Dallimi ndërmjet namazit të meshkujve dhe femrave në medhhebin hanefi



Pyetje:

Ku i mbajnë gratë duart gjatë kijamit [1]

Çka thonë dijetarët e sheriatit për qëndrimin e dijetarëve Hanefi që thonë se meshkujt duhet ti vendosin duart nën kërthizë në namaz, ndërsa femrat duhet ti vendosin ato në gjoks? A është ky veprim në përputhje me Sunetin e Pejgamberit s.a.v.s.? Apo është çështje për të cilën juristët e kësaj shkolle kanë rënë dakord? Çfarëdo qoftë arsyeja, ju lutem na jepni një përgjigje në dritën e provave tekstuale. Allahu ju shpërbleftë.


Përgjigje:

Në dritën e Sunetit të ndritur & Veprave të Fikhut

Sipas dijetarëve hanefi vendimi është që femra t'i vendos duart në gjoks gjatë namazit, dhe për këtë ka pajtueshmëri. Një numër i madh i dijetarëve (el-xhemm el-gafir) kanë transmetuar këtë qëndrim në përmbledhjet e tyre pa ndonjë mospajtim. Al-lameh Muhamed ibn Muhamed ibn Muhamed, më shumë i njohur si Ibn Emir El-Haxh El-Helebi (r.a.), thotë në komentimin e tij të veprës El-Munjeh: [2]

Vendi i tretë për vendosjen e duarve: dijetarët tanë kanë thënë se meshkujt duhet t'i mbajnë duart nën kërthizë ndërsa femrat duhet t'i mbajnë ato në gjoksin e tyre.

Dhe vazhdon e thotë: Një numër tejet i madh i dijetarëve kanë përcaktuar se femrat duhet t'i mbajnë duart e tyre në gjokset e tyre. [3]

Në veprën El-Gunjeh, [4] Al-lameh Ibrahim ibn Muhamed ibn Ibrahim El-Helebi (r.a.) ka transmetuar pajtimin e juristëve (fukahave) për këtë çështje. Edhe nëse nuk do të kishte asnjë hadith për të përcaktuar këtë (rregull për femrat), [5] nuk ekziston ndonjë hadith që ta ndalojë një gjë të tillë. Nëse dikush e refuzon këtë rregull dhe pretendon ndryshe, duhet të sjellë argumente. Për këtë arsye [6] Ibn Emir El-Haxh El-Helebi (r.a.) thotë në veprën El-Helba [7] (komentimi i tij për veprën El-Munjeh): Arsyeja pse ne themi që femra duhet ta vendosë dorën e djathtë mbi të majtën, në gjoksin e saj, është sepse kjo është më e fshehtë (më pak e dallueshme), e për këtë është më mirë për të, siç e dimë që të gjitha ato veprimet që janë të lejuara për femrën, ajo duhet ta zgjedhë atë veprim në të cilin ka sa më shumë fshehtësi, sidomos në rastin e namazit, përpos nëse normat e ndalojnë një gjë të tillë. [8] Ky shkak është më tepër se i qartë.


Argumentet për qëndrimin e hanefijve nga një hadith për femrën dhe vendosjen e duarve në gjoksin e tyre Sidoqoftë, unë them [9] me lejen e Allahut, unë do t'iu shfaq një hadith i cili ka një zinxhir të mirë (Xhejjidel-isnad) për të vërtetuar këtë (vendosjen e duarve në gjoks për femrat). Shtjellimi i saj është si vijon: Janë transmetuar dy mënyra të ndryshme nga Pejgamberi s.a.v.s.. Njëra prej tyre është se ai i ka vendosur nën kërthizë, dhe për këtë ka disa hadithe, më i rëndësishmi prej tyre është Ebu Bekr ibn Ebi Shejbeh citon në Musenefin të cilin Vekiu e transmeton nga Musa ibn Umejri, i cili e transmeton nga Alkeme ibn Veil ibn Huxhr, i cili transmeton këtë hadith nga babi i tij: "E kam parë Pejgamberin e Allahut, s.a.v.s. gjatë namazit të ketë vendosur dorën e tij të djathtë mbi të majtën nën kërthizë". [10]

Në Tahrixhin e tij të veprës El-Ihtijar, komentimin e veprës El-Muhtar, Imam Al-lameh Kasim ibn Kutlubuga El-Hanefi (r.a.) thotë se zinxhiri i këtij hadithi është i mirë (xhejjid) dhe se të gjithë transmetuesit janë të besueshëm (thikkah). Mënyra e dytë (e transmetuar nga i Dërguari i Allahut s.a.v.s.) është se ai i kishte vendosur duart e tij në gjoksin e tij. Ibn Huzejme përmend një hadith prej të njëjtit Veil ibn Huxhr në Sahihun e tij ku thotë: "Jam falur me të Dërguarin e Allahut (s.a.v.s.) dhe ai vendosi dorën e tij të djathtë mbi të majtën në gjoksin e tij". [11]

