Haxhi dhe Umreja
Në emër të Zotit Bëmirës, Mëshirues
Haxhi
Është tubim më madhështor, të cilin All-llahu xh.sh. e bëri obligim të domosdoshëm për çdo musliman në botë, edhe atë së paku një herë në jetë, natyrisht për atë që ka mundësi. Në Kur'an, veç tjerash, All-llahu xh.sh. thotë: "Për hir të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është bërë obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo ...".
Ky tubim madhështor që bëhet një herë në vit, dallohet nga ibadetet apo lutjet tjera që bëjnë pjesë në shtyllat apo konditat e fesë islame - nga namazi, nga zeqati dhe nga agjërimi - sepse ky tubim madhështor organizohet në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë për të gjithë muslimanët e botës.
Pra, edhe pse, për shembull, namazi e ka kohën e caktuar për të gjithë besimtarët, gjegjësisht, të gjithë muslimanët i falin pesë kohët e namazit, ata nuk falen të gjithë në një vend. Ngjashëm, edhe agjërimi e ka kohën e caktuar për të gjithë muslimanët, porse ai nuk kryhet në një vend të caktuar, sikundër edhe zeqati.
Pra, Haxhi është shtyllë e pestë e besimit islam i cili të gjithë muslimanëve të botës ua mundëson tubimin në një vend dhe në një kohë për t'u njohur mes vete, për të qenë sa më afër njëri tjetrit, të njihen me gjendjen sociale mes vete, etj..
Edhe haxhi është një dëshmi e asaj se, bashkimin në një vend dhe kohë të caktuar të të gjithë popujve, racave e fiseve e bënë vetëm feja madhështore islame.
Pejgamberi a.s. ka thënë: "Kush e kryen haxhin dhe nuk u nënshtrohet më epsheve të shfrenuara, atij i shlyhen mëkatet dhe bëhet i pastër si në atë ditë kur e lindë nëna e tij", dhe tha: "Haxhi është pastrim (i përgjithshëm, fizik e shpirtëror) për të nuk ka gjykim tjetër përveç se shpërblim me Xhenet".
Hyrje
Falënderimi qoftë për All-llahun, shpëtimi i bekimi qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin a.s. dhe mbi të gjithë ata që e ndjekin rrugën e tij.
Nga leximi i ajeteve kur'anore vërejmë se Haxhi është obligim i domosdoshëm dhe se është njëra nga shtyllat-shartet e fesë së pastërt islame. Pejgamberi a.s. ka thënë: "Islami është ngritur në pesë shtylla: në dëshmi se 'nuk ka Zot tjetër përveç All-llahut, dhe se Muhamedi është i dërguari i All-llahut', falja e namazit, dhënia e Zeqatit, agjërimi i ramazanit, dhe vizita e shtëpisë (Haxhi) në Qabe".
Në këtë broshurë, në vazhdim do të flasim vetëm për regullat që kanë të bëjnë me Haxhin. Kur'ani fisnik thotë: "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura që vijnë prej rrugëve të largëta", (El-Haxhxh, 27).
Shumë nga dietarët u ndalën dhe i dhanë një sy studiues më të thellë këtij ajeti kur'anor i cili tregon për fshehtësitë e All-llahut në universin e Tij. Nga ky ajet gjithashtu mësojmë për një element shumë me rëndësi! Shtrohet pyetja: si mund të renditet apo të organizohet i gjithë njerëzimi për të arritur nga të gjitha anët dhe rrugët e largëta, kur dihet se thirrësi prej Qabes mund t'i thërrasë vetëm haxhinjtë që gjenden brenda aty. Është e vërtetë se ata asnjëherë nuk e kanë prishur rendin e haxhit, asnjëherë nuk kanë shprehur pakënaqësi, porse gjithmonë kanë qenë të kënaqr. Është imani-besimi i fortë e i paluhatshëm (në All-llahun xh.sh.) që ua shëndrit rrugën të gjithëve atyre që arrijnë aty dhe gjatë qëndrimit të tyre në atë vend të shenjtë. Nëse mundësitë e njerit janë të kufizuar, fuqia e All-llahut është e pakufsihme. Nëse zëri i thirrësit është i dobët apo mund të dëgjohet jo më larg se një kilometër, atëherë nuk kemi se ç'të bëjmë tjetër veçse t'i pranojmë gjërat që mund të ndodhin vetëm prej All-llahut Fuqiplotë, i Cili vendos çdo gjë që dëshiron në këtë botë me vullnetin e Tij të paskajshëm. Këtë më së miri e sqaron momenti kur All-llahu xh.sh. e urdhëroi Ibrahimin a.s. që të thirrë njerëz për në haxh: "Dhe thirr ndër njerëz për haxhin ...". Ai (Ibrahimi a.s.) i tha: "O Zot! E çfarë vlefte mund të ketë zëri im që ta njohtojë hapësirën"? All-llahu xh.sh. iu përgjegj: "Për ty është që të thërrasish e ta paraqesësh thirrjen, kush të dëgjojë le të dëgjojë ...".
All-llahu xh.sh. e urdhëroi Ibrahimin a.s. që t'i thërrasë njerëzit për në haxh nga shkaku se zëri mund të depërtojë edhe deri ta ata që janë të verbët apo që nuk dinë të lexojnë. Ndaj, telbija mbeti si simol dhe pjesë e haxhit përmes së cilit haxhinjtë thirren me zë: "Lebejke All-llahume lebejk. Lebejke la sherike Leke leb-bejk. Innel hamde ve niamete Leke vel Mulku la sherike Leke". Me këtë pos që i bëhet lutje All-llahut xh.sh. në të njëjtën kohë i përgjigjemi edhe thirrjes së Tij, duke thënë: "Lebejke" që do të thotë "të përgjigjem ...".
Përveç përgjigjes sonë për në haxh, gjithashtu hyjmë edhe në zbatimin e shumë rregullave që i përmbledh haxhi në esencën e vet, për të cilat do të flasim në vazhdim.
Mirëpo, i nderuari haxhi! Ta keshë parasysh se i gjithë haxhi përbënë një edukatë të brumosur e të farkuar në kullën e imanit-besimit në një Zot të Plotëfuqishëm. Pra, udhëtimi për në haxh për atë që ka mundësi është shprehje e besimit të thellë e të paluhatshëm në një Zot. Po ashtu, ky obligim, apo, kjo shtyllë e pestë e islamit, i nxitë muslimanët kudo në botë që të jenë punëtorë të palodhshëm dhe që me përpjekjet dhe mundin e tyre të shkojnë në vendin e tyre të shenjtë për ta pastruar shpirtin i cili ka nevojë për pastrim dhe ushqim. Vizita e Shtëpisë së Shenjtë, pra, Qabes, është me të vërtetë një ushqim i plotë shpirtëror.
