Gjimnazi 'Loyola' në Prizren - çfarë fshehet pas tij?



Shkolla dhe arsimi - ardhmëria e një populli dhe një vendi

Kur dëgjon apo sheh se ndërtohet dhe hapet një shkollë, të rritet jeta dhe të pushon shpirti. Besimtari këtë ndjenjë e përjeton dyfishë, sepse, mësimi në Islam është njëherit edhe devotshmëri.

Si gjithëherë, lajmi për ndërtimin dhe hapjen e Gjimnazit të ri në Prizren na gëzoj të gjithëve!

Mirëpo, nëse do të hulumtonim për prejardhjen e emrit të gjimnazit, pak kush do të dinte se ky gjimnaz quhet "Loyola". Nëse lexojmë për të kaluarën e Lojolës dhe të organizatës së tij, gëzimi që përjetuam në shikim e dëgjim të parë, për shqiptarët që ideal kanë kombëtarinë dhe për shqiptarët muslimanë që për ideal kanë edhe shqiptarinë edhe islamin, ky gëzim e hare do të shndërrohet në ankth e në ethe.


Përse ankthi, përse ethet?

Ankthi dhe ethet ngase jemi fanatikë dhe jotolerantë ndaj besimeve tjera, ndaj shkollave tjera, ndaj gjuhëve të tjera, apo ankthi dhe ethet nga prapavija, nga qëlimet perfide, që edhe nuk fshehen, me hapjen e kësaj shkolle vetëm në shikim të parë "gjimnaz", si çdo gjimnaz tjetër.


Përse kështu?

Sepse, "Gjimnazi Loyola" nuk është një gjimnaz si çdo gjimnaz tjetër, por është një shkollë profesionale katolike e rendit jezuit kristian në mesin e muslimanëve me emrin gjimnaz. Kumbarë të këtij gjimnazi janë "laramanët" tanë komunalë, që përkthyer me gjuhë të përditshme, do të thotë: kumbarë janë kreu komunal i Prizrenit me baballarët e tyre lartë, thuajse të gjithë me emra personalë e emra baballarësh muslimanë.

Ta hetosh dhe konstatosh këtë gjendje nuk është e vështirë, sepse vetë emri "Loyola" ta pohon këtë.


Kush është I. Loyola?, dhe kush është rendi jezuit?

Emri i tij i plotë është Inigo Lopez de Loyola (1491-1556), si fëmija më i ri i një shenjtori në malet e regjionit Bask në veri të Spanjës, në kohën e mbretit Ferdinand dhe mbretëreshës Izabel, (Sipas: St. Ignatius Loyola, The Roots of the Society of jesus, në: http://www.jesuit.org/sections/default.asp?SECTION_ID=187&SUBSECTION_ID=215).

Sipas burimit të mësipërm, Loyola dhe grupi i shokëve të tij të diplomuar në Universitetin e Parisit (disa pohojnë se ishin 6 shokë), të pakënaqur me rrjedhat e jetës brenda katolike, formuan rendin religjioz të cilin e quajtën Bashkësia e Jezusit (Society of Jesus) ose jezuizmi, siç e njohim gjatë historisë, (Sipas: St. Ignatius Loyola, The Roots of the Society of Jesus, në: http://www.jesuit.org/sections/default.asp?SECTION_ID=187&SUBSECTION_ID=215).).

Rendi fetar i jezuizmit karakterizohet me disiplinë të madhe. Këtë disiplinë e arrinin me edukim dhe ushtrime të veçanta shpirtërore, me dëgjueshmëri të përkushtueshme ndaj më të vjetërve dhe me dëgjueshmëri absolute ndaj papës.

Më 1551 në Romë jezuitët themeluan Seminarin Romak për përgatitjen e klerikëve, kurse më 1552 themeluan Seminarin Gjerman për të luftuar kundër reformacionit. Ndikimin e tyre e shtrinë edhe te sunduesit, pastaj nëpër shkolla, (A. Gams, Biblija i drustvo Novi Sad, 1979, fq. 349, Zef Mirdita, Krishtenizmi ndër shqiptarë, Zagreb, 1998, fq. 293.).

