Përçarja e gjelbërt
Me të madhe janë shfaqur në dekadën e fundit. Përderisa për vetveten thonë se prezantojnë islamin burimor, për të tjerët paraqesin kërcënim. Selefi apo wahhabi, siç njihen në opinion, ata janë pjesë e shoqërisë në Kosovë. Ata janë gjithkund. Më fytyra të qeshura dhe me nga një "Wa-laikhum-salam", përshëndesin njëri tjetrin, lënë këpucët në grumbullin e madh të këpucëve të tjera dhe shpejt e shpejt zënë një vend.
Në mes xhematit të shumtë, e që megjithatë nuk mbush sallën e xhamisë së re në Vushtrri, shihen fytyra të ndryshme. Fëmijë, e deri pleq të kërrusur. Por, në mesin e morisë së turmës, patjetër, në sy bie një pjesë e burrave të cilët për nga pamja e jashtme dhe qëndrimi që marrin gjatë të falurit. Ata dallojnë nga pjesa tjetër e të pranishmëve në xhami. Jo vetëm në xhami, por edhe në vende të tjera ata bien në sy. "Qy, qy mjekrroshët", shpesh mund t'ju shpëtojë nga goja, apo të mendoni këtë edhe ne mendjen tuaj, kur ata kalojnë pranë. Djelmoshat me veshje të thjeshtë por me mjekra të mëdha, kurdo dhe kudo shihen më ndryshe se sa njerëzit e tjerë. Por, me përjashtim të pamjes së jashtme nuk janë të shumtë ata që dinë në Kosovë për ta.
Sadullah Mikullovci, tregtar nga Vushtrria, është njëri ndër ta. Ai mban këtë imazh. Imazhin e një burri me mjekërr të madhe, dhe pantollona të shkurtuara. Imazhin e një djali nga orienti. Sadullahu thotë se është besimtar i devotshëm mysliman. Për çdo të premte, atë mund të takoni në xhaminë e qytetit. Aty, ai fal xhumanë dhe takohet më miqtë, të cilët, ngjashëm me të, dallohen me imazh dhe bindje të njëjta me të. Me bindje për përkushtim të skajshëm ndaj Zotit dhe fesë islame. Sadullahu është 33 vjeç, Albani 19, ndërsa shoku i tyre i cili nuk do që të prezantohet "për shkak të pasojave", punon profesor në një shkollë të mesme të Vushtrrisë.
Si shumë të tjerë anekënd Kosovës, që të tre i përkasin rrymës fetare islame - Selefije. Për opinionin më tepër të njohur si "wahhabi". Ndërsa, për ata që nuk dinë gjë për këtë drejtim, ata njihen, thjesht, si "mjekrroshët". "Pamja ime e jashtme mund të krijojë përshtypje: në këtë rast, mjekrra ime. Por, nuk jemi njerëz të një rryme të veçantë, por kjo nuk është ndonjë risi. Unë jam mysliman, do të thotë nuk jam i ndonjë rryme të caktuar fetare", thotë Sadullahu.
Duke rikujtuar 50 vitet e komunizmit në ish-Jugosllavi që s'i kishte jetuar, Sadullahu rrëfen se si asokohe mjekrrat nuk ishin lejuar. Sipas, tij mjekrrat kanë qenë më të theksuara para Luftës së Dytë Botërore. "Bile, mjekrra kanë bartur edhe figurat historike shqiptare, përfshirë këtu edhe Skënderbeun dhe rilindasit e më vonshëm, e tash së voni edhe komandanti ynë Adem Jashari, ka pasur mjekërr", tregon Sadullahu derisa dy shokët e tij ndërhyjnë kohë pas kohe në mbrojtje të imazhit të tyre të jashtëm.
Përderisa imazhi i tyre vetëm sa identifikon përkatësinë e tyre fetare, më shumë kurreshtje ngjall ideja të cilën ata thonë se e përfaqësojnë.
Selefitë e Wahhabitë
Është kjo rryma fetare Selefije, e konceptuar aktualisht si rryma më ekstreme dhe më jotolerante e praktikimit të fesë islame: "të tillë, e identifikojnë teologët fetarë që praktikojnë shkollën fetare islame të quajtur Hanefi". Megjithatë, ithtarët e kësaj lëvizje nuk pëlqejnë të quhen wahhabi. Ata parapëlqejnë emrin Selef, në vend të Wahhab.