Dhe në fund, shpëtimi, bekimi dhe paqa e All-llahut qoftë mbi ju!
Me nderime!
Autor: Prof. Behji El-Huli
Haxhi dhe Umreja mes kuptimit gjujhësor (terminologjik) dhe kuptimit në Sheriat (etimologjik) Autor: Prof. Behji EL-HULI
1. Fjala 'Haxh' do të thotë qëllim, synim. Në këtë rast, qëllim apo synim është të vizituarit e Qabes, Shtëpinë e pastër të All-llahut xh.sh. të cilën e bekoi Ai dhe e bëri obligim vizitën e saj.
2. Ndërkaq, fjala 'Umre' do të thotë vizitë - pra vizitë Qabes me qëllim të afrimit tek Zoti Fuqiplotë.
Vlenë të theksohet se që të dyja, edhe Haxhi edhe Umreja kanë dallim njëra prej tjetrës dhe bartin karakterisika për të cilat do t'ju njohtojmë në vazhdim.
Rregullat e Haxhit dhe të Umres
Haxhi është obligim i domosdoshëm, i argumentuar me ajete kur'anore e me hadithe të Pejgamberit a.s..
a). Argument i Kur'anit Famëlartë është ajeti ku All-llahu xh.sh. urdhëron: "Për hirë të All-llahut, vizita e shtëpisë (Qabes) është bërë obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo".
Nga ky ajte kuptohet se All-llahu xh.sh. haxhin e beri obligim që për hirë të Tij besimtarët të cilët posedojnë pasuri të shkojnë në Qabe, pa kursyer, ngase Krijuesi Fuqiplotë është Ai që i dhuroi njeriut të mira të panumërta materiale e shpirtërore.
b). Si argument nga suneti i Pejgamberit a.s. mund të shërbejë hadithi që e transmeton Ibni Abasi e që thotë: "Gjatë një fjalimi të vet Resulullahu s.a.v.s. mes tjerash tha: "O ju njerëz, haxhi është caktuar për ju, e ju veproni ashtu, shkoni në haxh". Në ndërkohë u ngrit Akrea, djali i Habisit dhe e pyeti: "A për çdo vit, o i Dërguari i All-llahut"? Pejgamberi a.s. iu përgjegj: "Nëse ju them po, do t'ju obligoj, e nëse ju obligoj, nuk do të veproni ashtu e as që do të keni mundësi përherë". Haxhi duhet të bëhet njëherë, e ai që e përsërit disa herë, e bën këtë nga dëshira dhe vullneti i tij".
Po të sqarohet siç duhet porosia e Pejgamberit a.s., mund të konstatohet se i Dërguari i All-llahut xh.sh. na e bën me dije se "haxhi është bërë farz".
2. Po ashtu, në bazë të ligjeratës së Pejgamberit a.s. të ciloin e transmeton Ibni Abasi, argumentohet se haxhi, respektivisht vizita e Qabes, nuk është obligim të bëhet më shumë se një herë dhe, ai që e viziton më shumë se një herë, këtë e bënë nga dëshira e vet.
3. Kur bëhet fjala për Umren, një grup dietarësh islam e vlerësuan atë si punë të lavdëruar, pra mustehab, e kurrsesi farz. Lidhur me këtë Ebu Hurejra r.a. transmeton një hadith të Pejgamberit a.s. ku thuhet: "Ka thënë Pejgamberi i All-llahut: "Haxhi në kohë të caktuar është farz, ndërsa umreja është vullnet". Njëri nga të pranishmit iu drejtua: "O i Dërguari i All-llahut, na trego për umren, është apo nuk është obligim"! E Pejgamberi a.s. iu përgjegj: "Jo, por kush e kryen umren është gjë e mirë për të"".
Siç shihet edhe nga ky hadith, umreja nuk është obligim, farz, por kryerja e umres e afron besimtarin tek All-llahu xh.sh. dhe pa dyshim është më mirë të afrohemi tek Krijuesi se sa ta lëmë anash umren. Pra, më i lavdëruar është vullneti i mirë dhe dëshira se sa përtacia dhe kopracia.
Një grup tjetër dietarësh islam, e konsideron umren, në një mënyrë, si farz, duke marrë për mbështetje hadithin të cilin e bart gojarisht i biri i Abdullahut, Xhabiri, që thotë: "Ka thënë Pejgamberi a.s.: "Haxhi dhe umreja janë dy farze". Po ashtu, transmetohet prej Aishes r.a. e cila e paska pyetur Pejgamberin a.s.: "O i Dërguari i All-llahut, a kërkohet nga femra xhihadi"? Pejgamberi a.s. u përgjegj: "Po, edhe nga ato kërkohet xhihadi, pa vrasje e dyluftim, e kjo është shkuarja në haxh dhe në umre"".
Duhet theksuar këtu se, edhe fëmija i cili ka arritur moshën e pjekurisë dhe ka vetëdie të plotë, e si i këtillë dëshiron të shkojë në haxh për hirë të All-llahut xh.sh., atëherë ai e ka obligim që vërtet të shkojë e ta kryej këtë obligim
4. Ndër obligimet tjera që parashtrohen për kryerejn e haxhit është edhe kjo që del nga porosia e Pejgamberit a.s. i cili porosit që duhet shpejtuar në kryerjen e Haxhit.
Për kend është haxhi obligim
1. Haxhi është obligim për çdo musliman që është i pjekur në moshë dhe i mençur (psikikisht i aftë), e nuk është obligim për jomuslimanin, as për fëmijët, e as për të rinjtë që ende nuk kanë hyrë në pubertet, siç nuk është obligim as për atë që psikikisht nuk është i aftë.
Kjo konfirmohet edhe në këtë hadith të Pejgamberit a.s.: "Është ngritur lapsi për tri kategori njerëzish: "Për atë që është në gjumë për derisa të zgjohet, për fëmijën derisa të rritet e të hyjë në moshën e pjekurisë dhe për atë që në një periudhë është i sëmurë psikikisht përderisa t'i rikthehet vetëdia"".
2. Mirëpo për kryerjen e këtij obligimi kushtozohet që personi të ketë edhe kushte materiale. Këtë e vërteton edhe ajeti kur'anor i cili thotë: "Për hirë të All-llahut vizita e shtëpisë (Qabes) për njerëzit është obligim për atë që ka mundësi udhëtimi te ajo".
Dijetarët islam kur e zbërthyen këtë ajet kur'anor konstatuan se termi "mundësi udhëtimi" i dedikohet atyre që kanë mundësi t'i përballojnë harxhimet e udhëtimit. Kur e pyetën Pejgamberin a.s. për fjalën "Es-Sebill" që në përkthim do të thotë "mundësi udhëtimi", iu përgjegj duke u sqaruar se fjala është për tepricën dhe prehjen.
