Fjalorth i termave islame
- As'hab: shokët dhe bashkëpunëtorët e të Dërguarit, Muhammedit a.s..
- Dhahiritët: shkollë juridike dhe doktrinare, me themeluesin Davud El-Esbahanin dhe me personalitetin kryesor të tyre Ibn Hazmin.
- Ebu Jusuf: Nxënësi më i madh i Ebu Hanifes dhe njëri prej juristëve më të mëdhenjë të së drejtës islame. Kadi supreme i halifatit në periudhën abasite.
- Et-Ta'zîr: sanksionet për veprat penale të cilat nuk janë të përcaktuara me Kur'an dhe Sunnet dhe të cilat bëjnë pjesë në domen të gjykimit dhe vlerësimit diskretiv të gjyqtarit.
- Fakih: jurist, jurist islam, ai i cili themelësisht kupton. Gjatë historisë ka pasur edhe kuptime tjera.
- Fetvaja: zgjidhjet fetare, decizionet të cilat i japin muftitë për ndonjë pyetje, çështje a problem; komentimi specific juridik.
- Fikhu: E drejta islame dhe shkenca juridike, jurisprudenca islame. Përfshinë dy fusha të përgjithshme të cilat bazohen në qasjet e ndryshme dhe kundërshtuese metodologjike: ibadati, rregullat ku janë të lejuara vetëm ato që janë të përcaktuara dhe muamelati, punët shoqërore, ku të gjitha janë të lejuara përveç atyre që shprehimisht janë të ndaluara; rregullat dhe vendimet e nxjerra nga Kur'ani dhe Sunneti.
- Hadd - Hudud: Kjo fjalë d.m.th. kufij, pengesë. Në të drejtën sheriatike d.m.th. ndëshkimet, sanksionet sheriatike të konfirmuara me Kur'an dhe Sunnet për disa veprime.
- Halifi (Hulefai rashidinët): trashëgimtari i përkohshëm i pejgamberit, Muhammedit a.s., i tilli trashëgon pushtetin dhe autoritetin përveç autoritetit pejgamberik. Katër halifët e drejtë janë: Ebu Bekri r.a., Umeri r.a., Uthmani r.a., Aliu r.a., hilafeti, halifati respektivisht përfaqësimi i sheriatit të Allahut nëpërmjet muslimanëve, të cilët e ushtrojnë atë në territoret ku ata sundojnë.
- Hallall: e lejuar, ajo që është e lejuar me Kur'an, Sunnet dhe me fe.
- Hanbelitët: pasuesit e shkollës juridike hanbelite me themeluesin Ahmed ibn Hanbelin. Shkolla më e vogël juridike islame. Pasues të saj sot pjesërisht kemi vehabitët.
- Hanefitët: pasuesit e shkollës (medhhebit) juridike hanefite, me mësuesin me te madh te kësaj shkolle dhe te te drejtës dhe mësimit islam përgjithësisht, Nu'man ibn Thabit - Ebu Hanifeh (jetoi 80-150 h.).
- Haram: e ndaluar, ajo që është e ndaluar me Kur'an, Sunnet ose me fe.
- Imami: imami, lideri, udhëheqësi, ai që udhëheq namazin.
- Istihsani: burim dytësor i të drejtës islame; përparësia juridike që i jepet një deduksioni ndaj një tjetri, aplikimi i preferencës juridike, vlerësimi i diçkahit si e mirë.
- Ixhmai: koncenzusi, unanimiteti i dijetarëve të një kohe për një çështje. Burimi i tretë i te drejtes islame.
- Ixhtihadi: Angazhimi, përpjekja e aftësive intelektuale që në bazë të Kur'anit, Sunnetit dhe traditës islame të arrihet deri te Zgjidhja e dobishme, korrekte islame për çështjen, problemin, nevojën e caktuar, etj.. Kemi disa lloje ixhtihadesh: mutllak, mustekil-l, etj..
- Kadi': kadiu, gjyqtari musliman.
- Kijasi: analogjia, gjykimi në bazë të analogjisë, konkludim në bazë të parimit të dhënë në Kur'an, Sunet ose Ixhma. Burimi i katërt i të drejtës islame.
- Kur'ani: Kitabi, Libri, Libri i shenjtë i Islamit, Fjala e amshuar e Allahut.
- Malikitët: pasuesit e shkollës juridike malikite me themeluesin e shkollës Enes ibn Malikun.