Albert Haziri-Zejdi, 29 vjeçar nga Gjilani i diplomuar në Universitetin e Zerkasë në Jordan, llogaritet ndër përfaqësuesit më të përgatitur të Selefistëve, apo wahhabistëve në Kosovë. Alberti, i cili kohë më herët ndërroi emrin në Zejdi, tregon arsyet përse ata nuk pëlqejnë të quhen wahhabi.
"Ngase nuk jemi të atillë: Muhammed ibn Abdul-Wahhabi është vetëm një nga dijetarët e mëdhenj islam i cili ka bërë përmirësime të mëdha në popull nga aspekti fetar, dhe, asgjë tjetër. Por, ata të cilët nuk na duan neve dhe thirrjen tonë, mundohen që t'i largojnë njerëzit nga ne duke i gënjyer se ne jemi wahhabistë. Në realitet, persona të tillë nuk ekzistojnë", thotë Alberti, autor i "Qëndrime Selefite në disa Çështje Metodologjike", libër ky i rrallë në Kosovë rreth kësaj çështjeje.
Lëvizja wahhabite u paraqit në rajonin jugor arab të Naxhd-it, Arabia Saudite, nga fundi i shekullit 18, nën udhëheqjen e Muahmed ibn Abd al-Wahhab. Asokohe, lëvizja menjëherë u dënua nga elita politike dhe fetare e cila e kuptonte ibn Abd al-Wahhabin më tepër si kërcënim për rendin e vendosur në Lindjen e Mesme Osmane. "Sipas doktrinës së ibn Abd al-Wahhabit, secili që nuk ndiqte mësimet e tij konsiderohej takfir (jobesimtar). Lëvizja filloi të shtrihej, e bashkë me të edhe jotoleranca ndaj bashkësive të tjera fetare".
Ndërsa, sipas kuptimit gjuhësor, "selef", siç quajnë vetveten "wahhabitë", do të thotë i parë, paraardhës. "Në literaturën burimore islame, termi selef emërton dijetarët e periudhave të para dhe burrat e mëdhenj të islamit të së kaluarës. Kështu e shpjegon Resul Rexhepi", Këshilltar i Lartë në Bashkësinë Islame të Kosovës.
"Kemi të bëjmë më tradicionalistë të cilët mund të merren si më ekstremë në praktikimin e disa momenteve të caktuara të islamit, sepse edhe tek Sunitët (pjesa dërrmuese e myslimanëve shqiptarë) bëhet fjalë për tradicionalistë, edhe pse parimorë, ndryshe prej Selefive që nuk mund të konsiderohen parimorë. Pra, bëhet fjalë për tradicionalistë që ndjekin mësimet e dijetarëve të parë dhe mjaftohen me anën e jashtme të shprehjeve, ose teksteve kuranore, haditheve, dhe i pranojnë ashtu siç janë", thotë Rexhepi. "Për të Selefi apo Wahhabi paraqet të njëjtin fenomen". "Nuk ka ndonjë dallim esencial mes wahhabive dhe selefive, bëhet fjalë për të njëjtin fenomen", sqaron Rexhepi, këshilltari i Bashkësisë Islame.
Por, edhe Sadullahut dhe dy shokëve të tij u duket e padrejtë të quhen wahhabi. "Nuk jemi wahhabi dhe ky term është i padrejtë. Pikësëpari, duam të quhemi myslimanë, porse myslimanë Selefi, ashtu siç kanë qenë në kohën e Pejgamberit", thonë që të tre.
Sadullahut, derisa lëmon mjekrrën tashmë disa centimetra të gjatë, nuk i kujtohet saktë se kur i ishte bashkuar kësaj rryme. Kishte qenë një kliente serbe e cila e kishte aktivizuar logjikën e të menduarit si një mysliman i vërtetë. "Gjatë një bisede, një kliente serbe që kishte ardhur në dyqanin tim, më tregoi se gjërat që i blente atë ditë ishin për t'ia shënuar të 40-tat nënës së vdekur. Pra, kjo më shtyri të mendoj, meqë edhe ne në Kosovë mbajmë të 40-at për një të vdekur, kjo më bëri të mendoj se kjo nuk ka lidhje me fenë islame", tregon Sadullahu për çastin kur kishte filluar të mendonte "si një mysliman i vërtetë".
