Vizita ndaj Pejgamberit s.a.v.s. në Medine



Që në fillim të theksojmë se vizita e Pejgamberit (s.a.v.s.) në Medine, është veprim i veçantë dhe nuk ndërlidhet me shtyllën e pestë të islamit që është haxhi.

Kjo nënkupton se vizita e Pejgamberit (s.a.v.s.) në Medine, si dhe vizitat tjera që bëhen në Medine, sipas normave të sheriatit islam, nuk kanë lidhshmëri me dispozitat dhe rregullat e haxhit, sepse kjo vizitë nuk është pjesë përbërëse e as kusht i haxhit. Haxhi është obligim islam (farz) i cili ka ruknet, farzet, vaxhibet dhe sunetet e veçanta, që në mesin e tyre nuk përmendet edhe vizita e Pejgamberit (s.a.v.s.). Edhe për rreth faktit se në literaturën përkatëse islame, tek të gjitha shkollat juridike islame, gjejmë se menjëherë pas kapitullit të haxhit ku shpjegohen dispozitat e haxhit, menjëherë shtjellohen edhe dispozitat që kanë të bëjnë vizitën e Pejgamberit (s.a.v.s.), por kjo assesi nuk nënkupton lidhshmërinë mes këtyre dy veprimeve.

Ajo që ndërlidhë këto dy veprime mes veti është vetëm fakti se haxhinjtë të cilët udhëtojnë nga trevat e larta, nga këndet e ndryshme të globit, për të kryer farzin e pestë të islamit haxhin, duke u ballafaquar me peripeci dhe lodhje të shumta duke mos anashkaluar edhe shpenzimet materiale, dhe meqë afrohen apo edhe ndoshta kalojnë për rreth qytetit të të Dërguarit (s.a.v.s.), xhamisë së tij dhe varrit ku prehet ai, atëherë do të ishte e pa logjikshme që të mos shfrytëzojnë rastin dhe të vizitojnë edhe Pejgamberin (s.a.v.s.), e veçanërisht kur merret parasysh fakti se për shumë haxhi ky është rasti i fundit që i jepet për të vizituar vendet e shenjta.


Ligjshmëria e vizitës së Pejgamberit s.a.v.s.

Në mbështetje të argumenteve autentike fundamentale islame unanimisht të gjithë dijetarët e Ehli Sunetit janë të mendimit për ligjshmërinë e vizitës së Pejgamberit (s.a.v.s.). Ky mendim ka mbështetje në Kur'anin fisnik, në sunetin e pastër të vet Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe në praktikën e sahabëve të tij. Argument nga Kur'ani famëlartë për lejimin e vizitës së Pejgamberit (s.a.v.s.), respektivisht varrit të tij kemi ajetin ku Allahu (xh.sh.) thotë: "E sikur të vinin ata te ti, pasi që ta kenë dëmtuar veten e tyre (nuk kanë pranuar gjykimin tënd), e të kërkonin ata ndjesë te Allahu e edhe i Dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do të kuptonin se Allahu pranonin pendimin dhe është mëshirues". [1] Nga ky ajeti kur'anor nënkuptohet se Allahu i Lartëmadhërishëm, për njerëzit të cilët për shkak të mëkateve, që kishin dëmtuar veten e tyre, dhe në momentin e vetëdijesimit të tyre ata kishin kërkuar flaje (ndjesë) nga Allahu (xh.sh.) dhe përmes vizitës së tyre te i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) si pendues për veprat e tyre që të kërkojnë që edhe i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) të kërkojë ndjesë për ta, atëherë sigurisht se do të arrijnë atë që e shpresojnë, pra faljen sepse Allahu (xh.sh.) pranon pendimin e penduesit dhe është i Mëshirshëm.

Pra, përmes këtij ajeti na sqarohet se lidhshmëria e pranimit të pendimit dhe mëshirës nga Allahu (xh.sh.) me ardhjen e tyre te i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) me kërkimin e tyre ndjesë për veten dhe me kërkimin e Pejgamberit (s.a.v.s.) ndjesë për ata që kishin dëmtuar veten e tyre me mëkate. Andaj, që të arrihet mëshira dhe falja e Allahut nuk mjaftoi për ta vetëm pendimi i thjesht i tyre, por edhe ardhja e tyre te i Dërguari (s.a.v.s.), që nënkupton vlerën e vizitës së Pejgamberit (s.a.v.s.).

