Aspekti socio-juridik i Hixhretit



"O Mekja ime e dashur, të dua shumë, sikur të mos më kishin nxjerrë idhujtarët, kurrë nuk do të isha larguar nga ti".

Hixhreti i Pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) prej Mekes së nderuar në Medinen e ndritshme, edhe pse në esencë nuk është mrekulli e pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme), në realitet realizimi i këtij hixhreti është i mbushur për plotë mrekulli që ndërlidhen me këtë ngjarje. Madhështia, roli dhe rëndësia e hixhretit nënkuptohet nga vet fakti, se kjo ngjarje ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në jetën e pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) dhe të shokëve të tij, por edhe në formën e organizimit, zhvillimit, sistemimit dhe sistematizimit të obligimeve dhe të drejtave individuale dhe grupore në shoqërinë njerëzore, jo vetëm për ata që fizikisht e përjetuan këtë ngjarje, por edhe për gjeneratat që pasojnë deri sa të ekzistojë kjo botë. Këto gjurmë të thella në shpirtin jo vetëm të myslimanëve por edhe të botës njerëzore, janë argument i pashlyeshëm për freskinë e përhershme të besimit, etikës dhe legjislacionit islam që pa ndërprerë na kujtojnë në aktualitetin e kësaj ngjarje të rëndësishme islame.

Këto vlera të hixhretit sigurisht se Omer b. Hatabi, halifi i dytë, i kishte kuptuar më së miri, andaj dhe i motivuar nga këto vlera vendosi që hixhreti krahas ngjarjeve tjerave të shënojë edhe një datë historike për myslimanët në këtë nënqiell që është viti i ri Islam. Nëse me vëmendje analizojmë se pse Omeri ishte përcaktuar që pikërisht kjo ngjarje të jetë përfundimi dhe fillimi i kalendarit vjetor islam, s'do mend se para veti na dalin një sër porosi që duhet përkushtuar kujdes të veçantë në jetën tonë të përditshme, sepse në të kundërtën ngjarja e hixhretit po të kundrohej vetëm si ngjarje historike pa i kuptuar mesazhet e saja, do të ngelte si ngjarje shumë e zbehtë. Nga mesazhet më të rëndësishme që dalin nga hixhreti janë:


Organizimi institucional i myslimanëve

Nga mesazhet më vitale që jep ngjarja e hixhretit, e për të cilin vlen të sakrifikohet është organizimi institucional i jetës së islamit dhe të myslimanëve pa dallim kohe dhe vendi, ngase vetëm kjo formë e organizimit është garancë e progresit, stabilitetit, lirisë, paqes, dashurisë ndërnjerëzore dhe drejtësisë, si dhe garancë e ruajtjes së pastërtisë së islamit dhe vlerave të përgjithshme të saja. Po të mos kuptohej vlera e organizimit institucional nga myslimanët e parë, atëherë cila do të ishte arsyeja tjetër që ata të sakrifikojnë me pasurinë e tyre, me vendlindjen e tyre, me familjet e tyre, e edhe me jetën e tyre. Ata fillimisht kishin formuar bindjen, e më pas kishin promovuar praktikisht se ruajtja islamit dhe vlerave të saja në mënyrë individuale brenda qenies së tyre apo, edhe mureve të shtëpive të tyre jo vetëm që është joproduktive dhe regres, porse është edhe afatshkurtre, sepse nuk ekzistonte asnjë garancë për ruajtjen e tyre.

Në anën tjetër, ata ishin gjenerata që praktikisht kishin shijuar jetën e antivlerave që udhëhiqej nga ligji i shtazërisë, dhe tani me ardhjen e islamit po shijonin jetën e vlerave, të përfshira në një sistem hyjnor që është garancë jo vetëm e tyre por edhe e pasardhësve të tyre dhe tërë botës njerëzore. Ata e dinin se ky sistem vlerash bëri një revolucion të brendshëm tek ata, ku nga jeta shtazarake e përmbushur për plotë pasiguri dhe rreziqe, i shndërroi në harmoni, dashuri, kënaqësi dhe stabilitet. Pikërisht këto ishin arsyet, që ata të sakrifikonin me tërë atë që kishin, vetëm e vetëm që edhe njëherë të mos ktheheshin në jetën shtazarake të tyre. Ata ishin të bindur se njeriu në këtë botë ose duhet të jetojë si njeri dhe me vlera, ose më mirë është që të mos jetojë pa vlera.

