Toleranca në Kur'an



Fillimisht mund të citojmë një ajet kur'anor, që është parim themelor i besimit islam dhe dispozita më madhështore me të cilën theksohet liria e plotë e besimit: "Nuk ka dhunë në fe".

Në një vend tjetër, Kur'ani thekson qartë, se zgjidhja përfundimtare e besimit është çështje private, vetjake: "Thuaj: E Vërteta është nga Zoti juaj, prandaj kush do, le të besojë, kush do, le të mos besojë".

Vargu i mëposhtëm kur'anor e bën edhe më të qartë parimin e lirisë së besimit, apo të mosbesimit individual. Thuaj: "O ju mosbesimtarë. Unë nuk adhuroj atë që ju e adhuroni. As ju nuk adhuroni atë që adhuroj unë. Unë kurrë nuk do të jem adhurues i asaj që ju adhuroni. Ju keni fenë tuaj, unë kam fenë time".

Ky koncept i tolerancës ndaj besimeve të tjera shtrihet edhe më tej dhe Kur'ani përkufizon qartë rolin dhe kufijtë e profetësisë. Kur'ani i porosit myslimanët të jenë tolerantë, zemërgjerë, të mëshirshëm dhe komunikues me pjesëtarët e feve të tjera: "Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi, këshillime, të mira dhe diskuto me ata në mënyrën më të mirë".

Ose vargu tjetër: "Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në tokë. E përse atëherë t'i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë". Kur'ani, nga myslimanët jo vetëm që kërkon tolerancë, mirëkuptim, sjellje e qëndrim korrekt ndaj pjesëtarëve të feve të tjera, por ai shkon edhe më larg dhe nga toleranca kalon në shkallën e njohjes, që është shkalla më e lartë e tolerancës dhe garanci për bashkëjetesë. Judaizmin dhe krishtërimin i njeh si fe monoteiste, fe që kanë librat e tyre të shpallur nga Zoti dhe bashkë me Islamin, që te tre religjionet, i quan fe qiellore, ndërsa hebrenjtë dhe të krishterët, si "Ehlu'l-Kitab" - "Ithtarë të Librit".

Në një ajet i fton për bashkim me këto fjalë: "O ithtarë të Librit, ejani të bashkohemi rreth gjërave të përbashkëta edhe për ju, edhe për ne: të adhurojmë vetëm Zotin e mos t'i bëjmë asnjë shok Atij dhe mos ta marrim njëri-tjetrin për Zot, në vend të Perëndisë". Në favor të asaj që Kur'ani i njeh popujt e tjerë shkon edhe njohja e profetëve të tyre. Kur'ani në të vërtetë nuk bën kurrfarë dallimi në mes të profetëve, duke filluar prej Ademit (Adamit) nëpërmjet Ibrahimit (Abrahamit) e Musait (Moisiut) e deri tek Muhamedi (a.s.).

Ndërsa për Isain (Jezusin) - të birin e Merjemes (Marisë), vërtetues i Teuratit (Toras), thotë: "Ne dërguam në gjurmët e profetëve - Isain (Jezusin). Dhe ne i dhamë atij Inxhilin (Ungjillin), në të cilin ka udhëzim e dritë, vërtetues i Tevratit (Toras), të cilin e kanë para vetes - udhërrëfim dhe këshillim për ata që i druhen Zotit". Kur'ani flet mbi Jezusin (Isain) në mënyra që nuk shprehen as për Muhamedin (a.s.): Jezusi ka lindur nga një e virgjër dhe lindja e tij u lajmërua nga një engjëll. Historia e lajmërimit të lindjes së Jezusit që përmban Kur'ani është mjaft e ngjashme me atë të Ungjillit të Lukës. Sipas Kur'anit, Jezusi predikoi edhe në fëmijëri, kreu mrekulli që fëmijë (siç tregohet në ungjijtë apokrifë) dhe gjatë misionit të tij kreu mrekulli të tjera të mëdha.

Ai gjithashtu paratha se do të vinte një profet tjetër me emrin "Ahmed" (më i nderuari) dhe sipas Kur'anit ai nuk vdiq në kryq, por u pranua menjëherë në qiell, për t'u rikthyer në botë në "kohën e fundit" (ahirzaman). Jezusi është quajtur Abdullah (rob, shërbëtor i Zotit) dhe në Kur'an kalon si "minel-mukarrabin" (ai që është afër Zotit). Kurse Maria (Merjemja) citohet 34 herë në Kur'an, ndërsa në Besëlidhjen e Re, 19 herë. Merjem është e vetmja grua e thirrur me emrin e saj në Kur'an, duke marrë emrin edhe një prej sureve (kapitujve të Kur'anit). Merjemes ngaqë i është dhënë një zbulesë nëpërmjet engjëllit Xhebrail (Gabriel), nga disa myslimanë thuhet që ka pasur edhe mision profetik. Kur'ani rrëfen paraqitjen në tempull, lajmërimin dhe lindjen e Jezusit, me tregime të ngjashme me ato të ungjijve apokrifë. Merjemja (Maria) ishte pa mëkat dhe me forcë e ruajti virgjërinë e saj. Ajo është quajtur "më e madhja ndër të gjitha gratë".

Në devotshmërinë popullore ndër myslimanë ajo merret si model për të gjitha gratë. Shenjtoret e saj në Damask, Jeruzalem, Efes dhe Deir el-Mukaddes në Egjipt, vizitohen shpesh edhe banorët vendas myslimanë dhe ekziston edhe një "agjërim marian", që mbahet nga gara të cilat presin fëmijët e tyre të parë. Kur'ani bën thirrje gjithashtu për dialog dhe marrëdhënie të mira me pasuesit e Librit (siç i quan hebrenjtë dhe të krishterët). "... Disa nga ithtarët e librit janë në të drejtën, ata recitojnë vargjet e librit të Zotit gjatë orëve të natës dhe përulen në adhurim. Ata besojnë në Zotin e në Ditën e Gjykimit. Urdhërojnë për të mirë, ndalojnë të keqen dhe garojnë në kryerjen e veprave të mira. Këta janë ndër të drejtët", "... Dhe mes ithtarëve të Librit më pranë do të gjenden ithtarët e librit dhe ata që thonë se janë të krishterë, pasi shumë prej tyre janë priftërinj dhe murgj dhe se ata nuk janë kryelartë", "... Në zemrat e tyre, Ne kemi mbjedhë butësi dhe mëshirë ...".

Kështu Kur'ani i bëri liritë fetare pjesë fundamentale të besimit islam. Ai thotë se roli i Profetit është të transmetojë porosinë e Zotit. Profeti nuk është kompetent ta detyrojë dikë, as nuk është përgjegjës për pranimin ose mospranimin e fesë që ai predikon. Kur'ani gjithashtu lavdëron njerëzimin për ngjyrat, gjuhët dhe besimet e ndryshme, i lavdëron ata që janë të ndryshëm, por që bëjnë gara për vepra të mira. Prandaj, lirisht mund të themi se Kur'ani konfirmon se krijimi nga Zoti është i mundshëm vetëm si krijim dallimesh! Kur'ani pohon se, shpërblimi i Zotit do t'i përfshijë të gjithë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Në këtë kuptim duhet të përkujtojmë gjithmonë vargun kur'anor, i cili thotë: "Ata që kanë besuar, por edhe ata që janë hebrenj, të krishterë dhe sabi'inët - që i kanë besuar Zotit dhe botës tjetër dhe kanë bërë vepra të mira, do të shpërblehen nga Zoti i tyre, për ata nuk do të ketë as frikë, as pikëllim".



Autor: Dr. Genti Kruja

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...