Nga kjo nënkuptohet se këtu fjala është për ata që nuk jetojnë as në Meke e as në rrethinë e që posedojnë pasuri për t'i përballuar rrugës deri në haxh dhe, po ashtu, prej pasurisë që ka një pjesë të saj ia lë familjes e cila duhet të mos ndjejë mungesë ushqimi përderisa të kthehet ai prej haxhit.
Pra kjo që u tha këtu është kusht i domosdoshëm për atë i cili shpreh dëshirë për ta zbatuar urdhërin e Alahut xh.sh., porse që nuk është vendas i Mekes por i vendeve të largëta. Ndërsa sa i përket banorëve të Mekes e të rrethinës, meqë e kanë mundësinë e udhëtimit për çdo moment, ky kusht për ta nuk mund të vijë në konsiderim.
Sa po kalon koha aq më tepër shkenca po përparon e po përsoset e me këtë edhe mjetet e komunikacionit po modernizohen, kështu që sot udhëtimi për në Shtëpinë e Zotit xh.sh. po bëhet i mundshëm përmes lloj-lloj mjeteve, të paisura, veç tjerash, edhe me ushqime te ndryshme e të freskëta. Kjo po mundëson që në rrugë për në haxh nuk ka më nevojë që haxhiu të marrë ushqim me vete, sepse, pos në mjetet e udhëtimit ushqimin e gjenë të bollshëm e të freskët në çdo vend e skaj të rrugës.
3. Kusht tjetër që kërkohet për kryerjen e haxhit është edhe ai që personi duhet të jetë i moshës së pjekur, që do të thotë se, sabiu-kalamani nuk obligohet ta bëjë haxhin. Mirëpo nëse shkon në haxh bashkë me familjen e vet, ai mund t'i kryej të gjitha ceremonitë, ndërkaq, në këtë rast, haxhi i tij është i vërtetë. Por, kur i njëjti hy në pubertet haxhi i tij më nuk merret parasysh, që do të thotë se ai edhe më tej mbetet i obliguar të shkojë në haxh. Kjo sepse, përderisa ka qenë fëmijë ai nuk ka qenë në gjendje për ta kuptuar përgjegjësinë dhe ka qenë i varur prej prindërve të vet si dhe ka vepruar ashtu siç ka parë. Këtë e konfirmon edhe ky hadith: "Në qoftë se një voglush e ka kryer haxhin me prindërit e vet, pastaj (më vonë) hy në pubertet (në moshën e pjekurisë) për të njëjtin kërkohet përsëritja e haxhit".
Nëse fëmija nuk ka ihram, për atë tërë barrën e mbanë prindi i tij, për të lutjet si dhe hudhjen e gurëve e bën prindi i tij.
4. Ndërkaq, sa i përket kryerejs së haxhit nga ana e femrës këtu shtrohen edhe disa kushte tjera që u theksuan nga disa dietarë islam të cilët thonë se, femra e cila shkon në haxh duhet të jetë e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, ose nga një mashkull që është shumë i afërt me të, si p.sh.: "djali apo vëllai".
Ekziston edhe një mendim tjetër i një grup dietarësh të cilët theksojnë se femra është e obliguar të shkojë në haxh, pa varësisht se a ka burrë apo të afërm tjetër.
5. Nëse i ndjeri nuk arrinë ta kryej haxhin, ndërkaq për këtë ka shprehur dëshirë para se të vdesë, atëherë trashëgimtari i tij duhet të shkojë në vend të tij me pasurinë e vet, apo me pasurinë që e ka lënë i ndjeri, e nëse nuk ka mundësi të shkojë vetë, atëherë kërkohet që ta caktojë një njeri tjetër të cilit do t'ia paguajë të gjitha shpenzimet.
6. Nëse personi ka hyrë në kohën e pleqërisë së rëndë, apo vuan prej ndonjë sëmundje të pashëruar, atëherë prej tij kërkohet që ta caktojë ndonjë njeri i cili do të shkojë në haxh për të. Në këtë rast, personi që shkon bedel është i obliguar që të gjitha ceremonitë dhe lutjet t'i kryejë në emër të atij për të cilin ka shkuar në haxh.
Të theksojmë këtë se, në këtë rast ai person që shkon në haxh si bedel, paraprakisht ai duhet ta ketë të kryer këtë kusht, pra të ketë qenë në haxh për vete.
Koha e posaçme për haxh dhe umre (mikatet e haxhit dhe umres)
Kohët përcaktojnë shumësin e kohës. Ndërsa, koha e posaçme është kohë e caktuar për kryerjen e ndonjë urdhëri.
Kur është fjala për kohën e caktuar për haxh, atë e përbëjnë kohëzgjatja e qëndrimit në haxh dhe kryerja e ceremonive. Në kohën e posaçme hy momenti i kryerjes së urdhërit dhe vendi në të cilin duhet kryer urdhëri. Te haxhi dhe umreja janë të caktuara vendet për ta kryer urdhërin, e po ashtu është e caktuar edhe koha për takimin e haxhinjëve. Për këtë shkak këto përcaktime ndahne në dy lloje:
- përcaktimi i kohës
- përcaktimi i vendit
1. Përcaktimi (mikati) i kohës.
Kohën e kryerjes së haxhit e përcaktoi dhe e urdhëroi Zoti i Madhërishëm dhe, pikërisht Ai e caktoi edhe kohën kur duhet të kryhet haxhi me të gjitha ceremonitë e veta. Lidhur me këtë Kur'ani famëlartë thotë: "Haxhi është në muajt e caktuar ..." E këta muaj janë: muaji sheval, dhul-kade dhe dhul-hixhe. Lidhur me këta muaj shumica e dietarëve islam thonë se, vetëm dhjetë ditët e parë të muajit dhul-hixhe bëjnë pjesë në muajt e haxhit.
Kur analizohet urdhëri i All-llahut: "Haxhi është në muajt e caktuar", mund të konstatohet se, kurrsesi nuk lejohet që haxhi të kryhet as para e as pas këtyre muajve. Pra, nuk lejohet të hymë në haxh para muajve të caktuar.
Ndërsa, kur është në pyetje umreja, dihet se për kryerjen e saj nuk ka kohë të caktuar. Umreja mund të kryhet në çdo periudhë kohore, pra edhe gjatë muajit të haxhit, çështje kjo që, esencialisht, e dallon haxhin prej umres.
Është e njohur se Pejgamberi a.s. e ka bërë umren në muajin sheval dhe në muajin dhul-kade, dhe, lidhur me këtë ka thënë: "Umreja në muajin ramazan, është i përafërt me haxhin".
Duhet theksuar se porosia e këtij hadithi nuk do të thotë se umreja e kryer në muajin ramazan mund ta zëvendësojë haxhin, por do të thotë se, umreja në ramazan ka vleftë të madhe dhe ai që e kryen atë në këtë muaj pret shpërblim të madh nga All-llahu Fuqiplotë. Sidoqoftë, edhe po qe se kryhet umreja në muajin ramazan, njeriu që e kryen ka sevape të mëdha, por obligimi i kryerjes së haxhit mbetet domosdoshmëri.
