Me çka karakterizohen Selefët dhe Halefët



All-llahu është i lirë nga të kundërtat e këtyre cilësive dhe nga të gjithë dobësitë

Sqarimi i kësaj çështjeje është se pasi ne përfunduam me shpjegimin dhe zbërthimin e cilësive të përmendura më parë, të cilat siç e pamë janë të vërtetuara me argumente tekstuale dhe logjikë të saktë. Pra, pasiqë u sqaruan këto, atëherë s'do mend se çdonjëra prej tyre duhet besuar bindshëm.

Besimi në këto cilësi kërkon që të gjitha të kundërtat e këtyre cilësive t'i hedhim poshtë nga All-llahu. Pra, në bazë të cilësive të theksuara të All-llahut, prerazi konstatohet se Ai nuk ka shok, nuk ka rival, nuk kufizohet me vend e as me kohë. All-llahu nuk është substancë e as rastësi, as trup si dhe Atij nuk i takon dhe nuk i përshkruhet ndonjë nevojë e gjërave në fjalë, bie fjala: "të bëhet me shenjë se Ai është këtu apo atje, ose t'i mvishet lëvizja prej një vendi në tjetrin. Njëkohësisht nuk bën që All-llahut t'i përshkruhet mosdija, gënjeshtra, fjetja, harresa, detyrimi ...", dhe shumë gjëra të tjera që janë të kundërtat e cilësive që i përmendëm më parë.


Ajetet muteshabih (të paqarta) të cilësive dhe qëndrimi i selefëve (të parëve) dhe i halefëve (dijetarëve më të vonshëm)

Ndërkaq disa ajete kur'anore dhe hadithe të Pejgamberit alejhis-selam këto që deklaruam deri tani e vënë në paqartësi (për nga pamja përdorimi i jashtëm) fjalët e ajeteve dhe haditheve, të cilat për nga pamja (përdorimi) dhe kuptimi i jashtëm japin të kuptosh disa dobësi ose të kundërta, të cilat ne i hodhëm poshtë që Dhati (Qenia) i All-llahut të përshkruhet me to. Gjegjësisht që Ai të përshkruhet se ka anë (mënyrë), se është trupor, se ka gjymtyrë, organe dhe se kufizohet me vend.

Sa për ilustrim po sjellim disa ajete të tilla kur'anore:
"Dhe kur të vijë Zoti yt dhe melaiket qëndrojnë radhë-radhë!",(El-Fexhr,22),
"... dora e All-llahut është mbi duart e tyre ...", (El-Fet'h, 10),
"... Jo, duart e Tij janë të shlira ...", (El-Maideh, 64),
"(E Ai është) Mëshiruesi që qëndron mbi Arshin.", (Taha, 5).

Po ashtu fjala e Pejgamberit ku thotë:
"Zemrat e bijve të Ademit janë midis dy gishtave nga gishtat e Rahmanit (mëshiruesit, Zotit)", dhe hadithi, "All-llahu njeriun e krijoi në formën e Tij".

Pra, si do ta bëjmë harmonizimin midis asaj që sqaruam dhe që i përmendëm më lart, të cilat vërtetoheshin me argumente bindëse e të sakta dhe kuptimit të jashtëm të këtyre ajeteve dhe këtyre teksteve?

Përgjigjja e kësaj pyetje është se: këto tekste kur'anore janë të llojit muteshabih, të cilën All-llahu e përmend se në Kur'an ka ajete të tilla. Fjala muteshabih nënkupton çdo tekst që jep mundësi për më tepër se një kuptim rreth fjalës që ka për qëllim e që për nga kuptimi i jashtëm na jep të supozojmë atë për të cilën ekzistojnë argumente se ajo hidhet poshtë, nuk pranohet. Ndërkaq nga ana tjetër kemi ajete të tjera, të cilat po ashtu kanë të bëjnë me cilësitë e All-llahut të Madhëruar e të cilët janë muhkemat (të qarta), domethënë të prera në domethëniet e tyre dhe në vete nuk mbajnë mundësi për më tepër kuptim vetëm se kuptimin e qartë, të hapur e të prerë.

Bie fjala si ajetet:
"... Asnjë send nuk është si Ai ...", (Esh-Shura, 11),
"Thuaj: Ai, All-llahu është Një! All-llahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (mbështetet) për çdo nevojë. As s'ka lindur kënd, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë", (El-Ihlas, 1 - 4).

