Ashura: Një ditë drejtësie, shlyerjeje dhe faljeje



E hëna, 3 nëntor 2014, ishte dita e Ashurasë sipas kalendarit hixhri. Kjo është një ditë e kujtuar nga të gjithë muslimanët, sunnitë dhe shiitë, për të dëshmuar për historinë e profetëve dhe për të vajtuar tragjedinë e tmerrshme të Huseinit, nipit të Profetit Muhammed. Ajo jep mësime për drejtësi, falje dhe unitet, për të gjithë.

Ashura do të thotë fjalë për fjalë "dhjetë", dhe përkon me ditën e dhjetë të muajit hënor muharrem, që është po ashtu fillimi i kalendarit hixhri. Si burimet hebraike dhe islame i referohen një numri ngjarjesh historike që kanë ngjarë në këtë ditë. Pikërisht në këtë ditë profeti Musa (Moisi) i shpëtoi bijtë e Izraelit nga shtypja e faraonit, për të cilën hebrenjve iu kërkua të agjërojnë. Pas përmbytjes së madhe, arka e Nuhut (Noes) mbërriti e u ndal në malin Ararat në këtë ditë. Sipas shkrimeve të shenjta, Ashura dëshmoi gjithashtu pendimin e Ademit (Adamit) dhe Davudit (Davidit), lindjen e Musait (Moisiut) dhe Isait (Jezusit), kurorëzimin e Sulejmanit (Solomonit), dhe nxjerrjen e Junusit (Jonas) prej barkut të balenës.

Të gjitha këto tradita të treguara në shkrimet e shenjta hebraike dhe islame e kanë bërë Ashuranë një ditë të veçantë përkujtimi, përsiatjeje dhe mirënjohjeje. Hebrenjtë e kremtojnë atë si Jom Kippur, që fjalë për fjalë do të thotë, "dita e shlyerjes". Ajo korrespondon me ditën e dhjetë të tishreit, muajit të shtatë në kalendarin hebraik, kur Moisiu mposhti padrejtësinë e faraonit, i cili simbolizonte tërë të keqen dhe shkatërrimin. Ashtu si hebrenjtë, muslimanët e kremtojnë Ashuranë duke agjëruar, duke u lutur, dhe duke gatuar një ushqim të ëmbël të veçantë, të njohur në Turqi si ashure. E kaluara e këtij gatimi, të njohur po ashtu si Budingu i Nuhut (Noes), të çon pas, tek historia e Nuhut, kur ushqimi mungonte, dhe Nuhut e shokëve të tij iu desh të sajonin. Rezultati ishte përzierja e gjithçkaje që ata ishin në gjendje të gjenin, grurë, drithëra, arra dhe fruta të thata. Me gjithë vështirësitë e udhëtimit, ushqimi i tyre i vetëm rezultoi të qe i ëmbël, duke premtuar shpresë dhe shpëtim.

Dita e Ashurasë është gjithashtu një ditë zie, vajtimi, teksa përkon me ditën kur Huseini, nipi i Profetit Muhammed, dhe anëtarë të familjes së tij u martirizuan në mënyrë brutale nga kalifi omejad, Jezidi I, në Qerbela, në Irakun e sotëm, në vitin 61 të kalendarit hixhri, apo 680 të erës sonë. Në këtë betejë të egër, Huseini iu kundërvu shtypjes, tiranisë dhe padrejtësisë, dhe do të simbolizonte stadin më të lartë të drejtësisë, trimërisë dhe fisnikërisë. Muslimanët e kujtojnë atë si "zotëri i dëshmorëve", dhe përmendin kurajën, drejtësinë dhe përkushtimin e tij përballë shtypjes dhe mizorisë.

Historia e Huseinit në Qerbela nuk është shiite apo sunnite. Eshtë historia e shpirtrave guximtarë në mbrojtje të besimit dhe parimeve të tyre përballë një armiku të pamëshirshëm. Ajo është vënë në pah nga devocioni dhe kushtimi, nga një përpjekje fisnike për të ruajtur trashëgiminë e Profetit dhe për ta mbajtur lart parimin e drejtësisë. Eshtë një histori që vërteton edhe një herë se padrejtësia dhe përçarja sjellin vdekje dhe shkatërrim. Ky është një mësim që muslimanët e të gjitha besimeve, sekteve dhe prirjeve duhet t'i vënë sot veshin. Huseini nuk vdiq për të krijuar më shumë të çara dhe ndarje midis muslimanëve, ai vdiq për të ruajtur trashëgiminë e Profetit Muhammed. Nuk luftoi si një shiit apo sunnit, si hanefit apo xhaferit, apo si diçka tjetër. Ai jetoi dhe vdiq si një besimtar i vërtetë. Kuraja e tij nuk qe për trimërinë tokësore, por një akt nënshtrimi ndaj Zotit.

Sunnitët dhe shiitët ekstremistë po vrasin njëri-tjetrin sot në emër të fesë. Ata po akuzojnë njëri-tjetrin për tradhtimin e trashëgimisë së Profetit. Kërkojnë të krijojnë mbretëritë e tyre të vogla sunnite dhe shiite në dëm të njerëzisë dhe fesë së tyre. Mbahen pas pikëpamjeve të veta të ngushta dhe sektare, duke mos e kuptuar dëmin që po i bëjnë besimit dhe traditës së tyre. Në vend të kësaj, ata duhet të kthehen nga shembulli i Huseinit dhe të bashkohen kundër shtypjes e padrejtësisë, dhe jo ta çojnë dëm besimin e inteligjencën e tyre në luftime sektare.

Dijetarët sunnitë dhe shiitë, udhëheqësit politikë dhe fetarë, ekspertët, të parët e fiseve dhe njerëzit e zakonshëm duhet të bëjnë ç'të munden për t'i dhënë fund kësaj marrëzie sektare dhe për t'i ulur tensionet që tashmë kanë marrë mijëra jetë në shumë vende muslimane. E vetmja mënyra për ta respektuar dhe për ta ruajtur kujtimin e Huseinit është të mbrohen parimet e drejtësisë, unitetit dhe sinqeritetit, për të cilat ai dha jetën. Ashura paraqet në të njëjtën kohë një mundësi për të ndrequr marrëdhëniet mes hebrenjve dhe muslimanëve. Jom Kippuri në Judaizëm dhe Ashura në Islam i bashkojnë hebrenjtë dhe muslimanët kundër shtypjes dhe padrejtësisë faraonike. Ajo kremton, në përulësi dhe devocion, faljen dhe mëshirën që Zoti ka për bijtë e Ademit. Na fton t'i kapërcejmë dallimet fetare, etnike dhe sektare, të kujtojmë natyrën tonë njerëzore dhe detyrën fisnike që ajo vendos për të gjithë ne.



Autor: Ibrahim Kallën, [*]
Përktheu: Bujar M. Hoxha



_________________________

[*] - Autori mban titullin e ambasadorit dhe zv. Sekretarit të përgjithshëm në kabinetin e Presidentit të Republikës së Turqisë.

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...