2. Përkufizimi (mikati) i vendeve.
Siç theksuam më sipër, koha për kryerjen e haxhit dhe të umres është caktuar prej vetë All-llahut xh.sh., i Cili për mysafirët e Mekes, qoftë në haxh apo umre, ka kërkuar që në Shtëpinë e Tij të hynë të pastër në çdo aspekt, të veshur me ihrame që janë simbol i pastërtisë.
Edhe vetë veshja e ihramit ka kohën dhe vendin e caktuar, ngase duhet të vishet jashtë Mekes, e me qëllim që ai i cili udhëton për në Qabe ta ndërrojë gjendjen e tij shpirtërore dhe pamjen fizike, të pastrohet nga çdo e keqe dhe ta largojë çdo gjë të mallkuar prej vetes. Vetëm i këtillë mysafiri i All-llahut mund ta kryej vizitën e vendeve të bekuara e të shenjta.
Vendet ku vishen haxhinjtë në legjislaturën islame njihen si mikate, gjegjesisht, si vendtakime, si vende të përcaktuara apo si vende të nisjes.
Rëndësi të posaçme mikateve u dha edhe vetë Pejgamberi a.s. i cili i caktoi në të katër anët e Mekes:
a). Dhul-Halife: përafërisht gjendet katërqindepesëdhjetë kilometra në veri të Mekes, e vend i nisjes konsiderohet edhe Medina dhe çdo vend tjetër që gjendet në veri të Mekes.
b). El-Xhuhafe: është një fshat në veriperëndim të Mekes. Pejgamberi a.s. pat thënë se populli i Shamit e ka këtë vend për vendnisje. Përndryshe, ky vend u pat shkatërruar tërësisht në kohërat kur i takonte tokave të Shamit, kurse sot në atë vend gjendet fshati Rabig që konsiderohet vendtubim i haxhinjëve të Shamit, apo vend prej ku kërkohet që haxhinjtë e Shamit, të Egjiptit, të tokave të Turqisë, të shteteve të Ballkanit dhe vendeve të tjera rreth tyre, siç janë Libia, Maroku, Tunisi, Algjeria, etj., që haxhinjtë e këtyre viseve vendin e fundit për ta veshur ihramin ta kenë pikërisht këtë vend.
c). Jelmelem: është një kodrinë që shtrihet në jug të Mekes, vend të cilin Pejgamberi a.s. e caktoi për ta veshur ihramin populli i Jemenit. Jelmelemi është vendtakimi i fundit për të gjithë ata që vijnë nga jugu i Mekes.
d). Kurnul Menazil: është mal në lindje të Mekes dhe vendtakimi i haxhinjëve të Nexhdit si dhe të vendeve të tjera që gjenden në lindje të Mekes dhe pas këtij mali.
Të gjitha këta vendtakime apo mikate duhet të respektohen plotësisht, sepse janë pika të fundit ku mund të vishen ihramet, pa marrë parasysh a vijnë haxhinjtë nga toka apo deti. Pejgamberi a.s. pat caktuar që nëpër këta vende duhet kaluar medoemos i veshur në ihram.
Sa i përket banorëve të cilët jetonë brenda kufije të këtyre vendeve, apo mes Mekes dhe këtyre vendtakimeve, ata duhet të vishen me ihram në vendbanimin ku jetojnë, pra të dalin nga shtëpitë e tyre të veshur me ihram. Ndërsa, nëse ihrami është për umre, atëherë ju lejohet të dalin me veshje normale perderisa t'i afrohen Mekes. Distanca hapësirore ku këta njerëz duhet t'i veshin ihramet është gjashtëmbëdhjetë kilometra rreth e përqark Mekes. Në kohërat e hershme arabët nga çdo anë vendosnin shenja të bardha për të bërë me dije se ku është caku apo kufiri i fundit për veshjen e ihramit. Ata që jetonin tej shenjave të bardha ose mes shenjave dhe Mekes, shkarkoheshin nga obligimi i veshjes së ihramit.
Fjalët të cilat në brendinë e tyre kanë kuptim të madh
Kur flasim për haxhin, gjatë sqarimit të këtij sharti islam hasim në disa fjalë të cilat në brendinë e tyre kanë kuptim të gjërë. Këto fjalë janë të lidhura ngusht me ceremonitë e këtij obligimi, si p.sh.: "El-Ihram, El-Ifrad, El-Kiran dhe Et-Temettu". Rreth këtyre fjalëve do të japim vetëm disa sqarime të shkurtëra, sepse gjatë shpjegimeve që do t'i bëjmë për konditat e haxhit për to do të flasim pak më tepër.
1. El-Ihram
Në gjuhën arabe kjo fjalë me pak ndryshime në shqiptim merr kuptime të ndryshme, kështu që nëse themi el-hurime, kjo fjalë do të thotë se njeriu vetveten e ka ndaluar prej diçkafi. Ndërkaq kur të njëjtën fjalë e thelsojmë me një theks pak më ndryshe, p.sh.: 'el-hurume', kjo fjalë tregon se njeriu veten e ka ndaluar prej diçkafi vetëm për një kohë të caktuar. Bie fjala, akcila femër ka ndërprerë me namaz për shkak se këtë ia kanë imponuar për një kohë të caktuar menstruacionet. Edhe fjala 'Ihram' mund ta ketë kuptimin e ndalesës që i bënë njeriu vetvetes edhe në disa gjëra kur, para se të hyjë në zbatimin e një urdhëri apo obligimi, ai e bën nijet apo e vendosë që edhe ato gjëra që i ka të lejuara gjatë jetës së përditshme t'ia ndalojë vetes për një kohë të caktuar. Kjo dukuri shprehet sidomos gjatë kohës së haxhit dhe umres. Ne fjalorin më të njohur të gjuhës arabe "El-Misbahul Munir" fjala ihram do të thotë kur njeriu derisa hy në haxh dhe umre e ndalon epshin e vet për diçka për ç'gjë më parë e ka pasur të lejuar.
2. El-Ifrad, El-Kiran, Et-Temetu:
Për t'ia bërë sa më të qartë lexuesit këto fjalë, është mirë që këtu të flitet në përgjithësi për veprimet që duhet të kryhen gjatë haxhit dhe umres. Në këtë vazhdë të flsim këtu për kushtet e umres të cilat janë: "Ihrami, Tavafi rreth Qabes, lëvizja prej Safes në Merve dhe anasjelltas, dhe në fund, qethja e flokëve apo shkrutimi i tyre". Me këto veprime edhe përfundon umreja së bashku me ihramin.