Vlera e vizitës së Pejgamberit (s.a.v.s.) që përfshihet në këtë ajet, nuk kufizohet në hapësirë dhe kohë, pra nuk bën dallimin mes atij që është afër dhe atij që është larg, apo mes vizituesit kur i Dërguari ishte i gjallë apo pas vdekjes së tij, sepse i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Ai që më viziton mua pas vdekjes sime është sikur të më ketë vizituar derisa isha gjallë".

Se vizituesit e Pejgamberit (s.a.v.s.) pa dallim kohe dhe vendi do të jenë të përfshirë në faljen dhe mëshirën e Allahut (xh.sh.) vërteton pikërisht ky ajet kur'anor i cili është gjithëpërfshirës për të gjithë vizituesit. Kjo nënkuptohet atëherë kur ajetin e kundrojmë nga aspekti i rregullave të shkencës së Usuli fikhut dhe gjuhës arabe, sepse sipas rregullave të Usuli Fikhut, nëse folja vjen në formën e kushtin, si na paraqitet në këtë ajet, atëherë nënkupton gjithëpërfshishmëri, bile kjo është shkalla më e lartë e gjithpërfshishmërisë, andaj çdokush që tenton të bëjë eksplicitetin e ajetit ai ka gabuar. Kështu e kanë kuptuar ajetin në fjalë dijetarët dhe komentatorët (mufesirët) e Kur'anit, andaj edhe në shkoqitjen e këtij ajeti rrëfejnë edhe ngjarjen e njohur të Utebiut apo arabit i cili kishte ardhur për ta vizituar dhe për bërë tevesul te Pejgamberi (s.a.v.s.).


Argumentet nga suneti

Transmetohet nga el Utebiu i cili ka thënë: "Tri ditë pasi e kishim varrosur Pejgamberin (s.a.v.s.) isha ulur pran varrit të tij, dhe erdhi një arab, u ul pran varrit të tij dhe mori dhe nga varri tij dhe e hodhi mbi kokë dhe tha: Es-selamu aleje ja Resulallah (shpëtimi qoftë mbi ty o i Dërguari i Allahut), e kam dëgjuar Allahun ku thotë: "E sikur të vinin ata te ti, pasi që ta kenë dëmtuar veten e tyre (nuk kanë pranuar gjykimin tënd), e të kërkonin ata ndjesë te Allahu e edhe i Dërguari të kërkojë ndjesë për ta, ata do të kuptonin se Allahu pranonin pendimin dhe është mëshirues", e unë kam dëmtuar veten time, kam bërë mëkat, andaj kam ardhur te ti duke kërkuar falje nga Zoti im, dhe duke kërkuar ndërmjetësimin (shefatin) tënd te Zoti im. Pas një kohe doli një zë nga varri duke i thënë: Vërtetë të janë falur gabimet, mëkatet". Tefsiri i Kurtubiu dhe Ibni Kethirit.

Përveç këtij ajeti që argumenton dhe ligjëson vizitën e Pejgamberit (s.a.v.s.), kemi edhe ajetin tjetër ku Allahu i Lartëmadhërishëm thotë: "E kush del prej shtëpisë së tij si migrues te Allahu dhe i Dërguari i Tij, dhe e zë vdekja në rrugë, te Allahu është shpërblimi i tij, Allahu është mëshirues, mbulon të metat". [2]

Edhe pse ky ajet kur'anor nuk flet në mënyrë direkte për vizitën ndaj Pejgamberit (s.a.v.s.), dijetarët islam duke shkoqitur kuptimet e këtij ajeti janë të mendimit se ata që e vizitojnë të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) e veçanërisht nga vendet e largëta, përfshihen në kuptimin e nocionit migrim për hir të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, andaj edhe janë përfshirës në këtë ajet.

Argumente nga suneti i Pejgamberit (s.a.v.s.) për ligjësimin e vizitës së tij, kemi hadithin e transmetuar nga Ibni Omeri (r.a.) i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: " Kush e viziton varrin tim, i obligohet ndërmjetësimi (shefati) im". Këtë hadith e ka transmetuar Darul Kutni në sunenin e tij, njashtu edhe Kadi Ijadi në kapitullin e Shefatit, pastaj Hakimi dhe Termidhiu në Nevadir e të tjerë.