Datat e këtyre dy transmetimeve janë të panjohura dhe të dy transmetimet janë të vërtetuara dhe të pranuara. [12] Si shkak i kësaj, njëri prej këtyre dy transmetimeve duhet preferuar mbi tjetrin. [13] Nëse vëzhgojmë këtë akt të lutjes, [14] ose të gjitha veprimet e lutjet, shohim se të gjitha ato janë të bazuara në nderim (ta'dhim) (dhe përultësi (tevedu) siç ka e ka cekur Imam Muhamedi në Kitab el-Ether), [15] kështu që mënyra më e përgjithshme e pranuar është që gjatë faljes duart të vendosen nën kërthizë. [16] Kjo është pse El-Muhakik Ibn El-Humam thotë në Fet'h al-Kadir: Çështja e vendosjes së duarve gjatë qëndrimit në këmbë (Kijam) duhet bazuar në mënyrën e përgjithshme (zakonshme), e ajo është të vendosurit e duarve nën kërthizë. [17]

Kështu që transmetimi i sipërpërmendur i Ibn Ebi Shejbes është i përzgjedhur (raxhih) për meshkujt. Ndërsa për femrën [18] sheriati kërkon një përkryeshmëri të lartë të mbulimit (avretit) të saj.


Argumente nga hadithi për qëndrimin që namazi i femrës është i bazuar në mbulueshmëri shtesë


1. Hadithi për rreshtin (safin) e femrave

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: "Rreshti (safi) më i mirë për meshkujt (në namaz) është ai i përparmi, ndërsa ai më pak (i mirë) është ai i prapmi. Dhe më i miri për femrat është ai i fundit, ndërsa më pak i mirë është ai i përparmi". [19]

Ky hadith është transmetuar në të gjashtë koleksionet, përpos në Sahihun e Buhariut, nën autoritetin e Ebu Hurejres. Et-Taberaniu e transmeton atë në veprën e tij el-Mu'xhem el-Kebir nën autoritetin e Ebu Umames dhe Ibn Abasit (r.a.).


2. Hadithi që femra duhet të falet në shtëpi

Pejgamberi s.a.v.s. thotë: "Është më mirë për femrën që ta fal namazin e saj brenda shtëpisë së saj sesa në oborrin e saj. Madje është më mirë për të që ajo të falet në dhomën më të vogël". [20]

Ebu Davudi e transmeton këtë nën autoritetin e Ibn Mes'udit dhe Hakimit nën autoritetin Umu Selemes (r.a.) me një zinxhir të besueshëm (sened salih).


3. Hadithi se ku duhet të qëndrojë femra kur falet me meshkuj

Thënia në vijim është e Abdullah Ibn Mes'udit: "Mbani ato mbrapa siç i ka mbajtur Allahu mbrapa". [21]

Abdurrezzaku e transmeton në Musenefin e tij dhe Taberaniu në El-Mu'xhemin e tij me të njëjtin zinxhir (sened).


4. Hadithi rreth dallimit të sexhdes së femrës nga ajo e mashkullit

Gjithashtu, rregulli (i përcaktuar në një hadith) në lidhje me atë se femrat gjatë sexhdes duhet të jenë sa më të mbledhura që të jetë e mundshme, por nëse mashkulli e bën një veprim të tillë do të jetë në kundërshtim me sunetin. [22] (Kjo mënyrë e veçantë për femrën është shprehur në hadithin vijues) Është transmetuar nga Ebu Davudi në El-Merasil nën autoritetin e Jezid ibn Ebi Habib se Pejgamberi s.a.v.s. kaloi pranë disa femrave të cilat ishin të lidhura në namaz. Ai iu tha atyre: Kur të bëni sexhde, ju duhet të prekni tokën, sepse femra në këtë aspekt (d.m.th., në sexhde) dallon nga mashkulli. [23]

Ky hadith ilustron se edhe pse kërkesa e domosdoshme për mbulesë ishte përmbushur, sërish Pejgamberi s.a.v.s. dëshironte që femrat të kishin kujdes shtesë në mbulimin (fshehjen) e trupit të tyre gjatë faljes së namazit. [24]

Ky transmetim është përcjellë përmes dy zinxhirëve të plotë. Bejhekiu thotë se ky zinxhir është më i fortë se ata dy.