Ndërkaq kushtet e haxhit janë: "Ihrami, Tavafi rreth Qabes, lëvizja mes dy kodrinave Safes dhe Merves, pastaj për dallim prej umres gjatë haxhit kusht është edhe qëndrimi në Arafat që bëhet në ditën e nëntë të muajit dhul-hixhe, pastaj Remj-i apo gjuajtja e guralecëve në vendin e caktuar që quhet Akabe e që gjendet në Mine, ndërsa grumbulli i guralecëve quhet "Xhemretul-a'kabe"".
Të kthehemi edhe një herë e të flasim për dallimet që ekzistojnë mes umres dhe haxhit.
Në këtë aspekt do të kishim mundur të flasim shkurt e të theksojmë se të gjitha veprimet që kryhen gjatë umres kryhen edhe gjatë haxhit, porse, duhet pasur parasysh se gjatë haxhit kryhen edhe disa veprime më tepër se në umre, siç janë: "qëndrimi në Arafat dhe disa veprime tjera që pasojnë pas kësaj". Në anën tjetër, umreja pas tavafit, lëvizjes në mes Safas e Merves dhe qethjes së flokëve, merr fund dhe këtu mbaron edhe mbajtja e ihramit. Ndërkaq, siç theksuam më sipër, gjatë haxhit ihrami zhvishet pasi të kryhen edhe veprimet tjera pas qëndrimit në Arafat. Dhe, pas zhveshjes së ihramit haxhiu e fillon atë jetë të rëndomtë duke ia lejuar vetes ato gjëra që ia kishte ndaluar gjatë kryerjes së haxhit.
Gjithashtu, siç kemi theksuar më sipër, një ndër dallimet tjera mes haxhit dhe umres është edhe koha. Umreja mund të bëhet në çdo kohë, madje edhe gjatë kryerjes së haxhit, ndrsa haxhi është i caktuar të kryhet në kohë të caktuar e kurrsesi në ndonjë kohë tjetër.
Çka duhet bërë gjatë muajve të haxhit-shevalit, dhul-kades dhe gjatë dhjetë ditëve të para të dhul-hixhes? A është e mudnur të kryhet haxhi e mos të bëhet umreja, a mund të kryhen edhe haxhi edhe umreja njëkohësisht?
a). Për ta kryher haxhin duhet medoemos në vendin e caktuar të veshet ihrami, pastaj të bëhet tavafi, të ecet mes Safes e Merves, të qëndrohet i veshur në ihram deri në ditën e tervies në Mine, të qëndrohet në Arafat, e në fund, pasi të kalohet dita e nahrit duhet bërë tavafin që quhet Tavaful ifade. Vetëm pas kryerjes së këtyre veprimeve të haxhit, ai që dëshiron mund ta kryej edhe umren duke i përsëritur kushtet e parapara për umre.
Duhet theksuar se, haxhiu i cili e bën nijet kryerjen vetëm të haxhit, pa umre, quhet mufred.
b). Nga ana tjetër, besimtarët të cilët dëshirojnë që nën një ihram ta kryejnë edhe haxhin edhe umren quhen karin, por në veprimet e mufredit dhe karinit nuk ka kurrfarë dallimesh, përveçse në nijet. Sepse, i pari e bën nijetin vetëm për haxh kurse i dyti edhe për haxhin edhe për umren.
c) Mënyra e tretë e nijetit është ajo që bëhet vetëm për umren, pas kryerjes së të cilës personi që e bënë atë vazhdon jetën e rëndomtë, duke i përdorur gjërat që i kishte të ndaluara gjatë kryerjes së umres. Ky lloj i nijetit quhet et-temettu.
Rregullat e haxhit dhe të umres
Rregullat dhe veprimet e caktuara që duhet medoemos bërë gjatë haxhit dhe umres janë:
- El-Ihram,
- Telbie,
- Tavaf,
- Sa'ji,
- Qethja e flokëve,
- Dalja prej ditës së tervies dhe shkuarja në Mine,
- Qëndrimi në Arafat,
- Kthimi në Muzdelife dhe qëndrimi në Mesh'ari Haram,
- Veprimet që duhet bërë ditën e Nahrit (hudhja e guralecëve në Xhumretul Akabe, prerja e kurbanit, qethja e flokëve apo rruarja e kokës, Tavaful Ifadatu),
- Kthimi i fundit në Mine dhe hudhja e guralecëve të mbetur.
Çdonjëri prej personave kur e bënë nijet për veshjen e ihramëve, qoftë për haxh a për umre, është e pëlqyeshme që më parë t'i shkurtojë thonjtë, mustaqet, të rruhen të gjitha vendet të cilat zakonisht rruhen apo pastrohen, pastaj të merret abdest ose të lahet i tërë trupi, dhe në fund, trupi të mbështjellet me dy çarçafët e bardhe e të pastër, me ç'rast, me njërën mbulohet pjesa e poshtme e trupit e me tjetren pjesa e sipërme dhe, me këtë rast, e pëlqyeshme është që sipas mundësive trupi të parfymoset me erëra të mira e të këndshme.
Çarçafët të cilat vishen për haxh apo umre quhen 'Ihram', ndërsa kjo do të thotë të bëmurit nijet apo vendosje për ta bërë haxhin apo umren. Sa i përket çarçafëve, ata mund të jenë ta bajtur por të pastra dhe të ngjyrërave të ndryshme, porse aq më mirë do të ishte sikur të jene të rinjë e të bardhë.
Pas kësaj haxhiu duhet t'i falë dy reqate namaz, e nëse është mufrid, pas faljes së namazit duhet të thotë: "All-llahume inni uridul-haxhxhe fe jessirhu li ve tekabbelhu minni" - që në përkthi do të thotë: "O Zot, vendosa që ta bëj haxhin, ma lehtëso këtë dhe pranoje prej meje".
Ndërsa ai që ka për qëllim që ta bëjë së bashku edhe haxhin edhe umren, gjatë këtij nijeti i shton edhe këto fjalë "vel-umrete fe jessirhuma li ve tekbelhuma minni", dhe, këto fjalë vijnë pas fjalës "uridul-haxhxhe", që do të thotë: "O Zot, vendosa që ta bëj edhe haxhin edhe umren, m'i lehtëso dhe m'i prano ato prej meje". Nijeti mund të bëhet edhe në gjuhën amëtare, porse këtu me rëndësi është që ai nijet apo qëllim të shprehet pastër, qartë dhe nga thellësia e shpirtit.