Vitet '90 dhe ardhja në Kosovë
Por, këshilltari i Bashkësisë Islame, e sqaron kohën e paraqitjes së parë të wahhabive në Kosovë. "Më herët, as që ka qenë i njohur si fenomen i pranishëm në Kosovë. Ka filluar të paraqitet gjatë këtyre 20 viteve të fundit - veçanërisht pas luftës në Kosovë", thotë Resul Rexhepi.
Sipas tij, kjo rrymë ka arritur në Kosovë përmes studentëve shqiptarë që kishin studiuar në Arabi Saudite, sidomos në Universitetin e Medinës. "Por, nuk përjashtohet as ndikimi i disa organizatave që kryesisht kanë ardhur nga Arabia Saudite, por edhe të organizatave te vet kosovarëve që veprojnë këtu dhe që janë ithtarë të këtij fenomeni".
Edhe përgjigjja e Zejdit jep pakashumë periudhën e njëjtë kohore të paraqitjes së kësaj lëvizje. "Nuk jemi lëvizje, por vetëm praktikues të traditës së pastër profetike. E praktikimi i saj ka filluar në vitet '90", thotë Zejdi.
Për ithtarët e kësaj rryme, prania e tyre duhet të kuptohet shpëtim për islamin në Kosovë. Për një pjesë tjetër, kjo lëvizje paraqet rrezikun më të madh për formën tradicionale të praktikimit të islamit në Kosovë, të vjetër gati gjashtë shekuj.
Derisa zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës, autoritet ky më i larti islamik në vend, janë paksa të rezervuar në identifikimin e së vërtetës rreth kësaj lëvizje, një pjesë e të rinjve që kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me wahhabitë e thonë troç se çfarë duan të arrijnë në Kosovë përfaqësuesit e kësaj lëvizje.
Njëri ndër ta është Gj.B., nga një qytet afër Prishtinës, i cili po ashtu nuk deshi të identifikohet. Thotë se ndjehet i kërcënuar nga pjesëtarët e lëvizjes wahhabi të Kosovës. Express disponon me audio-deklaratën e Gj.B., i cili merret si një ndër teologët e gjeneratës së re në Kosovë. Gjatë viteve '90 ai kishte përfunduar medresenë në Prishtinë, për të vazhduar tutje studimet në vendet arabe.
Thotë të ketë qenë i joshur nga wahhabitë qysh më 1995, duke qenë asokohe nxënës i Medresesë. "Më 1995 u përpjekën të më fusin në lojë, po shkoja me ta në Prizren ku kishin organizuar iftar. Atje i pashë se si të hollat, të mbështjella në zarfë, ua dhanë pjesëmarrësve. Por, jo edhe neve. Na lanë jashtë meqë ishim më të rinj. Por, më 1997, për herë të parë më ofruan para, jo drejtpërdrejt, por përmes një njeriu tjetër i cili m'i ka ofruar paratë në emër të tyre. Bëhej fjalë për 300 marka gjermane. Nuk i pranova të hollat, dhe kur e kuptuan se nuk dua t'i marr filluan të arsyetohen se janë ndihma për nxënës", tregon Gj.B..
Resul Rexhepi rrëfente për përkrahjen që kjo lëvizje ka nga disa organizata, Gj.B. dëshmon për ofertën që i ishte bërë. Një bindje e ngjashme është mjaft e përhapur edhe në opinion, bindja se wahhabitë mbështeten financiarisht nga organizata arabe. Për Zejdiun nga Gjilani, janë këto fjalë që i propagandon Bashkësia Islame e Kosovës.
"Kjo nuk është e vërtetë dhe më vjen shumë keq që kjo gënjeshtër për herë të parë publikisht ka dalë nga disa anëtarë të BI të Kosovës. Ndoshta, ka mundësi të joshet një i ri kosovar materialisht - por dhjetëra, qindra, mijëra njerëz?!", pyet Zejdi. Për të, kjo është e pamundur.