Në pamundësi të zgjerohemi edhe më tepër, do të theksojmë se rendi jezuit ka qenë rend me sjellje dhe aktivitete mjaft brutale e drastike, duke përdorë metoda të rënda ndaj jobashkëmendimatarëve. Kjo në vitin 1773 papa Klementi IV, me kërkesë të shumë sunduesve evropianë, e çregjistroi rendin jezuit për shkak të pakënaqësisë së madhe që kishte shkaktuar ky rend edhe në vendet katolike, e lëre në vendet tjera. Por, punën e këtij rendi e ripërtëriu papa Pio VII në vitin 1801, (Andrija Gams, fq. 350). M. Vujaklija pohon se Pio VII-të e rikonfirmoi rendin jezusit edhe në vitin 1814, (M. Vujaklija, Leksikon ..., Beograd, 1980, fq. 373.). Sipas të dhënave historike, jezuitët përbëjnë rendin më të madh religjioz në Kishën romako-katolike, (Enciklopedija zivih religija, Beograd, 1990, fq. 337.).

Ky rend kishtar katolik gjatë historisë ishte aktiv edhe në tokat shqiptare, e sidomos nga mesi i shekullit XIX dhe në përfundim të sundimit të halifatit osman. Në shikim të parë dhe nga vetë shkencëtarët katolikë, veprimtaria e tyre është vlerësuar si produktive, arsimdashëse, kulturore e atdhetare, edhe pse nga disa studiues dhe bashkëkohës të tyre veprimtaria e disa veprimtarëve jezuitë, kryesisht italianë dhe perëndimorë është karakterizuar si antiatdhetare dhe sllavofile, (Zef Mirdita, op. cit., fq. 67, 202-203, 243, 295 dhe 306-314).

Me sllavofilinë e këtij rendi korrespondon edhe fjala e shefit të zyrës gjermane me rastin e hapjes së gjimnazit: "... duajeni njëri-tjetrin, bëhuni solidarë dhe mos e kujtoni të kaluarën, por orientohuni nga ardhmëria e Kosovës", duke aluduar që të harrojmë gjenocidin serbo-sllavë, dhunimet e tyre, prishjen e 218 xhamive në Kosovë, e të përqafojmë mësimet antikombëtare të Ignacie Lojolës dhe jezuizmit.


Shkojmë më tej:

Jezuitët janë aktiv në Shqipëri vazhdimisht, por edhe pas përmbysjes së komunizmit në vitet e nëntëdhjeta, për të vazhduar deri në ditët e sotme.

Jezuitët janë të pranishëm edhe në Kosovë, e sidomos pas luftës shqiptaro-serbe më 1999 e pas. Veprimtarinë e vet e zhvillojnë në kuadër të institucioneve ekzistuese katolike, të kamufluar nëpër shoqata humanitare, arsimore, por edhe nëpërmjet organeve dhe institucioneve shtetërore për arsim dhe kulturë të Kosovës dhe nëpërmjet bartësve dhe praktikuesve të këtyre institucioneve. Dëshmi e fundit është ndodhia në Prizren, ku më 12 shator 2005, Rendi jezuit, Kisha Katolike dhe veglat e tyre, pushtetmbajtësit e Kosovës dhe të Prizrenit, hapen të a.q. Gjimnazin Loyola, respektivisht shteti i Kosovës nuk e ruajti parimin e laicizmit të mospërzierjes së shtetit në punët fetare, duke hapur shkollë fetare katolike për fëmijët shqiptarë muslimanë të Kosovës.

Sot, rendi jezuit në botë ka 55 institucione për edukim të lartë (28 në SHBA dhe 27 në vendet tjera), pa llogaritur këtë në Prizren dhe të tjerë të hapur kohëve të fundit, (Sipas: http://www.loyola.edu/about/).

Për ta parë fytyrën e vërtetë të jezuizmit do ta theksojmë edhe një prove tjetër: Ky rend kishtar katolik, është një lloj vazhdimësie e françeskanëve dhe dominikanëve, me synime të qarta edhe në rrafshin fetar por edhe nacional e tradicional. Këtë e argumenton edhe nëse i bëjmë një lexim Betimit të jezuitëve: "Në emër të të kryqëzuarit në kryq, Krishtit, unë betohem se do t'i ndërpres të gjitha lidhjet që më lidhin me babën, nënën, vëllezërit, motrat, farefisin, shokët, me mbretin, gjykatësit dhe me çdo pushtet tjetër të cilit i kam shërbyer ose që jam betuar se do t'i nënshtrohem ose shërbej. I ndërpres marrëdhëniet me vendlindjen time, prej tash e tutje ekzistenca ime është në sferë tjetër. Betohem se do t'ia shpalojë kryeshefit tim të gjithë atë që bëj, mendoj, lexoj, mësoj dhe shikoj rreth vetes." (N. M. Nikollov, Komploti botëror, Tetovë, 2003, fq. 47).