All-llahu Fuqiplotë në librin e Tij me fjalë të qarta ka përforcuar domosdoshmërinë që besimtari të ndjeki ajetet e qarta të cilat gjenden në Librin e Tij dhe sipas tyre të ndërtojë besimin e vet kurse ajetet e paqarta t'i vëri pas tyre si për nga aspekti i kuptimit të tyre po ashtu edhe për nga të kufizuarit të kuptimit që është për qëllim nga ato ajete. Nga ana tjetër All-llahu Fuqiplotë në mënyrë të prerë dënon atë që nuk përfill ajetet e qarta e të kuptueshme por ndjek ajetet të paqarta e të dykuptimshme duke i shpjeguar ato si të dojë.

Në Kur'an, All-llahu thotë:
"Ai është që ta zbriti librin ty e që në të ka ajete të qarta (muhkemat) dhe ato janë bazë e librit e ka të tjerë që nuk janë krejtësisht të qartë (muteshabih). E ata që në zemrat e tyre kanë anim nga e shtrembëra, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre. Po, pos All-llahut askush nuk e di domethënien e tyre të saktë. Dijetarët e pajisur me dituri thonë: Ne u kemi besuar atij (atyre që janë të paqarta), të gjitha janë nga Zoti ynë! Por këtë e kuptojnë vetëm ata që janë të zotët e mendjes.", (Ali Imran, 7).


Pika e përbashkët midis dy grupeve

Në bazë të asaj që u tha, të gjithë dijetarët unanimisht pohojnë se All-llahu Fuqiplotë është i lirë nga ajo që nënkuptohet prej përdorimit të jashtëm të atyre teksteve të paqarta dhe i haditheve pejgamberike. Gjegjësisht ndaj cilësive që shpërfillin e mohojnë përsosshmërinë e cilësive të All-llahut dhe hyjninë e Tij. Dijetarët kanë këtë qëndrim sepse ky qëndrim zbaton urdhërin e All-llahut fuqiplotë dhe në këtë mënyrë harmonizohet paralajmërimi i vërejtjes së All-llahut që të mos ndjekim ajetet që janë të paqarta dhe të mos hyjmë për t'i komentuar ato, duke lënë pas ajetet të qarta.

Ndërkaq pas kësaj marrëveshjeje (kaq është ajo që besimtari duhet ta besojë), dijetarët patën mendime të ndryshme prandaj u ndanë në dy drejtime. Drejtimin e parë e ndoqën selefët ndërsa të dytin e ndoqën dijetarët e mëvonshëm.


Me çka karakterizohen Selefët

Selefët mbështesin mendimin se nuk duhet të diskutohet dhe të jepen interpretime apo shpjegime të hollësishme për këto tekste dhe të mjaftohemi me atë që vetë All-llahu e ka theksuar për Veten, duke patur në konsideratë se Ai është i lirë nga çdo e metë e përngjasim me krijesat. Kjo arrihet duke ndjekur shpjegimin e përgjithshëm (ixhmalij) e këtyre teksteve, ndërsa kush është qëllimi me këto tekste t'ia lëmë dijes së All-llahut Fuqiplotë.

Por që t'i lëmë këto tekste të kuptohen vetëm sipas përdorimit të jashtëm të tyre, pa asnjë shpjegim qoftë i përgjithshëm (ixhmalij) apo i hollësishëm (tefsilij), një gjë e tillë nuk lejohet. Këtë gjë nuk e mbështesin as selefët [1] e as halefët [2]. Përndryshe nëse nuk veprohet në këtë mënyrë atëherë logjikën tënde lidhur me shumicën e cilësive do ta ngarkoje me shumë koncepte kontradiktore.

Ta qartësojmë këtë me disa shembuj.

All-llahu Fuqiplotë në librin e Tij të shenjtë Madhërisë së Vet në një ajet i mbështet sy në njëjës:
"... e që të edukohesh nën syrin (mbikëqyrjen) Tim", (Ta Ha, 39),
ndërsa në një ajet tjetër një gjë të tillë e thekson në shumës:
"Ti bën durim në vendimin e Zotit tënd, se ti je nën sytë (mbikëqyrjen) Tonë ...", (Et-Tur, 48).