Transmetohet nga Ibni Omeri (r.a.) i cili ka thënë: i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Kush më vjen mua si vizitues, duke mos pasur interes tjetër përveç vizitës sime, është obligim (e drejtë) i imi që për të të jem ndërmjetësues". [3]


Shpeshtimi i vizitës së xhamisë së Pejgamberit s.a.v.s.

Të gjitha xhamitë në rruzullin tokësorë janë të njëjta për nga vlera e kryerjes së ibadetit në to, pavarësisht se ku gjenden ato, me përjashtim të tri xhamive që janë Qabeja në Meke, xhamia e Pejgamberit (s.a.v.s.) në Medine, dhe xhamia e Aksas në Jerusalem.

Përderisa madhështia dhe shenjtëria e Qabesë dhe e Mesxhidi Aksas përfitohet nga motivi se janë dy shtëpitë e para të vendosura në rruzullin tokësorë për adhurim Allahut (xh.sh.), shenjtëria dhe madhështia e xhamisë së Pejgamberit (s.a.v.s.) përfitohet pikërisht për shkak të motivit se aty qëndron edhe varri i zotëriut të të gjithë Pejgambereve Muhammedit (s.a.v.s.). Lidhje me këtë i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Mos i shpeshtoni udhëtimet për të vizituar xhami, me përjashtim të tri xhamive: Mesxhdi Haramit (Qabes), xhamisë sime, dhe xhamisë së Aksas".

Nëse hadithin e shohim nga këndi analitik, vërejmë se në strukturën e formimit të hadithit i Dërguari (s.a.v.s.) thotë: "Xhamia ime" e nuk thotë xhamia e Medinës. Kjo vetvetiu nxjerr në shesh se vlera, madhështia dhe shenjtëria e kësaj xhamie ndërlidhet direkt me të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.). Andaj, hadithi është i qartë në formën e argumentimin dhe nxitë shpeshtimin e vizitës së xhamisë së Pejgamberit (s.a.v.s.), faljen e namazit në të, faljen e namazit në Reuvdan e pastër, lutjeve, leximit të Kur'nit dhe të përmendurit e Allahut (xh.sh.). Meqë hadithi nxitë shpeshtimin e vizitës së xhamisë në këtë formë nënkupton edhe vizitën e varit të Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe përshëndetjen që i bëhet atij, sepse në hadith nuk ka ndalesë për vizitën e varrit të Pejgamberit (s.a.v.s.).

Ibni Asakiri transmeton një ngjarje nga Ebu Dardai (r.a.) me një sened të mirë, për vizitën e Bilal b. Rebahas që ia bëri Pejgamberit (s.a.v.s.) në Medine. Dihet fakti se pas vdekjes së Pejgamberit (s.a.v.s.) Bilali kishte shkuar në Sham, respektivisht në një qytezë të quajtur Dareja në Siri. Në kohën kur Omer b. Hatabi e kishte çliruar Kudsin, Bilali kishte parë një ëndërr në të cilën kishte parë të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) duke i thënë: "Ç'është tërë kjo zemër ngurtësi o Bilal, më harrove të më vizitosh". Pas ëndrrës Bilali i zgjua nga gjumi i frikësuar dhe i shqetësuar dhe menjëherë vendosi të udhëtojë për në Medine, për ta vizituar Pejgamberin (s.a.v.s.). Shkoi në Medine, e vizitoi varrin e Pejgamberit (s.a.v.s.) duke qarë te varri i tij. Aty takoi nipat e të Dërguarit të Allahut, djemtë e Aliut (r.a.) Hasanin dhe Husejnin, të cilët i përqafoi dhe i puthi. Ata kërkuan nga Bilali duke i thënë: "na ka marrë malli të dëgjojmë ezanin tënd ashtu si e thirrshi në kohën e Pejgamberit (s.a.v.s.)". Atëherë Bilali u ngjit në vendin e tij ku ngjitej për ta thirr ezanin në kohën e Pejgamberit (s.a.v.s.), e kur tha: "Allahu ekber, u dridh e tërë Medina". Kur tha: "Eshhedu en lailahe il-lallah, u shtua edhe më shumë dridhja e Medinës". Kur tha: "Eshhedu en-ne Muhammeden resulullah, dolën gratë nga shtëpitë tyre dhe thanë: U zgjua Pejgamberi (s.a.v.s.)". Nuk mbahet mend ndonjë ditë në historinë e Medinës që të jetë qarë në të më shumë se këtë ditë pas vdekjes së Pejgamberit (s.a.v.s.). Disa dijetarë thonë se Bilali asnjëherë nuk ka thirrur ezan pas vdekjes së Pejgamberit (s.a.v.s.) përveç kësaj dite, pra ditës që e vizitoi Pejgamberin (s.a.v.s.).