5. Hadithi në lidhje me mënyrën e të qëndruarit ulur të femrës në namaz

Po ashtu (në lidhje me pozitën e të ulurit gjatë lutjeve (ka'deh)) [25] është prej sunetit që femra të ulet në tokë (teverruk) (e jo në këmbën e majtë siç bëjnë meshkujt, por në të ndenjurën e majtë duke i shtrirë të dy këmbët në anën e djathtë) [26] siç kishte transmetuar Imam Ebu Hanife nga Nafiu, i cili kishte transmetuar nga Ibn Omeri (r.a.).

Ibni Omeri (r.a.) është pyetur: "Si janë falur femrat në kohën e Pejgamberit s.a.v.s.?", kurse ai u përgjigj: "Ato në fillim uleshin këmbë-kryqëzuar (jetereb-bena) pastaj atyre iu është thënë që të mbështeten në të ndenjurën e majtë, duke u strukur plotësisht". [27] Kini parasysh, se kur një sahabij thotë "ne dikur bënin kështu dhe kështu" kjo nënkupton të qenit hadith merru'.

Ja një transmetim nga Aliu (r.a.) (lidhur me pozitën e qëndrimit ulur të femrës) i cili thotë: "Kur femra bën sexhde ajo duhet të mbështetet në njërën anë dhe të ulet në të ndenjurat e saj (fel tehtefidh)". [28]

El-Xhewheriu shpjegon domethënien e saj ("ihtifadh") kështu: "Kur femra ulet ose bën sexhde ajo duhet ta mbledh vetën e saj (tetedhemu)". [29]

Është edhe një hadith tjetër i cili është i dobët, mirëpo me mbështetjen e hadithit të sipërpërmendur po ashtu bëhet i fortë, i cili është transmetuar nga Ibni Omeri (r.a.) kurse i cili e kishte dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s të thotë: "Kur një femër ulët në namaz ajo duhet ta vendos njërën kofshë të këmbës mbi tjetrën dhe kur ajo bën sexhde duhet ta bashkojë barkun e saj me gjunjë ashtu që të jetë më e fshehtë për të. Me të vërtetë, Allahu i lartësuar shikon atë dhe i thotë engjëjve: "O engjëjt e mi! Jini dëshmitarë se unë e kam falur atë"". Ibn Adi e transmeton në El-Kamil dhe Bejhekiu në Sunenin e tij ku e konsideron të dobët. [30]

Sa për transmetimin në Sahihun e Buhariut [31] ku përmendet që Ummu Derda ("e vogla", tabi'inja, gruaja e sahabiut Ebu el-Derda) ulej sikur meshkujt dhe ajo ishte e ditur (fekihe), duhet theksuar se Imam Buhariu nuk e ka përmendur asnjëherë që ta përdorë si argument siç e ka treguar këtë Ibn Haxher Askalaniu në komentimin e tij. Po ashtu, vetëm veprimi i një pasardhësi (tabi'in) nuk përbën argument ligjor dhe ka mundësi që ajo të jetë ulur në atë mënyrë për shkak të ndonjë justifikimi të vlefshëm (udhr). Çka duhet ditur këtu është se për këtë çështje ekziston një hadith merfu', i cili nuk mund të braktiset karshi veprimit të një tabi'ini.


6. Hadithi se ku duhet të qëndrojë femra kur prinë femrat e tjera në namaz

Nëse femrat dëshirojnë ta formojnë grupin e tyre për namaz, [32] femra e cila i prinë ato duhet të qëndrojë ndërmjet të tjerave (pasi që në këtë ka mbulesë shtesë, gjë që nuk vlen tek rasti i meshkujve ku imami qëndron para tyre).

Imam Muhamed (Ibn Hasan el-Shejbaniu) thotë në Kitab el-Ether: Ebu Hanifja na njoftoi neve që ai transmeton nga Hamad ibn Ebi Sulejmani e ky nga Ibrahim el-Nekiu që Aisha (r.a.) kur udhëhiqte namazet për femrat në muajt e ramazanit dhe qëndronte në mes të tyre. [33]

Abdurrezaku transmeton në Musenefin e tij dhe Darekutni dhe Bejhekiu në sunenet e tyre. Fjalët e Abdurrezakut janë si vijojnë: Rita el-Hanefije transmeton që Aisha (r.a.) qëndronte në mesin e femrave kur i udhëhiqte namazet obligative (farz). [34]

Ka transmetime prej Umu Selemes dhe Ibn Abasit (r.a.) po ashtu në lidhje me këtë, dhe një hadith merfu' i cili nuk është si kjo. [35]


Përfundim

Përmbledhazi, femrat kanë avret që duhet mbuluar dhe të gjitha veprimet e tyre janë të bazuara në mbulim (fshehje). Tirmidhiu transmeton me një zinxhir të mirë (hasen) nën autoritetin e Abdullah ibn Mes'udit nga Pejgamberi s.a.v.s. (r.a.), i cili thotë: "Femra është avret". [36]

