Niqahu muaj ose vite para martesës është trillim i hoxhallarëve bashkëkohorë



Në shkronjat që do të derdhen nën titullin e lartshënuar do të mundohemi të qartësojmë një aktualitet të pamoralshëm në shoqëri. Mirëpo, i njëjti aktualitet në të vërtetë po maskohet me ligje të së drejtës islame duke i keqpërdorur ato.

E kemi fjalën për lidhjen paramartesore, mes një mashkulli dhe një femreje, gjë që parimisht nuk duhet të ekzistojë në një shoqëri muslimane. Por, hoxhallarët bashkëkohorë kanë trilluar një kurorëzim i cili e legalizon këtë lloj lidhje.

Këndvështrimi i parë nga ku ne do ta shikojmë këtë çështje është këndvështrimi i fik'hut, së drejtës islame. Nuk jam fekih, pra nuk jam jurist i së drejtës islame, por nga ajo që kanë thënë juristët (fukahatë) ne mund të kuptojmë se kurorëzimi në Islam është njëfarë tapie e cila dëshmon se filan burri e ka në "tapi" të veten filan gruan. Që nënkupton se ai ka përgjegjësinë e plotë mbi atë grua, përgjegjësinë materiale, morale dhe atë shpirtërore. Përgjegjësia morale nënkupton se burri duhet t'i sigurojë të mirat materiale për mirëmbajtjen e vendbanimit ku ai duhet të jetojë me atë grua. Ai duhet ta sigurojë atë, ndërsa ajo duhet ta mirëmbajë atë vendbanim.

Përgjegjësia morale nënkupton se ai ka përgjegjësi mbi moralin e familjes së porsakrijuar. Që do të thotë se ai duhet të bëjë rregulla të cilat do të jenë mekanizma për ta mbrojtur moralin në familje. E në kurorëzimin që bëhet disa muaj ose në disa raste edhe disa vite para bashkëjetesës së çiftit, këtë përgjegjësi në këtë lloj kurorëzimi burri nuk mund ta mbajë asnjëherë. Ndërsa me përgjegjësinë shpirtërore nënkuptohen ndjenjat e të dyja palëve. Pasi që kurorizimi është dëshmi se dy të porsakurorëzuarit do të jetojnë bashkë, kjo me automatizëm nënkupton se në çdo moment kur paraqitet nevoja që njeri të gjejë prehje shpirtërore tek tjetri ta ketë këtë mundësi.

Ndërsa këndvështrimi i dytë nga ku ne mund ta shikojmë këtë problematikë është këndvështrimi social dhe kulturor. Ne nuk i mbyllim gojët duke i përqeshur shoqëritë e degjeneruara, gjegjësisht ato që ne i quajmë shoqëri perëndimore, edhe atë duke thënë se në ato shoqëri nuk dihet kush kënd e ka grua, e kush kënd e ka djalë e vajzë, etj.. Ndërsa nga ana tjetër ne krijojmë mundësi ose u japim hapësirë të rinjve tanë që edhe shoqërinë tonë të moralshme deri dje, sot ta sjellin në një gjendje të atillë degjeneruese.

Lidhja paramartesore në mes një mashkulli dhe një femreje nuk ka ekzistuar edhe nuk guxon të ekzistojë në një shoqëri islame e me çfarë të drejtë ne këtë e legalizojmë. I kurorëzojmë (bëjmë niqah një mashkull dhe një femër) edhe pse jemi më se të vetëdijshëm se ata as ndërmend nuk e kanë të fillojnë të jetojnë nën një kulm në 2 ose 3 vitet e pas niqahut. Pastaj ne të njëjtit, hoxhallarët, nuk ndalemi së foluri për gjendjen e rëndë kulturore në shoqërinë tonë, ku na mbeti morali, pse rinia jonë u degjenerua kështu, e çka e çka jo. Në shoqërinë dhe kulturën islame ekziston martesa me kuptimin e plotë të saj dhe ekziston fejesa, e cila nënkupton një marrëveshje mes çiftit dhe në asnjë mënyrë nuk nënkupton legalizimin e marrëdhënieve seksuale mes tyre.

Një gjë e tillë ekziston tek fqinjët tanë sllavë ose perëndimorë, ata zakonisht provojnë njëri-tjetrin në krevat, pastaj në përditshmëri e pastaj nëse mendojnë se përshtaten në mes veti martohen. Unë e di se ti do të thuash se tek ne nuk është tamam kështu. Tek ne niqahu bëhet që të porsafejuarit të mund të vetmohen dhe të bisedojnë në mes veti, të mund të udhëtojnë së bashku, e për arsye tjera si këto. "Muhabet pas darke" i thonë këtij muhabeti atje nga ana jonë! Ose ai tjetri thotë: ata ashtu kështu do të vetmohen pasi të fejohen, e kështu që më mirë t'i bëjmë niqah e kështu pakëz do të jenë të arsyetuar. A se pse e cungon edhe e dëmton kulturën e një kombi dhe një feje dert nuk e ka aspak.