Ai thotë se të rinjt dhe të rejat pasojnë traditën profetike nga bindja dhe besimi. "Kjo gënjeshtër nuk është gjë tjetër veçse luftë e armiqve të këtyre praktikuesve të traditës profetike nga frika se këta po shtohen", thotë Alberti.
Skizma e madhe
Paraqitje e wahhabive për herë të parë shkaktoi plasaritje në unitetin e komunitetit mysliman në Kosovë. Përderisa rrymë zyrtare dhe e praktikuar në Kosovë deri në këto vitet e fundit ishte vetëm rryma Hanefi, ardhja e wahhabive e ka vënë në pikpyetje. "Ka futur përçarje. Kjo është e pamohueshme, për faktin e thjeshtë se ekzistojnë Sunitë dhe Selefitë. Uniteti 6-shekullor i myslimanëve të Kosovës dhe të rajonit tash është i luhatur", thotë Resul Rexhepi.
Pohimin e tij, Rexhepi e mbështet në formën e ritualeve të faljeve dhe të lutjeve që janë kryer deri sot nga gjeneratat e mëparshme. "Nuk mund të them se Sunitë apo Selefitë e kanë më mirë, nëse janë të drejta si njëra si tjetra, atëherë pse mos ta marrim atë që është këtu tash e 6 shekuj, në vend të asaj që është këtu tash e gjashte vite", sqaron Rexhepi.
Rexhepi e sheh vetëm një shkakatar të thyerjes së unitetit të myslimanëve kosovarë. Wahhabitë. "Laramania që tash paraqitet mes xhematit definitivisht e ka thyer unitetin. Absolutisht. S'po them se janë fajtorë Selefitë - por, janë shkaktarë".
Teksti bazik i kësaj forme të islamit është "Kitab At Tavhid" (Libri i Unitetit). Mesazhi qendror i Muhamed ibn Abd al-Wahhabit ishte "Njëshmëria e Zotit" (tavhid). Për këtë, lëvizja nga pasuesit e saj është e njohur si "ad dava lil tavhid (thirrja për unitet)". Emri wahhabi fillimisht është përdor nga kundërshtarët për të poshtëruar këtë lëvizje. Por, në ditët e sotme është bërë e zakonshme, bile përdoret edhe nga disa prej mendimtarëve të kësaj lëvizje.
Shumica e wahhabive të botës jetojnë në Arabinë Saudite. Në këtë vend kjo lëvizje është zyrtare. Themeluesi i saj, ibn Abd al-Wahhabi, për të influencuar gadishullin arabik me idetë e tij, kishte lidhur martesë me dinastinë e Sauditëve, e cila sot e asaj dite sundojnë këtë vend.
Është interesante se hovin e kësaj lëvizje ia kishte ndërprerë shqiptari Mehmet Ali Pasha, si udhëheqës i një ekspedite osmane kundër wahhabive, aty nga gjysma e dytë e shekullit 18. Pasuesit e kësaj lëvizje në Kosovë dhe në gadishullin tonë, janë paraqitur pas kolapsit të komunizmit dhe luftave në territorin e ish-Jugosllavisë.
Zyrtarët e Bashkësisë Islame të Kosovës thonë se kjo lëvizje nuk përkon me natyrën e kosovarëve. "Nuk ka dilemë se shkolla juridike Hanefi e cila në Kosovë ka traditë tashmë 6 shekullore përkon më shumë më natyrën e kosovarëve dhe me rrethanat në të cilat jetojmë", thotë me bindje këshilltari Rexhepi.
Por, për Zejdiun, edhe kosovarët mund t'i përshtaten me lehtësi kësaj forme të islamit. "Pas një sundimi më shumë se 50 vjeçar të komunizmit dhe pansllavizmit serb tek ne, sigurisht se kjo na e vështirëson ofrimin e islamit të pastër në mesin e kosovarëve. Mirëpo, kur këtij Islami, në të cilin thirremi, iu kanë përshtatur shoqëri të ndryshme dhe shumë më të mëdha se kosovarët dhe e kanë pranuar atë me gjithë dëshirë, atëherë pse nuk do t'ju kishin përshtatur kosovarët", pyet Zejdiu.