Pra, sikur ti këto dy ajete t'i shpjegosh sipas kuptimit të jashtëm pa asnjë shpjegim atëherë me këtë do të ngarkojë Kur'anin me kontradikta prej të cilave Kur'ani është i pastër.

Njëkohësisht gjatë leximit të Kur'anit hasim edhe ajetin:
"(E Ai është) Mëshiruesi që qëndron mbi Arshin (e mban sundimin mbi gjithçka që ekziston)", (Ta Ha, 5), dhe ajetin:
"... dhe ne jemi më afër tij se damari (që rreh) i qafës së tij.", (Kaf, 16).

Pra, nëse ti këto dy ajete i komenton sipas përdorimit të kuptimit të jashtëm, duke mos i dhënë koment të përgjithshëm (ixhmalij) atëherë ti me këtë do të ngarkoje librin e All-llahut me kontradikta të hapura. Si do të ishte e mundur që të mos japim kurrfarë shpjegimi që All-llahu Fuqiplotë qëndron mbi Arshin e Tij dhe në të njëjtën kohë të jetë afër meje dhe ajo më afër se damari i qafës, përsëri duke mos dhënë kurrfarë interpretimi?!

Në një ajet tjetër thuhet:
"A u garantuat ju prej Atij që është në qiell, që të mos ju shafiti (të mos u lëshoj) toka kur të dridhet.", (El-Mulk, 16), dhe fjala e All-llahut:
"Ai është që në qiell All-llah dhe në tokë All-llah, ...", (Ez-Zuhruf, 84).

Gjithashtu nëse edhe këto dy ajete sikur t'i shpjegosh sipas përdorimit të jashtëm atëherë ti Kur'anin e fut në kontradikta të hapura. Ndërkaq, kur ti konsideron ndaj të gjitha këtyre ajeteve atë se All-llahu është i lirë nga të gjitha këto kuptime që përngjasojnë me krijesat e Tij, gjegjësisht se All-llahu nuk kufizohet me vend që të mund lë ketë dimensione, gjymtyrë, përshkrim dhe formë, dhe njëkohësisht pohon atë që vetë All-llahu ka pohuar për Dhatin -Qenien e vet dhe atë ashtu siç i takon përsosshmërisë së Tij, duke i mbështetur All-llahut detajizimin e asaj se ç'është për qëllim nga të gjitha këto tekste.

Kështu ti do të shpëtosh nga të menduarit kontradiktor dhe njëkohësisht do ta ruash paprekshmërinë e Kur'anit nga të imagjinuarit për ekzistimin e ndonjë kontradikte në të. Pra, kjo është edhe rruga e selefëve, All-llahu qoftë i kënaqur me ta.

Ndërkaq, a nuk ke vërejtur se ata për ajetet e tilla kanë thënë: "I kaloni ato (ajetet që janë muteshabih - të paqarta) pa u bërë përngjasim" [3]. Nga kjo del se sikur ata të mos i komentonin këto ajete me një koment të përgjithshëm (ixhmalij), gjegjësisht sipas konceptit që deri tashti shpjeguam atëherë nuk do të kishte asnjëfarë kuptimi që lidhur me këto ajete ata të thonin: "I kaloni ato (ajetet që janë muteshabih - të paqarta) pa u bërë përngjasim". Sikur të mos ishte kështu atëherë çfarë nevoje ka që ata, ato ajete t'i kalojnë duke mos u dhënë përngjasim kur kuptimi i ajeteve në fjalë për nga aspekti gjuhësor dhe frazeologjik janë të qarta saqë nuk ka asnjëfarë mosqartësie rreth burimit të kuptimit apo mënyrës së saj.

Por, s'do mend se ata kanë qenë të bindur se çështja nuk është sipas asaj që kuptohet nga përdorimi i jashtëm i formulimit dhe gjuhës dhe e gjithë kjo për shkak të asaj që na udhëzojnë ajetet e tjera të cilat janë të qarta. Pra, këtë që e bënë ata, është shpjegim i përgjithshëm (ixhmalij), i qartë. Por vetëm se ata nuk e futën veten në komentimin e këtyre teksteve në mënyrë që t'u përmbahen dhe t'i konfirmojnë ato (komentime), Pra, një veprim i tillë quhet ndalim ndaj interpretimit të hollësishëm (tefsilij). Andaj analizoje mirë këtë sepse kjo është një gjë e hollë, e cila është edhe e vërteta (Haku) që nuk duhet të ngatërrohet me të tjerat.