Posa ta thotë personi telbijen dhe ta bëjë nijetin për haxh ose për umre, konsiderohet se e ka kryer aktin e ihramit dhe është bërë muhrim. Pas këtij akti ai duhet të ketë kujdes të posaçëm dhe t'u shmanget marëdhënieve seksuale, kontakteve intime bashkëshortore, nuk lejohet as të përmendurit e marëdhënieve seksuale në prani të femrës, duhet të kihet kujdes në mospërdormin e fjalëve të ndyta, t'u shmanget veprave të shëmtuara, grindjeve dhe llomotitjeve, pastaj nuk guxohet të mbyten gjallesat në tokë e as të këshillohet tjetri madje as me shenjë për gjah, duhet të kihet kujdes që të mos mbyten as insektet, të mos parfymoset me livantë e erëra të ndryshme, të ketë kujdes nga të prerit e thonjëve, rruarja dhe nënqethja e flokëve dhe të pjesëve të tjera të trupit.
Po ashtu, muhrimi nuk guxon ta nënqethë mjekrën, ta mbulojë kokën apo fytyrën, nuk guxon t'i lajë mjekrën apo kokën me sapun që ka aromë të mirë e të fortë, por vetëm mund të përdorë ndodnjë sapun që ka aromë të rëndomtë. Gjithashtu, ai nuk guxon të veshë këmishë e as brekë, pallto të gjatë, xhybe, qyrk, herkë, nuk guxon ta vë sarëkun në kokë e as kapelën, nuk guxon të mbathë meste apo çorape. Pra, muhrimi duhet t'ia ndalojë vetes çdo petk të prerë ose të qepur që shërben për veshjen dhe mbathjen e trupit të njeriut, me përjashtim të nalleve apo papuçeve të cilat lejohen. Nuk duhet të përdoren çarçafe apo ihrame që janë të ngjyrosura e të parfymosura era e të cilave nuk hiqet por ndihet vazhdimisht.
Ndërkaq, femra është më e lirë dhe mund ta mbulojë kokën e t'i mbathë mestet edhe çorapet, mund të veshë rrobe të qepura. Është karakteristike në këtë rats të theksohet se, femrat të cilat gjatë menstruacioneve nuk e kanë të lejuar të falin namazin e as të agjërojnë, në haxh i lejohen këto veprime. Ajo duhet të pastrohet dhe të fillojë t'i zbatojë të gjitha rregullat e haxhit, me përjashtim të tavafit rreth Qabes, të cilin duhet ta bëjë në fund të haxhit.
Muhrimi mund të lahet në banjo ose gjetiu, të përdorë ombrellën (çadrën) ose në ndonjë mënyrë tjetër të mbrohet nga dielli, ka të drejtë ta lidhë qemerin rreth vete, të hy në luftë kundër armikut ose kundër atij që sulmon i pari. Pejgamberi a.s. ka dhënë leje që në rastet kur muhrimit i kanoset rreziku nga ndonjë shtazë e egër, siç është luani, tigri, ujku, akrepi, etj., ai mund ta mbysë atë në vetëmbrojtje.
Përveç këtyre ndalesave, nga muhrimi kërkohet që pas namazit të shqiptojë shumë telbije, t'i thotë ato kur hyp mbi majen e ndonjë bregu apo kur zbret në luginë, kur të takohet me grupe kalorësish apo këmbësorësh, dhe përherë para agimit. Telbijet mund të shqiptohen edhe në autobuse e aeroplanë.
Përmbajtja e telbies është kjo: "Lebbejke All-llahume Lebbejk. Lebbejke la sherike Leke Lebbejk. Innel-Hamde, ven-Ni'amete vel-Mulke Leke. La sherike Leke"! - që në përkthim do të thotë: "Të përgjigjem o Zot. Të përgjigjem, të përgjigjem. Ti nuk ke shok. Të përgjigjem. Ty të takon çdo lavdërim, mirësi dhe pushtet, në këtë Ti nuk ke shok".
Në këtë mënyra ka vepruar edhe Pejgamberi a.s., i cili ka thënë: "Më erdhi Xhibrili dhe më tha: "Thuaju shokëve tu që ta ngrisin zërin me telbije, se ajo është pjesë e rregullave të haxhit"". Të potencojmë këtu se telbija thuhet prej momentit kur të vishet ihrami e deri sa të hyhet në Mesxhidul-Haram.
Kur muhrimi hy në Meke, pas vendosjes së plaçkave që i ka me vete, duhet të shkojë në Mesxhidul-Haram, dhe sapo ta vërejë El-Bejtul-Haramin, duhet ta thotë tekbirin (All-llahu Ekber) dhe tehlilin (La ilahe ilall-llah), edhe atë nga tri herë, e po ashtu, duhet të thotë: "All-llahume entes-selam, ve minkes-selam, fehajna rabena bis-selam". Tavafin e nis nga Haxherul Esfedi dhe pasi të drejtohet nga ai e thotë tekbirin dhe tehlilin, i ngritë duart lartë sikur kur hy në namaz, e pastaj në shenjë respekti e puth Haxherul Esvedin, nëse mund t'i afrohet pa vështirësi, e nëse nuk mundet, vetëm do ta prek me shuplakë të dorës (istilam), ose me ndonjë send tjetër të cilën pastaj, në shenjë respekti, duhet ta puthë, ngase atë e ka prekur edhe vetë Pejgamberi a.s..
Mirëpo, nëse ndodhë që të mos i afrohemi fare Haxherul Esvedit, atëherë vetëm i ngrisim duart lartë në drejtim të tij dhe kështu përfundon kjo shenjë respekti. Gjatë tërë kësaj thuhen tekbiret dhe tehlilet, i drejtohen falënderime All-llahut të Madhërishëm dhe bashkë me këtë bijnë edhe salavatet mbi Pejgamberin a.s..
Pas këtij akti fillon tavafi, të cilin duhet nisur në të gjathtë kah dera (multezem), në atë mënyrë që Qabja të mbetet në anën e majtë, duke e mbajtur ihramin e sipërm nën sjetullën e djathtë dhe duke i hjedhur skajet e tij në krahun e majtë. Haxhiu duhet të sillet rreth Qabes shtatë herë, duke pasur kujdes që, gjatë tri tavafeve të para të shpejtohet me hapa të shkurtër duke i luhatur ngapak krahët (reml), kurse gjatë katër tavafeve të fundit duhet ecur qetë. Gjatë kësaj, sa herë që të kalojmë pranë Haxherul Esvedit duhet përshëndetur atë (duhet bërë istilamin) dhe kështu përfundon tavafi. Këtu duhet theksuar se, istilami preferohet edhe sa herë të kalohet pranë El-Ruknul Jemanisë.