Ajo që duhet reformuar, sipas tij, në Kosovë janë njerëzit. "Pa u përmirësuar ata, as Zoti nuk do t'ua përmirëson gjendjen", thotë Zejdiu.
Rrezik apo reformë?
Përmirësimet e tyre, mund të hasen gjithandej. Djelmoshat me mjekrra mund të shihni gjithkah. Për Gj.B. këto përmirësime fshehin rrezikun më të madh për Kosovën. Ai nuk kursen akuzat më të rënda për selefitë. "Janë shkatërrimtarë. Krejt sulmet, si 11 shtatori, si Madridin e të tjerat që po ndodhin në botë bëhen nga pjesëtarë të këtij sekti. E, profeti thotë se besimtari islam nuk guxon ta dëmtojë as pemën e një besimtari që i takon fesë tjetër: e këta wahhabitë e marrin bombën edhe e hedhin në vend publik. Janë shkatërrues. Nuk është shkollë juridike siç e quani ju: wahhabizmi është gjëja më e prisht që ekziston në fenë islame", thotë i llahtarisur.
Vetëvrasësit dhe përkrahësit e terrorizmit nuk janë Selefi, këmbëngul Zejdi. "Selefitë janë të pastër nga këto vetëvrasje, përkundrazi, ata i luftojnë me fjalë dhe shkrime ideologjinë e Bin Ladenit dhe të tjerëve si ky. Forma e jashtme e Bin Ladenit ka mundësi t'i gjasojë asaj të Selefive, porse ata dallojnë që në bazamentet e besimit, lëre më në gjërat tjera të fesë", sqaron Alberti.
Sipas tij, zanafilla e tyre rrjedh nga një grup i hershëm islamik - Havarixhëve, e që konsiderohen prej grupeve të para të devijuara nga islami i pastër. "Çdo bartës i mjekrrës nuk është ithtar i terrorizmit dhe i Bin Ladenit, ashtu siç atribuohet nga populli", thotë Zejdiu.
Wahhabizmi si lëvizje reformuese kishte filluar para dy shekujve me qëllim të shpëtimi të shoqërive islame nga kultura dhe praktika devijuese. Fillimisht, pasuesit e ibn Abd Al-Wahhabit filluan t'i pastrojnë beduinët arabë nga sufizmi. Ajo që synohej, ashtu si edhe sot është kthimi në format e pastra të praktikimit të islamit, ashtu siç ishte në zanafillën e tij.
Kjo nënkupton edhe nënshtrimin ndaj rregullave strikte. Përfshirë veshjen, lutjet, sjelljet ndaj femrave, etj.. "Ne e lëshojmë mjekrën dhe këtë duhet ta bëjnë të gjithë myslimanët, jo vetëm selefitë. Ashtu jemi të urdhëruar nga Zoti ynë dhe profeti i Tij. Pejgamberi alejhis-selam thotë: "Lëshoni mjekrat dhe shkurtoni mustaqet". Folja lëshoni në hadith ka ardhur në mënyrën urdhërore, e kjo aludon në obligim dhe njëherit urdhëri i profetit është sikur urdhër i Allahut në citat të Kur'anit", tregon Zejdi.
Për të, shkurtimi i pantallonave, bëhet për faktin se myslimanët janë të urdhëruar që t'i shkurtojnë. "Çka bie poshtë nyjeve të këmbëve nga rrobat, ajo do të djeget në zjarr", citon Zejdi profetin Muhammed. Edhe për ritualet e të luturit, Zejdi thotë se dallimi nuk qëndron tek lutjet, por tek mënyra dhe forma e bërjes së sajë, në disa raste edhe tek lutjet. Andaj, apelon tek myslimanët që lutjet dhe faljen e përditshme të tyre t'i bëjnë vetëm ashtu siç i ka bërë profeti.