Lexojeni edhe njëherë betimin dhe vlerësoni ku qëndron interesi kombëtar i shqiptarëve në këtë shkollë, në këtë sekt katolik kristian dhe në angazhimin me mish e shpirt të pushtetarëve tanë që më shumë u ngjajnë roleve nga filmi "Planeti i majmunëve" se sa nga jeta reale, duke u paraqitur "më katolik se papa".

Ju përkujtoj se anëtare e devotshme dhe një prej personaliteteve kryesore të këtij rendi gjatë pjesës së dytë të shekullit XX ka qenë edhe e a.q. Nënë Tereza, tash e Lumja Tereza, e pas disa kohësh e Shenjta Tereza. Lexojeni këtë betim dhe imagjinojeni dashurinë kombëtare të saj.


Çfarë gjimnazi është ky?

Nëse e hapim internetin do të gjejmë formulimin vijues për një shkollë të ngjashme të rendit jezuit në SHBA të themeluar nga jezuitët: "Loyola College in Meriland is a Jesuit Catholik university committed to the educational and spiritual tradicions of the Society of Jesus and ...", (http://www.loyola.edu/about/), pra, se "... Kolegji Loyola është Universitet Jezuit Katolik ...".

Nëse kemi parë ambientin e hapjes së kësaj shkollë në TV-të lokale dhe në ato kombëtare apo nëpër gazeta dhe nëse kemi parë strukturën e pjesëmarrësve me rastin e hapjes së kësaj shkolle, sërish s'do ta kemi të vështirë ta kuptojmë çfarë gjimnazi është ky me emrin "Loyola". Priftërinjë nga bota, kryeipeshkvi i Kosovës Mark Sopi me suitën e tij prej skllevërve dhe shumë servilë, laramanë e injorantë në shpirt, kurse deri sot muslimanë në petk, nga Kosova dhe Prizreni.

Nëse kemi dëgjuar se gjuha latine është lënda kryesore në gjimnaz, sepse 25% e gjuhës shqipe qenka nga brumi latin, nëse kemi dëgjuar se për mësues të gjuhës latine janë angazhuar motrat e nderit, sepse edhe është shkollë e tyre, nëse kemi dëgjuar se kjo shkollë edhe nuk është e lire në para për t'u regjistruar, përkundrazi, është shumë e shtrenjtë për ata që dëshirojnë të mësojnë aty, etj. etj., e kemi të qartë se qëllimi nuk është t'i ndihmohet Kosovës dhe shqiptarëve, por katolicizmit dhe vetëvetes.


Roli i Kuvendit Komunal të Prizrenit

Roli i Kuvendit Komunal të prizrenit dhe i Presidentit e Qeverisë së Kosovës në këtë ndërmarrje dhe këtë organizim është shumë, shumë i madh. Këtë e ilustrojnë edhe prania dhe fjala e zv.ministrit të Arsimit Fevzi Berisha e zv.ministrit Kadri Kryeziu, kryetarit të asociacioneve të komunave të Kosovës Ismet Beqiri, kryeshefit të ekzekutivit të Prizrenit Ragib Gajraku, përfaqësues të SHPK-së, përfaqësues të TMK-së, të KFOR-it, të UNMIK-ut, disa shefa të zyrave të vendeve evropiane në Kosovë etj..

Këtë rol na ilustron edhe leximi i fjalëve të kryeshefit të ekzekutivit të Komunës së Prizrenit, të shprehura me rastin e hapjes së këtij gjimnazi: "Vetë fakti se vendimi për ndërtimin e këtij gjimnazi është i vetmi vendim që KK-ja e ka miratuar pa asnjë vote të këshilltarëve kundër fletë më së miri për qasjen positive të qytetarëve për ndërtimin e kësaj shkolle", (Koha ditore, 13. 09. 2005, fq. 12). Dëshmitarët okular pohojnë se zv.kryeshefat e KK Prizren, që ishin të pranishëm me atë rast, botërisht reaguan duke thënë se ky pohim s'është i vërtetë.

