Pikat dalluese të Vehabizmit



Kishin kaluar pesë shekuj pas Isa a.s. ndërsa njerëzimi jetonte në errësirë, pastaj lindi drita e njerëzimit Muhamedi a.s. i cili zhduki errësirën dhe mbuloi njerëzinë me dritë, mëshirë dhe paqe, pajtoi arabët e përçarë, i unifikoi ata, rregulloi sistemin shoqërorë, largoi injorancën dhe idhujtarinë. Prej kohës së Muhamedit a.s. deri në shek. XVIII islami ishte superfuqi botërore. Çdo kund ku depërtonte islami sillte freski në zemra, qetësim në shpirtra, tolerancë ndër njerëzore, lumturi, zhvillim kulturorë, ekonomik dhe teknologjik.

Mirëpo, në pjesë e Nexhdit të Arabisë Saudite u paraqit një njeri, i cili solli ide të reja ide të cilat krijojnë urrejtje, përçarje, mostolerancë, ide të cilat ndajnë fëmijët nga prindërit, farefisin nga farefisi dhe shoqërinë nga shoqëria.

Për t'i dalluar idetë e Vehabizmit kam sjell shtatë pika dalluese të ideologjisë së tyre, e ato janë:


Pika e parë: Dallimi në çështje të akides (besimit)

Ideologjia Vehabiste: Zoti ka formë dhe trup, zë vend dhe hapësirë, dhe se cilësitë e Zotit janë cilësi që zënë vend, ka drejtim, ngrihet dhe zbret, po ashtu ulet. Ibni Tejmije duke qenë në minber ka thënë: "Allahu zbret në qiellin e tokës siç zbres unë nga kjo shkallë e minberit në një shkallë më poshtë dhe ka zbrit një shkallë më poshtë". Ibn Tejmije ka thënë: "Zoti i Lartmadhëruar ulet, dhe me vete e ulë edhe Muhamedin, të dërguarin e Tij mbi arsh".

Përderisa Ehlu suneti dhe xhemaati: Siç tregon Tahaviju se: "Kush e cilëson Allahun me kuptim të cilësive të njeriut, ai është pabesimtarë". Imam Ahmedi ka thënë: "Kush beson dhe thotë se Allahu është trup ai është pabesimtarë", po ashtu ka thënë: "Çka do që të mendosh, Allahu është e kundërta e asaj çka mendon".


Pika e dytë: Dallimi për Muhamedin s.a.v.s.

Ideologjia Vehabiste është si vijon:

- Kush thotë "O Muhamed" ai është pabesimtarë, sepse thërret të vdekurin e Muhamedi a.s. është i vdekur.
- Salavatet me zë pas ezanit, janë bid'at dhe ndalohet.
- Salavatet në namaz janë të ndaluara, bid'at.
- Salavatet me zë pas namazit janë të ndaluara.

Ndërsa sa i përket ehli sunetit dhe xhemaatit:

- Salavatet lejohen pas ezanit edhe me zë edhe pa zë, por më e vlefshme është pa zë, duke mos sjell vendim të prerë për moslejimin me zë, ndërsa Abdul Vehabi e ka mbyt myezinin i cili ka thirrur me zë salavate pas ezanit.


Pika e tretë: Dallimi rreth çështjes së vizitës së varrit të Muhamedit s.a.v.s.

Vehabijtë mendojnë se: Ndalohet vizita e varrit të pejgamberit s.a.v.s. dhe vizita e bashqes së xhenetit (Revdatu Nebij), po ashtu ndalohet edhe shkurtimi i namazit në atë udhëtim, se udhëtimi i tillë është udhëtim mëkati.

Ndërsa sa i përket ehli sunetit dhe xhemaatit: Vizita e varrit të pejgamberit s.a.v.s. nuk është pjesë përbërëse e Haxhit, por është prej veprave të vlefshme (fadail).

Vehabijtë: Ndalojnë që të falet namazi në xhami ku ka varre të ndonjë pejgamberi, Evlija e apo shehidi, kështu që mendimi i tyre është që sa më shpejt të jetë e mundur të hiqet kupola mbi varrin e Muhamedit s.a.v.s. ose edhe të largohet varri i Muhamedit a.s. nga xhamia e tij.

Vehabijtë: Duke u nisur në parimin se Muhamedi s.a.v.s. nuk e ka festuar ditëlindjen e tij thonë se festimi i ditëlindjes së tij është bid'at, i cili bid'at të shpie në humbje dhe në xhehenem. Ideologjia Vehabiste është se mishi i cili shtrohet me rastin e manifestimit të ditëlindjes së Muhamedit s.a.v.s. apo të Mevludit është më i keq dhe më haram se mishi iderrit.