Veçanërisht ndaj femrave, wahhabitë kanë rregulla të caktuara, përfshirë këtu edhe mos zgjatjen e dorës një femre. Derisa tregon se si islami femrën e ka nderuar më shumë se të gjitha shoqëritë tjera, ai sqaron se pse një femre nuk duhet zgjatur dora. "Kjo është një prej masave preventive. Përmes kësaj islami i ruan shoqëritë njerëzore nga amoraliteti, degjenerimi dhe problemet familjare". Njëherit kjo është e ndaluar me tekst nga hadithi i Profetit, i cili thotë: "Më mirë është që njeriu të goditet në kokë me gjilpërë hekuri, se sa t'i folë për dore një gruaje që nuk është e lejuar për të".
Një mysliman, një kalifat
Duket se në respektimin e këtyre rregullave wahhabitë janë të pa kompromis. Pikërisht ashpërsia e këtyre rregullave Gj.B. i kishte kushtuar me humbjen e vendit të punës në një jetimore që menaxhohet nga një organizatë nga Arabia Saudite. "Sherri i të pshurrurit në këmbë, më larguan prej pune. Kur shkova në WC nuk e vërejta se prapa meje qëndronte shefi kryesor, më ka parë se si po e kryej nevojën. Po ashtu, edhe kur hynim në xhami shpesh kritikonim mënyrën se si faleshin. Pas ankesave të shefit, drejtoria pas 5 ose 6 ditëve na pushoi nga puna, mua dhe një shok timin".
Sipas interpretimit të tij, edhe mjekrrat e pantollonat i kanë prej Pejgamberit. "Është e vërtetë se Pejgamberi i ka shkurtuar pantallonat dhe e ka caktuar se është haram, ngase në atë kohë të pasurit bartnin pantallona të gjatë e të gjerë, ashtu që kur të kalonin të ngrihej pluhur dhe të dihej se kush kalonte. Këtë e ka ndaluar Pejgamberi", thotë Gj.B..
Por, për të nuk janë me rrezik mjekrat dhe pantallonat e tyre, aq sa janë idetë që ata kanë. "Rreziku prej këtij sekti është se e kanë idenë që herë do kurdo synojnë ta realizojnë për krijimin e një kalifati botëror, bash si Millosheviqi i cili thoshte se ku ka një shtëpi serbe aty duhet bërë shtet të Serbisë, edhe këta, ku ka një mysliman duhet bërë një kalifat. Po ta jap besën se atë ditë që Kosova fiton pavarësinë këta do ta shkatërrojnë islamin në këtë vend".
Ai tregon edhe për qëllimet e tyre për krijimin e një kalifati ballkanik përmes unifikimit të wahhabive të Maqedonisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Kosovës. "Këto do t'i shohim pas statusit, do të ketë kërcënime me bomba, në Kosovë është më rrezik sesa në Shqipëri, atje, sadopak, ekziston shteti që i kontrollon, e këtu i kanë lëshu' shumë fëlliqët, këtu janë të përgatitur që me akte dhune të vijnë në pushtet. Nga Maqedonia mbështeten nga Bekir Halimi. [*] Financimin e kanë prej Jordanisë, dhe, një pjesë prej Arabisë Saudite".
Aktualisht, për aq sa dihet, wahhabitë në Kosovë nuk veprojnë përmes ndonjë forme të organizuar. Zyrtarët e Bashkësisë Islame nuk ndjehen të kërcënuar nga Selefitë. "BI nuk ndjehet e kërcënuar për kundër fakteve të lartpërmendura. Për ne, ata mbesin myslimanë dhe nuk ka ndonjë rrezik për ardhjen e tyre në shprehje", thotë Resul Rexhepi.
Problemi sipas tij, qëndron tek uniteti i cili ka ekzistuar mes myslimanëve kosovarë, e i cili është përçarë. "Prandaj, dyshoj se dikush i përkrah të tillët vetëm e vetëm që popullin tonë në aspektin islam ta përçajë sa ma shumë", thotë i brengosur këshilltari Rexhepi.
Sadullah Mikullovci dhe dy shokët e tij, pranojnë si institucionin më të lartë islam në Kosovë Bashkësinë Islame. "Kemi raporte të mira me Bashkësinë Islame, paguajmë anëtarësimin dhe respektojmë udhëzimet e tyre".