Për këtë arsye ata u detyruan të hulumtojnë dhe të gjejnë hapësirë kohore edhe gjeografike ku do të vendosin themelet e patundshme të institucioneve islame, që do të jenë garancë e këtyre vlerave. Se sakrifica e Muhamedit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) dhe e myslimanëve ishin të këtij karakteri dëshmon fakti se Pejgamberi (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme), me të arritur në Medine pa humbur kohë menjëherë ndërmori hapat e parë për themelimin e institucioneve të para. Institucioni i parë që do të ngritët ishte themelimi i xhamisë në fshatin Kuba. Pasi qëndroi disa ditë në Kuba rrugës për në Medine, kishte ndërtuar edhe xhaminë ku myslimanët për herë të parë falën namazin e xhumasë në mënyrë të organizuar dhe kjo xhami e mori emrin xhamia e xhumasë.

Ngjashëm veproi edhe në Medine ku ndërtoi xhaminë. Xhamitë që i ngriti pejgamberi (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) dhe myslimanët e parë nuk ishin të kufizuara në veprimtarinë e tyre vetëm në faljen e namazit, porse ato ishin qendra ku tuboheshin myslimanët dhe krahas namazit të tyre, ata këshilloheshin mes veti, bashkëbisedonin dhe edukoheshin. Xhamitë ishin qendra prej ku i dërguari i Allahut (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) filloi formimin e gjeneratave nga të cilët do të ketë burra shteti, ushtarak të njohur në historinë e islamit, dijetar eminent, të cilët më vonë të mobilizuar me edukatën islame do të jenë bartës të islamit në të gjitha anët e rruzullit tokësorë.

Rezultatet e para që u arritën nga xhamia ishte vëllazërimi i myslimanëve mes muhaxhirëve dhe ensarëve, vëllazërim ky i cili është simbol i unitetit të myslimanëve, e që njëherit është edhe parakusht i formimit dhe funksionimit afatgjatë të institucioneve islame. Xhamia luante edhe rolin e kuvendit legjislativ, sepse me fillimin e formimit të institucioneve të para, dhe me vëllazërimin e myslimanëve, menjëherë u paraqit nevoja për themelimin e një akti normative i cili do të sistemojë obligimet dhe të drejtat e çdo anëtari të kësaj shoqërie, e ky akt normative u themelua pikërisht në xhaminë e Pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme).

Marrë parasysh faktin se shoqëria Medinase atë kohë ishte shoqëri multikonfesionale, nuk u harrua as ky kriter në hartimin e këtij akti normativ, andaj, juristët të cilët më vonë analizuan këtë akt normativ me të drejtë konstatuan se kjo kushtetutë ishte kushtetuta e parë e cila plotëson të gjitha kushtet dhe kriteret e një kushtetute bashkëkohore. Këtë e vërteton edhe një fakt tjetër, që kur bota bashkëkohore kishte filluar të merret me zgjidhjen e problemeve dhe sigurimin e të drejtave të minoritarëve përmes akteve normative, që edhe sot e kësaj dite paraqet një problem kyç në botën bashkëkohore, gjetën se këto probleme i dërguari i Allahut (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme), i kishte trajtuar shumë shekuj më parë, andaj edhe jo rastësisht se nëpër shumë konventa dhe akte tjera normative ndërkombëtare gjejmë se kushtetuta e pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) e cila ishte miratuar në Xhaminë e pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) ishte frymëzim për hartimin e tyre.


