Vehabi apo selefi?



Autorë dhe enciklopedi të shumta janë mjaft të afërt në përcaktimin si vehabistë të besimtarëve që mëtojnë ta përjetojnë islamin selefi, si të parët, miqtë bashkëkohës të profetit Muhamed. Kush i ka vërejtur edhe në rrugë, burra me mjekra të lëshuara ecin përpara grave, gjithashtu të veshura në gri o në të zezë, e në të shumtën e rasteve të mbuluara me perçen që mbreti Zog e ndaloi 80 vjet më parë. Burrat mendojnë se mbajtja e mjekrës në atë mënyrë, por edhe mbulimi i grave, është detyrim për çdo mysliman, por shumë dijetarë dhe teologë islamë theksojnë se lëshimi i mjekrës, si dhe mbulimi i femrave mbi 6 vjeç ishte një veçori e Arabisë së shekullit të lindjes së islamit, dhe se në këtë aspekt islami nuk është i ngurtë.

Termi vehabizëm, që në botën perëndimore u bë veçanërisht i njohur pas 11 shtatorit të vitit 2001, u dedikohet pasuesve të Muhammed ibn Abdulvehhabit (1703-1792), vepra kryesore e të cilit, "Kitab et-Tevhid", hodhi bazat e një lëvizjeje që më shumë se fetare rezultoi të ishte politike. Duke mëtuar se ishte ndjekës i rrymës hanbelij, sipas dëshmive dhe teologëve, ai synonte të hidhte poshtë katër shkollat ligjore hanifije, malike, shafije e hanbelije të vërtetë, për të shkëputur Gadishullin Arabik prej sundimit 200-vjeçar të perandorisë osmane, si fuqia më e madhe myslimane e kohës, në një aleancë aspak të ndershme me britanikët.

Edhe pse si Abdulvehhabi pasuesit e tij në Shqipëri martohen në heshtje, pa muzikë, urrejnë më shumë se hebrenjtë dhe të krishterët vetë myslimanët e tjerë "turq", atyre nuk u pëlqen të deklarohen vehabistë. Në përpjekjen "Muhammed Ibn Abdulvehhabi dhe vehabizmi në dritën e provave", (botuar nga "Zëri Islam", Kosovë, 2004), Nexhat Ibrahimi thekson se vetë vehabistët njihen me termin muvehhidun, unitarë dhe e dinë veten pasues hanbelij të Ibn Tejmijes. Kjo ndoshta është arsyeja që në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, por edhe gjetkë nëpër Tiranë, Tetovë, etj., besimtarët me mjekrat e lëshuara, me veshje të gjatë e të errët, që për më tepër kanë "pushtuar" xhamitë edhe në kryeqytet, nuk preferohen të quhen vehabistë, por selefij, apo edhe hanbelij. "Këta janë frymëzuar nga Pakistani, sepse edhe veshjet i kanë gri si andej, e jo të bardha si në Arabinë Saudite", përpiqet të largojë çdo dyshim zëdhënësi Demetja. I pyetur se në ç'nivele është bashkëpunimi me Arabinë Saudite, ai mjaftohet me "kemi marrëveshje gojore". Ndërkaq, në një skanim origjinal e të guximshëm të shkaqeve që çuan në rrëzimin e simbolit të Kullave Binjake, ndryshe nga Noam Chomsky në "11 septembre, la raggione di chi"? (botuar nga "Mondadori", Itali, 2002), autori mysliman Stephen Sulejman Schwartz në librin e tij "Dy fytyrat e islamit" (botuar nga ARS, Shqipëri, 2005), akuzon pikërisht vehabizmin e Arabisë Saudite për financimin e terrorit, madje duke cituar disidentë fetarë të atjeshëm. Ka tre lloje myslimanësh në mbretërinë saudite: ata që duan t'i vrasin të gjithë (vehabistët ekstremistë); ata që duan t'i vrasin të gjithë myslimanët jovehabistë, por që duan edhe të mbajnë marrëdhënie të mira me fuqitë e krishtera (mbretërorët) dhe myslimanët tradicionalë që s'duan të vrasin njeri.

Raportime të shumta, sidomos gjatë 10 viteve të fundit, flasin për praninë gjithnjë e më të madhe të investimeve arabo-saudite në rajon, nëpërmjet ndërtimit të xhamive, hapjes së medreseve e shkollave, ndihmave humanitare dhe sidomos nëpërmjet dhurimit të literaturës fetare, kryesisht ribotime të Kur'anit, botimet e të cilit në të gjitha gjuhët e botës, të kritikuara edhe nga Khomeini gati 20 vjet më parë, janë ekskluzivitet i Arabisë Saudite. Sipas dëshmitarëve të shumtë, por edhe sipas fakteve të dokumentuara në librin e cituar të drejtuesit të Qendrës për Pluralizëm Islamik në Washington, Schwartz, kjo dekadë e fundit përkon edhe me rritjen e numrit të përkrahësve të vehabizmit në rajon e deri në Uzbekistan, Turkmenistan, Azerbajxhan, Kirgiztan, etj..

Ndërkohë që numri i të kthyerve nga ajo botë është i pakët. Ata që kanë pranuar të "rrëfejnë" në mirëbesim janë ende nën efektet traumatike të një periudhe të errët të jetës së tyre. E dinë mirë se ajo nuk ishte ferri, por ata nuk gjejnë fjalë tjetër për të përshkruar makthet prej të cilave luftojnë të shpëtojnë, sidomos për sa i takon ndjenjës së urrejtjes, që u induktohej për gjithçka dhe për gjithkënd.



Përgatiti: shqip-media



_________________________

Shkëputur nga Artikulli: "A janë vehabistët shqiptarë kamikazët e ardhshëm?".

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...