Ndërsa në traditën tonë: Manifestimi i ditëlindjes së Muhamedit s.a.v.s. është bë që të shtohet dashuria ndaj Muhamedit s.a.v.s. të mësohet jeta e tij, të praktikohet rruga e tij, të mësohen gjeneratat e reja për jetën dhe veprën e Muhamedit s.a.v.s..


Pika e katërt: Dallimi në festimin e festava

Vehabijtë: Ndalojnë manifestimin e ditës së hixhretit të pejgamberit s.a.v.s. të natës së Israsë dhe Miraxhit, të natës së Beratit, të fitores së Bedrit, bile ndalojnë edhe manifestimin e natës së njëmijë netëve, pra të natës së "Lejletul Kadrit", sepse manifestimi i këtyre festave është bid'at dhe është në kundërshtim me besimin.

Ndërsa Jovehabijtë mendojnë se: Të gjitha këto manifestime nuk janë ibadete (adhurime) por që përkujtimi i tyre sjell freski dhe përkujtim për zemra, sepse përkujtimi u bënë mirë dhe u sjell dobi besimtarëve. Tradita e festimit të festave nuk është bë që të bëhet bid'at, të futet diçka e re në fe, por që këto festa të jenë shkak për të mësuar vlerën e këtyre ditëve, të këtyre netëve dhe asnjëherë nuk janë konsideruar se janë pjesë ibadeti (adhurimi).


Pika e pestë: Të gjithë muslimantë e dinë se shtyllat e islamit janë pesë

- Të shqiptuarit e shehadetit
- Falja e namazit
- Dhënia e zekatit
- Agjërimi i Ramazanit dhe
- Kryerja e haxhit për ata të cilët kanë mundësi.

Mirëpo vehabijtë kanë shtuar edhe shtylla tjera:

- Pantolonat e shkurtra
- Misvakin vazhdimisht në gojë e në duar që të luhet me të si lodër
- Të lëshuarit e mjekrës
- Shtetet Islame janë shtete të pabesimit.

Ndërsa Shtyllat e Islamit, janë shtylla të cilat i ka përmend Muhamedi s.a.v.s..

Ndërsa sa i përket: "pantallonave të shkurtra, misvakut, të lëshuarit të mjekrës", këto janë çështje për të cilat dijetarët islam e kanë dhënë vlerësimin e tyre, por jo duke i kategorizuar ashtu siç mendojnë vehabijtë.


Pika e gjashtë: Dallimi në konceptin e të pranuarit të medhhebeve

Vehabijtë: Jo vetëm se nuk i pranojnë katër medhhebet, por pasimin e medhhebeve e llogaritin "shirk" (idhujtari). Nga kjo pasimin e medh'hebit Hanefij tek ne e konsiderojnë idhujtari (shirk).

Ndërsa ne i takojmë medhhebit Hanefij: Dhe të parët tanë e kanë mësuar dhe e kanë praktikuar këtë medhheb, duke i pranuar edhe medhhebet tjera, por që medhhebet tjera zbatohen në vendet tjera pasi që edhe të parët e vendeve të tyre i kanë mësuar ato medhhebe në vendet e tyre. Bazuar në këtë shumë veprime si në namaz, agjërim, dhe haxh jo vetëm që nuk i pranojnë por i konsiderojnë bid'ate, shprehjet e tyre janë: "bid'at, kufr dhe shirk", nevojë e panevojë.

Krerët e BIK-ut kanë filluar në disa raste të thonë se ka filluar një qasje pak më ndryshe, por e vërteta është se është krejtësisht ndryshe në koncept, sepse pasimi i medh'hebit Hanefij, apo edhe të ndonjë medhhebi tjetër sipas vehabive është bid'at.


Pika e shtatë: Prijësi i Vehabijve

Abdul Vehabi ka thënë: "Kush pranon ftesën tonë, atij i takon çka është e jona, dhe çka është e jona është e tij, e kush nuk pranon ftesën tonë ai është pabesimtarë dhe lejohet të vritet".

Ndërsa Selefu Salih: Është i pastër nga mendimet e ideologjisë së Abdul Vehabit, i cili është veçuar, është ndarë nga programi i Selefu Salih. Të parët tanë kanë jetuar në paqe, të lumtur dhe në tolerancë me myslimanët dhe me jo myslimanët dhe këtë tolerancë na kanë trashëguar deri më sot.

Sa më shumë që do të paraqiten dhe do të përhapen idetë vehabiste, aq më i vogël do të jetë numri i tyre, sepse vehabijtë mbështillen nën termin e selefizmit ndërsa Selefu Salih është i pastër ndaj veprimeve të tyre.



Autor: Dr. Musli VËRBANI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...