Ruajtja e rendit shoqërorë

Kushtetutën të cilën e kishte miratuar i dërguari i Allahut (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) dhe myslimanët krahas asaj që kishte karakter juridik, gjatë hartimit të sajë ishin marrë parasysh edhe kriteret e ndërtimit të etikës së lartë të besimtarit islam. Kësaj të fundit i kishin paraprirë edhe shumë citate dhe ajete të shpallura kur kemi parasysh faktin se shpallja Mekase kryesisht kishte të bëjë me çështjet e besimit dhe të moralit për dallim nga periudha Medinase ku shpallja do të karakterizohet me ajete që kanë të bëjnë me zbatimin praktik të jurisprudencës islame.

Kjo metodë kur'anore është metoda e parapërgatitjes së opinionit për veprim dhe zbatim praktik të ligjeve, sepse pa një parapërgatitje të tillë implementimi i ligjit do të jetë i zbehtë për të mos thënë absurd. Andaj, sekreti i zbatimit praktik dhe me përkushtim të thellë i ligjeve islame nga myslimanët qëndron pikërisht në faktin se ato ishin të ngritura mbi bazën e bindjes (besimit) dhe etikës, që më parë kishin përfituar besimtarët islam.

Kjo metodë ishte dhe ngeli edhe më tutje si garancë e zbatimit dhe praktikimit si dhe e zgjerimit të islamit në tërë rruzullin tokësor. Në funksion të ruajtjes së rendit shoqërorë, pejgamberi (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) shpeshherë jepte këshilla, e në mesin e tyre është edhe hadithi i cili në një formë sqaron edhe parimet mbi të cilat ndërtohet siguria dhe harmonia ndërnjerëzore si dhe sqaron integrimin e myslimanëve në veprimtari konstruktive duke u larguar nga destruktiviteti i cili jo vetëm që shkakton çrregullime në shoqëri, por edhe devijon qenien njerëzore.

Tërë këtë pejgamberi (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) e ka sqaruar duke thënë "Mysliman i vërtetë është ai, që myslimanët tjerë janë siguruar nga dora dhe gjuha e tij, kurse muhaxhir është ai që largohet nga veprimet që i ndaloi Allahu xh.sh.".

Këtë hadith të shkurtë në fjalë, por promotor i sjelljeve dhe veprimeve të njeriut në jetën e kësaj bote, nëse e kundrojmë nga këndi etik qartë vërehet se njeriu për të qenë besimtarë i vërtetë, kërkohet që të mbajë kontroll të plotë mbi gjymtyrët e trupit të tij, e veçanërisht dora dhe gjuha e tij, sepse shumica e të këqijave janë si pasojë e këtyre dy gjymtyrëve. Pra, dora e tij nuk guxon të jetë dorë krimineli që ushtron krime dhe padrejtësi ndaj të tjerëve, si vjedhja, uzurpimi, rrahja etj..

Ngjashëm edhe gjuha e tij e cila ka mundësi të shkaktoj dhe pasoj ofendime, sharje, shpifje, gënjeshtra etj, veprime këto nga të cilat shoqëria islame duhet të jetë e pastër. Pastaj i dërguari i Allahut (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme), sqaron dukshëm se kush dëshiron që të jetë pjesëmarrës në hixhretin e pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme), ka për obligim të përditshëm që të distancohet dhe të largohet nga veprimet e liga satanike, nga veprimet destruktive në ato konstruktive dhe frytdhënëse. Mirëpo nëse hadithin e kundrojmë nga këndvështrimi juridik-legjislativ, po ashtu qartë vërejmë se i dërguari i Allahut (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme).

