Grusht shteti ushtarak që përmbysi presidentin legjitim



Ushtria egjiptiane ka rrëzuar presidentin Mursi, ka pezulluar kushtetutën dhe ka imponuar një president dhe kushtetutë të re në vend. Kjo çfarë ka ndodhur nuk është veçse një grusht shteti ushtarak me kamuflime civile, i mbuluar me petk fetar dhe premtime demokratike.

E vetmja mënyrë që e largon presidentin, që ka ardhur në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është kutia e votimit. Ndërkaq, në Egjipt me lojëra politike, që u orkestruan nga shërbime sekrete të vendit, përkrahës të regjimit të Mubarakut, gazetarë, gjyqtarë, ushtarakë, oficerë policorë dhe punëtorë e anëtarë të Partisë Kombëtare, është rrëzuar me puç ushtarak presidenti legjitim. Edhe Shejhul Ezheri dhe partia Nur e selefive kishin bashkëpunuar me puçistët, por me sa duket kanë filluar të kuptojnë se ka rënë në kurth.

Ushtria kishte dhënë ultimatum 48-orësh për Mursin, por ai nuk ka pranuar ta dorëzojë pushtetin në duart e forcat ushtarake. Në çastet e fundit ai ka pranuar kompromise duke e ftuar opozitën laike që të formonte një qeveri të unitetit kombëtar, por ajo ka refuzuar dhe ka vazhduar protestat e dhunshme, duke e sjellë vendin në një situate të tillë që me gjasë Egjipti do ta paguajë shtrenjtë.

Ushtria ka arrestuar, në mënyrë arbitrare, presidentin Mursi dhe përkrahësit e tij. Vëllazëria muslimane e Egjiptit ka deklaruar se nuk do të punojë me autoritetet uzurpuese.

Kjo nuk është hera e parë që Vëllazëria Muslimane përjashtohet padrejtësisht nga skena politike e Egjiptit. Edhe regjimet diktatoriale të Naserit, Sadatit dhe Mubarakut i kanë persekutuar, vrarë dhe burgosur vazhdimisht aktivistët e saj dhe kanë bërë propagandë të gjerë mediale kundër tyre.

Vendet evropiane, që i ligjërojnë botës arabe rreth demokracisë dhe vlerave, kanë heshtur ndaj puçit ushtarak që ka rrëzuar pushtetin e zgjedhur përmes votës së lirë. A është kjo për shkak se në këtë proces demokratik kishte fituar lëvizja islamike?!

Puçi ushtarak në Egjipt, i cili e largoi Mursin, nuk dallon nga puçet ushtarake të Turqisë në të shkuarën. Ushtria egjiptiane ia ka dalë të planifikojë mirë, duke përfituar mbase nga përvoja e mëhershme e ushtrisë turke, me pretendimin si mbrojtëse e shtetit civil dhe për të parandaluar militantët islamikë nga arritja në qeveri nëpërmjet kutisë së votimit, siç kishte ndodhur me Partinë e udhëhequr nga rahmetliu Erbakan.

Ushtria do të duhej të ndërhynte në mbështetje të legjitimitetit demokratik dhe jo ta pezullonte atë, dhe as t'i arrestonte ata që kishin ardhur në pushtet përmes votës së lirë. Ajo nuk do të duhej t'i dilte në krah atyre që kërkonin të largonin presidentin legjitim nëpërmjet protestave, mjeteve të dhunshme e të paligjshme dhe ekraneve televizive.

Ligji Islam kërkon nga të gjithë shtetasit besnikëri ndaj udhëheqësit të zgjedhur, i cili nuk është në kundërshtim me të.

Mursi ka bërë gabime gjatë qeverisjes së tij të shkurtër njëvjeçare, por këto gabime ishin shumë të vogla, në krahasim me gabimin e puçit ushtarak, i cili mund ta çojë vendin në një gjakderdhje me pasoja të paparashikueshme.

Edhe ata që nuk pajtohen me Mursin dhe Vëllazërinë Muslimane vlerësojnë se gabimet e tyre gjatë një viti, nuk ishin as në nivelin e krimeve të një jave të regjimit të Mubarakut.

Ato nuk e justifikojnë grusht shtetin ushtarak ndaj Presidentit legjitim, sepse në demokraci, çdo rrugë tjetër përveç kutive të votimit është e jashtëligjshme. Kudo në botë, grusht shtetet ushtarake kundër qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike janë të dënueshme.