- Maslehat'ul-mursele: parimi i interesit publik; nuk aplikohet në ibadat, sepse kjo i përket fushes e cila rregullohet vetëm me rregulla hyjnore.
- Medhheb: shkollë juridike.
- Mendub: e rekomanduar, e preferuar.
- Mexhlis'ush-shura: këshilli, kuvendi këshillues, konsultativ.
- Mu'tezilitët: shkollë e madhe teologjike e dogmatikës spekulative islame, që erdhi pas përçarjers dhe ndarjes së Hasan El-Basriut dhe Vasil ibn Atait.
- Mubah: e lejuar.
- Muftiu: personi i autorizuar i cili jep fetva, decizion juridik. Personi i cili formulon mendime specifike juridike në bazë të teksteve joshprehimore ose në mungesë të teksteve specifike.
- Muxhtehidi: Dijetari i cili merret me burimet e shpallura tekstuale me qëllim që prej tyre të nxjerrin gjykime dhe rregulla juridike.
- Nisabi: minimumi i paraparë pasuror në bazë të të cilit jepet sasia e caktuar e zekatit.
- Selefi: brezi i dijetarëve që përfundon me Muhammed ibn Hasen Esh-Shejbaniun. Ky grup komenton jashtësinë e teksteve dhe refuzon të japë mendim dhe të interpretojë brendësinë e teksteve. E kundërta e selefit është halefi: brezi i dijetarëve prej Muhammed ibn Hasen Esh-Shejbaniut e deri te Shemsu'l-eimmeh El-Hulvaniu. Këta i sqarojnë tekstet jo të qarta në pajtim me tekstet e qarta.
- Shafi'itët: pasuesit e shkollës juridike shafi'ite, në krye me Imam Shafi'un.
- Shkenca e hadithit: Shkenca e cila merret me fjalët dhe veprat e Muhammedit a.s., Hadithi është aspekti verbal i Sunetit.
- Suneti: Fjala, vepra, veprimi, miratimi në heshtje të një fjale a veprimi, etj., të Muhammedit a.s..
- Tabi'inët: tabiinë quhen pasardhësit e as'habëve, shokëve të Muhammedit a.s..
- Talak: shkurorëzimi, divorci, lëshimi i gruas nga kontrata martesore.
- Ulemaja: dijetarët, dijetarët fetarë, autoriteti fetar. Dijetari në kuptim të gjerë, i cili mund të jetë i specializuar në një degë shkencore islame. Sot ky emërtim nënkupton njeriun me përgatitje universitare.
- Ummeti: bashkësia, bashkësia muslimane, bashkësia e Muhammedit a.s..
- Urfi: tradita, adeti, doket, zakonet, ligji zakonor.
- Usul'ul-fikh: Parimet bazore të të drejtës islame; i formulon parimet dhe metodologjinë me anë të të cilave rregullat juridike nxirren nga burimet e tyre. Inkuadron studimin dhe formulimin e komentimeve juridike, detyrimeve dhe ndalimeve, parimet universale,ixhttihadin)ixhmain, kijasin), etj..
- Vakuf: e drejta vakufore islame, legata, e cila formohet nga bamirësia pasurore e njerëzve të pasur dhe të devotshëm për qëllime humanitare, si shkollat fetare, spitalet, etj..
- Xhihadi: përpjekje, orvatje e muslimanit në emër të Allahut, për ta plotësuar përgjegjësinë islame, si në vewprimet e jashtme ashtu edhe në përmirësimin e brendshëm të gabimeve personale, xhihadi në rrugën e Allahut, xhihadi me dije, me pasuri, me jetë e të tjera në emër të Allahut.
- Xhizja: tatimi që shtetasit jomuslimanë ia paguajnë shtetit musliman, si kundërshpërblim për shërbimet shtetërore.
Autor: Nexhat IBRAHIMI
Literatura (për hartimin e fjalorthit)
1. Abdulhamid A. Ebu Sulejman, Drejt një teorie islame për marrëdhëniet ndërkombëtare, Shkup, 1419/1998.
2. Dzon Espozito, Oksfordska Istorija Islama, Beograd, 2002.
3. Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990.
4. Enes Karic, Kur'an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997.
5. Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevë, 1990.
6. Nexhat Ibrahimi, Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrines së saj, botimi, II, Prizren, 1421 h./2000.
7. Tarik Ramadan, Biti evropski musliman, Sarajevë, 2002.
8. Teufik Muftic, Arapsko-srpskohrvatski rjecnik, I-II, Sarajevë, 1974.