Nuk ka dyshim që për femrën, të vendosurit e duarve në gjokset e tyre ka më tepër mbulesë të trupit të tyre dhe ka më tepër modesti (sesa të vendosurit e duarve nën kërthizë). Dhe nderimi (ta'dhim) i femrës në namaz [37] nuk mund të arrihet pa rregullat etike (adabe), ndërsa adabet nuk mund të arrihen pa modesti (haja) dhe modestia nuk mund të arrihet pa fshehje/mbulueshmëri (hixhab). Si rrjedhojë, hadithi i Ibn Huzejmes është i preferuar (raxhih) për femrën ngase është vendosur që në të dy rastet ka hadithe me zinxhir të mirë (xhejjid el-isnad) dhe ekspertët e hadithit kanë vepruar me metodologjinë e preferimit (përparësisë, terxhih) në mes të haditheve në raste të tilla. Rast i ngjashëm është edhe çështja e të ulurit në namaz. Dy mënyra janë transmetuar nga Pejgamberi s.a.v.s.. Dijetarët tanë (fukahatë hanefijë) kanë preferuar atë të mbajturit e këmbës së djathtë drejtë përpjetë, duke u ulur në këmbën e majtë për meshkujt pasi që kjo është më e vështirë e "veprat më të mira janë ato të cilat janë më të vështira". [38] Sa për femrat, fukahatë kanë preferuar hadithin për uljen me të ndenjurat në tokë (teverruk) sepse në këtë veprim ka mbulesë shtesë dhe është më lehtë, e namazi i femrës është i bazuar në mbulim dhe lehtësi.

Qëndrimi i dijetarëve Shafiijë dhe atyre që kanë të njëjtin qëndrim me ta është ndryshe (në çështjen e të vendosurit të duarve për gratë në gjokset e tyre). [39] Qëndrimi i tyre është se femra duhet t'i vendos duart e tyre "në barkun e tyre" (ala ...) siç është cekur në El-Minhexh dhe El-Mizan dhe të tjerët që thonë se s'ka hadith për këtë çështje. Në veprat El-Hulesa dhe Minhexh të Imam Neveviut dhe veprën Bulug el-Merem [40] të Ibn Haxher el-Askalaniut, hadithi i vetëm që dijetarët e tyre (r.a.) ofruan për të përkrahur qëndrimin (medhhebin) e tyre është ai i Ibn Huzejmes (të cilin e përmendëm më sipër). Ky person i nevojshëm (për Allahun e Madhërishëm - i referohet vetës me përulësi) është i çuditur me përdorimin e hadithit nga ana e tyre, pasi që si mund të jetë argument për qëndrimin (medhhebin) e tyre kur ka dallim të qartë në mes të të vendosurit të duarve "në gjoks" (që është përshkrimi i hadithit) dhe "nën gjoks" (që është vendimi i medhhebit Shafiij)? [41] Këtë çështje e kam diskutuar detajisht tjetërkund [42] dhe atë që e kam thënë më sipër është e mjaftueshme për dikë me mendje të ndërgjegjshme dhe vëmendje të përpiktë.

Dhe Allahu i Gjithëfuqishëm e di më së miri.

Fundi i fetvasë

P.S.: (Unë (Munever Atik) personalisht i kam përfshirë këto që ta kompletoj temën, dhe ta bëj këtë përkthim më të dobishëm.)


1. Të vendosurit e duarve të femrave gjatë tekbirit fillestar

Çështja e ngritjes së duarve për femrat në fillim të namazit, po ashtu është e bazuar në atë që përmban mbulueshmëri maksimale. Kjo është çështja e mbetur të cilën autori nuk e ka diskutuar, e që është e bazuar direkt në një hadith. Imam Buhariu në librin e tij për ngritjen e duarve transmeton me një zinxhirë ku të gjithë transmetuesit janë të besueshëm që Abd Rebih ibn Selman ibn Umejr ka thënë: "E kam parë Umu Derdën (sahabija, nuk duhet ngatërruar me Umu Derdën, tabi'inen) Allahu qoftë i kënaqur me të, që i ngrinte duart e saj paralel me shpatullat e saj" (dhe jo tek veshët siç bëjnë meshkujt). [43] Është vetëm një hadith i transmetuar direkt nga Pejgamberi s.a.v.s. për këtë çështje të cilin e transmeton Taberaniu në virtytet (menakib) e Ve'il ibn Huxhrit përmes një zinxhiri transmetuesit e të cilit janë të besueshëm përpos Umu Jahja e cila është e panjohur, në të cilin Pejgamberi s.a.v.s. thotë: "O Ve'il! Kur të falesh, vendosi duart paralel me veshët [44] ndërsa femrat duhet të vendosin paralel me gjoksin e tyre".