Me çka karakterizohen Halefët

Metoda e halefëve, të cilët erdhën pas tyre i interpretuan këto tekste por duke i kahëzuar e përputhur këto interpretime në një mënyrë që të jenë në harmoni të plotë me tekstet e tjera që janë muhkem (të qarta), të cilat japin të kuptojnë kryekëput se All-llahu është i lirë nga mënyra (që t'i përshkruhet anë), vendi dhe gjymtyrët.

Andaj këta (halefët) nocionin "el-istiva (qëndron)" të ajetit "(E Ai është) Mëshiruesi që qëndron mbi Arshin" (Ta Ha, 5), e kanë shpjeguar me fuqi dhe sundim, kuptim, i cili është i pranishëm dhe i njohur në gjuhën arabe. Ndërkaq nocionin "jed" (dorë) të një ajeti tjetër e shpjeguan me kuptimin fuqi ose bujari, kurse nocionin "ajn" (sy) e shpjeguan me kuptimin kujdes dhe mbikëqyrje.

Ndërsa nocionin "Isbiajn" (dy gishta), i cili përmendet në një hadith e shpjeguan me vullnet dhe fuqi. Kurse lidhur me hadithin: "All-llahu e krijoi Ademin në pamjen e tij", thanë se përemri "tij" i shkon Ademit e jo Dhatit (Qenies) të All-llahut. Domethënë kuptimi i hadithit është se All-llahu e krijoi Ademin po në atë pamje dhe formë, të cilën e pati edhe më pas, që do të thotë se ai nuk pësoi ndryshime, nuk evoluoi prej një formë në tjetrën.

Gjithashtu këta (halefët) thanë se përemri mund t'i kthehet edhe nocionit vëllaut, i cili është përmendur në fillim të hadithit që e transmeton Muslimi në Sahihun e tij: "Kur dikush të luftojë vëllaun e vet (për nga gjinia njerëzore, vër. e përkth.) le t'i iki fytyrës sepse All-llahu e krijoi Ademin në pamjen e tij", d.m.th., Ai le të respektojë fytyrën, e cila është manifestim i krijimit të Ademit.

Ose përemri i kthehet Dhatit (Qenies) të All-llahut të Madhëruar dhe kjo duke u mbështetur në një transmetim tjetër të pranishëm ku thuhet: "All-llahu e krijoi Ademin në pamjen e Rrahmanit", por duhet ditur se nocioni "Es-surah (formë, pamje)" ka kuptimin e cilësisë. Domethënë se All-llahu e pajisi njeriun me cilësitë si dituria e të kuptuarit, të cilat janë dhe burojnë nga cilësitë e All-llahut të Lartmadhëruar.

Pas gjithë kësaj që u tha, dije se metoda e selefëve në kohën e tyre ka qenë më e vlefshme, më e sigurtë dhe më e përshtatshme, me besimin e natyrshëm të mbështetur në logjikë dhe në zemër. Kurse edhe metoda e halefëve në kohën e tyre është bërë fakt përfundimtar, prej të cilit nuk mund të largohet. E gjithë kjo për shkak të formimit të shumë shkollave dhe zhvillimit të debateve shkencore dhe për shkak të paraqitjes së retorikës, e cila mbështetet në norma të termave apo shprehjeve figurative, për shkak të alegorisë dhe metaforës.

Shumë normale ishte që Imam Maliku, All-llahu e mëshiroftë atë, që ai në kohën e tij njeriut që i kishte ardhur për ta pyetur për domethënien e nocionit isteva që përmendet në ajetin kur'anor t'i thotë: "Mënyra e istivasë (e të qëndruarit të All-llahut mbi Arsh) është e panjohur (nuk mund të merret me mend, domethënia e saj është e ditur, besimi në të është vaxhib - obligim), kurse pyetja për një gjë të tillë është bid'at (risi)".