Vërejtje ndaj mos vizitës së Pejgamberit s.a.v.s.

Meqë u vërtetua ligjësimi dhe vlera e vizitës së Pejgamberit (s.a.v.s.), dhe përfitimet që i arrin vizituesi, me automatizëm nënkuptohet se mos vizita e Pejgamberit (s.a.v.s.) për ata që kanë mundësi për ta bërë dhe nuk e bëjnë tërheqë vërejtje te besimtari islam. Për këtë na mëson i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) në hadith e tij ku thotë: "Kush e bënë haxhin dhe nuk më viziton mua, ai veç më ka harruar mua!". Lidhshmëria mes haxhit dhe vizitës së Pejgamberit (s.a.v.s.) në këtë hadith, nënkupton se ata të cilët e kryejnë obligimin e haxhit, u jepet mundësia reale për ta vizituar edhe Pejgamberin (s.a.v.s.), e veçanërisht ata që vijnë nga vendet e larta. Andaj, nëse nuk e vizitojnë Pejgamberin (s.a.v.s.) ata e kanë harruar Pejgamberin (s.a.v.s.) si pasojë e zemër ngurtësisë së tyre. Në një transmetim tjetër Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: "Ai cili nuk më viziton mua, ai më ka harruar mua", kurse në një transmetim tjetër thuhet: "Kush e viziton varrin tim pas vdekjes sime, është ngjashëm sikur të më ketë vizituar gjatë jetës sime, e kush nuk më viziton, ai më ka harruar mua!".

Nga këto hadithe na bëhet me dije fakti se i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka sqaruar se ata që nuk e vizitojnë Pejgamberin (s.a.v.s.) janë zemër ngurtë, e zemër ngurtësia nuk është cilësi e besimtarit të devotshëm, andaj edhe i tërhiqet vërejtja nga kjo çështje.

Në anën tjetër vizita e Pejgamberit (s.a.v.s.) shpien drejt zemër butësisë dhe është cilësi e besimtarit të devotshëm që shpien drejt bindjes dhe besimit të fortë dhe stabil. Nuk është e vërtetë e as nuk ka asnjë dozë të dyshimit se vizita e varrit të Pejgamberit (s.a.v.s.) konsiderohet idhujtari apo ngjashëm me të siç pretendon ta paraqes dikush, sepse me vizitën e varrit të Pejgamberit (s.a.v.s.) besimtari islam përforcon bindjen dhe vendimin tij duke njohur Muhammedin birin e Abdullahut si bartës të shpalljes hyjnore dhe të Dërguar të Allahut (xh.sh.), si plotësues i mirësisë sinqeritetit dhe devotshmërisë, e kjo është edhe thelbi i besimit imanit të pastër. Pastaj, ajo që është shumë me rëndësi të dihet për besimtarët islam është fakti se vizita e Pejgamberit (s.a.v.s.) është çështje që takon shkencës së fikhut, sepse është veprim që me të ndërlidhen dispozitat dhe normat konkrete juridike si lejimi, ndalimi, mekruhi, mendubi etj., e nuk është çështje akaidologjike.


Vizita e Pejgamberit nga Isai a.s.

Transmeton Hakimi në Mustedrikun e tij nga ebu Hurejra (r.a.) i cili ka thënë: I Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka thënë: "Isa, biri i Merjemes, do të zbresë si sundues dhe imam udhëheqës i drejtë, do të kryej haxhin ose umren ose mes tyre, pastaj do të vij te varri i im dhe do të më përshëndesë, e unë do t'ia kthejë përshëndetjen".


Edukata e vizitës ndaj Pejgamberit s.a.v.s.

Vizituesit të cilët kanë fatin të vizitojnë Pejgamberin (s.a.v.s.) duhet ti përmbahen edukatës dhe rregullave islame gjatë vizitës së tyre. Kur të hyjë në xhaminë e Pejgamberit (s.a.v.s.) duhet të hyjë i qetë shpirtërisht i kënaqur dhe të mos ngrejë zërin në xhami sepse ngritja e zërit në xhami është veprim i ndaluar sipas islamit e në xhaminë e Pejgamberit (s.a.v.s.) mos ngritja e zërit është edhe më prioritare.