Për të kombinuar (harmonizuar) këto dy transmetime, mënyra të cilën femra duhet t'i vendos duart e saj është që majat e gishtave të saj t'i arrijnë shpatullat e saj ndërsa pjesa tjetër e dorës mbetet poshtë dhe mbulon gjoksin e saj. [45] Kijasi i qartë sugjeron që femra të mos jetë ndryshe nga meshkujt në këtë çështje pasi që duart nuk janë avret, [46] mirëpo ky hadith përkrah kijasin implicit pasi që në këtë mënyrë ka mbulueshmëri shtesë e kjo është kërkesë e sunetit për to gjatë namazit.


2. Në sa çështje dallojnë femrat nga meshkujt në namaz?

Imam Ala'uddin el-Haskafi në veprën El-Durr el-Muhtar tregon që janë njëzet e pesë (25) çështje lidhur me namazin në të cilat femrat janë ndryshe nga meshkujt, të cilat ai i ka prezantuar në veprën e tij Haza'in el-Esrar. Ai është i vetmi dijetar që dihet të ketë diskutuar këtë çështje gjërësisht. Çështjet të cilat janë të bazuar direkt në dëshmi të hadithit janë përmendur në këtë fetva dhe shënimet në të. Të gjitha çështjet tjera janë të bazuara në Kijas, që është i bazuar në hadithin e sipërpërmendur. Në saje të al-lameh Ibn Abidinit, autorit të veprës Radd el-Muhtar, i kemi këto detaje të shpjeguara mirë në veprën e sipërpërmendur. Imam Fahrudin el-Zejla, në veprën Tabi'in el-Haka'ik (1:307), ka mbledhur vetëm dhjetë (10) dallime, Allahu e shpërbleftë secilin prej tyre.


3. Fjala përfundimtare për vlerën ligjore të veprimeve të femrës në namaz

Duhet kujtuar që në dritën e Parimeve të Jurisprudencës Islame (Usulul-Fikh) të gjitha veprimet që përmenden në hadith që janë specifike për femrat në namaz janë veprime sunete e jo farz ose vaxhib, kështu që lëshimi i njërës nga këto veprime është e nënkuptuar. Kjo është ajo që muhadithi i madh Wasij Ahmed Suwreti përmend në veprën Et-Ta'lik el-Muxheli dhe fekihu Abdul Haj Lehneviut në El-Si'ejeh. Mbulimi i kushtëzuar dhe mbulimi i obliguar i avretit të femrës, domethënë tërë trupi i saj përpos duarve, këmbëve dhe fytyrës, është dokumentuar mirë në librat e Fikhut. I lutem Allahut të Madhërishëm që të rris përfitimin nga kjo orvatje për lexuesit e saj, dhe ta shkruajë në librin e veprave të mia si përgatitje për ditën e Llogaridhënies dhe t'ia ngrit gradën e autorit, imamit dhe fekihut të madh indian Ahmed Raza Han, i cili i shërbeu Medhhebit Hanefi gjatë tërë jetës së tij dhe e shpjegoi atë në dritën e Kur'anit famëlartë dhe Sunetit përmes të kuptuarit e tij brilant të tyre. Amin.



Autor: M. Munever Atik, Birmingem, U.K., 12 Rebi'ul-Evel, 1430 h..
Përktheu nga anglishtja: Fatih IBRAHIMI