Përmes këtij hadithi me porosinë e tij për ruajtjen dorës dhe gjuhës promovon vlerat më të larta legjislative, që legjislativja bashkëkohore nuk i ka arritur edhe sot e kësaj dite, për arsye se legjislatura bashkëkohore është e mbështetur vetëm mbi vlerat materiale dhe tërësisht është e zhveshur nga vlerat shpirtërore. Kjo thënie pejgamberike fillimisht nxitë besimtarët në gara mes veti në punë të mira, sinqeritet, devotshmëri, etikë, respektim dhe zbatim të asaj që ne e quajmë dispozitë apo akt normativ. Në anën tjetër konsiderohet një dispozitë preventive për privimin dhe ngulfatjen e tekeve individuale apo grupore që të realizojnë dëshirat e tyre, duke shkelur mbi kurrizin e më të dobëtëve. Efekti i këtij hadithi qëndron faktet që dalin nga mesazhet pejgamberike të këtij hadithi i cili me fuqinë e tij shpirtërore arriti të ndalojë shumë dukuri krimonigjene që shfaqen në shoqërinë njerëzore.

Përmes këtij hadithi luftohet krimi, dhuna fizike apo edhe psikike e ushtruar ndaj të tjerëve, dhuna ndaj pakicave dhe të pa fuqishmëve, vjedhja dhe korrupsioni, fyerja dhe shpifjet që nënçmojnë nderin dhe autoritetin e individit, etj.. Nga kjo nënkuptohet se i dërguari i Allahut (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme), përmes shpalljes hyjnore vuri themele të shëndosha për botën njerëzore, dhe me efikasitet shëroi plagë sociale, atëherë kur bota nuk diskutonte për gjëra të tilla. Këto anomali kriminogjene bota e quajtur bashkëkohore sot po i lufton, dhe assesi të arrijë suksese, ngase problem kyç i botës së civilizuar akoma është lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, tregtisë me mishin e bardhë, lufta kundër padrejtësisë që i bëhet minoriteteve etj.etj. Për të arritur efekt në këtë drejtim u miratuan qindra ligje si në karakterin ndërkombëtar ashtu edhe lokal, u shpenzuan mija e miliarda dollarë, por në realitet efektin që pati dhe ka ky hadith i shkurtë i pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) akoma nuk u arrit.

Arsyet për mos arritje të rezultateve të duhura janë të shumtë, por ai më kryesori është se krimin duhet ta luftojnë vetëm ata që janë të pastër prej tij. Në anën tjetër, pejgamberi (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme). përmes këtij hadithi shpalos dhe themelon një realitet dhe institucion që bota bashkëkohore e njohi pas shumë shekujve që është institucioni i rehabilitimit të individit. Andaj, me qenë se njeriu nuk është imun nga gabimet, sepse po të ishte imun nuk do të ishte njeri, por i devotshëm dhe i sinqertë konsiderohet ai i cili ka gabuar, porse në momentin e duhur tërhiqet nga gabimi duke e pranuar si gabim dhe sërish rehabilitohet në shoqëri, kurse shoqëria e pranon si anëtarë i barabartë. Kjo është shkalla më e lartë e rehabilitimit dhe zbatimi më i sinqertë i kuptimit të hixhretit.


Nuk ka hixhret pas çlirimit të Mekes

Edhe pse emigrimi i pejgamberit (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) dhe i myslimanëve në aspekt sipërfaqësor paraqet largimin fizik nga vendlindja, kjo nuk donë të thotë largim pa kthim apo kthim i shpinës së vendlindjes. Në dalje të Mekes me lot në sy pejgamberi (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) kishte thënë: O mekja ime e dashur, të dua shumë, sikur të mos më kishin nxjerruar idhujtarët, kurrë nuk do të isha larguar nga ti. Tani pejgamberi (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) dhe myslimanët fizikisht jetonin në Medine, por shpirtërisht gjithnjë mendonin dhe vepronin pa ndërprerë që një ditë të kthehen në vendlindje si ngadhënjimtarë.

Kjo ndodhi në vitin e tetë pas emigrimit, dhe me të çliruar të Mekes pejgamberi (Sal-lal-llahu alejhi ve sel-leme) përveç tjerash kishte thënë: "Nuk ka më emigrim pas çlirimit të Mekës, porse ka përpjekje (luftë) dhe sakrifikime".



Autor: Jusuf ZIMERI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...