjithëfuqishme e të Gjithëdijshme. Kjo cilësi manifestohet me rregullsinë dhe precizitetin në çdo gjë që ekziston në gjithësi. Gjithçka në vendin e vet, në kohën e duhur dhe në masë të mjaftueshme dëshmon mbi urtësinë e Zotit.
- I Pavaruri. Një Krijues i tillë, pasi që është pa fillim, medoemos e posedon edhe atributin e të pavarurit. Zoti nuk është i varur nga asgjë, sepse nuk ekziston me konsensus apo me ndërmjetësimin e ndonjë qenie tjetër.
- I Drejti. Pasi që vetëm Zotit i takon pavarësia dhe gjithëfuqishmëria absolute, Ai nuk ka arsye të mos jetë i drejtë, ngase nuk ka ndonjë rival që do t'ia cenonte drejtësinë, e cila do të mund të zbehej si rezultat i anshmërisë, me qëllim të shtimit të pasurisë. Në përgjithësi njerëzit pushojnë së qeni të drejtë, kur janë të shtyrë të japin gjykime të njëanshme, të cilat atyre iu sjellin përfitime materiale ose prestigjioze. Këto veti vlejnë për krijesat, por jo edhe për Krijuesin.
Meqë Zoti nuk është i varur nga askush dhe nuk ka nevojë ta shtojë pasurinë, Ai është larg vetive lakmuese. Si rrjedhojë, Ai është i pajisur me drejtësi absolute, mbase nuk e aplikon atë në rastet kur krijesat tregojnë ligësi në raport me obligimet e caktuara prej Tij.
Pra, Zoti është i drejtë në aspektin që askujt nuk i bën të padrejtë. Por, kur është fjala të gjykojë me drejtësi duke u bazuar në atë që na ka obliguar, atëherë mëshira e Tij e mbizotëron drejtësinë. Sepse, sikur Zoti të gjykonte me drejtësi në mënyre rigoroze, duke pasur për bazë obligimet e caktuara, atëherë ne s'do të ekzistonim. Ngase kontrata njeri-Zot do të shkëputej me shkeljen e saj nga ana e njeriut. Ky është rasti tipik, kur qartazi manifestohet mëshira e Zotit ndaj njeriut.
- Mëshiruesi. Shohim se ajo fuqi që na ka krijuar ka mëshirë të pashtershme ndaj njerëzve. Mëshira e Zotit tejkalon hidhërimin e Tij. Pavarësisht nëse i kryejmë apo jo obligimet e caktuara, Zoti të gjithë i furnizon me ajër, ujë, lëshon shi e rreze dielli për ne, etj.. Madje mëshira e Zotit i kaplon edhe ata që e mohojnë Atë.
- I Pasuri. Njerëzit duhet ta kuptojnë se e gjithë pasuria i takon vetëm Zotit, ndërsa ata vetëm e trashëgojnë nga paraardhësit dhe ua lënë trashëgim pasardhësve. Zoti është më i pasuri, prandaj nuk ka nevojë për asnjë nga krijesat e veta. Gjithësinë Zoti nuk e krijoi pse ndjeu nevojë për të, por se me urtësinë e Tij përcaktoi kështu.
Derisa njeriu nuk e kupton domosdoshmërinë e ekzistencës së Zotit, ai nuk do ta besojë Atë, e aq më pak t'i praktikojë ligjësitë kozmike, morale e juridike të Tij.
Autor: Muhamet KRASNIQI