_________________________

[1] - Ky përkthim është i bazuar në Fetvanë e parë për përshkrimin e formës së namazit të Imam Ahmed Raza Hanit Fetawa Rizwijah (6:143-9, bot. Gusht 1994, Raza Foundation, Lahore), koleksioni më gjithëpërfshirës dhe i detajuar ndonjëherë që është shkruar në shkollën hanefite nga një Mufti i vetëm, tani e botuar në vëllime 33 të mëdha, përfshirë edhe indekset dhe fusnotat. Origjinali i kësaj fetvajë është shkruar në Persisht për pyetësin, Shejh Husejn Ahmed Behsh Faruki paraqiti pyetjen në persisht e cila i arriti në zyrën e Imamit në Barelevi (Indi) më 29 Rexhep 1305 h. Në botimin e ri të Fetvasë, përgjigja (fetvaja) është botuar së bashku më përkthim në urdishte. Gjatë përkthimit të saj, kam qëndruar sa më afër origjinalit të tekstit që është e mundur. Kam futur komente shtesë në kllapa për të shpjeguar tekstin dhe kam shtuar shënime të vyeshme për lexuesit e secilit nivel. Kësi lloj trajtimi unik dhe i shkëlqyeshëm i kësaj fetvaja që i është bërë kësaj çështjeje nuk gjendet askund tjetër, e kjo është mirësi e Allahut që ai ia jep atyre që dëshiron Ai.
[2] - Teksti Munjet el-Musal-li ve Gunjet el-Mubtedi nga Imam Sedid Ed-Din El-Kashgari (vd. 705 h.).
[3] - Është e udhës që të përmendim këtu se në lidhje me çështjen e të vendosurit të duarve të femrave në gjokset e tyre gjatë namazit janë cekur tri mënyra në librat e fikhut hanefij. E para është "t'i vendosin në gjoks" (ala el-sadr), e dyta është "në gjinj" (ala el-thedjejn) dhe e treta është "nën gjinj" (tahte el-thedjejn). Ibn Emir el-Haxh dha variantin e parë dhe ia atribuoi atë një numri të madh të dijetarëve. Varianti i zakonshëm në el-Munjeh përmban shprehjen e dytë, ndërsa vepra Ed-Durr e Haskafit dhe një variant i dorëshkrimit në El-Munjeh, siç e vë në dukje Ibn Abidini në veprën Redd el-Muhtar, përmban variantin e tretë, e ky i fundit mendon se varianti i parë është më i mirë. Mirëpo, Imam Ahmed Raza Han, komenton për këtë çështje në komentimin e tij të pashoq në veprën Redd el-Muhtar që titullohet Xhid el-Mumter (1:240) dhe thotë që e tërë zona prej fytit deri në pjesën e poshtme të gjinjve quhet gjoks. Suneti është që femra t'i vendos shuplakat e saj në të dy gjinjtë në atë mënyrë që pjesa e poshtme e krahut (prej bërrylit deri tek duart) po ashtu t'i mbulojë ato. Mençuria prapa kësaj, thotë Imam Ahmed Raza, është që të fshihet madhësia e gjoksit të tyre në namaz, kurse Allahu e di më së miri. Nëse ajo i vendos duart e saj në pjesën e sipërme të gjoksit afër fytit, ajo nuk është duke ndjekur sunetin. Kjo është arsyeja pse do të ishte më mirë që të veprojmë sipas variantit "në gjinj" (ala el-thedjejn) që është më preciz, sesa "në gjoks", e kundërta me atë që e preferon Al-lameh Ibn Abidini.
[4] - Emri i tij i plotë është Gunjet el-Mustemli, i njohur po ashtu si Kebiri. Autori i saj vdiq në vitin 956 h..
[5] - Këtu Imam Ahmed Raza tregon se fukahatë nuk kanë dhënë hadith rreth kësaj çështjeje, por sidoqoftë ai sjellë një hadith për të përkrahur këtë qëndrim, një veprim ky që është njëri nga kontributet origjinale të tij për Medhhebin hanefi, Allahu e shpërbleftë atë me shpërblimet më të mira.
[6] - Këtu Imam Ahmed Raza tregon një shembull për një fekih hanefij, i cili gjatë dhënies së arsyes për dallimin e vendosjes së duarve për femrat mjaftohet vetëm me një shpjegim logjik. Lexuesi do të sheh që fukahatë në këtë çështje gjithmonë thonë "sepse në këtë veprim ka më shumë mbulueshmëri për të" dhe asgjë më tepër.
[7] - Shejh Abdul Fettah Ebu Gudda, në shënimin e tij për veprën El-Exhwibe el-fedileh (fq. 197-201) të dijetarit Abdul Haj Lukneviut jep rezultatin e hulumtimit të tij në lidhje me emrin e saktë të këtij teksti pas verifikimit të origjinaleve. Ai vendosmërisht vërteton se emri i këtij teksti nuk është Hiljet el-Muhal-li, emër me të cilin e kanë përmendur shumë fukaha, përfshirë edhe Ibn Abidinin në veprën e tij Redd el-Muhtar, por, emri i saj i vërtetë është Helbet el-Muxheli. Imam Ahmed Raza po ashtu ndjek drejtimin e përgjithshëm të fukahave dhe përdor emrin e njohur të tekstit, prandaj e kam bërë korrigjimin.
