Dhikri individual dhe i përbashkët në shoqëri (xhemat)



Ibadetet e kryera bashkërisht (në xhemat), e këtu bën pjesë edhe dhikri, janë më të mira se ibadetet e kryera individualisht, ngase në xhemat zemrat (e njerëzve të devotshëm) takohen, ndihmohen dhe i dalin në ndihmë njëra tjetrës, zemrat e dobëta forcohen me fuqinë e atyre të fortave, të errëtat ndriçohen, të ngurtat fitojnë nga ato të buta, ato që dinë pak mësojnë nga ato që dinë më shumë e kështu me radhë.

Enesi, radijallahu anhu, transmeton që Pejgamberi i Allahut të ketë thënë: "Kur kaloni pranë kopshteve të Xhenetit, ushqehuni!", Sahabët e pyetën: "E ç'janë kopshtet e Xhenetit?", Ai, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, u përgjigj: "Ato janë hallka - dhikri", rathët (hallkat) e njerëzve që kryejnë dhikrin.

Ebu Hurejra dëshmon që Pejgamberi i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, të ketë thënë: "Te Allahu ka melekë të cilët shkojnë rrotull dhe kërkojnë mexhlise dhikri në rruzullin tokësor, do të thotë vendtakime të njerëzve ku përmenden emrat e Zotit. Kur ta takojnë në një tubim të tillë, me krahët e tre mbulojnë njëri tjetrin deri në qiell, dhe Allahu, xhel-le shanuhu, u thotë: "Prej nga po vinë?", Ata përgjigjen: "Vijmë nga robërit e Tu të cilët të madhërojnë, të falënderojnë dhe të madhërojnë, pranojnë Ti". Pastaj Allahu u thotë, ndërsa Ai këtë e di më mirë se ata (melekët): "Ç'kërkojnë ata?", Ata përgjigjen: "Ata kërkojnë Xhenetin". Allahu i pyet: "Po, a e kanë parë atë Xhenetin?", Melekët përgjigjen: "Jo, o Zot ynë", Allahu sërish i pyet: "Po, si do të reagonin sikur ta shikonin?". Pastaj Allahu i pyet: "Prej çfarë gjëje kërkojnë mbrojtje?", ndërkaq që Ai këtë e di më së miri. Ata përgjigjen: "Nga Zjarri". Ai sërish pyet: "Po, a e kanë parë atë Zjarrin?", Melekët deklarojnë: "Jo, o Zot!", Allahu i pyet: "Po, çka do të ndodhte sikur ta kishin parë?", Pastaj Ai xhel-le shanuhu, thotë: "Ju jeni dëshmitarë se ua kam falur (mëkatet) dhe se do t'u jap atë që ata kërkojnë dhe se do t'i mbroj nga ajo prej nga kërkojnë mbrojtje". Me këtë atëherë deklarojnë: "O Zot ynë, në mesin e tyre ndodhet një rob mëkatarë, ai rrinë me ta, por nuk është i tyre". Allahu xhel-le shanuhu, përgjigjet: "Edha ai qoftë i falur, ngase ata janë të tillë që kush rrinë me ta në shoqëri nuk mund të jetë fatkeq"!".

Ebu Hurejre dhe Ebu Seid el-Hudri, radijallahu anhum, deklarojnë që Pejgamberi i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve se-lem, të ketë thënë: "Nuk ka asnjë grup njerëzish që e përmend Allahun (e kryen dhikrin) e që melekët të mos e mbrojnë me krahët e tyre, të mos i mbulojë mëshira dhe që mbi ta të mos lëshohet paqja dhe qetësia, e që Allahu të mos i përmendë në mesin e atyre që janë pranë Tij".

Muaviu transmeton se Pejgamberi i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kishte hasur një grup sahabësh (në hallkë) dhe i kishte pyetur: "Përse jeni ulur kështu?" Ata deklaruan: "Jemi ulur për ta kujtuar dhe përmendur Allahun dhe për ta falënderuar e madhëruar Atë". Pejgamberi u tha: "Më ka ardhur Xhibrili dhe më ka lajmëruar se Allahu ju ka lavdëruar te melaqet".

Abdullah ibni Omeri, radijallahu anhu, transmeton një hadith të ngjashëm me të mësipërmin të transmetuar nga Enesi, radijallahu anhu, prandaj dijetari Ibni Alani, komentues i dhikrit, lidhur me domethënien e këtij hadithi thotë: "Kjo do të thotë: kur të kaloni pranë hallkës së dhikrit, d.m.th. njerëzve që bëjnë dhikër, bashkojuni në dhikër, ose dëgjoni dhikrin e tyre, ngase ata janë në kopshtet e Xhenetit sipas gjendjeve të tyre shpirtërore (ndjenjat) ose sipas qëllimeve ngase Lavdiploti ka thënë: E, për ata që kanë frikë nga paraqitja para Zotit të vet, janë dy Xhennete".

Dijetari Ibni Abidin në komentin e tij (Hashija) krahas diskutimit mbi dhikrin në xhemat, deklaron: "Imam El-Gazali dhikrin e individit dhe dhikrin në xhemat e ka krahasuar me ezanin individual dhe ezanin në xhemat", dhe vazhdon: "Si zërat e shumë muezinëve që e shkrijnë qiellin më shumë se zëni i një myezini, në atë masë edhe dhikri në xhemat ndikon në zemrën e pjesëmarrësit individual në aspektin e largimit të perdeve të rënda dhe të trasha (nga të vërtetat shpirtërore) më shumë sesa e bën dhikri individual".

El-Tahavi, ndërkaq deklaron: "Esh-Sha'rani thekson: Edhe dijetarët e lashtë edhe ata modernë islamë pajtohen në atë se dhikrullahu (të përmendurit e Allahut) në xhemat (bashkërisht) në xhami dhe në vendet tw tjera është mustehab, d.m.th. i pëlqyeshëm, i mirë, se nuk është i dëmshëm vetëm nëse dhikri i tyre me zë nuk pengon të fjeturit, ose ata që falen, ose ata që lexojnë Kur'an. Kështu është shkruar në veprat e të drejtës së Sheriatit (fikut)".

Dhikri individual, ndërkaq, ndikon në mënyrë individuale në pastrimin e zemrës, në zgjimin e saj, në udhëzimin e besimtarit që të ndihet mirë te Zoti i vet, të gëzojë në të përmendurit e Tij, në afrimin e tij. Prandaj besimtari gjithsesi duhet të ulet dhe të kujtojë dhe përmendë Allahun, i vetmuar me Zotin e tij, por pasi t'i bëjë llogaritë me vetveten dhe të shqyrtojë të metat dhe mangësitë e veta, kur të kujtojë gabimin e vet (kur e di se e ka bërë) të kërkojë falje dhe të pendohet, e nëse gjen ndonjë të metë të përpiqet ta lirojë dhe eliminojë.

Ebu-Hurejra transmeton që Pejgamberi i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: "Shtatë persona Allahu do t'i marrë në mbrojtje të posaçme atë Ditë kur nuk do të ketë mbrojtje tjetër përveç mbrojtjes së Allahut (Ditën e Gjykimit)", dhe ndër ta përmendi "edhe njeriun i cili në vetmi (kur është krejtësisht vetëm) kujton dhe përmend Allahun, e gjatë kësaj i mbushen sytë me lot".



Autor: Abdul Kadir Isa

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...