Mirëpo, Zejdiu e sheh këtë ndryshe. "Nuk kemi kurrfarë raporte me Bashkësinë Islame të Kosovës, për shkak të drejtimit juridik fetar të cilin e udhëheq. Shpresojmë se në një të ardhme të afërt, Bashkësia Islame do të ndryshojë, ajo duhet të jetë më tolerante me ne".
Ky i fundit, thotë të mos kenë strukturë të organizuar në Kosovë. As prijës. "Veprojmë të pavarur, por në një të ardhme të shpejtë shpresojmë të jemi strukturë e organizuar. Kurse sa i përket të parit tonë, tek selefitë nuk ekziston diçka e tillë. Selefitë nuk janë parti e as tarikat dervishësh, ne pasojmë dijetarët e sunnetit të profetit", thotë Zejdiu.
Strukturat paralele
Në Bashkësinë Islame nuk ka informacione se ata kanë organizim institucional. "Nëse kanë diç të tillë, kjo do të mund të konsiderohej një lloj paralelizmi", thotë Resul Rexhepi. "E kanë kierarkinë, po është shumë e fshehtë. Është me rëndësi që ky sekt apo grup të mos vjen në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës. Nëse bëhet kjo, atëherë sekti do të institucionalizohej", thotë Gj.B..
Për Zejdiun, Bashkësia Islame duhet të jetë më tolerante, këta të fundit nuk kanë haber se çfarë të bëjnë me ta. "Nuk e di se çka duhet të behet, por mendoj se duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë përçarje që ia sollën myslimanëve të Kosovës", thotë Resul Rexhepi.
Ndërsa, për Gj.B. rreziku prej tyre qëndron më mos ndërmarrjen e asnjë aksioni kundër tyre. "Ndërkombëtarët dhe tanët nuk kanë tentuar t'i arrestojnë disa nga udhëheqësit e wahhabive, kanë bërë pak arrestime. Me përjashtim të njëfarë Abazi nga Millosheva i cili ndodhet në Bondsteel, të tjerët janë marrë në pyetje dhe janë liruar. Por, po u bënë dy tri arrestime të forta ose dënime të forta, besoj se shumë shpejt do të shpartalloheshin", thotë ai.
Sipas tij, ky fenomen po zgjerohet ngase ekonomia në Kosovë është në gjendje katastrofale. "Nëse e shihni strukturën e njerëzve, do të shihni njerëz që s'kanë kah t'ia mbajnë. As s'kanë punë, as shkollë, asgjë", thotë Gj.B.. "Jemi pjesë dhe bij të këtij populli", thotë Zejdi.
E vërtet, "por nuk dihet nëse është pjesë e këtij populli ajo që ata e kanë sjellë dhe që e përfaqësojnë".
Autor: Ilir Mirena
_________________________
[*] P.S.:
- Bekir Halimi: ky njeri është koka e Vehabizmit në Maqedoni, i cili u përjashtua në vitet '90 nga Medreseja e Shkupit (për këtë pyetni Medresantët apo Udheheqesit e medreses të asaj kohe), dhe nuk kishte diplomë për regjistrim në Fakultet, shkoi në Siri e bleu një diplomë false, dhe me diplomë false u regjistrua në fakultetin e Jordanisë, pas 2 viteve u zbulua dhe u përjashtua nga Fakulteti për dy shkaqe:
- Shkaku i parë: sepse kishte diplomë të falsifikuar, per këtë mund të dëshmojnë Studentët e viteve '90, si në Siri, ashtu edhe në Jordani, por lajmi kishte arritur edhe në Egjipt, dhe
- Shkaku i dytë: sepse notat i kishte ngelëse nën 50%, vetëm në Usuli Hadith ka ngelur 4 herë, e tash na mbahet Muhadith.
Por më e keqja është që Bekir Halimi rren (gënjen), dhe thotë se e ka të kryer Fakultetin në Jordani, por e vërteta është se ky njeri as shkollën e mesme (Medresenë) por as Fakultetin nuk e ka të kryer, Zoti na ruajt nga këta persona mashtrues (manipulues), (stafi).