[8] - Ibn Emir el-Haxh, Helbet el-Muxheli we Bug'jet el-Muhtedi (dorëshkrim). Autori vdiq në vitin 879 h..
[9] - Ky është stili i Imam Ahmed Raza në Fetvatë e tij, kur ai shtjellon një temë dhe jep idetë e tij origjinale duke arritur kështu në një nivel që është unik për hulumtimin e tij. Kjo po ashtu tregon se shpjegimi në vijim nuk është dhënë nga asnjë fukaha para tij në këtë mënyrë. Lexuesi do të shoh diturinë e detajuar të Imam Ahmed Raza jo vetëm të Fikhut, por edhe të dëshmive tekstuale nga hadithi mbi të cilat është themeluar Medhhebi Hanefij, dhe po ashtu mjeshtërinë e tij në harmonizimin e Haditheve që gjoja janë kontradiktues në mes vete.
[10] - Ibn Ebi Shejbeh, Musenef, (1:390) Kapitulli i të vendosurit e dorës së djathtë mbi të majtën në Librin e Faljes. Karaçi: Idarel-Kur'an.
[11] - Ibn Huzejmeh, Sahih, (1:243) Kapitulli i të vendosurit e dorës së djathtë mbi të majtën gjatë namazit. Bejrut: el-Mektebel-Islami.
[12] - Sikur të ishin datat e njohura, njëra prej mënyrave do të ishte abroguar (mensuh).
[13] - Kur datat e dy hadithëve kundërshtues, të dy të vërtetuar, janë të panjohura, fukaha hanefijë kërkojnë për ndonjë arsye (vexh'h) që iu lejon të i japin përparësi njërit transmetim mbi tjetrin. Kjo metodë e pajtimit (harmonizimit) të transmetimeve të tilla është e njohur si "Terxhih".
[14] - Imam Ahmed Raza këtu provon të gjej arsyen për preferimin e transmetimit, për vendosjen e duarve nën kërthizë për meshkujt, mbi transmetimin tjetër.
[15] - Muhadith-e Wasij Ahmed Suwrati, et-Ta'lik el-Muxheli lima fi Munjet el-Musali, (fq. 280), Lahore: Botimet Dhij-jel-Kur'an.
[16] - Siç do të qëndronte dikush para një mbreti. Shih Tabi'inel-Hakaik (1:279) nga Fahrudin ez-Zejlai.
[17] - Ibn el-Humam, Fet'h el-Kadir, (1:249) Kapitulli për përshkrimin e Namazit. Sukkur: Nurije Rizvijje.
[18] - Imam Ahmed Raza vazhdon të jep arsyen për preferimin e transmetimit për vendosjen e duarve në gjoks për femrat, mbi transmetimin tjetër. Arsyeja që ai sjellë për këtë është që në këtë veprim ka mbulueshmëri shtesë për femrën. Ai këtë shkak e nxjerrë nga disa tradita fisnike dhe i paraqet ato për të mbështetur qëndrimin e hanefijve.
[19] - Sunen Ebu Davud, (1:99) Kapitulli i rreshtit (saffit) të femrave. Lahore: Efteb 'Alem Press.
[20] - Ibid, (1:84) Libri i faljes (namazit), Kapitulli mbi rëndësinë e namazit.
[21] - Abdurrezak, Musennef, (3:149) Kapitulli i faljes së femrave me xhemat. Bejrut: El-Mekteb el-Islami. Duhet të kihet parasysh konteksti i këtij transmetimi. Femrat kanë marrë pjesë në namazet me xhemat gjatë kohës së Pejgamberit s.a.v.s. së bashku me meshkujt. Është menduar për të dy gjinitë, që të pengohet çdo lloj i ngacmimit (joshjes, provokimit), ashtu që ata të arrijnë shkallë të lartë të sinqeritetit, ndjesisë dhe përqendrimit në namaz dhe të mos hutohen nga gjëra të tjera. Kjo është pse femrat janë falur prapa, jashtë pamjes së meshkujve.
[22] - Mënyra e femrës quhet Tetemun, ndërsa meshkujt i mbajnë gjunjët e tyre larg prej barkut, veprim ky që quhet Tehvije. Shih: El-Fikh el-Islami ve adil-letuhu (1:894) nga Vehbeh el-Zuhejli, Darel-Fikr, Damask.
[23] - Ebu Davudi, el-Merasil, (fq. 55) Lahore: el-Metb'ehel-Ilmijeh.
[24] - Muhadith-e Wasij Ahmed Suwreti, et-Ta'lik el-Muxheli lima fi Munjet el-Musali, (fq. 280), Lahore: Botimet Dhij-jel-Kur'an.
[25] - Imam Ahmed Raza sjell edhe një hadith nga i cili ai nxjerr parimin që femra duhet të sigurojë mbulueshmëri maksimale në namaz.
[26] - Ky është përshkrimi që është dhënë në El-Munje, (fq. 128) Mektebe Darel-Beirut, Damask.