Pas kësaj haxhiu duhet t'i falë dy reqate namaz pranë Mekami Ibrahimit, ose kudoqoftë tjetër në Mesxhidul Haram dhe, këto dy reqate janë vaxhib që falen pas çdo tavafi, pra, pas shtatë qarqeve që bëhen rreth e rrotull Qabes. Ky është i ashtuquajturi Tavaful Kudum, i cili është sunet për çdo haxhi përveç se për banorët e Mekes. Pas këtij veprimi haxhiu duhet të kthehet kah Haxherul Esvedi, dhe pasi ta bëjë istilahin e të pijë ujë nga burimi i Zemzemit, shkon në Safa, ngjitet lartë sa ta shohë Bejtullahun dhe kthehet drejt tij duke kënduar tekbire, tehlile dhe salavate për Pejgamberin a.s. Më në fund duhet bërë dua duke kërkuar nga All-llahu çdo gjë që do. Pas kësaj duhet të niset drejt Merves duke ecur ngadal deri te vendi ku ndodhen shenjat prej ku ecja bëhet me hapa më të shpejta (sai). Kur arrihet në Merve veprohet ngjashëm sikur edhe në Safa. Me kaq është kryer vetëm një ecje (shevt). Pra, edhe këtu duhet të kryhen shtatë shevte, duke filluar që nga Safa e deri në Merve. (Nga Safa deri në Merve llogaritet një ecje apo shevt, dhe nga Merva e deri te Safa llogaritet ecja tjetër).
Pas kësaj, haxhiu do të qëndrojë në Meke si muhrim, tavafet rreth Bejtullahut mund t'i bëjë sa herë që të dëshirojë si nafile.
Në ditën e shtatë të Dhul-hixhes imami do të mbajë hutbe në Bejtullah, me çrast besimtarët i udhëzon për rregullat e haxhit. Po kështu, imami do të veprojë edhe në ditën kur do të qëndrohet në Arafat. Në këtë ditë e në këtë vend imami do t'i mbajë dy hutbe si me rastin e xhumasë, dhe me atë rast do t'i udhëzojë haxhinjtë mbi rregullat pasuese të haxhit (mbi qëndrimin në Arafat, në Muzdelife, mbi gjuajtjen e guralecëve në Xhemre, mbi therrjen e kurbanëve, rruarjen dhe tavafuz-zijaretin). Pas hutbes imami bashkë me xhematin do të falë namazin e drekës dhe të ikindisë me një ezan dhe dy ikamete.
Pas kësaj fillon vukufi. Ai mund të bëhet hipur në kalë apo në deve, ose duke qëndruar më këmbë gjë që është më e preferueshme, duhet të merret abdest apo të lahet i tërë trupi, sepse kjo është sunet, në afërsi të bregut i cili quhet Xhebelul-rahmeti. Arafati është në përgjithësi vend ku mund të bëhet vukufi, porse duhet pasur kujdes se, në të majtë Arafatit, nga vendi ku bëhet vukufi gjendet një terren që quhet Batnu Ureme e në të cilin kurrsesi vukufi nuk lejohet të bëhet.
Me rastin e vukufit, imami kthehet drejt kibles me krahë të hapur e të ngritur lartë, i falënderohet All-llahut Fuqiplotë duke i kënduar tekbire, tehlile, telbie dhe salavate Pejgamberit a.s., me ç'rast i lutet Zotit xh.sh. t'ua plotësojë nevojat dhe dëshirat të gjithë muslimanëve, kurse xhemati qëndron pranë tij i drejtuar në drejtim të kibles dhe përcjell fjalët që i thotë ai. Pas perëndimit të diellit, të gjithë haxhinjtë kthehen bashkarisht me imamin në Muzdelife ku do të qëndrojnë në afërsi të bregut Kuze ku falet namazi i akshamit dhe i jacisë bashkarisht me një ezan dhe dy ikamete.
Në Muzdelife kalohet nata. Sapo të fillojë agimi falet namazi i sabahut e pastaj bëhet vukufi. Imami vendoset në Mesh'ari Haram dhe bashkë me të gjithë haxhinjtë vepron sikurse në Arafat, pra, thuhen tekbiret, tehlilet, telbiet, salavatet dhe duaja.
Përndryshe Muzdelife është në tërësi vendi ku bëhet vukufi, përveç luginës Vadi Muhasir, që gjendet në të majtë të Muzdelifes. Me të zbardhur të dritës haxhinjtë fillojnë rrugën për në Mine ku imami fillon t'i gjuajë nga shtatë guralecë në Xhemretul-Akabe, të cilët paraprakisht janë mbledhur në Muzdelife edhe atë në madhësi të një lejthie.
Me rastin e gjuajtjes së çdo guraleci thuhet tekbiri. Largësia e gjuajtjes nuk duhet të jetë më shumë se tre deri pesë metra. Përndryshe, para hudhjes guraleci vendoset në majen e gishtit të madh dhe atij tregues dhe gjuhet. Kur fillon gjuajtja e guralecëve ndërpritet telbija. Duhet thënë se, në Xhemretul Akabe nuk është i domosdoshëm qëndrimi dhe haxhiu mund të ec kur të dojë dhe kah të dojë. Pas hudhjes së guralecëve në Xhumretul Akabe, nëse nijeti është bërë për haxhi kiran, ose, nëse është muttemett, në këtë rast duhet të therret kurbani, e nëse është mufrid kurbanin mund ta therrë nëse dëshiron. Pas therrjes së kurbanit haxhiu mund të rruhet ose të qethet dhe tani e tutje lirohet prej ndalesave, por akoma nuk ka të drejtë të bëjë marëdhënie seksuale. Po atë ditë, të nesërmen, ose të pasnesërmen haxhiu shkon në Meke që ta bëjë tavafuz-zijaretin, pa reml dhe pa sa'j, me ç'rast haxhiut i hiqet edhe ndalesa e fundit, pra është i lirë që të bëjë marëdhënie seksuale me bashkëshorten.
Koha e tavafuz-zijaretit fillon prej dites së parë të Bajramit dhë është mirë që të bëhet po atë ditë. Është mekruh të shtyhet pas ditëve të Bajramit, edhe pse vlenë kurdo që të bëhet. Pastaj haxhiu prej Mekes kthehet në Mine dhe, në ditën e dytë të Bajramit, pas dreke, i hedh sërish shtatë guralecët në Xhemret. Me këtë rast duhet filluar nga Xhemreja e cila vjen e para me radhë prej xhamisë që quhet Mesxhidul Haif, dhe gjatë hedhjes së guralecëve duhet shqiptuar tekbirin, e pas hudhjes së çdo guraleci haxhiu qëndron para Xhemres dhe e thotë një dua. Është mustehab që me atë rast të kërkojë nga All-llahu xh.sh. falje për vetveten, për prindërit e vet, për farefisin, për miqtë dhë për të gjithë besimtarët muslimanë. Pastaj shkon edhe te dy Xhemret tjera dhe vepron njësoj si në të parën (pra hudhë nga shtatë gurë), me përjashtim se në atë të fundit, pra në Xhemretul Akabe nuk ka nevojë të qëndrojë. Edhe në ditën e tretë të hudhjes së guralecëve veprohet po ashtu si në dy ditët e para, dhe pastaj haxhiu nëse dëshiron mund të kthehet në Meke por mund të mbetet edhe në Mine ku edhe gjatë ditës së katërt mund t'i gjuajë gurët si gjatë ditëve të mëparshme.