Ndërsa këndvështrimi tjetër nga ku ne mund ta shikojmë këtë virus të ri në shoqërinë tonë është këndvështrimi njerëzorë, gjegjësisht burrëror. Çfarë burri është ai i cili ia lejon vetes që femrën të cilën ai nesër mendon ta ketë bashkëshorte dhe ajo të jetë nëna e fëmijëve të tij, të njëjtën ta shëtisë park e në park, stacion e në stacion, hotel e në hotel. Unë nuk mund t'i kuptoj ndjenjat e një burri i cili puthjen e parë që ia dhuron gruas së vet ia dhuron në parkun e qytetit ose nën strehën e ndonjë shtëpie përskaj rrugës ose në ndonjë qorrsokak. Ato që puthen në strehë, në park ose në qorrsokak, ato janë të tjera femra, ato pastaj edhe nuk futen në shtëpi.

Ai hoxhë 'pekmezi' që të ka kurorëzuar islamikisht, atij ndoshta nuk i ka shkuar mendja se dy të porsakurorëzuarit në strehën e parë ose në parkun e parë ku do ta gjejnë, ato do të puthen. Ose si një X hoxhë prej këtyre "google-hoxhallarëve", thoshte: "lejohet që ata të vetmohen dhe të bëjnë çfarë të duan, nga se niqahu nënkupton pëlqimin e prindit të vajzës dhe ajo bëhet gruaja e tij ...". Po pajtohem, niqahu nënkupton pëlqimin e prindit të vajzës që ajo të jetë grua e atij djali, mirëpo nuk nënkupton pëlqimin e tij që ajo të lëpihet e të puthet nëpër skajet e qytetit.

Pastaj më e keqja është se i njëjti hoxhë flet për familjen dhe vlerën e saj në shoqërinë islame. E pastaj nuk mund t'i kuptoj ndjenjat e një burri i cili ia lejon vetes së vet, që virgjinitetin t'ia marrë gruas së vet në një dhomë moteli, ku zakonisht aty shkojnë e shfrenohen prostitutat. A të duket vlerësim i femrës kjo? Është turp e përtej turpit. Do të isha dakord sikurse të ndodhte që një çift janë fejuar sot, ditën e martesës e kanë pas 2 ose 3 muajve dhe rastësisht burrit i ka ardhur puna të udhëtojë për në Londër, për shembull, ose për në Paris, ose e ose ... Dhe "Don Zhuani" dëshiron që ta marrë të fejuarën me vete mirëpo nuk ka niqah. Kur këtë e kurorizon hoxha, prapë do të kishte një logjikë nga se ky zotëria dëshiron që puthjen e parë që do t'ia dhurojë gruas së vet të jetë në një dhomë hoteli nga dritarja e se cilës duket Big-Beni ose duket kulla e Ajfelit. Do të ktheheshte nga atje do ta bënin martesën dhe u kry puna.

Do të thoshte kurorëvënësi se i kurorëzoj këta, 2 ose 3 muaj para martesës, gjë që në parim nuk është e pëlqyer, ngase e vlerësoi romanticitetin (romantizmin) e djaloshit. Mirëpo këta që bëhen niqah në zyrat e ndonjërës nga myftinitë tona ose hoxha i fshatit ose i qytetit i kurorëzon në shtëpitë e tyre e pastaj këta me huxhum shkojnë te kalaja e Shkupit ose te parku i qytetit të Tetovës, Gostivarit e Dibrës ose te kisha e Kumanovës, këta as romantikë nuk janë ore burrë. Burra jo se jo! Dhe çka ndodh nesër? Lind një fëmijë nga ky çift dhe babai i thotë djalit pas disa viteve, përderisa ata udhëtojnë më veturë, eh biri i babës, a po e sheh këtë hotelin djathtas? Po babi po e shoh - ia kthen djali. Eh bir, pikërisht në këtë hotel e kaluam natën e parë unë dhe nëna jote dhe dua të them se pikërisht këtu është pikënisja jote. Edhe nëse nuk i thotë ai djalit të vet kështu, kjo bisedë do t'i vijë atij në kokë sa herë që do ta shohë atë X motel ose edhe sa herë që ndalet dhe e shikon fëmijën e vet të parë.

Kërkoj ndjesë për disa shprehje jo të hijshme, por në këso biseda është mirë të jesh më i drejtpërdrejtë. Dhe kjo nga se neve ndonjëherë na mbyllen sytë e nuk mund të mendojmë se çfarë pasoja mund të kemi nesër nga buzëqeshja e sodit. Por faji prapë mbetet tek ata që i kanë "dizginat" dhe frenat në dorë. Mos u mundoni të islamizoni diçka që në të vërtetë nuk është islame. Të shijshme janë 10, 20 ose 30 euro për një kurorëzim që zgjat vetëm 10 minuta, por me shumë kurorëzime si këto e merrni në qafë një shoqëri. E kisha fjalën për kurorëzimet që bëhen disa muaj ose disa vite para martesës, pra para se jeta bashkëshortore të fillojë.



Autor: Bunjamin LIMANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...