Pra, imam Maliku ka patur mundësi të përgjigjet në këtë mënyrë pasi ajo kohë ka qenë kohë e besimit (imanit) të denjë dhe se ajo kohë ka qenë afër kohës së Pejgamberit alejhis-salatu ves-selam dhe zgjerimit të rrezatimit të tij. Kurse kur është fjala për dijetarët, të cilët ishin në kohën e kodifikimit të shkrimeve, lulëzimit të shkencave, zgjerimit të rretheve të hulumtimit dhe të disiplinave të retorikës, këta nuk e kishin të lehtë që të dorëzohen, pa i analizuar këto tekste dhe ato në dritën e arritjeve të disiplinave të retorikës dhe termave figurative. Sidomos pasi në mesin e tyre kishte dualistë heretikë, të cilët nuk i kënaqte metoda e dorëzimit dhe shtireshin sikur kanë nevojë për shpjegime të hollësishme edhe pse në fakt ata ishin kokëfortë.

Me rëndësi është të kuptosh se që të dy drejtimet janë dy metoda që kanë një qëllim sepse përfundimi i të dy drejtimeve është që All-llahut Fuqiplotë nuk i përgjan asgjë dhe asnjë prej krijesave dhe se Ai është i lirë prej cilësive të dobëta. Pra, kundërshtimi midis këtyre dy drejtimeve është vetëm figurativ dhe formal.

Ne këtu nuk kemi të bëjmë me ato sekte, të cilat kanë devijuar e që quhen "mu'attileh" ose "muxhessimeh" dhe të cilët All-llahun e parafytyruan, duke e përshkruar si trup e pastaj filluan t'i imagjinojnë formë dhe pamje sipas dëshirës dhe shijes së tyre. Ata e bënin këtë duke u kapur pas përdorimit të jashtëm të këtyre teksteve, duke lënë pas shpine tekstet e tjera që janë të prera e të qarta si dhe duke anashkaluar natyrën e kësaj gjuhe (arabe), e cila në vetvete ngërthen metaforën - alegorinë, terma figurative dhe stile të ndryshme të të shprehurit.

Kështu ithtarët e sekteve të përmendura më lart as që kanë ndonjë peshë e as që u kushtohet ndonjë rëndësi e llogari kur është fjala për librin e All-llahut dhe komentimin e tij (Kur'anit) dhe ata nuk kanë të bëjnë me tekstet kur'anore (si me ato ajete që janë të qarta po ashtu edhe me ato jo të qartat). Por, ata janë asish që Dhatin (Qenien) e All-llahut, e kanë parafytyruar kryesisht sipas imagjinatave të tyre dhe pastaj janë munduar të gjejnë ajete nga libri i All-llahut për t'i vërtetuar imagjinatat e tyre.

Por sa larg që janë ajetet flagrante kur'anore për të vërtetuar një gjë të tillë, të cilat nuk shërbejnë për diçka tjetër vetëm se për të vërtetuar të vërtetën - Hakun e ndriçuar. Të tillët janë sikurse ata që adhuruan idhujt e tyre dhe që i fusin në kokat e tyre në vend që t'i vënë para syve (arsyes).

Nuk mund të gjesh përshkrim më të gjallë e të plotë për ta se fjala e All-llahut Fuqiplotë ku thotë:
"... E ata që në zemrat e tyre kanë anim kahe shtrembëra, ata gjurmojnë atë që nuk është krejt e qartë për të shkaktuar huti, e kinse kërkojnë komentin e tyre. ..." [4], (Ali Imran, 7).



Shkëputur nga libri: "Të vërtetat e patundshme të besimit islam",
Autor: Prof. Dr. EL-BUTI, Përktheu: Abdurrahman ASLLANI dhe Ibadete IMERI.



_________________________

[1] - Gjenerata e parë e dijetarëve që përfundon me Muhammed bin Hasen Esh-Shejbaniun, sqar. i pëkth..
[2] - Gjenerata e dijetnrëve prej Muhammed bin Hasen Esh-Shejbaniut e deri te Shemsu El-Eimmeh El-Hulvaniu, sqar. i përkth..
[3] - Një gjë të tillë e thonte: Malik bin Enei bin Sufjan bin Ujejneh dhe Abdull-llah bin El-Mubarak, (Gjithashtu shih edhe Sunenin e Tirmidhiut, vëll. 3, f. 24, tema "Vlera e sadakasë" si dhe shih edhe librin "El-I'tikad të Bejhekiut", f. 43).
[4] - Për më hollësisht rreth kësaj teme shiko librin "Min ravai'i el-Kur'an", f. 76, i autorit të këtij libri.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...