Transmetohet nga Ebu Bekri (r.a.) se ka thënë: "Nuk duhet, nuk është nga edukata islame ngritja e zërit ndaj Pejgamberit (s.a.v.s.) as duke qenë i gjallë e as i vdekur". Po ashtu tregohet se Omer b. Hatabi (r.a.) njëherë kishte parë dy burra nga Taifi dhe u tha: "Sikur të ishit nga vendi, nga Medina do tu kisha kthyer prapë duke u rrahur, a po e ngritni zërin në xhaminë e të Dërguarit të Allahut (xh.sh.)". Aisheja bashkëshortja e Pejgamberit (s.a.v.s.) në një rast kur disa fqinjë për rreth xhamisë punon diçka dhe normalisht duke punuar dhe kishin bërë edhe zhurmë duke ngulur baski, dhe ajo kishte Dërguar një njeri te ata dhe u kishte thënë: "më ngadalë, mos e shqetësoni të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.)".

Thuhet se Halifja i myslimanëve Mensuri gjatë një polemike me imam Malikun kishte ngritur zërin në xhaminë e Pejgamberit (s.a.v.s.) e imam Maliku i tha: "O sunduesi i myslimanëve, mos e ngrit zërin këtu në xhaminë e Pejgamberit (s.a.v.s.), sepse vërtetë Allahu ka edukuar disa njerëz duke u thënë: "O ju që keni besuar, mos i ngriti zërat tuaj mbi zërin e Pejgamberit (s.a.v.s.)". [4] dhe e ka lavdëruar një pjesë të tyre duke i thënë: "Ata që ulin zërat e tyre pran të Dërguarit të Allahut, Allahu zemrat e tyre i ka përshtatur për devotshmëri".[5] dhe ua tërheq vërejtjen një pjese të popullit kur thotë: "Ata të cilët thërrasin përtej mureve, shumica e tyre janë që nuk kuptojnë". [1] Respekti ndaj Pejgamberit (s.a.v.s.) duke qenë i vdekur, duhet të jetë i barabartë me respektin sikur të ishte i gjallë".

Falja e namazit në xhami të Pejgamberit (s.a.v.s.) është më i vlefshëm se në të gjitha xhamitë tjera përveç Qabesë (Bejtullahit). Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: "Namazi në Xhaminë time është më i vlefshëm se sa njëmijë namaze në xhamitë tjera, përveç bejtullahut (Qabesë)". [7] Kjo vlefshmëri i përfshinë edhe namazet farze edhe ato nafile.

Personi i cili dëshiron vizitën e Resulullahit (s.a.v.s.) është mirë që të shtonë sa më shumë salevatet mbi të Dërguarin (s.a.v.s.). Kur të del para tij, shpinën e kthen kah kibla me fytyrë kah muri i varrit dhe shikon kokëulur, me nënshtrim duke përkujtuar në zemrën e tij të Dërguarin (s.a.v.s.) e pastaj e përshëndetë duke mos ngritur zërin e thotë: "Es-selamu alejke ej-juhen-nebij-ju ve rahmetullahi ve berekatuhu", e nëse dëshironë të zgjasë lutjet mundet.

Pastaj drejtohet në të djathtë kah lindja afër një metër dhe e përshëndetë Ebu Bekrin (r.a.), përshëndetë Omerin (r.a.) . Pas kësaj shkon te Reuda e pastër ku bënë dua dhe namaz. Transmetohet nga Ebu Hurejra (r.a.) se Pejgamberi (s.a.v.s.) ka thënë: "Ajo që është mes varrit tim dhe Minberit tim, është Reuda (Kopsht) prej kopshteve të Xhenetit, e edhe Minberi i takon kopshtit (Reudas)". [8]


Tevesuli - ndërmjetësimi

Me nocionin tevesul nënkuptojmë, ndërmjetësimi i njeriut te Zoti i tij përmes një krijese nga krijesat e Tij për të realizuar një kërkesë apo dëshirë.

