Hadithet sihariqojnë për Ebu Hanifen r.a.



Disa dijetarë kanë thënë se Pejgamberi s.a.w.s., udhëzuesi në rrugë të drejtë, ka sihariquar për ardhjen e Ebu Hanifes, kur ai ka thënë: "Sikur dituria (shkenca) të ishte e varur në plejadë (eth-thureja [1]) do ta hulumtonin për ta shpjeguar (zbuluar) atë, njerëz (dijetarë) nga bijtë e Persisë".

Imam Sujutiu për këtë hadith thotë se qëllimi i tij është Imami A'dhami Ebu Hanife En-Nu'man. [2]

Edhe në një hadith tjetër Pejgamberi a.s. ka thënë: "Do të ngritet zbukurimi i dynjasë (i kësaj bote) në vitin 150 h.".

Imam Bezaziju ka thënë se ky hadith bart mundësinë që të ketë për qëllim Ebu Hanifen, sepse në këtë vit ai ka vdekur. [3]

Çdo njeri që arrinë ta njohë personalitetin e Ebu Hanifes, diapazonin e gjerë të tij, sjelljet, qëndrimet e tij, pastaj ibadetin mjaft të shumtë ndaj Allahut xh.sh., përkushtimin e tij për shkencën dhe fenë, nuk mund të flasë asnjë fjalë dobësi përpos fjalë të shkëlqyera për të.

Në këtë kontekst, ekzistojnë shumë thënie të dijetarëve të clëshmuar në fe, që e çmojnë lart kontributin dhe personalitetin e Ebu Hanifes r.a..

Transmeton El-Hatib nga Ahmed bin Es-Sibag, i cili ka thënë: E kam dëgjuar Shafiun, Muhamed bin Idris të ketë thënë: "I është thënë Malik bin Enesit, a e ke parë Ebu Hanifën? Ai tha: Po, e kam parë një njeri që sikur të filste për këtë shtyllë se e ka bërë atë prej ari, do të binte për këtë argumente. Transmeton El-Hatib nga Ahmed bin Muhamed El-Belhi, i cili ka thënë: E kam dëgjuar Shedad bin Hakim duke thënë: Nuk kam parë njeri më dijetarë se Ebu Hanifeja".

Po ashtu, transmeton El-Hatib nga Muhamed bin Sa'd El-Katib i cili ka thënë: E kam dëgjuar Abdullah bin Davud El-Haribijj duke thënë: Është obligim për pjestarët e Islamit që në namazet e tyre të luten te Allahu i Madhëruar për Ebu Hanifën. [4]

Ekzistojnë edhe vërtetë shumë thënie miradije të mbarë Ymetit islam.

Ndërkaq, në anën tjetër, ata që bëjnë përpjekje për denoncimin e personalitetit të Imamit, apo që kanë ndonjë botëkuptim të shthurur ndaj tij, ata në fakt nuk e njohin atë, kurse "njerëzit janë injorantë ndaj gjërave që s'i dinë". Ata janë të manipuluar nga dezinformata dhe shpifje të disa rrymave, që synim qëndror e kanë interesin e tyre klanor dhe jo rizalil-lah (për kënaqësi të Allahut) dhe nuk mund t'i kënaqin pasionet e tyre derisa nuk mund ta thyejnë personalitetin famëmadh dhe shkencor të imam A'dham Ebu Hanifes, imam i medh'hebit hanefij, i cili ka shtrirje në pjesën dërrmuesë të botës muslimane.

Të flasësh keq për Ebu Hanifën, do të thotë që të mos jesh doajen i dijës, sepse ai ishte i pasionur në këtë. Po ashtu të flasësh keq për të do të thotë të jesh vegël e manipuluar nga udhëheqësit tiranë për të bërë dëm në popull, sepse ai kurrë nuk lejoi që të jetë i tillë, përkundër insistimeve të pushtetarëve të kohës së vet. Më me lehtësi e pranoi burgun, rrahjen, dhe vdekjen se sa të marrë detyrën ku nuk mund të ushtrohet drejtësia e vërtetë, etj. etj. ...



Autor: Mr. Orhan BISLIMAJ



_________________________

[1] - "Plejadë" do të thotë: grup i vogël yjesh afër yllësisë së Demit, i përbërë nga shtatë yje kryesorë dhe një numër yjesh më të dobët. Shih: Mikel Ndreca, "Fjalor flalësh dhe shprehjesh të huaja", Rilindja, Prishtinë, 1986, fq. 551..
[2] - El-Adhimijj "Muvxhezu tarihi...", op. cit. 14 -15.
[3] - El-Adhimijj "Muvxhezu tarihi...", op. cit. 15.
[4] - Për të gjitha këto thënie shih: Es-Sujutij "Tebjidus-sahifeti ..." op. cit. fq. 116.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...