Mbi mevludin, ditëlindjen e të dërguarit Muhammed s.a.v.s.
Në emër të All-llahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
Falënderojmë All-llahun, Zotin e të gjitha botëve, Sunduesin e Ditës së Gjykimit. I dërgojmë salavat dhe selam Muhammedit s.a.v.s., Ehli-bejtit të tij, as'habëve dhe të gjithë atyre të cilët do ta ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
I dërguari i All-llahut, Muhammedi s.a.v.s., ka lindur më 12. Rebiu-l-evvel, saktësisht 50 ditë pas ngjarjes së njohur të tentimit të shembjes së Qabesë (amu-l-fil - Viti i Elefantit), për të cilën flitet në suren El-Fil, viti 570., sipas mënyrës krishtere të llogaritjes së kohës. Babai i tij quhej Abdullah ibn Mutalib, ndërsa nëna Emine bint Vehb. Lindja e tij, sipas shumicës së historianëve dhe dijetarëve islam, ka ndodhur në agim të ditës së Hënës.
Muslimi e ka shënuar transmetimin nga Ebi Katade në të cilin tregohet se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., është pyetur mbi agjërimin e ditës së hënë, ku ka thënë: "Ajo është dita në të cilën kam lindur dhe dita në të cilën jam dërguar si pejgamber", (Muslimi).
Në "Musnedin" e Imam Ahmedit, nga Ibn Abbasi transmetohet se ka thënë: "I Dërguari i All-llahut s.a.v.s., në ditën e Hënë ka lindur, në ditën e Hënë është dërguar si pejgamber, në ditën e Hënë është shpërngulur nga Mekka, në ditën e Hënë ka hyr në Medine dhe në ditën e Hënë e ka vendosur Haxheru-l-esvedin në vendin e tij me rastin e renovimit të Qabesë".
Lindja e të Dërguarit të All-llahut, Muhammedit s.a.v.s., ka qenë e solidarizuar me disa fenomene të jashtëzakonshme dhe të çuditshme.
Imam Ahmedi ka shënuar transmetimin nga Irbade ibn Tharijet r.a., se i Dërguari i All-llahut s.a.v.s., ka thënë: "Unë tek All-llahu kam qenë i dërguari i fundit, kurse Ademi ka qenë në procesin e krijimit nga dheu, ndërsa për këtë do t'ju lajmëroj. Me të vërtetë unë jam rezultat i duasë së Ibrahimit dhe njoftimit përgëzues të Isait s.a.v.s., dhe pamjes (ru'ja) të cilën e ka parë nëna im, sepse nënat e pejgamberëve kanë pasur të shikuara".
"Nëna e të Dërguarit kur e ka lindur Muhammedin ka parë nurin (dritën) sesi i ka ndriçuar pallatet e Shamit", (El-Bizzari dhe Taberani, Hafiz ibn Haxheri ka thënë se ky hadith është sahih, sikur edhe te Hibbani dhe Hakimi).
Muhammedi s.a.v.s., është pasqyrim i duasë së Ibrahimit s.a.v.s., kur ka thënë: "Zoti ynë, dërgoi atyre në mesin e tyre një të dërguar i cili do t'ua lexoj ajetet e Tua".
Ai, gjithashtu, është paralajmërues nga Isai s.a.v.s., në fjalët e All-llahut: "Dhe u sjelli ju lajmin përgëzues mbi pejgamberin i cili do të vij pas meje, dhe quhet Ahmed".
Nuri (drita) i cili është parë me rastin e lindjes së tij është parë me sytë e ballit (rujetu-l-besarijje), pra dritë e vërtete, dhe aspak nuk është fjala për ndonjë simbolikë. Për këtë ekzistojnë transmetime të shumta.
Ebu Nujmi e ka shënuar nga Ummu Seleme r.a., nga Eminja, nëna e Pejgamberit s.a.v.s., se ka thënë: "Në prag të lindjes së tij pash një dritë e cila i ndriçoi pallatet e Shamit, mbase edhe unë i kam parë ato".