Ndërmjetësimin - tevesuli te i Dërguari i Allahut (xh.sh.) sipas shumicës dërmuese të dijetarëve islam është veprim i lejuar, pavarësisht se bëhet duke qenë i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) i gjallë apo i vdekur. Mendimin e tyre e mbështesin në hadithin e një të verbëri i cili kishte ardhur te Pejgamberi (s.a.v.s.) dhe kishte kërkuar ndërmjetësim nga ai. Në këtë rast Pejgamberi (s.a.v.s.) të verbrit i kishte parashtruar mundësinë e zgjedhjes mes dy alternativave: "ose të duroj, të bëjë sabër, ose të lutet për të që ta shërojë". I verbëri zgjodhi alternativën e dytë pra lutjen për të. Atëherë i Dërguari i Allahut e urdhëroi që të marrë abdes, e pasta të lutet me këtë lutje: "O Zoti im,unë kërkoj nga Ti dhe pendohem te ti përmes Pejgamberit Tënd Muhammedit, Pejgamber i mëshirës, vërtetë unë përmes teje i jam drejtuar Zotit tim për nevojën time, atëherë më shëro me të mua", e ai e bëri këtë lutje dhe iu kthye të pamurit. [9]

Pozita e Pejgamberit (s.a.v.s.) te Allahu (xh.sh.) është vet qenia e tij si gjatë jetës ashtu pas vdekjes dhe ajo pozitë nuk ndryshon në asnjë mënyrë, sepse pozitën që ia dha Allahu (xh.sh.) të Dërguarit të Tij, ajo nuk pakësohet me vdekjen e tij.

Gjithashtu është vërtetuar se disa nga sahabët kishin bërë tevesul te Pejgamberi (s.a.v.s.) sikur që ishte rasti i Othman b. Hanifit. Pastaj ekziston edhe ngjarja e njohur mes myslimanëve, që është ngjarja e Omer b. Hatabit (r.a.) për kërkimin e shiut. Në kohën kur mbretëronte thatësia e madhe, Omer b. Hatabi kishte kërkuar nga Abasi b. Abdulmutalibi që të ndërmjetësoj - të bëjë tevesul për rënien e shiut dhe i kishte thënë: O Abas. Thuaj: "O Zoti ynë, vërtetë ne bënim ndërmjetësim - tevesul te Ti përmes të Dërguarit tonë, dhe na furnizoje me shi, e ne tani po ndërmjetësojmë te Ti përmes xhaxhait të Pejgamberit tonë, e ai bëri lutje dhe u furnizuam me shi". Ky argument është i qartë se sahabët (r.a.) bënin tevesul te Pejgamberi (s.a.v.s.).

Në një rast tjetër kur banorët e Medinës i kishte kapluar thatësi e madhe, banorët e saj ishin ankuar te Aisheja (r.a.) e ajo u kishte thënë: "Shikoni varrin e Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe prej varrit të tij formoni një dritare në mënyrë që mes tij dhe qiellit të mos ketë kulm (pengesë) dhe bëni tevesul përmes tij". Pastaj transmetuesi thotë: "ata vepruan sipas sugjerimit të Aishes (r.a.) dhe na zbriti shiu saqë gjelbëruan bimët dhe u trashën kafshët (devetë) nga dhjami andaj edhe ky vit u quajt viti i trashësisë".

Ky tevesul te varri i tij, nuk bëhej për shkak se ai ishte thjesht varr, porse bëhej për shkak se ky varr në brendësinë e tij kishte trupin e krijesës më të ndershme dhe më të dashurit të Allahut, Krijuesi i gjithësisë.

Argument tjetër për lejimin e tevesulit pas vdekjes së Pejgamberit (s.a.v.s.) kemi edhe analogjinë (kijasin), e lejimin e shfrytëzimit të gjurmëve të Pejgamberit (s.a.v.s.) që janë të ndara nga trupi i tij duke qenë gjallë Pejgamberi (s.a.v.s.). Ky veprim është i vërtetuar me hadithe të shumtë e në mesin e tyre kemi edhe hadithin e transmetuar nga Enes b. Maliki i cili ka thënë: "Pejgamberi (s.a.v.s.) një ditë kishte hyrë në shtëpinë e Umi Sulejmit, kishte hyrë brenda dhe ishte shtrirë në shtratin e saj dhe kishte fjetur. Meqë Umi Sulejmi nuk kishte qenë në shtëpi i kishin thënë: Pejgamberi (s.a.v.s.) ka hyrë në dhomën tënde dhe ka fjetur në shtratin tënd. Ajo erdhi, hyri brenda dhe vërejti se Pejgamberi (s.a.v.s.) ishte djersitur nga të nxehtit. Umu Sulejmi kishte nxjerrë nga kutia e saj e dyzenit një copë fasulete nga lëkura dhe me të ia fshiu djersën Pejgamberit (s.a.v.s.) dhe pastaj e shtrydhte në një enë dhe ruante atë. Në këtë moment u zgjua Pejgamberi (s.a.v.s.) nga gjumi dhe e pyeti: Çka je duke bërë oj Umi Sulejme? Ajo tha: O i Dërguari i Allahut, shpresojmë se me këtë do të ketë bereqet (ilaç) për fëmijët tanë. Pejgamberi (s.a.v.s.) tha: E ke qëlluar".