Vëllazëria Muslimane sigurisht se ka gabuar kur ka vepruan mbi bazën se zgjedhjet dhe kutia e votimit do të thotë gjithçka, por kanë gabuar edhe kundërshtarët e tyre kur kanë vepruar në bazë të asaj se zgjedhjet dhe kutia e votimit nuk do të thotë asgjë.

Brenda këtij vlerësimi të gabuar kemi situatën e përkeqësuar në Egjipt, por pavarësisht nga kjo popujt në përvojat demokratike nuk njohin ndonjë mekanizëm tjetër përveç votimit dhe votës, përmes së cilave vihet në pushtet. Kjo përvojë nuk mund të fshihet me ndërhyrjeje ushtarake e cila çon në shkatërrim, përplasje dhe destabilitet.

Madje kush do t'i besojë ushtrisë që ka vendosur për president një person që nuk është zgjedhur, që ka anuluar Parlamentin dhe, përmes ligjit ushtarak, po bën një fushatë arrestimesh pa mbështetje ligjore, nën akuza të sajuara dhe imagjinare?


Dilema

Si mund të shkohet përpara dhe të vazhdojë puna për të ndërtuar të ardhmen, kur shohim se si në Egjipt rruga është shndërruar në një përbindësh gjigant që mund të nënshtrojë edhe institucionet shtetërore të zgjedhura me votën e lirë?

Cilat do të ishin cilësitë dhe specifikat që do duhej t'i ketë një president që të mund t'i bindte masat e gjera pas përmbysjes së dy presidentëve brenda dy vjetëve? Kush do të guxojë ta komandojë anijen deri në fund të bregut tani kur masa të uritura për të protestuar dhe kundërshtuar mund të mbushin sheshe dhe të rrëzojnë qeveritë sa herë që një pjesë e shoqërisë të mos jetë e kënaqur?!


Skenarët e mundshëm

Skenari më i mirë për Egjiptin është të vazhdoj pushteti i Mursit deri në fund të mandatit sepse ai është zgjedhur me zgjedhjet e para të lira dhe të ndershme. Por kjo do të kërkonte ndryshim radikal të qeverisë, për të kryer funksionet e veta në mënyrën më të mirë të mundshme dhe për të sjellë siguri në vend.

Skenari më pak i mirë do të ishte menaxhimi i situatës nga ana e ushtrisë, në një fazë kalimtare. Në përputhje me sistemet demokratike administrata duhet të jetë civile, të pasohet me zgjedhje të lira dhe kalimi i pushtetit në mes palëve duhet të bëhet paqësisht dhe jo me forcë apo mënyrë dekorative.

Skenari më i rrezikshëm është përhapja e akteve të caktuara të dhunës dhe vrasjes, që do të ishte me pasoja të rënda për Egjiptin. Kjo do të hapte mundësinë e ndërhyrjes nga jashtë, nën pretekstin e luftës kundër terrorizmit, për të mbrojtur atë që vendet e jashtme vlerësojnë se janë të kërcënuara interesat e tyre.


Manipulimi

Pasi ushtria përmbysi qeverinë e parë të zgjedhur në mënyrë demokratike, ElBaradei do të mundohet të fitojë postin e Presidentit të Republikës në zgjedhjet e rreme ushtarake që do të mbrohen dhe rezultati do të falsifikohet në favor të tij, sigurisht me pëlqimin e shteteve të huaja dhe mbështetjen e regjimeve totalitare arabe.


Shtetet që iu gëzuan puçit ushtarak

Shteti që denoncoi këtë veprim ishte Turqia e Erdoganit dhe Tunizia. Një grup i madh i banditëve që shesin fenë e tyre për një grusht qindarkash shfaqën gëzimin dhe përkrahjen e tyre për tërë atë që ndodhi duke u pozicionuar në anën e padrejtësisë dhe duke e ndihmuar atë në të gjitha format. Të parët që e uruan ushtrinë egjiptiane për këtë grusht shtet ishin monarkitë absolute arabe dhe regjimet totalitare.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, ofroi lëvdata për ushtrinë egjiptiane, duke thënë se ajo kishte ruajtur sigurinë.

Hanegbi, një anëtar i partisë Likud të Netanyahut, përshëndeti grusht-shtetin, dhe tha se Izraeli ka pasur raporte të mira me forcat e armatosura të Egjiptit.

Vrasësi i popullit të tij, Bashar Al Asad i ka përshëndetur protestat në Egjipt kundër Mursit, dhe është shprehur se përmbysja e tij nga ushtria do të thotë fundi i "islamit politik".

I lutemi Allahut të Gjithëfuqishëm që t'i vijë sa më shpejt fundi i këtij kasapi dhe i gjithë diktatorëve arabë.



Autor: Mr. Ajni SINANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...