[27] - Xhemi el-Mesanid (1:400). Al-lameh Ebu el-Wefa Afgani komenton në këtë transmetim në shënimin e tij të Kitab el-Athar të Imam Muhamedit: "Ky është transmetimi më autentik në këtë kapitull. Për këtë arsye Imam Ebu Hanife e bëri këtë qëndrim të medhhebit". Ky transmetim ilustron si sahabinjtë femra, mbanin trupin e tyre strukur, të ngjitur për toke gjersa ishin ulur në namaz, qartë për arsye të mbulueshmërisë shtesë.
[28] - Bejhekiu, el-Sunen el-Kubra (2:222). Musennef Abdurrezak dhe Musennef Ibn Ebi Shejbeh po ashtu e përmban këtë transmetim me zinxhiret e tyre që shkojnë deri tek Aliu (r.a.). Ibn Ebi Shejbeh në Musenefin e tij shënon një formulim shumë të ngjashëm nga Abdullah ibn Abasi me atë të Aliut.
[92] - El-Xhehweri, el-Sihah, Kapitulli i shkronjës Z, Kapitulli i letrës H. Bejrut: Dar el-Ilm li el-Melajin.
[30] - Ibn Adi, el-Kamil, (2:214), Bejhekiu, el-Sunen (2:223). Ka disa transmetime nga dijetarët e Selefit në çështjen e dallimit në mes të meshkujve dhe femrave që mund të gjenden të shpërndara në Musenefin e Ibni Ebi Shejbes (një vepër e madhe për qëndrimet e fikhut të gjeneratave të para) dhe Musenefin e Abdurrezakut.
[31] - Në Ta'likun e tij në Librin e ezanit, Kapitulli Qëndrimi i sunetit për Uljen.
[32] - Imam Ahmed Raza ofron një tjetër shembull nga tradita e ndritur që tregon se mbulimi/fshehja maksimale gjendet në të gjitha veprimet e femrave në namaz.
[33] - Muhamed esh-Shejbaniu, Kitab el-Ether, (fq. 44) Kapitulli Femra si prijës në Namaz ... Karaçi: Idaret el-Kur'an wel-Ulum el-Islamijje.
[34] - Abdurrezak, Musenef, (3:141) Kapitulli Femra si prijës në Namaz, Bejrut: el-Mektebel-Islami.
[35] - Imam Ahmed Raza nuk e përmend këtë hadith.
[36] - Tirmidhi, el-Xhami', (1:140) Kapitulli i Gjidhënies. Delhi: Kompania Amin.
[37] - Imam Ahmed Raza kthehet tek ajo çka ai ka përmendur më herët që të gjitha veprimet në namaz janë të bazuara në nderim dhe përulësi, duke vënë në dukje që mënyra e nderimit të femrës është ndryshe nga meshkujt.
[38] - Kjo është e bazuar në një hadith që transmetohet nën autoritetin e Ibn Abasit (r.a.) i cili thotë: I Dërguari i Allahut s.a.v.s., është pyetur rreth veprimeve më virtuoze për të cilin ai u përgjigj: "ato që janë më të vështira (ahmezuha)",d.t.th.: ato që kërkojnë më shumë mund. Ibn el-Athir el-Xhezari e përmend atë në el-Nihaje fi Garib el-Hadith dhe Sahaviut në el-Mekasid el-Haseneh.
[39] - Lexuesi këtu do të sheh njohuritë e Imam Ahmed Raziut për medhhebet tjera dhe tekstet e tyre, dhe kritika e tij prej dijetari në argumentin e tyre për këtë çështje.
[40] - Bulug el-Meram, hadithi no. 275.
[41] - Ai tregon që qëndrimi i shkollës Shafite nuk është i mbështetur nga asnjëri prej këtyre dy hadithëve. Ibn Nuxhejm el-Hanefi bën një koment të ngjashëm në El-Behr El-Re'ik (1:303) në lidhje me qëndrimin e Shafijve.
[42] - E kam kërkuar Fetavanë dhe Xhid el-Mumterin e tij, komentimin e tij të Redd el-Muhtar, por nuk kam mundur ta gjejë këtë diskutim.
[43] - Buhariu, Xhuz Ref' el-Jedejn, (fq. 12).
[44] - Imam Abdullah ibn Mahmud el-Mewsili citon këtë pjesë të hadithit në el-Ihtijar Li-Te'lil el-Muhtar (1:49).
[45] - Muhadith-e Wasij Ahmed Suwreti, El-Te'lik el-Muxheli lima fi Munjet el-Musali, (fq. 278), Lahore: Botimet Dhij-jel Kur'an.
[46] - Sipas transmetimit të Hasan ibn Zijad, ky ishte qëndrimi i Imam Ebu Hanifes. Mirëpo, el-Merginani në veprën el-Hidajeh dhe të gjithë komentatorët e saj, vërtetojnë transmetimin e Muhamed ibn Mukatilit nga nxënësit e Imam Ebu Hanifes, që thotë, femra duhet t'i ngrejë duart e saj deri tek shpatullat. Shih veprën Fet'h el-Kadir nga Ibn el-Humami (1:246) dhe El-Bahr er-Ra'ik nga Ibn Nuxhejmi (1:322).

Në rregull Kjo webfaqe përdor cookies. Duke përdorur këtë webfaqe, do të pranoni edhe vendosjen e cookies. Më shumë Info ...