Haxhiu me rastin e kthimit prej Mines në Meke do të pushojë pak në vendin e quajtur El-Muhassabe. Haxhiu para se të largohet prej Mekes duhet ta bëjë Tavafis-sadri që quhet edhe Tavaful-veda (Tavafi lamtumirës). Ky tavaf bëhet pa remj dhe pa sa'j dhe është vaxhib për të gjithë haxhinjtë, pos për mekasit. Pastaj haxhiu i afrohet Zemzemit ku do të pijë ujë. Nëse do të ketë mundësi, haxhiu pastaj do të afrohet te dera e Qabes dhe do ta puthë atë dhe derën e saj (në shenjë nderimi), do të mbështetet me faqen e djathtë, me gjoks e me bark për El-Multezeme, pra për murin e Qabes ne mës të Haxherul Esvedit dhe të derës së saj, pastaj për një çast kapet për mbulesën e Qabes (El-Istar), dhe, me zemër të penduar i lutet All-llahut Fuqiplotë për atë çka dëshiron dhe, më në fund, kthehet duke ecur mbrapa (në shenjë respekti) deri sa të dalë nga Mesxhidul Haremi (Qabja).
Duhet theksuar këtu se, ai që së paku për një moment zbret në Arafat ose vetëm kalon andej prej drekës së Jevmu-Arefes (ditën e nëntë të dhul-hixhes) e deri në agimin e Jevmun-Nehras (ditën e dhjetë), ai haxhi e ka kryer haxhin, madje nëse këtë e bënë rastësisht apo i alivanosur, madje edhe sikur të mos e dijë fare se gjendet në Arafat. Ndërkaq, personi i cili në Arafat nuk qëndron aq sa theksuam më sipër, nuk e ka të kryer haxhin, porse megjithatë do ta bëjë tavafin, sa'jin dhe do ta përfundojë ihramin, pra do të lirohet prej të gjitha ndalesave me kusht që vitin e ardhshëm sërish ta bëjë haxhin kada. Pasi nuk e ka plotësuar haxhin personi i tillë nuk është i obliguar që të therrë kurban.
Të potencojmë këtu se, gjatë qëndrimit në Arafat është shumë mirë të thuhet lutja, të cilën edhe vetë Pejgamberi a.s. e thoshte gjatë qëndrimit në këtë vend: "La ilahe ila All-llahu vehdehu la sherike leh, lehul-Mulku ve lehul-Hamdu, bijedihil-hajru, ve huve ala kuli shej'in kadir".
Të flasim diç edhe për femrën që merr udhë për në haxh. Edhe gruaja duhet t'i zbatojë të gjitha rregullat dhe ceremonitë që ndërlidhen për haxhin, njëjtë sikurse mashkulli, me përjashtim se gruaja duhet t'u përmbahen edhe këtyre rregullave:
- nuk duhet që ta mbajë kokën të zbuluar, ka të drejtë ta bartë vellon, porse velloja nuk guxon t'ia prekë fytyrën,
- nuk e shqipton me zë telbijen,
- nuk vrapon në mes shenjave të theksuara që gjenden mes Safas dhe Merves,
- nuk e rruan kokën, porse i shkurton flikët pak,
- duhet të veshë rrobe të qepura,
- nuk i afrohet Haxherul Esvedit, kur pranë tij gjenden meshkujt,
- nëse i paraqitet hajzi (menstruacionet) duke qenë në ihram, lahet dhe i kryen të gjitha veprimet dhe rregullat e haxhit, përveç tavafit.
- nëse hajzi i paraqitet pasi ta kryejë Tavafiz-zijaren, Tavafu-sadri nuk i mbetet borxh dhe nuk ka nevojë për shpagim (kurban).
Tavafi-sadri nuk i mbetet borxh as atij që vendosë për të mbetur në Meke.
Ndërkaq ai që vendosë të therrë ndonjë kafshë të trashë (deve a lopë) me qëllim për t'u shpaguar për thyerjen e ndonje rregulle të haxhit, me këtë ai konsiderohet se e ka kryer obligimin si duhet.
Vizita e xhamisë së Pejgamberit a.s.
Pejgamberi a. s ka thënë: "Nuk është forcuar vizita (haxhi apo umreja) përderisa nuk vizitohen tri xhamitë: "Mesxhidul Harami, Mesxhidi, apo xhamia ime dhe, Mesxhidul Aksa"".
Deri këtu theksuam se si të gjitha rregullat dhe ceremonitë e haxhit janë të përqëndruara rreth Qabes-Mesxhidul Haremit, porse nga hadithi i Pejgamberit nënkuptojmë se në përforcim të haxhit bënë pjesë edhe vizita e xhamisë së Pejgamberit a.s. që gjendet në Medinetu-munevere.
Hyrja dhe të vizituarit e kësaj Shtëpie të Zotit të Madhërishëm mund të bëhet gjatë kalimit pranë saj, gjë që kjo vizitë mund të ndikojë në pastrimin shpirtëror të muslimanit, i cili kur e viziton këtë xhami e përkujton udhëzimin dhe moralin e lartë të Pejgamberit a.s., historinë e tij të ndritshme, e cila është e mbushur përplot rreze udhëzimi për atë se si duhet të organizohet shoqëria muslimane për të ecur në rrugë të drejtë, në rrugën e mbarë, në rrugën e islamit. Gjithashtu, është një moment i veçantë i kënaqësisë kur ke parasysh se po shkel në po atë tokë ku ka shkelur fytyra më e dritshme e mbarë njerëzimit - Muhamed Mustafaja a.s..
Ata që e vizitojnë këtë xhami është mirë që kur të arrijnë në vendin e quajtur Err-rrevda sherife (vendi ku është falur Pejgamberi a.s. dhe ku gjendet varri i tij) dhe përderisa kalon pranë varrit të ndritshëm të Pejgamberit a.s., t'i japë selam atij me zë të ulët duke thënë: "Es-selamu alejke ja Resul-All-llah. Eshhedu en la ilahe il-lAll-llah, ve eshhedu in-neke abduhu ve resuluhu", që dmth: "Paqa qoftë mbi ty o i Dërguari i All-llahut, dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka zot tjetër përveç All-llahut dhe se ti je rob dhe i dërguar i Tij".
Po ashtu, është mirë që të merret një qëndrim paksa në të djathtë dhe t'i jepet selam edhe Ebu Bekrit dhe Ymerit r.a. të cilët që të dy janë të varrosur pranë varrit të Pejgamberit a.s..
Të theksojmë se gjatë qëndrimit në Medinen është mirë që namazet të falen rrevda sherif.
Dhe falënderoje All-llahun që në fillim e deri në mbarim të jetës së kësaj bote!