Roli i KK Prizren është i madh edhe për arsyen sepse në zonën më perspektive të qytetit kësaj shkolle katolike i janë falur hiç më pak se 3.78 hektarë tokë, (Koha ditore, 13. 09. 2005, fq. 12). Mendojeni, falet toka që më herët është nacionalizuar nga pronarët muslimanë dhe i jepet falas një shkolle fetare të fesë tjetër. Solidaritet se jo mahi!

Me ketë rast do ta bëj edhe një digresion: Me vite të tëra Bashkësia Islame e Prizrenit i kërkon KK Prizren 3-4 ari parcelë për ndërtim të xhamisë në lagjen Ortakoll, dhe Atë ME KOMPENZIM nga ana e Bashkësisë Islame, dhe përgjigjet janë: JO. Qytetarët muslimanë edhe pse paguajnë tatim, edhe pse i ruajnë si "pëllumba këta pushtetarë", nuk kanë ku t'i kryejnë shërbimet e varrimit e të faljes. Kështu, në mungesë të kushteve brenda banesave të banimit, xhenazet e më të dashurve të tyre i pastrojnë nëpër bodrume, nëpër garazha veturash apo në ambiente të hapura, nëpër trotuare të rrugëve etj..

Ky është kujdesi i pushtetarëve tanë ndaj bashkëqytetarëve të tyre.


Roli i qytetarëve

Në biseda rasti me disa qytetarë të Prizrenit se si e shohin këtë gjimnaz, i cili është kryekëput katolik, kristian, me qëllime obskurantiste dhe perfide, përfituese nga fatkeqësia e luftës së Kosovës, për të rritur numrin e tyre në rënie edhe në vetë Itali e Romë, fërkojnë duart dhe pohojnë se "s'është problem", dëgjova se si kundërshpërblim ata do ta asfaltojnë rrugën Bazhdarhanë - Petrovë. Kjo është me rëndësi.

Të mjerët ne! Çfarë brezi pa kurriz! E shet identitetin e tij, e shet dinjitetin e tij, e shet burrërinë e tij, i ikë përgjegjësisë së tij historike për të dhënë kontributin e tij material dhe shpirtëror për kohën e tij, për një rrugë të asfaltuar që premtohet si kompenzim!

Kjo nuk ka ndodhë më herët, që për "një kulaç" të shitet nderi!

Thjeshtë: kjo gjendje quhet "prostitucion kolektiv"!

Kjo gjendje ma kujton vitin 1991, një nga shumë takime me Alija Izetbegoviqin dhe për herë të parë me Omer Behmenin (i gjykuar me 35 vjet burgim nga jugosllavët) në kuloar të Fakultetit të Shkencave Islame në Sarajevë. Pas njoftimit të ndërsjellë ai më tha: "Gjatë vuajtjes së burgut më 1946, kam përfunduar: Islamin dhe traditën muslimane por edhe shqiptare në Ballkan do ta ruajnë shqiptarët e Kosovës. Edhe pse u shkonte koka për refuzim të mishit të derrit, ata nuk lëshonin pe. Por tash, gjatë vuajtjes së burgut më 1983, kam përfunduar: Ku u tretën ata burra të vitit 1946, s'kishte mbetur burrëri te shqiptarët. Vërsuleshin pas mishit të derrit më shumë se serbët e Shumadisë. Të tërë ishin bërë marksistë e enveristë. Kjo nuk është gjeneratë e shëndoshë ...".


Të dashur qytetarë dhe besimtarë muslimanë!

Nuk më pengon gjimnazi katolik, nuk më pengon kisha katolike, nuk më pengon kisha ortodokse, nuk më pengon gjuha joshqipe, nuk më pengon njeriu joshqiptar dhe jomusliman. Më pengojnë ata që manipulojnë me ndjenjën e fatkeqësisë së popullit. Muslimanët i gëzohen faktit kur një jomusliman pranon Islamin. Prandaj, muslimanët duhet të jenë të gatshëm ta pranojmë faktin se edhe ndonjë musliman (nga tradita) mund ta pranojë fenë joislame. Më pengojnë manipulatorët dhe sharlatanët që në emër të popullit dhe të atdhetarisë mashtrojnë popullin në mënyrat më të pista.

Të paktë janë ata që në ndonjë mënyrë i rezistojnë kësaj mënyre të mashtrimit, ndaj edhe nuk i zura në gojë.

Kjo është një pjesë e të vërtetës rreth Gjimnazit Loyola në Prizren dhe gjendjes aktuale në Kosovë.



Autor: Nexhat IBRAHIMI

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...