Në një transmetim tjetër të vërtetë, vërtetohet se Umi Sulejmi sa herë që i pakohej kjo djersë në enë, ajo i shtonte ujë, sepse ajo i dhuronte për shërim çdo kujt që kërkonte prej saj. Nga ky transmetim vërtetohet se gjurmët e tij edhe pas vdekjes së tij kishin ngelur si ilaç që shëroheshin me të, normalisht me dëshirën e Allahut (xh.sh.) Nga kjo nënkuptohet se gjurmët e tij që ishin të ndara nga trupi i tij, e që i kishin përdorur gjatë jetës së tij apo edhe pas vdekjes së tij si ilaç kanë vetëm dispozitën e shkakut (sebepit), që donë të thotë se këto çështje Allahu i kishte bërë si shkak (sebeb) për shërim kurse shërues i vërtetë pra shkaktar ishte Allahu (xh.sh.).

Atëherë, nëse gjurmët e Pejgamberit (s.a.v.s.) që ishin të ndara nga trupi i tij gjatë jetës së tij, kishin bartë të njëjtën dispozitë edhe pas vdekjes së tij, atëherë në analogji me këtë themi se pozita dhe autoriteti i tij që kishte te Allahu (xh.sh.) është më prioritare që të ngelë si e tillë edhe pas vdekjes së tij, sepse ai autoritet dhe ajo pozitë e tij te Allahu (xh.sh.) nuk pakësohet e as nuk ndryshohet pas vdekjes së tij.

Nëse thuhet se tevesuli te Pejgamberi (s.a.v.s.) lejohet vetëm gjatë jetës së tij, pra vetëm sa ishte gjallë ai, e nuk lejohet pas vdekjes së tij, atëherë kjo i përngjet rastit sikur ne të verifikojmë pozitën dhe autoritetin e tij vetëm duke qenë gjallë. Kurse pas vdekjes i ndërpritet ky autoritet dhe kjo pozitë. Ky mendim nuk mbanë as islamikisht e as logjikisht, sepse i Dërguari i Allahut (xh.sh.) ishte vetëm shkaktar e ai nuk ndikonte me vetë qenien e tij, e ai që ndikonte ishte Allahu (xh.sh.). Atëherë nëse ndikues ishte Allahu (xh.sh.) e Pejgamberi (s.a.v.s.) vetëm shkak, si mund të themi dhe të gjykojmë se ky autoritet dhe kjo pozitë e Pejgamberit (s.a.v.s.) vazhdonte vetëm kur ai ishte i gjallë, dhe e njëjta u ndërpre me vdekjen e tij.

Për në fund vetëm të përkujtoj se përdorimi i gjurmëve të Pejgamberit (s.a.v.s.) është veprim i mirë (mendub), që për këtë janë transmetuar hadithe të shumtë dhe të vërtetë që dëshmojnë dhe vërtetojnë se Sahabet kishin përdorur për bereqet ato gjurmë nga Pejgamberi (s.a.v.s.) si p.sh.: Flokët e tij, djersa e tij, abdesi i tij, gota e tij nga e cila pinte ujë, etj..



Autor: Mr. Taxhedin BISLIMI



_________________________

[1] - Suretu En-Nisa: 64.
[2] - Suretu En-Nisa: 100.
[3] - Regjistron ibni Asakiri në historinë e tij, Taberaniu dhe Darul Kutni në sunenin e tij.
[4] - Suretu el Huxhurat: 02.
[5] - Suretu el Huxhurat: 03.
[6] - Suretu el Huxhurat: 04.
[7] - Buhariu.
[8] - Buhariu.
[9] - Termidhiu.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...