Muhammed ibn Sa'd transmeton hadithin nga disa as'habë, midis të cilëve janë Atai dhe Ibn Abbasi, së Emine bint Vehb ka thënë: "Kur e kam lindur (mendon në djalin e saj, Muhammedin s.a.v.s.) me të u paraqit drita (nuri) e cila ndriçoi gjithçka që është ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, dhe ai ra në tokë duke rënë në gjunjë".
Osman ibn ebi el-As ka transmetuar nga nëna e tij Um Osman Eth-Thekafijje, emri i plotë i së cilës është Fatime bint Abdullah, se ka thënë: "Kur prezantova në lindjen e Resulull-llahut, kur ai doli nga barku i nënës së tij, shtëpia u mbush me dritë. Kam parë se si yjet aq shumë ishin afruar sa që mendova se do të bien mbi mua. Kur e lindi Eminja, prej saj doli nuri i cili e ndriçoi gjithë shtëpinë, ashtu që nga ajo dritë tjetër send asgjë nuk kam parë".
El-Bejhekiu dhe Ebu Nuajmi kanë shënuar transmetimin nga Hasan ibn Thabit, poeti i të të Dërguarit s.a.v.s., se ka thënë: "Kur i kam pasur shtatë apo tetë vjet, vetëm se kam mundur të kuptoj dhe ta mbaj mend gjithë atë që dëgjoj". Në një mëngjes e kam dëgjuar një hebre duke thirrur me zë: "O ju Kurejshitë, a ka lindur mbrëmë ndonjë femijë tek ju"? I janë përgjigjur: "Nuk e dimë". Hebreu tha: "Verifikoni, se me të vërtetë këtë natë ka lindur i dërguari i këtij ummeti", (Hakimi dhe Jakub ibn Sufjani, me sened të mirë, sikur që thekson Ibn Haxheri, autori i "Fet'hu-l-barit").
Ndër çudirat të cilat ndodhën gjatë asaj nate është edhe dridhja e pallatit të Kisrasë dhe rrëzimi i 14 shtyllave (sherefave) nga ai. Në gjendjen e tillë është mbetur deri në ditët tona, sipas shënimeve të Ez-Zerkaniut. Pallati i Kisrasë nuk u shkund dhe nuk u rrënua për shkak të lëshimeve në ndërtim, sepse ai është i ndërtuar prej materialit shumë të fortë dhe kualitativ, lartësitë dhe gjerësitë e të cilit janë njëqind dhira'a. Harun Er-Rashidi ka tentuar ta rrënoj atë pallat, sepse ka paragjykuar se nën të është fshehur pasuri e madhe, mirëpo ka qenë i pafuqishëm përpara asaj ndërtese të fortë.
Me atë që ka ndodhur në natën e lindjes së të Dërguarit të All-llahut s.a.v.s., All-llahu xh.sh., ka dashur që me të të bëj mu'xhize të përhershme ndaj të dërguarit Muhammed s.a.v.s..
Hafidh Ibn Kethiri, në veprën e tij kapitale "El-Bidaje" ka shkruar kapitull të veçantë mbi shenjat dhe çudirat të cilat kanë ndodhur në natën që është lindur Muhammedi s.a.v.s..
Ndër të tjerash ka theksuar:
- Paraqitja e nurit të cilin e ka parë e ëma e tij,
- Të rënët e tij përmbys në dhe, duke kthyer kokën nga qielli,
- Paraqitja e nurit në gjithë shtëpinë, prej të cilit nuk është mundur asgjë të shihet,
- Pozita e ulët e yjeve gjatë asaj nate, ashtu që ata të cilët e kanë parë atë kanë menduar se tavani yjor do të bie mbi to,
- Dridhja e pallatit të Kisrasë dhe rrënimi i 14 shtyllave,
- Shuarja e zjarrit në Persi, i cili para kësaj është djegur një mijë vite.
Autor: Fikret ef. ARNAUT
Përktheu: Mehas ALIJA